Albspirit

Media/News/Publishing

Desada Metaj: Kush fitoi sot?

Pas shumë ditësh në një ngërç politik dhe negociata pa asnjë rezultat, mbrëmja e sotme dhuroi lëvizjen e parë që duket se të paktën çtensionoi pritshmëritë e ditës së zgjedhjeve në Kavajë. Edi Rama në një konferencë të paralajmëruar njoftoi tërheqjen e kandidatit socialist dhe pak më pas edhe kandidati tjetër i regjistruar si i pavarur u tërhoq nga gara duke i dhënë fund sagës së paralajmërimeve se Kavaja do të ishte dhe testi i madh i asaj çfarë pritet të ndodhë në 28 qershor, në rast se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

Pavarësisht se shumë socialistë mund të kenë qenë të pakënaqur nga vendimi i kryeministrit, duke e konsideruar atë si tërheqje përballë presionit të opozitës, Edi Ramës i duhej profili i një kryeministri të matur që shmang destabilitetin eventual  në një qytet të vogël si Kavaja, ku vetëm prezenca e mijëra njerëzve të shtuar do të ishte tronditëse për një ditë të zakonshme zgjedhjesh. Ky veprim i ardhur në limitet kohore ndërkohë që policia ishte zhvendosur në Kavajë për të siguruar qetësinë, tregon qartë se kryeministri, edhe pse mund të ketë qenë i dyzuar, e ka marë vendimin vetëm gjatë ditës së sotme pas takimit me ambasadorin Lu.  Pavarësisht zërave  se kandidatët mund të tërhiqeshin nga gara qarkulluan ditë më parë, vendimi i marrë sot tregon se Edi Rama ka pritur për një marrëveshje deri në minutën e fundit.

Në emër të marrëveshjes së munguar ai sakrifikoi kandidatët e Kavajës, duke e lënë këtë qytet pa kryetar të zgjedhur bashkie.  Rama veproi në emër të një krize që, në fakt,  më shumë se gjithçka, kërkon largimin e tij si kryeministër që përgatit zgjedhjet. Lëshimi që Edi Rama bëri sot, edhe pse nga opozita mund të konsiderohet si frikë nga ajo çka mund të ndodhte në Kavajë, nuk mund të shihet në asnjë mënyrë prej PD si shenja e parë se kryeministri do të lëshojë terren nga pushtetit i tij për të gjetur zgjidhjen e krizës.

Sigurisht që Edi Rama  nuk është i gatshëm të lëshojë postin e tij, madje as ministrat që paketa e ndërkombëtarëve e solli si alternativë, as shtyrjen e datës së zgjedhjeve apo votimin elektronik. Të gjitha këto mbeten ende pjesë e negociatave që nuk kanë çuar gjëkundi askënd, përveç se i “hëngrën kokën” kandidatëve të Kavajës. Po aq sa dhe gëzimi i opozitës dhe festimet e saj kanë nota teprimi ndërkohë që akti i sotëm i Edi Ramës tregoi qartë se ai mund të lëshojë terren në prapavijë, mund të sakrifikojë të tjerët, por kurrsesi në vijën e parë të qeverisjes, ku pas kaq ditësh nuk ka ende asnjë shenjë lëshimi.

Sigurisht që qëndrimi i sotëm i kryeministrit  për Kavajën ngjall entuziazëm tek protestuesit në Çadrën e Lirisë. Por ultimatumi me të cilin ai paralajmëroi opozitën se do e presë atë deri në datën 8 maj asesi nuk mund të konsiderohet si shenjë se Edi Rama do të tërhiqet nga pozicioni i derimëtanishëm. Në strategjiinë e kryeministrit, akti i sotëm dhe “viktimizimi” se për hir të stabilitetit sakrifikon Kavajën, mund të jenë asete në marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Jo më kot ambasadorët kryesorë nxituan ta përshëndesin deklaratën e Edi Ramës. E gjithë sa ndodhi mund të konsiderohet lëvizja e parë e negociatave të ngrira mes palëve. Që megjithë zhurmën dhe festimet qe e pasuan mbetet e pavlerë nëse nuk shfrytëzohet nga palët që përpiqen ta “shesin” si fitore.

Please follow and like us: