Albspirit

Media/News/Publishing

Falma Fshazi: Makron, fuqia e thjeshtësisë

“Unë dua të bëhem president, por kjo s’është gjithçka që dua. Dua të bëhem president, por kjo s’është ëndrra e jetës sime dhe është çështje dëshire, jo rrjedhojë situatash dramatike. Unë dua të jem presidenti i Francës, por s’jam as më i dituri, as më i miri, as më interesanti ndër ju. Dua të jem presidenti, por nuk mendoj se po t’mos isha unë, kush e di kë do kishit të mjerët ju. Dua të përfaqësoj vendin tim në nivelet më të larta ndaj s’kam kohë për kundërpërgjigje, as kam mundësi të merrem me vogëlsira.
Unë jam europian ndaj as i jap leksione, as i hakërrehem Europës. Jam europianist ndaj jam profesionist dhe institucionalist. E respektoj Europën ndaj dëgjoj me vëmendje një ekip ekspertësh të shkolluar me të vërtetë. E vërtetë, më mbështesin emra të njohur të botës intelektuale, sepse në vendin tim të suksesshmit nuk para e kanë problem suksesin e të tjerëve. Sidomos të atyre si unë që dinë të pranojnë gabimin, unë kam gabuar, kam dhe dështuar në detyrë, ndaj e shoh në sy që ta kuptoj dhe revoltën.
Gjithsesi nuk kundërpërgjigjem, dialogoj. As nuk harxhoj kohë duke i përmendur të metat të tjerëve, kjo kohë le të shkojë për vlerësimin e arritjeve, qoftë dhe të kundërshtarëve, apo kujtdo.
Nuk kam të shkuar të gjatë në politikë, as kam synim të kem të ardhme të gjatë në të. Nuk kam një skenar dramatik për të tashmen e Francës dhe Europës. As pretendoj se do arrij i vetëm çdo gjë, por do negocioj e bëj reformat në të cilat kanë dështuar shumë qeveri radhazi. Dua një Francë të fortë në një Europë që mbron
“.

Kështu mu duk se thoshte me përgjigjet dhe gjuhën e trupit, Emmanuel Macron, gjatë bashkëbisedimit me një nga gazetarët më të suksesshëm e ndoshta më cinik të ekranit francez, Ian Barthes.

Është i qartë dhe i thjeshtë çdo formulim i tij dhe në fytyrë ka një lloj mënyre habitore sikur thotë vazhdimisht: “Aha dhe kjo po më ndodh mua. Mirë, ta marrim me sportivitet”. Rrjedhimisht në pamje të parë, të ndikuar dhe nga ç’na kanë parë sytë e dëgjuar veshët në politikë, është e vështirë t’i besosh edhe pse është kjo qasja, që do doja të shihja tek çdo politikan.

Më pas, në debatin e mes dy tureve, përballë një populisteje par exellence, nën një presion fyerjesh të pashembullta për debatin politik francez, Emmanuel Macron ruajti të njëjtën qasje. U kundërpërgjigj vetëm për t’i treguar kundërshtares se po notonte në baltë, por nuk u bë pjesë e baltovinës së llafeve, që siç tha vetë, ishin: thuaj ç’të mundesh, pa lidhje fare.

Macron nuk iu përgjigj në asnjë moment fyerjeve personale, përfshi asaj ku Le Pen mendoi se qe e udhës t’i kujtonte francezëve se ajo nuk qe mësuese gjimnazi dhe ai nxënësi që po ia merrte mendjen. Macron si gjithnjë, thjeshtë, i kujtoi Le Pen mungesën e elegancës në mendim, pasi ajo qartazi kishte fyer krenarinë e fuqisë së pestë në botë, duke thënë se nëse Macron fitonte, Franca qeverisej nga Angela Merkel.
Në një debat që në Ballkan e Shqipëri do konsiderohej shumë elokuent, por për pjesën kryesore të analistëve francezë u cilësua si ndeshje boksi me shumë kakofoni, Emmanuel Macron, duke marrë dhe kosto personale, nxori zbuluar qëllimin, cilësitë dhe fytyrën e konkurrentes për të treguar se dhe kur i duhet të boksojë, di ta bëjë pa u sulur poshtë belit, aty ku gjuante në vijimësi zonja përballë.

Për mënyrën habitore që i shfaqet shpesh në fytyrë dhe ngaqë jam më e majtë se programi i tij, nuk e votova në turin e parë Emmanuel Macron, por do ta votoj të dielën;

Jo, vetëm se populizmi i Le Pen është i papranueshëm për çdokënd dëshiron një botë paqeje e mirëqenieje në Europë e përtej;

Jo, se do ta votojnë gjithashtu shumë mendje të ndritura franceze e europiane që i besojnë;

Dhe, jo, se më bind as majtas as djathtas e tij, sado që kjo ka kuptim, veçanërisht tani kur s’ka ngelur më dallim mes të majtës dhe të djathtës;

Por sepse kam shpresë se do ta ushtrojë detyrën e lartë pa arrogancë, me profesionalizëm dhe duke ditur të dëgjojë. Sepse Europën nuk e ka ligjëratë, por mënyrë të qenurit, dhe nuk merret me historikun e saj, por me ç’është dhe çdo të bëhet. Sepse di të thotë po, kam gabuar, dhe duket se di ta konsiderojë detyrën si një ndeshje sportive, ku sfida s’është të tregojë sa i zoti është ai vetë, por se di të fitoje me dhe për të gjithë ato që e mbështetën.

Një shumicë bindëse do ta votojë Macron të dielën sepse Europa ka nevojë për Francën dhe për entuziazmin që vjen nga këto shpresa krejt të thjeshta, por të sinqerta që kam dhe unë.

Shumë prej nesh do ta votojnë Macron më 7 maj se kur të na rriten fëmijët duam që politika, në Francë e përtej, të jetë hapësira e vajzave e djemve që janë të suksesshëm dhe politikën e kanë sfidën e radhës, sa profesionale, aq dhe qytetare, e jo fytyra e klasave politike që bëjnë “punë fort të mëdha” ndërsa të pinë gjak në vetull.
Bashkë me ato që parashikohen të jenë 62 për qind e francezëve, do të votoj për Macron të dielën, se shpresa vdes e fundit dhe heshtja është simptomë  e vdekjes, ndaj duhet folur qytetarisht e veçanërisht me votë.

Thonë se Europën nuk  e bënë politikanët, por intelektualët. E meqë Emmanuel Macron duket se di t’i dëgjojë fort mirë intelektualët e vërtetë, atëherë ka përsëri shpresë. Ndaj shpresës qoftë dhe përsëri me naivitet, do t’ia jap votën, me qetësinë shpirtërore që dhe një herë, përpos gjendjes në të cilën ka rënë politika gjithandej, munda të zgjedh, e tërhequr nga thjeshtësia që mungon ndjeshëm në të gjitha qarqet politike kudo qofshin ato.

Shtypi ndërkombëtar e ka quajtur Macron revolucionar, Napoleon Bonopart, apo John Kennedy. Unë besoj se do votohet të dielën sepse nuk është asnjë nga këto, por njeriu që diti të hyjë e qëndrojë në majat më të larta të politikës duke qenë vetvetja; Emmanuel Macron, që s’ka magjepsur francezët, por ka ndezur tek shumëkush një shpresë të brishtë europiane dhe këtu fillon gjithçka…

E për këtë tipologji të ri lideri, të ri në moshë e të freskët në mendime, Franca heshturazi dhe përzierë me refuzimin ndaj populizmit, do tregojë të dielën se është krenare.

Le të shpresojmë që si qëndrimet e idetë e revolucionit, tipari kryesor i kësaj tipologjie, do përhapet e bëhet e parezistueshme; thjeshtësia./dritare.net

Please follow and like us: