Në Paris me dhe për Ismail Kadarenë
Nga dhjetori i vitit 1886 gjer në shkurtin e vitit në vijim, Freud, student i varfër e me një frëngjishte të çalë mundi të sigurojë një bursë dhe shkoi në Paris, ku u vendos në Hotel Brazil, Rue le Goff. Aty, ai ndoqi mësimet e psikiatrit francez J.M Charcot (neuropatologu më i njohur në atë kohë) si edhe konsultat e tij në spitalin Salpêtrière, lidhur me hipnozën dhe histerizmin. Sot, ne hyrje ne hotelit, ne kujtim të kësaj ndenjje, është vendosur një pllakë përkujtimore.
Po atë mbrëmje të instalimit tonë në Hotel Brazil, do të vijonte edhe një tjetër ngjarje e papritur, e rrallë, emocionuese dhe tepër e këndshme. Takimi intim me shkrimtarin Ismail Kadare, në Brasserie Royal Louxembourg. Ambasadori ynë në Francë, shkrimtari Ylljet Aliçkaj, kishte lenë takim me të dhe ne u ulem për ta pritur, në një tavolinë, jashtë lokalit. Ishte një mbrëmje e ngrohtë dhe plot lëvizje. Parisi zhurmonte nga turistet e shumtë dhe qarkullimi i automjeteve. Kadare erdhi në bar për pak minuta dhe me të ndenjëm rreth një orë e gjysmë. Edhe pse të nesërmen, herët, ai do të shkonte në Londër, ku ishte ftuar për të marrë pjesë në promovimin e botimit të librit të tij, ‘Hamleti, ky princ i vështirë’, ai qëndroi mes nesh me kënaqësi të veçantë dhe pjesa më e madhe e bisedës së tij u përqendrua rreth Shqipërisë, letërsisë, botës artistike në Francë, shqetësimeve të intelektuale shqiptare për ecurinë e proceseve demokratike në atdhe, si edhe tema të tjera.
Kolokiumi ndërkombëtar, i cili u zhvillua ditët e fundit, ishte organizuar nga qendra e Kërkimeve të Letërsisë dhe Poezisë së Krahasuar, në Universitetin Paris X Nanterrë. Në të morën pjesë 24 autorë të ndryshëm, pedagogë universitetesh, mjeshtër konferencash, përkthyes e studiues të Kadaresë nga Franca, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Australia etj. Kolokiumin e hapi, Claude Durand, president i Shtëpisë Botuese Fayard e, pastaj, vijuan seancat e kumtesave dhe diskutimet rreth tyre. Kështu, Peter Morgan, profesor ne Universitetin e Western në Australi, mbajti temën ‘Shqiptarizmi, Modernizmi dhe Humbja te ‘Ura me Tri harqe’, ndërsa John K. Cox, profesor në North Dakota State University, SHBA temën ‘Mes Universales dhe së Zakonshmes : Mënyra dhe tema në evolucionin e idiomës së Kadaresë lidhur me stalinizmin historik’. Ariane Eissen, mjeshtre konferencash në Universitetin e Puatje, temën : ‘Promethetë e Kadaresë : mjeshtëritë e te shkruarit’, Jean-Paul Champseix, doktor në HDR, INALCO – Lyon temën: ‘Zeusi, referencë totalitarizmi te Ismail Kadare’. Ndër referuesit shqiptarë, përmendim Ardian Marashin, mjeshtër konferencash në INALCO dhe drejtor i Institutit Albanologjik në Tirane, Ledia Dema, doktore në Universitetin Lyon 2, Alketa Spahiu, profesore në Strasbourg dhe Tirane, Ornela Todorushi doktore në Universitetin, Paris 3, Dashnor Kokonozi, shkrimtar, Vasil Qesari publicist etj.
Kolokium u organizua nene drejtimin e Veronique Gély, profesore e Letërsisë së Krahasuar në Universitetin e Paris X – Nanterre, në bashkëpunim me Jean-Paul Champseix, Arianne Eissen, Ardian Marashi dhe Qendrën e kërkimeve të Letërsisë dhe poezisë së krahasuar, me mbështetjen e ED LLS dhe UFR LLPhi …
Në foto : Shkrimtari i shquar Ismail Kadare, ambasadori i Shqipërisë në Francë Ylljet Aliçkaj me bashkëshorten, Vasil Qesari e Dashnor Kokonozi.
Vasil Qesari