Jason Goodwin: Ismail Kadare, i vetmuari i kampit socialist
Të gjithë shkrimtarët janë të vetmuar, por Ismail Kadareja, ndoshta, më tepër se shumica e tyre, si shkrimtar i cili përdori një gjuhë të vogël, i detyruar që për shumë vite, idetë e tij t’i shprehte nën një diktaturë staliniste.
I vetmi njeri, më i vetmuar se shkrimtari, mund të jetë një diktator. Tiranët dhe sulltanët janë të vetmuar. Për të komunikuar me njëri-tjetrin, skllevërit e sulltanit në pallat, në Stamboll, përdornin një gjuhë të heshtur, ixarette (gjuhë shenjash), me qëllim që të mos molepsnin veshët e Padishahut me zërat e tyre të ashpër dhe shqetësimet e tyre të vogla e materiale. Pra, sulltani jetonte në mesin e njerëzve të tij në heshtje, duke ushtruar fuqinë e jetës ose vdekjes, duke drejtuar fatin, duke ndërhyrë në mënyra të vogla e të mëdha, siç bëjnë shkrimtarët brenda pallateve të tyre imagjinare.
Ndonjëherë, dekretet dhe interesat e sulltanit patën prekur Shqipërinë, një vend malor i banuar nga një popull i lashtë, i cili flet një gjuhë ilire, që ishte e vjetër edhe kur Sokrati jetonte në Greqi. Pesha e fjalëve të sulltanit ra në mënyrë të shpërpjesëtuar mbi vendin e vogël, ku qëndresa ishte thuajse e kotë. Askush nuk mund t’i kundërvihej apo të kundërshtonte kënaqësinë e sulltanit, sepse rrezikonte vdekjen.
Por, megjithatë, shqiptarët gjetën mënyra për të përmbysur qëllimet e sundimtarëve të tyre. Sepse, nëse në shekullin XV osmanët i gllabëruan, pesëqind vjet më vonë shqiptarët kishin marrë në dorë administrimin e pjesës më të madhe të perandorisë, përfshirë Egjiptin.
Që në fillim, Kadareja hodhi poshtë kërkesën zyrtare për të shkruar romane të realizmit socialist dhe në vend të tij hodhi farën në terrenin e rrëshqitshëm, por pjellor, të mitit, alegorisë, aluzionit dhe historisë. Me botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, në vitin 1963, ai filloi të shkruante mbi një oficer italian, i cili erdhi në Shqipëri pas luftës për të mbledhur trupat e vdekur të njerëzve të tij. Vepra e tij përvijohet nga humori i hidhur, ironia e errët dhe fabulat e tij kanë një shije të çuditshme dhe të papritur, si vendi mbi të cilin shkruan. Ato lëvizin zigzag; merren seriozisht me shakatë dhe bëjnë shaka me gjërat serioze: ndonjëherë të çuditshme, shpesh të mbinatyrshme, por gjithmonë reale dhe madhështore. Kadareja është shprehur se ai synon të krijojë “një lloj sinteze të tragjedisë së madhe dhe groteske”, duke argumentuar se Shqipëria është pranë botës së Eskilit dhe origjinës së tragjedisë, ku vetë gjuha e saj ruan theksat e të parëve, si edhe përkushtimin e saj ndaj gjakmarrjes, kanunit arkaik, që rregullon ato dhe ritet tradicionale të dasmës. Kadareja e gjen frymëzimin e tij në grykat e thepisura të gjeografisë së Shqipërisë, në trajtat e rrudhosura të historisë së saj, në skutat e errëta të mitit dhe magjisë së tij. Ai gëzon emër në mbarë botën, por vepra e tij është tejet lokale, kurse interesat e tij universale. Kjo është arsyeja përse vepra e Kadaresë vazhdon dhe ndoshta, kjo bëri që si shkrimtar ai të mbijetonte.
Enver Hoxha, stalinisti që udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1946 derisa vdiq dyzet vjet më vonë, e spastroi pareshtur shoqërinë e vet, shokët e shkollës dhe miqtë e tij, duke jetuar më gjatë se ata. Megjithatë, edhe pse Kadareja e vuri tiranin e madh në një roman, Hoxha nuk guxonte të shkatërronte shkrimtarin.
Ismail Kadareja ka lexues në tërë botën dhe ka fituar çmime të shumta për veprën e tij, përfshirë “Man Booker Prize”, “Prince of Asturias” për letërsinë dhe “Jerusalem Prize”; ai është kandiduar vazhdimisht për t’u bërë fitues i çmimit “Nobel”.
Bisedat e Alda Bardhylit me Ismail Kadarenë, të paraqitura në këtë libër, mbulojnë një gamë të madhe temash, personale dhe profesionale, përmes një zhbirimi magjepsës në jetën e një shkrimtari, i cili jetoi nën një regjim shtypës. Aty gjendet fëmijëria e tij në Gjirokastër dhe përpjekjet e tij të para “për t’u bërë shkrimtar”, pas një takimi mbresëlënës me Makbethin e Shekspirit. Ai flet për triumfet dhe zhgënjimet e para, të ndërthurura me historinë e dashurisë së parë të vërtetë, deri te liria relative e mendimit dhe veprimit që zbuloi në Shën Petersburg, në vitin 1958.
Letrat e dashurisë sollën romanin e tij të parë; Moska tjetrin; por tashmë Kadareja e kishte nisur lojën si macja me miun me regjimin shqiptar, që tek ai si shkrimtar la aq shumë gjurmë. Në këtë libër Kadareja flet shumë haptazi me Alda Bardhylin për marrëdhënien e tij komplekse dhe të rrezikshme me klanin Hoxha dhe sidomos me diktatorin Enver. Ai diskuton edhe mbi përpjekjet për t’u arratisur, mbi periudhën si deputet dhe shpresat e tij pas shembjes së regjimit komunist, në vitin 1990.
Kjo është seria më e shtjelluar e bisedave të mbajtura me Ismail Kadarenë, një bisedë mes një shkrimtari të rëndësishëm shqiptar dhe një studiueseje të re shqiptare, mbi dashurinë, letërsinë dhe historinë e shekullit XX, që do të bëjë jehonë përtej kufijve të vetë Shqipërisë.
[i] Jason Goodwin është një nga emrat më të njohur të letërsisë së sotme britanike.