Albspirit

Media/News/Publishing

Denion Meidani: Zgjedhjet njëngjyrëshe si testim të rezistencës së mbetur qytetare

Studimet e deritanishme mbi autokracinë, autoritarizmin e totalitarizmin janë më se të bollshme. Përgjithësisht, liderët autokratë, autoritarë e totalitarë i përdorin zgjedhjet një-partiake apo pseudo-zgjedhjet shumë-partiake (me parti satelite, ose të komanduara) si një mekanizëm për të mësuar e testuar preferencat dhe gjykimet e qytetarëve.

Mekanizma e informacione të tilla të përftuara janë shumë të nevojshme për jetëgjatësinë dhe qëndresën e regjimit. Të nevojshme sepse lideri autoritar teksa nga njëra anë i përdor si kamuflim demokratik për ndërkombëtarët duke siguruar pushtet maksimal nga ana tjetër nëpërmjet këtyre të dhënave mat nivelin e mbështetjes ndaj tij dhe regjimit.

Po ashtu, kjo e ndihmon atë që të dijë deri ku mund të shkojë apo sa mund të kërkojë akoma nga subjektet për sa u përket taksave, kontributeve, sa tolerohet shpërdorimi, korrupsioni, trysnia policore, etj. Për më tepër, çfarë duhet të ndryshojë ai në politikat lokale e kombëtare për të garantuar nivelin e nevojshëm të mbështetjes publike dhe dominuar pakënaqësitë. Me zgjedhje të kësaj natyre gjithashtu përftohet informacion mbi opozitën potenciale ndaj pushtetit autokratik si nga brenda regjimit e aleancës po ashtu dhe nga jashtë pushtetit.

Këto lloj regjimesh mbështeten në disa kolona të brendshme si tek oligarkët për pushtet ekonomik e përfitime, tek forcat e policisë dhe ushtrisë për sigurinë bazike dhe atë të shtrirë e imponuese ashtu dhe tek burokratët e militantët në administratë. Në rastin tonë, mund të shtohet edhe pranimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, i hapur ose i fshehtë, naiv ose i detyruar, i narko-trafikut e narko-trafikantëve si brenda, ashtu dhe jashtë strukturave të shtetit, për përfitime e avancime ekonomike, siguri e mbështetje.

Në të vërtetë, dezertimi i brendshëm dhe mungesa e besnikërisë janë tejet të dëmshëm dhe erozivë për këto lloj regjimesh. Për këtë arsye, është thelbësore për autokratët, totalitarët ose autoritarët që të ndajnë një pjesë të limituar të pushtetit me këto faktorë të brendshëm për t’i kënaqur e qetësuar ata, sidomos nëse gëzojnë diku dhe mbështetje prej qytetarëve.

Pra, është i nevojshëm informacioni mbi fuqinë e opozitës së brendshme dhe të jashtme edhe për ta eliminuar, copëtuar apo kooptuar atë si një rrezik potencial. Sigurisht elitat autoritare kërkojnë, gjithashtu, mënyra për të përzgjedhur e vlerësuar performancën e vartësve, sidomos atyre larg qendrës së gravitetit të pushtetit nëpër provinca, ku zyrtarë lokalë të paaftë dhe të korruptuar mund të rrezikojnë legjitimitetin, deri dhe fatin e regjimit.

Sigurisht përdorimi i zgjedhjeve në një mënyrë të tillë përbën dhe vetëm dilemën e parë të këtij lloj “diktatori” modern (me shfaqje autokrati dhe prirje totalitari), të cilët përballen me një “trade-off” midis mbledhjes së këtij informacioni kaq të nevojshëm dhe organizimit e garantimit të një fitoreje elektorale, që të duket bindëse dhe e pranueshme por ndërkohë që të japë imazhin e një regjimi të palëkundur e përherë të fortë.

Dilema e dytë e diktatorit është gjetja e balancës midis përdorimit të blerjes, kërcënimit e forcës dhe gjetjes së mënyrës për të zbërthyer e përkthyer opinionin qytetar (nën trysninë e detyrimit dhe trembjes) të shprehur me votë apo nëpërmjet një sjellje kritike, vetë opinionin e vërtetë mbi liderin e regjimit. E natyrisht, këtu, nuk ndihmojnë as sondazhet dhe as shërbimet e inteligjencës.

Në këtë kuptim, zgjedhjet e përgjithshme do të ndihmonin patjetër në mbledhjen e informacionit në këtë drejtim, veçse me një korrelacion për sa i përket rezultatit të tillë që sa më afër ky rezultat ndaj realitetit, aq më i pakët ka qënë deformimi dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e regjimit.

Me një logjikë të tillë mund të analizohen situata të ngjashme që nga koha e Gandit e Sartorit, ku vihen në dukje përfitimet e një diktatori në një garë elektorale brenda një pluralizmit të simuluar. Madje, Sartori  vlerëson se në çdo rast, këto lloj zgjedhjesh të stimuluara janë qartësisht më të avancuara krahasuar me ato të sfidave elektorale një-partiake.

Për fat të keq, diçka e ngjashme po përgatitet në rastin aktual shqiptar. Regjimi i Ramës, më 18 qershor, do të kryejë zgjedhje ku subjekti elektoral ASHE thjesht u shpërbë në 15 subjekte, pikërisht për të krijuar idenë e garës elektorale.

Këtu dilema e tij në këtë garë është që të “rrëmbejë” sa më shumë vota dhe që të vazhdojë të kontrollojë i vetëm të gjithë pushtetet, pa ndarje e pavarësi kushtetuese, apo edhe që të sakrifikojë pak duke shpërblyer dhe subjektet vasale me disa vota, firma e poste sa për të krijuar një pseudo-opozitë. E thënë ndryshe, për të ndarë (në të vërtetë për të pseudo-ndarë) një çikë përgjegjësi e mbase shumë pak pushtet me të tjerët.

Rëndësinë  e të tilla garave elektorale në sisteme një-partiake apo ato me pluralizëm të simuluar e kanë analizuar sidomos Magaloni dhe Kricheli. Sipas tyre, nisur dhe nga ciklet historike, sistemet një-partiake pa opozitë të ligjshme kanë dëshmuar që të jenë forma më të durueshme të autoritarizmit. Në çdo rast gara elektorale është simuluar me sukses për dekada, pikërisht për mbledhje informacioni e lexim situate si dhe në funksion të ndarjes së pushtetit si tortë ndaj faktorëve potencialë e fraksioneve të brendshme.

Prof. Levitsky, duke u mbështetur në analizën e dy kërkuesve të mësipërm, bazuar dhe në kërkimet e veta në Rusi, shton se sa më hegjemon është një regjim, aq më e vështirë është, me kalimin e kohës,  identifikimi konkret i opozitës, qoftë dhe asaj të brendshme, madje aq më i pamundur është kooptimi i vërtetë i saj në rrjetën e merimangës. Apo akoma, edhe shpërblimet e ndarjet e pushtetit të brendshëm me qellim për të garantuar jetëgjatësinë e sistemit. Por, pavarësisht këtyre limitimeve ai bie dakord se, në çdo rast, ky lloj sundimtari autokrat apo ky “diktator modern” përfton një gamë të mjaftueshme informacioni dhe organizmi edhe nga këto ushtrime “elektorale” farsë

Nuk mohohet se edhe në të tilla zgjedhje farsë nuk mungon manipulimi i sanksionuar para apo pas elektoral. Manipulimi para elektoral është dhe ai që lidhet me “skemën” e vetë ndarjes administrative apo me të ashtuquajturin “gerrymandering” (krijimin e epërsisë politike me manipulimin e zonave elektorale administrative).

Ose, akoma, me rritjen e peshës elektorale atje ku regjimi është më i fortë, me caktimin e renditjes në listën e përfaqësimit që do të votohet apo dhe me përzgjedhjen e llojit të kandidatëve, qofshin ata me pozicion të favorshëm në shtet, por dhe ata me reputacion në zonë, me lekë, të fortët; deri pastaj me abuzimin në lista dhe votim, etj. E thënë ndryshe, duke influencuar votimin në varësi të atributit primar të përzgjedhjes së këtyre kandidatëve.

Ndërsa manipulimi pas elektoral ndodh mbasi përftohen dhe analizohen rezultatet, që shërbejnë si një polaroid i situatës për diktatorin dhe elitën e afërt me të. Në këto raste manipulimi është në dorë të përfaqësuesve dhe të deleguarve lokalë, që e mendojnë shumë më ngushtë dhe me interesa më të vogla, deri duke lejuar apo duke rrezikuar daljen e situatës nga dora gjatë numërimit, futjes së votave shtesë apo shkatërrimit të “buqetave” të votave të caktuara.

Ky ka qenë dhe rasti në zgjedhjet e majit 1996, me largimin e komisionarëve socialistë nga të gjitha komisionet e zgjedhjeve. Rasti post elektoral përmban shumë më tepër rrezik jo vetëm se rrezikon një deformim të dukshëm, deri dhe duke ekspozuar farsën elektorale, por dhe sepse fuqizon elementë lokalë, që mund të përzgjedhin e diktojnë jashtë apo larg vullnetit të diktatorit. Madje, ata, në këtë mënyrë, mund t’i largohen vullnetit të qendrës, duke lëkundur, kështu, balancën e pushtetit në favor të vetes dhe të përzgjedhurve të tyre, deri duke krijuar balanca të reja apo duke u organizuar kundër faktorëve të caktuar dhe regjimit në tërësi.

Ekspozimi i farsës, nga ana tjetër, ushqen pakënaqësi si të brendshme, ashtu edhe në popull. Një gjë që mund të ndikojë në krijimin e vatrave kolektive në shoqëri, mund të konvergjojnë më tej në protesta e rebelim opozitar, siç është parë në trajtë “Revolucioni Ngjyrash”, në disa vende të ish kampit socialist. Këto rreziqe e kosto të brendshme për regjimin rriten me rënien e legjitimitetit të tij, madje sa më pak legjitimitet i mbetur aq më shumë manipulime duhen bërë për ta kaluar kufirin e kërkuar si projektim i forcës së regjimit, sidomos në sytë e ndërkombëtarëve.

Mbas zgjedhjeve, manipulimeve e përftimit të informacionit të mundshëm, sipas Cox, regjimi autoritar rifillon projektimin e fuqisë për të shuar zërat e pakënaqur dhe për të dekurajuar elitat në investim dhe formim të reagimit opozitar. Mbi të gjitha, për të mënjanuar mundësinë e një rotacioni politik të dhunshëm, apo të një tranzicioni me forcë si e vetmja rrugë për ndryshim për shkak të mohimit të rotacionit paqësor pluralist.

Në këto raste shtohet presioni, blerja dhe gjuetia e shtrigave mbi elitat politike, fraksionet e brendshme, mediat, oligarkët me prirje paqëndrueshmërie. Paranoja dhe mosbesimi është në luftë të vazhdueshme me realitetin dhe rezervuarët e besimit, e mirëqënies të krijuar dikur e përherë në konsumim e dekompozim të vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, regjimi, sipas Magaloni-t, fillon rishpërndarjen e pushtetit të brendshëm dhe të zonave të influencës sipas informacionit apo leximit të fundit, pas zgjedhjeve, mbështetur në një formulë më “elastike”, e cila lejon bashkekzistencën paqësore dhe ndërveprimin e “diktatorit” bashkëkohor me elitat e regjimit, por dhe ndjekësit e tyre në rritje apo rënie numerike, në bazë të rezultatit, kontributit e sidomos përfshirjes në manipulimin elektoral apo dhe në korrupsion e krimin shtetëror.

Së fundi, vetëkuptohet se formula e “legjitimitetit”, e ndërtuar pas zgjedhjeve të tilla, është komplekse dhe me afat skadimi. Në jetëgjatësi ndikojnë mjaft faktorë, mbi të gjitha, vetë fuqia aktuale e opozitës së vërtetë, niveli real i pakënaqësisë popullore, gjendja ekonomike, situata nacionaliste në kombinim me çështje të rëndësishme kombëtare në zhvillim, etj.

Por faktorët e brendshëm nuk janë të vetmit ata me peshë. Për Dr. Zakaria, ka  një peshë të madhe legjitimiteti i përftuar nga ana ndërkombëtare, por dhe mbështetja e ofruar nga partnerët e huaj. Por, në shumë raste, një mbështetje e tillë është vetëm për status quo, thjesht për stabilitet politik deri dhe në kurriz të vetë demokracisë! Pikërisht, ky kushtëzim minimal po bëhet tepër shqetësues, aq sa dhe lëvizjet populiste po shpërthejnë fuqishëm kudo, madje dhe në vende me demokraci tepër të zhvilluar si p.sh. Franca, Spanja, Gjemania, etc.

Fabula e stabiliteti versus demokracisë po vazhdon të prekë mirëqeverisjen në vende me demokraci të brishtë, siç është ende dhe Shqipëria. Por, ama, dhe kjo brishtësi mund të hidhet lehtësisht në erë, në shërbim të ëndrrës së “diktatorit” modern që mbetet në çdo rast tepër e paqëndrueshme përsa i përket stabilitetit të arritur. Pra, akoma, vetë destabiliteti (edhe ai rajonaj) është një faktor në rritje në ekuacionin diktatorial sipas arsyeve të prekura më lart. A mund dhe a duhet të lejohet kjo?!…

Please follow and like us: