Armand Shkullaku: Kriza dhe agai i katundit politik
Vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, po paraqitet nga kryeministri dhe organet e tij propagandistike, si një plan ogurzi për të destabilizuar Shqipërinë, si një skenar për luftë civile apo si një kthim në vitin e përgjakshëm ’97.
Në anën tjetër, përballë këtij rreziku që i kanoset Shqipërisë, qëndron pasardhësi i Skëndërbeut dhe Ismail Qemalit, misionari i amanetit të tyre, i cili është i gatshëm të ofrojë gjithçka për tëshpëtuar vendin, me përjashtim të karrikes së tij. Ajo është e panegociueshme, hyjnore, e për rrjedhojë nuk mund t’u përkasë pazareve tokësore të humanëve.
Shqipëria, e cila ka kaluar jo pak kriza politike, ka njohur deri më sot dy modele të qasjes ndaj tyre. Me gjithë variacionet, këto dy modele mund të përafrohen në modelin Berisha dhe modelin Nano. Modeli i parë, i atij që e konsideronte të shenjtë karriken e tij dhe nuk e çonte ndërmend t’a negocionte, që rizgjidhej president ndërsa vendi ushtonte nga armët, që nuk negocionte asgjë dhe askënd, e çoi vendin në krizën më të thellë, pavarësisht se edhe atëherë kishte plot zëra që fajin ia vinin opozitës së kohës që bojkotoi zgjedhjet dhe nuk hyri në Kuvend.
I njëjti model nuk negocoi asgjë edhe shumë vite më vonë, kur opozita e Edi Ramës nisi grevën e urisë dhe për hir të “mandatit të popullit”, pavarësisht kostove me jetë njerëzore, nuk lejoi t’i prekej gardhi i “institucionit kushtetues”.
Modeli Nano në raport me krizat e rënda që ka kaluar vendi, ishte ai që karriken nuk e konsideronte si fronin hyjnor, të paprekshëm nga humanët. Ky model, postin e të parit të qeverisë e shihte si përgjegjësi dhe të drejtë të një grupi politik dhe jo të një individi- misionar. Fatos Nano kaloi katër vite në qeli, fioti zgjedhjet me numra dërrmues në vitin ’97 dhe pranoi që vendi të drejtohej edhe për disa kohë nga një tjetër kryeministër për hir tëuljes së tensioneve dhe shmangies së konfliktit me opozitën. Pushtetin e madh e ndau mes aleatëve, madje edhe me ata që i kishte kundërshtarë në parti. Në më pak se një vit, ndërsa opozita sulmoi kryeministrinë, e dorëzoi postin e kryministrit duke mos e konsideruar atë si vullnet të panegociueshëm të shumicës së shqiptarëve, por si një të drejtë të familjes së tij politike, për të mandatuar dikë tjetër e për të mos i hedhur benzinë zjarrit për hir të ngjitjes pas karrikes. E ndonëse fitoi me garë edhe njëherë kreun e partisë, përsëri për të mos provokuar një tjetër konflikt, postin e kryeministrit ua la në dorë prapë socialistëve.
Kaq i fortë ishte ky model në PS, sa edhe Ilir Meta, ndonëse fitoi zgjedhjet në vitin 2001 si kryeministër dhe u konfirmua me shumicë dërrmuese nga KPD, e la mandatin e tij pas një viti si mundësi për zgjidhjen e krizës politike të kohës.
Edi Ramën është gati e pamundur ta ofrosh në ndonjë nga këto modele. Ai sillet sipas modelit të moderuar dhe nuk i dridhet dora të bëjë kurban ministrat e tij “të suksesshëm”, të negociojë datën e zgjedhjeve, qoftë dhe me dy javë, të ofrojë president konsensual e çdo gjë tjetër, por shndërrohet në një “berishë” kur vjen puna t’ia dorëzojë partisë së tij mandatin e kryeministrit, qoftë edhe për dy muaj.
Një lider që u thotë shqiptarëve se ekziston një plan për të destabilizuar vendin, se rrezikohet lufta civile, se për të shmangur këtë rrezik anullon zgjedhjet në një bashki, mund ta sakrifikojë postin e tij në emër të stabilitetit dhe Shqipërisë. Nuk mund të jesh një “nano” kur është fjala për Tahirin, Beqen apo Kavajën dhe një “berishë” për karriken tënde dhe 18 qershorin.
Modeli i Ramës, që u pa dhe në Kongresin e çuditshëm elektoral, është ai i agait të katundit tonë politik dhe jo ai që frymëzohet nga ndonjë filozofi apo parim ideologjik a moral. Eshtë degradimi i 27 viteve të politikës shqiptare, që në emër të vullnetit të popullit ka mbetur e kapur në tre emra. “Rilindasi” në fakt përbën shprehjen e koncentruar të këtij degradimi, që karriken e tij nuk e lidh thjesht me vullnetin e popullit por dhe me amanetin e Ismail Qemalit. Mjafton biografia dhe fotografia për të kuptuar se ku kemi rënë.