Ismail Kadare: BALADË PËR VDEKJEN E JUSUF GËRVALLËS
Tregim
1.
Spitali i ri i qytetit të vogël Untergrupenbah (ai në të cilin dhjetë muaj më vonë, pikërisht në një ditë të ngjashme do të vdiste J.G.) u përurua në mbarim të dimrit. Ishte ftohtë dhe kishte ende dëborë të pashkrirë në kopshtin dhe rrethojën prej kangjellash të hekurta. Bardhësinë e saj, sidomos në ato vende ku ajo kontrastonte me tokën e zezë, kronisti i TV e shfrytëzoi me mjeshtëri në marrjet e tij duke e gëshetuar me kontrastin që krijonin përparset e bardha të personelit shëndetësor me kostumet e zeza të zyrtarëve e të të ftuarve të tjerë në ceremoni. Ishte pa dyshim një rastësi, por në sfond të asaj pamje, tingëllonin vërtet fjalët e drejtorit të spitalit, i cili pasi falenderoi qeverinë e Landit të Baden Vyrtembergut për kujdesin e saj dhe pasi i siguroi qytetarët e Untergrupenbahut se ai bashkë me gjithë personelin tjetër do të bënin çmos që të përligjnin këtë kujdes, e përfundoi fjalën e tij me një mbyllje disi patetike, që bëri shumë njerëz të përloteshin. Të jeni të bindur tha ai, se në këtë spital jeta do të luftojë kundër vdekjes, drita kundër errësirës, e mira kundër të keqes. Do të luftojmë dhe do të fitojmë.
2.
Ministrisë së punëve të Brendshme të Landit të Baden Vyrtembergut, Drejtorisë së Emigrantëve. Unë i nënshkruari J.G. ish-qytetar jugosllav me kombësi shqiptare, me profesion gazetar, i arratisur nga RF e Jugosllavisë për arsye politike, duke falenderuar edhe një herë qeverinë e RF Gjermane për dhënien e strehimit politik, shfaq dëshirën time që për arsye sigurimi të vendosem në Untergrupenbah. Siç kam deklaruar edhe në kërkesën time për strehim politik, krahas punës sime si gazetar do të merrem njëkohësisht, ashtu si edhe më parë me letërsi dhe me muzikë. Me respekt, etj. etj.
3.
Drejtorisë së spitalit të Untergrupenbahut.
Në bazë të shkresës Nr. 311 dt 3. V. 1980 të Ministrisë së Shëndetësisë së Landit të Baden Vyrtembergut, bazuar në protokollin e bashkëpunimit kulturor midis RF Gjermane dhe Jugosllavisë, nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve (pika 14 C e aneksit mbi këmbimin e përvojës profesionale) mjeku jugosllav G. Vidiç, kirurg, dërgohet në spitalin tuaj për një afat njëvjeçar.
4.
Nga hetimet private për G. Vidiqin
Vidiq? Ishte një burrë i gjatë afër të pesëdhjetave, apo ndoshta dukej aq për shkak të tëmthave të thinjur. Ishte profesionist i mirë, madje unë disa herë kisha bërë me veten time pyetjen: vërtetë përfiton ndonjë gjë të madhe në spitalin tonë? Fliste mirë gjermanishten, ishte i rregullt dhe kishte fituar simpatinë e një pjese të mjekëve për gatishmërinë që tregonte për t’i zëvendësuar në rojën e natës.
Në fillim ne ia kërkonim me drojtje një gjë të tillë, kishim përherë frikë se mos abuzonim me gatishmërinë e tij, por pastaj e kuptuam se e bënte këtë gjë me dëshirë. S’ka pse të druhemi, tha një ditë kolegu ynë. Ai është i huaj këtu dhe, në atë mënyrë jetese të mbyllur që bënë për kalimin e mbrëmjes, roja e natës është padyshim formula më e përshtatshme, për të përdorur një shprehje tepër të kohës.
Tjetër?
Çfarë të them unë tjetër? Ishte përgjithmonë një tip i qetë. Veç e kapte një lloj trazimi, ndoshta kjo s’është fjalë e saktë, një lloj ankthi do të thosha, ndonëse edhe kjo s’është e saktë. S’di si t’ua shpjegoj, do ta quaja trazim ndoshta edhe ankth sikur të mos kishte një si pikë të ngrirë në vështrim. Afrohej te xhamllëku i madh i dhomës së pritjes, ja atje, dhe ashtu përhumbshëm vështronte rrugën automobilistike. Nganjëherë të dukej se priste diçka, apo ndoshta e jepte këtë përshtypje ngaqë ishte i huaj dhe dihet që për të huaj rruga do të thotë diçka më shumë se për vendësin, andej vijnë letrat për të, ndonjë pako për Vitin e Ri, lajmet për të vetët.
Ah, me që ra fjala për postën, desha të them se ishte veçanërisht i ndjeshëm ndaj ziles së telefonit. Madje disa herë, po ta vëreje me kujdes të jepte përshtypjen se ishte në përgjim të paprerë të tij. Po kjo ishte gjithashtu e kuptueshme për një të huaj, megjithëse duhet thënë se nuk mbaj mend t’i kenë telefonuar ndonjë herë të vetët, me përjashtim të ndonjë rasti, në mos gabohem në kujtesën time.
Dhe ky përgjim i telefonit mos u shpeshtua kohët e fundit?
Nuk mund ta them një gjë të tillë më kuptoni, ishte një gjë të them e rëndomtë, që edhe po të ndodhte vështirë se do të binte në sy. Një gjë me të vërtetë mund të ishte pakëz e habitshme, madje që të jem i saktë dua t’ua pohoj se tani që po e sjell ndërmend po më duket për herë të parë e tillë. Por… para se të vij te kjo, desha të them se ajo turbullira për të cilën fola pak më parë, domethënë xhamllëku, ngrirja e vështrimit, rruga automobilistike, etj. ndodhte sidomos sa herë që dëgjohej sirena e makinës së ndihmës së shpejtë, e asaj që sillte të aksidentuarin. Ishte ndonjë kujtim personal, tronditja para operimit të ngutshëm, apo diçka tjetër, vështirë të përcaktosh. Ai nuk ishte mjek i ri, dorën e kishte të sigurtë dhe veç kësaj, dihet që operacioni i ngutshëm i një të aksidentuari të mbytyr në gjak, ka gjithmonë më pak ankth se operimi i të sëmurit për të cilin ke ditë që përgatitesh.
Kështu që… ah, po e kisha fjalën te gjëja e habitshme, që e përmenda pak më parë. Pra, të gjitha këto ishin të shpjegueshme njëfarë soj. E vetmja gjë që mund të dukej e habitshme ishte fakti që kurreshtja e tij për telefonin (nuk e di nëse fjala kurreshtje është e përshtatshme për këtë rast), pra kurreshtja e tij për telefonin në vend që të zbehej, me afrimin e makinës së urgjencës theksohej më tepër. Kështu për shembull e mbaj mend fare mirë rastin kur pasi kishte vënë dorëzat e operacionit dhe maskën, për habinë tonë të madhe e hoqi në çast këtë të fundit për të pyetur: ”Mos po më kërkojnë në telefon?” Në të vërtetë zilja e telefonit po binte në sallon, dhe ai nuk e vuri maskën vetëm pasi e mori vesh se kërkonin dikë tjetër.
Po në ditën e shtatëmbdhjetë janarit a foli në telefon me dikë?
Me sa di unë, jo.
5.
Nga dëshmitë për natën e shtatëmbëdhjetë janarit. Zigrrid D., gjerman, banor i Untergupenbahut fqinj i viktimës.
Ora kishte kaluar dhjetën. Megjithëse nata ishte e ftohtë kisha dalë në ballkon për të marrë ajër të pastër. Rruga përpara shtëpisë sime ishte e shkretë, kështu që e dëgjova fare qartë gërvimën shkaktuar prej hapjes së garazhit të J.G. prej nga ai bashkë me dy të tjerë po nxirrnin makinën. Një copë herë u morën me të ngaqë siç dukej rruga kishte zënë akull dhe rrotat rrëshqisnin. Më në fund u futën të tre në makinë, por nuk arritën të nisen. Dikush u afrua nga e djathta dhe e qëlloi me breshëri makinën. Pastaj njeriu u largua me vrap. Dy-tri sekonda më pas, ndoshta nga qoshja prej nga kishte behur ai, ndoshta nga ndonjë tjetër drejtim që s’e vura re, një tjetër njeri iu afrua makinës, nuk ishte i pari, sepse ndryshonte nga shtati, veç kësaj në vend të armës automatike mbante në dorë diçka të vogël, me siguri revolver ose bombë. Sa mbërriti te makina hapi derën e prasme dhe në çast u tërhoq pas, sepse njëri nga viktimat u rrëzua në këmbët e tij. E kapërceu me këmbë trupin e tij dhe nëpër derën e hapur vështroi një grimë brenda makinës, pastaj u largua me vrap, njëlloj si i pari.
Rruga vazhdonte të ishte e boshatisur dhe unë hyra brenda për t’i telefonuar policisë.
Nga dëshmia e Peter S., polic.
Kur mbërritëm ne (ora po afrohej njëmbëdhjetës, në mos gaboj), njëri prej viktimave gjendej ende i rrëzuar përdhe, me fytyrë nga toka. Tjetri, ai që ishte në timon, dukej menjëherë që kishte ngrirë në vend ashtu siç e kishte zënë çasti i vdekjes. Një grua, e shoqja me sa dukej qante me kokën rrëzuar në timonin e makinës. I treti, J.G, siç e morëm vesh më pas vazhdonte të rrinte gjysëm i përkulur te dera e prapme, si njeriu që bëhet gati të zbresë. E shoqja i fërkonte ballin si dhe njërin krah. Flisnin të dy në një gjuhë të panjohur (shqip, siç e morëm vesh më pas).
Sipas dëshmisë së Karl K, ndihmës mjek i spitalit të Untergrupenbahut.
Makina e ndihmës së shpejtë mbërriti një minutë pas asaj të policisë. Dy nga viktimat kishin vdekur, madje ishin ftohur. I treti J.G. ishte gjallë.
Në kohën që po e ngrinim për ta vendosur në makinë ai tha: ”Dua të bëjë një deklaratë” gjë që tregonte se ishte krejtësisht në gjendje të ndërgjegjshme.
”Më vonë thash unë. Do të keni kohë më vonë.”
Ndihej menjëherë që kishte shumë plumba në trup. Gjatë rrugës përsëriti edhe njëherë dëshirën për të bërë deklaratën. Siç duket një ide e tillë e lehtësonte.
6.
Nga dëshmia e S.G, bashkëshorte e J.G.
Sapo u dëgjuan krismat kunata thirri e para: ”I vranë”! Isha e veshur dhe u sula jashtë pa e pritur. Makina ishte disa metra larg hyrjes së garazhit me faret ende të ndezur. Po unë nuk i hiqja do sytë nga një gjë e zezë në anën e djathtë të saj. Kur u afrova dhe pak dallova që ishte një trup njeriu i rënë përmbys. Rrëshqita, gati u rrëzova mbi të. Ishte K.Z. i vdekur. Nuk e mbaj mend si u ngrita. Mbaj mend vetëm se u gjeta te xhami i hapur nga ana e timonit. Ishte kunati i ngujuar në ndenjëse. Duart i kishte hequr nga timoni dhe i mbante mbi gjunjë. Sytë i kishte të mbyllur. Tepër i zbehtë.
I futa duart pas zverkut për t’i kërkuar plagët. S’kishte. Pa pritur i pash brimat e plumbave në faqe. Edhe ai kishte vdekur. Brenda në makinë ishte gjysmë terr dhe në krye s’dallova kurgjë, gjersa ndjeva zërin e J. që tha:
– Çikë, qe ku jam.
Kështu më thërriste zakonisht, ”çikë”. Zërin e kishte të qetë të kthjellët. Apo ndoshta m’u duk ashtu prej fjalëve që shqiptoi. Kurse mënyra si qe mbledhur kruspull me një dorë të mbështetur te shkallina e makinës, jepte në kundërshtim me zërin, një mundim të madh.
– Oh, – ia bëri kur e preka në shpatulla, – Aty i kam.
Kështu më tha, me siguri për plumbat.
Pastaj:
– Kjo dorë m’u mpi. Ma liro pak.
– J. më ndjen? – e pyeta
– Në bark kam të tjera, – foli ai.
– S’dija si t’ja lehtësoj dhimbjet.
– K. e shoh që ka vdekur, – tha me vështrimin e ngulur nga kufoma në rrugë. – Shife B. te timoni.
U mata t’i thosha se vëllai ishte gjallë, po në atë çast u ndie kuja e kunatës, që porsa kishte mbërritur.
– Ka vdekur, – tha ai.
– Ndoshta jo.
Që nga larg u ndie një sirenë makine. Duhej të ishte policia ose ndihma e shpejtë.
7.
Rruga gjer në spital ishte vende-vende e mbuluar nga bora. Ashtu pjesë-pjesë e mbuluar, me mpirje riprodhohej ajo më vonë në kujtesën e S.G.
Meqenëse nuk e lejuan të hipte në makinën e ndihmës së shpejtë ajo e ndoqi atë me taksi. Dritat e prapme të makinës së spitalit regëtinin si të ngulura me tyrjelë në trupin e saj. Ishte e vetme. Kunata kishte mbetur me fëmijët që kishin arritur të dilnin gjithashtu nga shtëpia për të parë ç’kishte ndodhur.
Përpiqej të kujtonte faktet e ditëve të fundit, gjëra që mund të kishin zgjuar dyshime, fjalë të J., për ndonjë rrezik të mundshëm, por nuk i kujtohej asgjë. Nuk i kujtoheshin as numrat e telefonave të miqve, të njerëzve të afërt. Qysh te shifra e tretë binte mjegulla. Pastaj te e katërta, te e pesta… Shifrat e fundit këputeshin në humnerë.
I kujtoheshin vetëm ca parandjenja të këqija. Por edhe për to nuk ishte e sigurtë nëse i kishte dëgjuar diku apo i kishte menduar ajo vetë. Ishte thënë diçka për natën e 17 janarit. Për 17 janarin e vitit 1467. Madje ishte përmendur vdekja: Ah, po, një orë më parë e kishte përmendur J. Sot është dita e vdekjes së Skenderbeut. Kështu kishte thënë duke kthyer kokën nga kalendari ku ishte një pikturë e Degas, një balerinë aq e papërshtatshme për ditën e mbarimit të kryezotit mesjetar… E megjithatë, tani dukej se pikërisht ajo balerinë i sulej nga grumbujt e borës ndanë rrugës, drejt xhamit të veshur të taksisë si për t’i kumtuar diçka që ngjante herë si shpresë e dhimshme, herë si një hare misterioze.
8.
Në orën 23.20 J.G. gjendej i shtrirë në tryezën e operacionit. Në kohën që narkozdhënësi po i afrohej ai i bëri një gjest me dorë si për ta ndalur dhe për herë të tretë tha se donte të bënte një deklaratë në prani të mjekëve dhe të një përfaqësuesi të ligjit. E futën policin Peter S. pasi i veshën me shpejtësi bluzën e bardhë dhe në prani të tij e mjekëve tha me një zë që për herë të parë jepte shenjën e lodhjes: ”Deklaroj se mua J.G., vëllanë tim B.G. dhe shokun i vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.”
Dy mjekët dhe infermierët me maskat, që gjatë deklaratës kishin qëndruar si të ngrirë, lëvizën pas fjalëve të tij ”Kaq kisha.”
Në të vërtetë përpara se të vihej re lëvizja vetë, atë e dhanë rrezatimet e bisturive në duart e tyre.
Në valën e parë të turbullirës që i dha narkoza, i plagosuri i pa fytyrat e mjekëve si të ngjitura me njëri tjetrin dhe emri ”Vidiq” që mjeku i parë, që u përkul mbi të kishte shkruar te jaka, atij duhet t’i jetë dukur si ”Vilhelm” ose ”Vili”, përndryshe ishte ende në gjendje të bënte së paku një shenjë për të shmangur mjekun me emrin e rrezikshëm.
Në të vërtetë ia nguli sytë një grimë për herë të dytë jakës së Vidiçit(???ç ose q gjithkund), tha më vonë infermierja Marta H. por nuk pati në vështrimin e tij kurrfarë shenje pakënaqësie, pa le pastaj frike ose ankthi. Pati vetëm një lloj habie, por edhe ajo e lehtë.
Që s’pati kurrfarë shqetësimi e pohoi edhe polici Peter S. që ende s’kishte dalë nga salla dhe që, për shkak të deklaratës së porsabërë hetonte me kujdes fytyrën e viktimës.
Mungesa e shqetësimit vërtetonte se i plagosuri nuk e kishte lexuar saktë emrin e Vidiçit. Habija, për të cilën foli infermierja dhe që nuk u kundërshtua prej policit mund të jetë shkaktuar prej tërheqjes së vëmendjes nga diçka e atypëratyshme, për shembull përse emri Vilhelm, ose Vili ishte shkruar me një V dhe jo me W.
Në qoftë se kishte qenë kështu, atëherë kishte mundësi që në çastet e agonisë në prag të humbjes së ndërgjegjes V-ja ose V -të së bashku të jenë vendosur e zhvendosur shumë herë mbi njëra-tjetrën, në përfytyrimin e tij me shpejtësi të ethshme siç ndodh në gjendjet delirante. Dhe gjithmonë siç ndodh në gjendje të tilla objektet e përfytyruara, jo vetëm lëvizin me shpejtësi të çmendur, por me të njejtën shpejtësi marrin forma e kuptime simbolike nga më të larmishmet. Ka mundësi që këto V, të kenë marrë dhjetëra e qindra pamje e kuptime të ndryshme aty për aty, gjithmonë po të ndjekim këtë pandehmë, aherë mund të ketë ndodhur që midis qindra pamjeve ato V t’i kenë ngjarë viktimës, qoftë edhe për një grimë, me dhogat që vendosin dikur pjerrtasi në varre, në vendlindjen e tij të largët, përpara se i vdekuri të mbulohej me dhe.
9.
Nga hetimet krejtësisht private për Vidiçin.
Si qëlloi që Vidiqi kishte roje atë natë? Kishte radhën e tij apo si zakonisht zëvendësonte dikë?
Nuk më kujtohet saktë. Zëvendësimet që bënte ishin aq të shpeshta saq s’binin në sy si të tilla. Më kuptoni ç’dua të them, zëvendësimet e tij prej kohësh na dukeshin të gjithëve si një gjë normale.
Ju kuptova. T’ju pyes për dicka tjetër. Atë mbrëmje, kur mori rojen, a ishte në po atë gjendje si mbrëmjet tjera? Desha të them na erdhi si zakonisht apo me ndonjë farë nguti, shqetësimi, apo me atë ndjenjë ankthi për të cilën folëm para ca ditësh?
Si të them, nuk vura re një gjë të tillë. Më kuptoni, kur nuk e ke mendjen në diçka të tillë.
Ju kuptoj. Po më pas, në kohën kur u dëgjua sirena e makinës së ndihmës së shpejtë dhe sidomos kur u pa se viktima që ajo solli nuk ishte thjesht një i aksidentuar, por një viktimë e bërë shoshë nga plumba a pati ndonjë trazim të veçantë?
Si të them. Kur u dëgjua sirena nuk e pashë. S’di ku ishte, ndoshta pinte cigare në sallon. Kurse më pas, kur e zbritën të plagosurin ne ishim aq të tronditur të gjithë, sa që vështirë se tronditja e dikujt mund të binte në sy. Qyteti ynë është i vogël dhe të masakruar të tillë nuk të bie rasti të shikosh shpesh.
E mori vesh Vidiçi ç’ishte i plagosuri?
Pa dyshim. Ai e bëri deklaratën në sytë e të gjithëve midis një heshtje varri.
Në se ju kujtohet, në kohën kur viktima bënte deklaratën ç’shprehje në fytyrë kishte Vidiçi!
S’mund të them asgjë. Ne i kishim sytë të gjithë te fytyra e të plagosurit. Ishte aq tronditëse gjithçka sa që edhe tani ngjethem ku e kujtoj.
Operacioni i parë u bë prej Vidiçit dhe Weberit, asistentit të tij apo jo? Pas këtij operacioni J.G. ishte gjallë, dhe përgjithësisht në gjendje të mirë. Në qoftë se Vidiçi do të donte të…
O, ju lutem zotni mos më bëni pyetje të tilla.
Unë po ju bëjë një pyetje që është lehtësuese për Vidiçin… Pra nëqoftëse Vidiçi do të donte t’i bënte atë… ai kishte mundësi qysh në operacionin e parë, apo jo?
Natyrisht.
Atëherë ç’ndodhi pas operacionit? Si ishte gjendja e tij shpirtërore? A ndihej mëdyshja, lufta e motiveve, lehtësi apo zymtësia?
O, ju bëni pyetje tepër të vështira, zotni. Ju më premtuat se do të më bëni disa pyetje të thjeshta.
Më falni zonjushe, që nuk e mbajta dot fjalën. Është fjala jo vetëm për një jetë njeriu, është fjala për shumë, shumë më tepër, besoni!
Ju besoj zotni.
A e kërkoi ndokush Vidiçin në telefon pas operacionit të parë?
Jo.
Po ai vetë a telefonoi? Kaldajisti thotë se ai mori në telefon dikë nga telefoni i bodrumit.
Ka mundësi të ketë marrë andej, unë nuk di gjë.
Dhe ka folur në gjuhën e vet.
Unë s’di gjë. S’e kam dëgjuar kurrë të flas në atë gjuhë.
Si ishte gjendja e tij pas telefonimit? Desha të them gjendja e tij shpirtërore, aty rreth orës një pas mesnate?
Si të them… e zymtë.
10.
Na pohimi i rastësishëm i kaldajistit Johan T.
Vidiçi foli nga telefoni i bodrumit në orën një pas mesnate. Duhet të ishte fill pas operacionit të parë, sepse në mëngët e përparses kishte ende njolla gjaku. Zërin e kishte të lodhur, të munduar. Ai sa vinte i dobësohej, kurse në fund të bisedës, vuri dorëzen e telefonit, mbështeti ballin mbi aparat dhe ndenji mjaft kohë ashtu. Kishte ndjenjën e njeriut krejtësisht të dërmuar, sa që në çast m’u duk se po qante dhe u bëra gati ta pyesja: ”Ç’keni kështu zotni?” Por e mbajta veten ngaqë ai nuk më kishte vënë re dhe mendova se ndoshta do t’i vinte zor që po e shihja në një gjendje të tillë.
11
Në orën 1.10 pas mesnate në kujtesën e S.G. erdhi numri i parë i telefonit. Pas tij u çliruan të tjerët. Njëri pas tjetrit vinin nga sferat e panjohura ku ishin tërhequr.
Kur ajo formoi numrin e parë ndjeu duartë t’i dridheshin dhe vetëm atëherë e kuptoi se sa fort i kishte coptuar gishtat gjatë gjithë kohës që kishte vazhduar operacioni. Alo, jam S. Tim kunat e vranë para dy orësh. K.Z. gjithashtu. J.porsa doli nga salla e operacionit. Është plagosur rëndë. Narkoza ende s’i ka dalë.
Në orën 2 ende s’kishte mbërritur asnjë nga miqtë. Ishin larg në qytete tjera dhe koha qe krejt e papërshtatshme për të nxituar në rrugët e akulluara.
N’orën 2.30 pritej dalja e narkozës.
N’orën 2.40 asaj i dhanë përsëri një qetësues.
N’orën 2.46 u ndie një gjallërim përpara sallës së reanimacionit. Ç’është? mendoi ajo. Pastaj e bëri pyetjen me zë. Një ndihmës mjeku i tha që të mos shqetësohej. I plagosuri kishte një keqësim të lehtë dhe po i bënin një gjilpërë. Janë gjëra të zakonshme pas një operacioni të tillë, i tha ndihmësmjekja.
N’orën 2.52 trazimi nuk po qetësohej në reanimacion.
N’orën 3 ora ngjante si e mbetur në vend.
N’orën 3.10 truri i saj i lodhur kapi fjalën ”operacion”.
Iu desh disa sekonda sa ta dallonte nëse e kishte dëgjuar vërtet apo ishte brenda mendimit të saj.
N’orën 3.11 e kuptoi të vërtetën dhe pyeti me dënesë:
Përsëri operacion? A është e mundur? A është e nevojshme?
Asnjë nga miqtë nuk kishte mbërritur ende.
Ejani në sallon zonjë. Ky është një operacion i thjeshtë. Shumë më i thjeshtë se i pari. Ka mundësi të ketë ngelur ndonjë plumb i fundit. Mos u shqetësoni.
N’orën 3.15 ajo ndodhej përsëri në kanapenë e sallës së pritjes. Duart i kishte të akullta dhe në mendje iu krijuan prapë zona boshe.
Iu duk se që jashtë u dëgjua frenimi i një makine, por e harroi sakaq.
Një infermiere, ajo që i dha qetësuesin e fundit u ul pranë saj në kanape.
– Nga jeni? – e pyeti me dhimbshuri. – Nga e folura dihet që jeni e huaj.
– Jam shqiptare nga Jugosllavia – tha ajo. – Nga Kosova.
– Nga Jugosllavia? – tha infermierja. – Sa mirë paska qëlluar, mjeku që po e operon burrin tuaj është jugosllav.
– Si???
(Nuk kisha parë ndonjëherë vështrim që mund të shkatërrohej në çast si në filmat me tmerre, kishte thënë infermierja).
E çmendur, gruaja kishte renditur përjashta nëpër korridor, tamam në kohën që mjeku Vidiç sapo kishte dalë nga salla e operacionit dhe po i thoshte diçka një të panjohuri.
Ajo nuk i dëgjoi fjalët e mjekut në fillim, as e njohu të porsaardhurin, njeriun që e kishte kërkuar të parin në telefon, në kohën kur u bë e aftë për një gjë të tillë… ajo dalloi vetëm tre gishtat e mjekut të ngritura përpara fytyrës së panjohurit, siç bëhet në rastet kur tjetri nuk e kupton mirë gjuhën.
– Çfarë? – pyeste me egërsi i panjohuri dhe mjeku vazhdonte të mbante përpara tij, skeptër të mënxyrshëm, cfurk tredhëmbësh të Posejdonit, tre gishtat e tij.
– Të thashë një herë, kanë vdekur të tre.
– Ç’po thua rrezikzi, – thirri i panjohuri. – Po mua më thanë se njëri është gjallë.
Në atë çast ai ndjeu praninë e gruas dhe iu kthye asaj, për ta përqafuar, për ta ngushlluar, për ta pyetur se ç’ka po fliste ky i çmendur, kurse e vërteta siç ia kishte thënë ajo në telefon duhej të ishte krejt ndryshe.
Por gruaja nuk shihte kurrgjë. Sytë e saj vështronin vetëm një pikë te jaka e mjekut, atje ku në një pllakë të vogël plastike blu ishte shkruar emri ”Vidiç”.
Ajo e afroi kokën edhe më shumë mbi atë pllakën, pastaj e kapu mjekun nga përparsja e bardhë si të donte ta rrëzonte atë.
– Ti e vrave? – klithi me zë të çjerrë. – I ti si ga ubio.
I bardhë në fytyrë si gëlqere mjeku u mbajt me një dorë nga muri, ndërsa gruaja vazhdonte të klithte në gjuhën serbe. Gjatë gjithë kohës që vazhdoi kjo skenë e rëndë ai nuk iu përgjigj asaj asnjëherë në sërbisht, pohuan dëshmitarët. Ishte tejet i tronditur, dukej çdo çast se do të rrëzohej, gjersa ndërhynë dhe i larguan gruan.
12.
J.G. emigrant politik shqiptar i arratisur nga Jugosllavia, me nënshtetësi gjermane, gazetar, poet dhe muzikant vdiq më 17 janar 1982, në orën 3.15, pas mesnate, gjatë operacionit.
Ky ishte shënimi për mbarimin e tij në librin e spitalit të Untergrupenbah-ut.
Policia nuk arriti asnjëherë të zbulonte vrasësin. Akuzat e bashkëshortes së tij kundër mjekut Vidiç, megjithëse të formuluara nga një avokat i dëgjuar, nuk u morën parasysh për mungesë provash.
Mjeku Vidiç u largua nga Untergrupenbahu qysh të nesërmen, në ditën e ftohtë të ngjashme me atë ditë në të cilën kishte ardhur. Veçse në ndryshim me ardhjen, largimi i tij nuk figuronte në asnjë shkresë, protokoll, ose shtojcë protokolli.
Për të u fol një farë kohe në rrethe të ndryshme, por ato që fliteshin ishin në përgjithësi gojëdhëna. Delire të ndryshme të sëmurësh në spitale psiqiatrike, pendesa, vrasje ndërgegjesh.etj. u dhanë disa herë si të tijtë, por asnjëherë nuk u saktësua kjo gjë.
J.G. u varros në varrezën e Shtutgartit. Ndërsa kërkonin një tekst sa më domethënës për ta gdhendur mbi varrin e tij, njerëzit e familjes dhe dashamirësit e tij dëgjuan me radhë disqet me këngë e balada që ai kishte shkruar, kompozuar dhe kënduar vetë, pjesën më të madhe të shoqëruara me kitarë.
Duke i dëgjuar në heshtje, ata erdhën në një mendje se shumica e këtyre teksteve ishin të përshtatshme për t’u gdhendur në mermerin e varrit. Kjo binte në sy kaq qartë, sa që një ditë, në një nga ato ditë kur e qeshura dhe humori, rifituan më në fund të drejtën të pranoheshin në bisedat për kujtimin e të ikurit, si për ta bërë edhe më brilante dhembjen, njëri nga miqtë e tij tha se kishin të drejtë të akuzonin J. se kishte përgatitur ai vetë vrasjen e vet.
Teksti i mbishkrimit u zgjodh më në fund prej njërës prej baladave të tij, por drejtoria e varrezës nguli këmbë që të bëhej një ndryshim në të. Ishte prerja, ose për të përdorur një fjalë më të kohës, censurimi i fundit që iu bë J.G. në jetën e të cilit kishte patur disa herë ndërhyrje të tilla, duke përfshirë këtu edhe vdekjen e tij, e cila në fund të fundit s’ishte veçse një prerje.
Revista “Koha”, 24 tetor 1990