“Harbuti që më quan grek”, artikulli i Konicës në vitin 1902 dhe një sqarim për Elisën
Që të mos ngatërrohen herë të tjera, ka një biografi të shqiptarit të madh për të gjitha Elisat dhe “Elisët” që na rrethojnë
Pak ditë më parë, Elisa Spiropali po përpiqej të shfaqej në Korçë si “shumë e ditur” që “di gjithçka e për të gjithë”, ” Korçën e njeh shumë shumë mirë..” .. e ia nisi t’i rendisë rilindasit që kanë dalë nga Korça dhe ashtu si pa mëndje kishte përfshirë edhe emrin e Faik Konicës.
Në fakt Konica ka pasur “telashe” të tilla edhe nga bashkëkohësit e tij. Sigurisht që ata nuk mund të krahasohen me Elisën por sidoqoftë kemi një replikë të Konicës në atë kohë kur kundërshtarët e tij ia ngatërronin orgjininën. E sjell gazetari dhe studiuesi Armand Plaka. Është artikull i vitit 1902.
Studiuesi Plaka e ka publikuar artikullin bashkë me një status në facebook për ngatërresën e Elisës.
“S’ ka dyshim se për Elisa Spiropalin, Faik Konica do kishte rezervuar një qëndrim më të bute se sa ndaj Shahin Kolonjës, të cilin dikur e cilësonte si “grek”, por sidoqoftë, s’do t’a kish lënë pa fshikulluar fort e menjëherë turivarur, duke i kujtuar se origjinën e tij e rrëfen më së miri vetë mbiemri tij. Po e risjell edhe një herë në vëmendje shkrimin që pata nxjerrë nga arkiva ime vetëm pak ditë më parë ( sikur t’a parandjeja…hahahah), e ku gjendet edhe një autobiografi e Konicës për të gjithë Elisat dhe “Elisët” që na rrethojnë. Më poshtë po risjellim të plotë artikullin e Armand Plakës, botuar në gazetën DITA në vitin 2013 me titull: “Harbuti Shahin Kolonja, më mban për grek!”
” -shkruan studiuesi Armand Plaka.
“Harbuti” Shahin Kolonja, më mban për grek!
Faik Konica, polemizuesi më i madh shqiptar i kohës së vet, është kritikuar shpeshherë për këtë “ves” të tij nga bashkëkohësit e tij e më vonë. Edhe sot e kësaj dite akoma has në materiale interesante, të cilat mund të zbulohen ndonjeherë edhe fare lehtësisht, nëse i hedh qoftë edhe një vështrim koleksionit të gazetës apo revistës së tij të famshme, ALBANIA, që u botua në fund të viteve 1800 e vijoi (me ndërprerje) edhe në fillimvitet 1900. Në disa numra të saj, has shpesh jo vetëm në polemika intelektuale e frytdhënëse që i shërbenin çështjes kombëtare, apo zhvillimit të mendimit politiko-socialo-letrar në hapësirat mbarëshqiptare, që Konica në fakt i konsumonte mjeshtërisht, por edhe në përgjigje ironike e madje edhe fare banale e të pavlera ndaj pretendimeve dhe akuzave që i bëheshin nga atdhetarë e patriotë të tjerë të kohës. Kështu është edhe një rast me Shahin Kolonjën, kontributet e të cilit tashmë ( por edhe në atë kohë) njiheshin e vlerësoheshin gjerësisht.
Konica, në rolin e drejtorit dhe të botuesit të ALBANIA-s, dhe homologu i tij, në rolin e botuesit e kryeredaktorit të gazetës “DRITA”, që renditej ndër gazetat e para ndër kolonitë shqiptare jashtë vendit, por edhe ato shqiptare në përgjithësi, të kujtojnë përplasjet e zënkat që mund të kenë edhe sot botuesit e establishmet politike që i mbështesin. Por nga ana tjetër, të sjell ndërmend edhe ngjashmëritë e debateve të mëdha të viteve të fundit, mes ikonave të mendimit modern intelektual shqiptar, ku shpesh është preferuar të përdoret edhe shprehja: “Kur përplasen kolosët”.
Rreth çështjeve më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, Kolonja dhe gazeta e tij, zinte një pozitë alternative e rivalizuese dhe kishte shpesh polemika me qarqe e personalitete të tjera të spikatura, ku përfshihet edhe vetë Faik Konica e gazeta e tij ALBANIA, e cila, pavarësisht se në fillim e nisi disi me agresivitet në qëndrimet e saj përballë Portës së Lartë dhe Greqisë, më vonë u vunë re qëndrime më të tërhequra e më të matura. Këtë pohim të fundit madje e bënte në atë kohë, edhe albanologu e studiuesi danez, Holger Pedersen, një admirues dhe mbështetës i iniciativës së Konicës në Bruksel e misionit të saj ( shih: Ghukimi i Z. Dr. Pedersen permi ALBANIEN, fq. 103, prill-maj 1902, Nr. 4-5). Kjo, si duket ka sjellë në rastin konkret edhe irritimin e Shahin Bej Kolonjës, i cili duhet ta ketë akuzuar në nënyrë të tërthortë Konicën, se merrte financime të dyshimta dhe abuzonte me donacionet që vinin nga shqiptarët e të huajt, për të mbajtur më këmbë iniciativën në fjalë. Nga studiuesi Eftim Dodona, në një shkrim të botuar dy vite më parë në revistën MAPO ( shih: “Të vërteta të panjohura mbi Faik Konicën”, 20 prill 2010), thuhej ndër të tjera se, në gazetën DRITA, të datës 24 prill 1902, gjendet e botuar nga Shahin Kolonja dhe Lumo Skëndo dmth. Mit’hat Frashëri, shkrimi me titull: “ Z. Faik Konica shtypës i gazetës “ ALBANIA “ në Bruksel “. Në fund të shkrimit jepet një shtojcë,“ E vërteta “ e firmosur nga Shahin Kolonja . Aty thuhet : “Këtë faqe-zi e vesh-gjatë, e kam parë dhe me sy, e kam dëgjuar dhe me veshë! Që në vogëli kishte vajtur në Francë për të marrë mësim dituri e qytetari. Ky fat-zi s`u përpoq të merrte nonje dituri a mësim të mirë s`andejmi, por duke hyrë nga dyert e duke dalë nga penxheret e shkollavet ……..,”. Më pas, Dodona na përmend fare shkurtimisht pasazhe të shkurtra nga përmbajtja e përgjigjes së Konicës në numrin 5 të “Albania”-s, thuajse një muaj më vonë, duke na pohuar njëkohësisht se shkak për këtë debat ishte bërë në fakt zbulimi i jetëshkrimit të Faik Konicës.
Por duket se Shahin Kolonja e kishte prekur Konicën edhe në një pikë shumë delikate; atë të prejardhjes së tij. “Shqiptar apo grek”, ky tashmë ishte një dyshim mëse ofendues për Konicën, që më në fund kishte vendosur të prishte çdo lloj ure komunikimi me Shahin Kolonjën dhe ta demaskonte e ta denigronte atë në faqet e ALBANIA-s.
Kështu, në numrat 4-5, prill –maj 1902, ( faqet 105-108) gjejmë të plotë kundërpërgjigjen që Konica jep ndaj akuzave e ofendimeve të Shahin Kolonjës, për lexuesit e gazetës së vet, duke shpjeguar me këtë rast plot duf, jo vetëm misionin, por edhe sakrificat e problemet financiare që haste në këtë ndërmarrje, të cilën dikur ia kishte vlerësuar edhe vetë Kolonja. Më vonë, diku edhe ky i fundit, në një letër që i shkruante mikut të tij, Bahri Ohri, pohonte se: “Jetoj në një gjendje të mjerueshme, nuk kam ç’të ha… Sot shita orën e dorës për të botuar numrin e fundit të gazetës”.
Konica e Kolonja në vitin 1902, ngjan të ishin ishin vënë përballë njëri-tjetrit me iniciativat e tyre, ndoshta për të thithur sa më shumë lexues e në radhë të parë “sponzorë” për platformat e tyre, por nuk mund të mos kenë ndikuar edhe përplasjet e akumuluara me kohë, inate e xhelozira, duke u nisur sigurisht, edhe nga çështje me karakter principial.
Në mungesë të artikullit të plotë të Shahin Kolonjës në gazetën DRITA, të cilin Faik Konica, ndryshe nga disa raste të tjera, nuk e riboton në faqet e ALBANIA-s, por i referohet si bazë për polemikën e tij, vetëm duke e përmendur në pjesët ku ndjehej më shumë i prekur e i fyer, ia vlen të sjellim sot për lexuesit përmbajtjen e dy materialeve të sipërpërmendura. Aty gjendet në fakt, më tepër se kaq. Për më shumë gjejmë edhe një variant të shkurtër rreth prejardhjes së Faik Konicës dhe aktivitetit të paraardhësve të tij, të rrëfyer nga vetë ky i fundit.
Më poshtë, përmbajtja e plotë e përgjigjeve të Konicës, e përshtatur për botim, sipas normave të shqipes së sotme:
HARBUTËT PO HAZDISEN
SHAHIN BEJ KOLONJA
Drejtorit të „Dritës“
NJË LETËR E HAPUR
Zot,
E këndova letrën e hapur që më shkrove të DRITA. Të sharat e tua më gëzojonë, – se më lehtësojnë nga një barrë. Të them fjalë të mira për një njeri e pastaj ta godas, është një punë e rëndë; e t’a di për nder, sepse së pari më çliron e më bën të flas ballazi.
Kur të dëboi Ismail Bej Vlora në Bruksel, nuk më flisje në atë mënyrë… A e mban mend ? Po ashtu e harbutët : Kur janë të dobët , ulen; kur e marrin pak veten, të shajnë…
Thua se Konica është e populluar prej grekësh është se edhe unë grek do të jem. Të isha grek, do t’a kisha për nder , të parën se njeriu lavdërohet gjithmonë me kombin e tij, të dytën, se grekët na janë të ligj për Shqipërinë, janë të mirë për vetën e tyre, të tretën se grekët kanë ndritur botën. Po shtëpi më shqiptare se imja nuk ka në të gjithë Shqipërinë.
Një shkrimtar frëng, duke folur për gjyshin e gjyshit tim, Zejnel bej Konicën, e bija e të cilit ishte e ëma e Ali Pashë Tepelenës, thotë : „ Ky Bej i Konicës, ishte një i fuqishmi bej shqiptar, i lidhur nga gjaku me më të parat shtëpi shqiptare të Toskërisë, e martesa e së bijës së tij, Hanko, me Veli Bej Tepelenën i dha këtij fortësinë e përgatiti madhështinë e Ali Pashës.
Aravantinoi thotë : „ Zejnel Beu i Konicës, bej shqiptar ndër më të fuqishmit e asaj kohe, i cili kishte për stërgjysh një pasha, i dha të bijën…etj“.
Nga këto libra, e shumë të tjera rrëfehet sheshit se në shekullin e 16-të, shtëpia ime është e njohur si shqiptare. Ty, Zot nuk të kërkon 400, po vetëm 150 vitet e shqiptarisë. A je shqiptar? Mos të ka vjedhur në Shqipëri ndonjë llagem i Anadollit, si e rrëfen edhe krushqia që ke bërë me anadollakë ?
Kam besuar kurdoherë se je Shqiptar, po me çfarë sëmundje je të më kujtosh grek, vallë mos kërkon duke bërë ashtu të fshehësh kombësinë tënde të vërtetë?
Të kishe pak mend , nuk do të kishe folur ashtu. Në është se Konica ka shumë grekë; në është se Frashëri është i njohur kudo si një vend i populluar me racë vllehe, edhe pse rumunët e kanë bërë qëndrën e propagandës së tyre, e kanë ngritur edhe shkolla vllehe; –
edhe pse shqiptarët e këtyre viseve janë për t‘u lavdëruar, se të mbash kombësinë shqiptare në mes të Shqipërisë s ‘është ndonjë punë e madhe, po kur je i rrethuar nga të huajt, atëherë është e rëndë. Shtëpia ime, brenda në Konicë, është e vetmja që flet shqip, dhe e ka mbajtur prej qindra vjetësh këtë gjuhë, – e sot një harbut me poture, vjen të më thotë se s’ jam shqiptar!!
Fola për Ali Pashën e Tepelenës. Kjo më kujton një teatër pune. Kam dëgjuar e ma ke thënë edhe ti vetë me një çiltërsi që më pëlqeu , se gjyshi yt ka qënë hyzmeqar a qehaja i Ali Pashës. Në ka qënë „Hyzmeqar“ i një shtëpie të lidhur aq ngushtë nga gjaku me shtëpinë time, – më ngjan se ke kundër meje atë smirë të poshtër që kanë shërbëtorët për të arritur më sipër kundër zotërinjëve. Apo gabohem?
Thua se unë, shumë herë, kam përdorur fjalë të ndyra. Po kundër njerëzve të ndyrë si ti , çfarë fjalësh të përdor? Fjalët e ftohta e të matura i merrni për shenjë frike, ironinë a të tallurit, është i hollë e nuk i kuptoni. Atëherë çfarë fjale mbeten ?…Po në të pëlqejnë fjalët e holla, laj më parë kokën të të shporren ca morra, kalli edhe këmbët dy herë në ditë në acid fenik që të mos vijnë erë, – e pastaj të shohim.
Thua se më shkruan për herë të fundit. Edhe unë të shruaj për herë të fundit, se s’ke atë rëndësi sa të flas me ty çdo herë e këto fjalë janë mjaft. Po s’ mund të them ashtu për gazetën që del në emrin tënd : Atë pa pushuar do ta godas, gjer sa ta marrin vesh e gjithë bota se ç’qëllime keni.
Faik Konica
SHQIPTARËVE
Gjer më sot, nuk kam folur për vetën time, se s’ kemi nevojë të lërojmë gjuhën e të punojmë për të zgjuar popullin tonë, e jo për të lëvduar veten. Po sot, disa njerëz të paturpshëm më shajnë a kujtojnë se më shajnë. Duroni të them dy fjalë. Dy fjalë vetëm, e ato fjalë do të jenë të Shahinit.
Ndoshta shumë do ta kenë për turp ta thonë, por unë e kam për nder : Mësoni pra se gjashtë vjet që e zura ALBANIEN, kam hequr gjashtë vjet mundime për të jetuar. Sa shqiptarë kanë ardhur këtu në Bruksel, sa janë pjekur e kanë ndenjur me mua, e dinë se kurrë nuk kam mundur të dal nga vështirësitë.
Sa ndihma kam marrë e saqë në marsha – të cilat s’ jam harbut a zuzar që t’i harroj e kurrë s’kam për t’i harruar – e kam quajtur detyrë t’i prish të gjitha për propagandën kombëtare; sa njerëz me qëllime të mira janë ndodhur e më kanë pjekur duke më hapur kuletën e tyre, të gjithëve u kam thënë kë të ndihmojnë, ku t’i prishin të hollat, po për veten time s’kam kërkuar, s’kam dashur; sa punëra janë ndodhur që mund t’i zija, por që do të më kishin shtrënguar ta lë ALBANIA-n, të gjitha i kam lënë.
Në këtë mënyrë kam qënë gjithmonë në vështirësi. Në muajin dhjetor 1901, një njeri që kishte jetuar afro mot mot me mua, më shkruante një letër në të cilën ndodhen këto fjalë: „Që vuan ti për ALBANIA-n, e di unë …..Herë ngrënë, e herë pa ngrënë…“ Njeriu që i shkruante ato fjalë s’ishte tjetër përveç Shahin Bej Kolonja.gazeta
Ky njeri i poshtër ndoshta s’ka mjaft mend sa ta kuptojë se ç’ndryshim u bë në mendjen e kombit shqiptar kur doli ALBANIA, po fort mirë e di se unë përveç dëmit, s ‘kam tjetër nga kjo punë, vuajtjet e mia i di, m’i ka shkruar , ua ka thënë edhe të tjerëve, e di se unë sa kohë të lidhem pas kësaj pune, jam një njeri i humbur, pa peshë, e se po të hiqem – edhe pa bërë ndonjë poshtërsi – do të shpëtoj nga kjo ditë; ai e di edhe se kam pasur vullnetin t’a mbaj këtë dritë që e ndeza gjer sa të jetë nevoja; e di, kurrë nuk jam dëmtuar e se kurrë nuk kam për të hequr dorë. E di se s’ qahem, se s’ lodhem, se jam i kënaqur si jam.
Me gjithë atë më shan. Me gjithë atë bën sikur s’ më njeh. Me gjithë ato, më vë poshtë për shërbimet që i bëra kombit, se kastravecët e Stambollit që i marrin urdhërat, punojnë për gjuhën turqishte e s’kanë hequr kurrë një mundim për Shqipërinë.
A kam nevojë të shtoj fjalë të tjera? Ato fjalë të Shahinit a nuk janë të mjaftueshme për të hapur sytë e të gjithëve? A nuk janë dënimi i tij në dorë të tij? A nuk duket sheshit se më shajnë harbutët, është se unë u kam kuptuar gënjeshtrat, se kam vullnetin e pundshëm t’ua ndez në shesh e t’i ndaloj të tallen me shqiptarët?
faqeLe të bëhet nesër një ndryshim qeverie në Turqi, e të gjithë ata mëdhetarë që janë shqiptarë se shohin fundin e Turqisë, do të bëhën sërish turq, se të turqizuar e kanë shpirtin, le të bëhet gjë në Shqipëri, e ata që kanë qënë të fundmit për t‘i shërbyer kombit, do të jenë të parët për të zgjatur dorën të „mbledhin“.
Të tillë njerëz, pa mendime të vendosura, pa programe të shtruara , pa tjetër qëllim, përveçse të gënjejnë e të zënë shtigjet e mira për të përfituar nga çdo të bëhet nesër, janë turpi dhe plaga e shqiptarisë. Këta njerëz do t’i godas e do t’i godasim pa u lodhur.
Kush ishte Shahin Kolonja dhe gazeta DRITA?
Shahin Kolonja renditet tek plejada e patriotëve të shquar shqiptarë të fundshekullit 19-të e fillimshekullit 20-të, me kontribute të çmuara e konkrete në çështjen kombëtare. Ai do të mbahet mend sidomos për përpjekjet e tij në orgazinimin dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit, duke u bërë dhe promotor i vendimeve të tij. Por një kontribut tjetër shumë specifik, është edhe botimi e drejtimi i gazetës DRITA, që ai mundi ta mbante më këmbë për një periudhë 8-vjeçare ( 1901-1908), duke u bërë jo vetëm zëdhënsi i kolonisë shqiptare në Sofje e Bullgari, por edhe shtytësi dhe promovuesi i ideve të bashkimit kombëtar e idealeve të rilindjes në tërësi. Motoja e saj ishte: “Shqipëria e shqiptarëve”. Përtej tyre, DRITA trajtoi edhe çështje të letërsisë së rilindur shqipe, publicistikë e përkthime si dhe trajtoi (gjithsesi shumë më pak) problemet sociale të kohës. Gazeta Drita ka njohur përgjatë viteve e dekadave, që nga botimi i saj i parë më 14 janar 1883 nga atdhetari Petro Poga në Stamboll, disa herë mbyllje e rihapje ( shumica e tyre për arsye financiare), deri në ditët e sotme, duke u bërë për një kohë të gjatë gjatë monizmit madje edhe plaforma kryesore ku shpresheshin shkrimtarët dhe artistët shqiptarë, duke e trajtuar emrin e saj pikërisht edhe si një homazh ndaj idealeve nistore të saj. Shahin Bej Kolonja lindi në vitin 1865 në fshatin Starje të rrethit të Kolonjës. Pasi mbaroi arsimim fillor, shkon në Korçë ku merr arsimimin e mesëm dhe më pas dërgohet të studiojë për jurisprudencë në Stamboll, në 1895. Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe në vendet fqinje e më gjerë, deri në Egjipt. Ai luajti një rol primar në aktivitetet e klubit “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Qirjazit. Bashkë me Vëllezërit Topulli dhe patriotë të tjerë shkoi në Shkup “për ta propaganduar idenë kombëtare”. Në vitin 1905 Shahin Kolonja mori pjesë aktive në themelimin e komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”.