Albspirit

Media/News/Publishing

Elidor Mëhilli: Të rinjtë e vjetër të politikës

Mund të duket si naivitet, por në Shqipëri ka patur shpresë se të rinjtë do të mund të sillnin diçka ndryshe në politikë. Teksa partitë bëhen gati (ose jo) për zgjedhje, e ndërkohë që sherrnaja e radhës rrezikon të kthehet në bumerang për shqiptarët e rraskapitur nga politika-si-formë-lufte civile, është edhe çasti për të reflektuar mbi dështimin e madh të figurave të reja në politikë.

Së pari, prurjet e reja nuk kanë mundur t’u imponohen bosave të tyre brenda partive, përveç se duke u nënshtruar pa kushte përballë autoritetit të njëshit, duke u servilosur deri në shpërfytyrim. Kjo zakonisht u ka dhënë status, por edhe i ka mbajtur peng të manovrave të njëshave, të cilët nuk kanë përtuar t’i përdorin “fytyrat e reja” si manekina, duke i nxjerrë për të mashtruar nëpër konferenca turpëruese shtypi, apo duke i vënë të lajthisin përpara turmës në shesh.

Së dyti, “të rinjtë” e politikës jo vetëm që nuk e kanë zbutur diskutimin publik (siç mund të kishte patur shpresë), por ndodh që të jenë nga më skandalozët në lëvrimin e ligjërimit politik. Ulërijnë për njëshin e partisë në forma që do kishin mallëngjyer edhe udhëheqësin stalinist shqiptar në vitet ’70. Denigrojnë kundërshtarin me një zjarr që të kujton njeriun që duhet patjetër të dëshmojë besnikërinë ndaj të madhit. Diplomat perëndimore, që shpesh na janë shitur si alibi, nuk kanë qenë vaksinim kundër tendencave tribale. Përkundrazi, velloja perëndimore dhe profili rinor e kanë bërë ku e ku më të pahijshëm peizazhin toksik të politikës.

Së treti, gjenerata e re ka patur avantazhin e mjeteve teknologjike më të fundit në komunikim, sidomos me moshat e reja. Mirëpo, edhe këto zakonisht i ka përdorur kryesisht në mënyrë propagandistike, besnikërisht brenda kornizës së mesazhit që përcjell njëshi i partisë, duke i kthyer profilet online thjesht në amplifikatorë slloganesh. Shumica socialiste është përpjekur fort për të folur në emër të të rinjve. Tek partia e madhe opozitare, gjëndja është katastrofale.

Dikush mund të thotë se nuk është e kollajtë për një figurë të re që të krijojë autoritet, e jo më të marrë pushtetin brenda një partie. Se duhet bërë durim. Se duhet edhe kohë.

Po sa kohë? Le të kujtojmë se shumë prej individëve që shihen akoma si “të rinj” kanë nga pesë deri në dhjetë (apo më shumë) vjet aktivitet politik. Shumë prej këtyre, për më tepër, kanë shërbyer gjatë kësaj kohe si ministra, kryebashkiakë, drejtorë, apo shefa në administratë. Nuk mund të thuash se s’kanë patur kohë për të ndërtuar një profil të tyrin politik.

Diçka më bindës është argumenti se të rinjtë që i kanë hyrë politikës shqiptare në dhjetë-vjeçarin e fundit, dhe sidomos ata që kanë mbijetuar aty, nuk kanë patur — dhe vazhdojnë të mos kenë — dëshirë apo aftësi për t’iu kundërvënë njëshave. Ironia e madhe e politikës shqiptare në vitin 2017 nuk është se partitë kanë ngecur në llucë—lajm do të kishte qenë sikur Shqipëria të tregohej e aftë të organizonte zgjedhje disi normale. Ironik është fakti se dy prej shefave të mëdhenj të politikës sot për sot e kanë ngritur karrierën e tyre duke u rebeluar brenda partisë socialiste — thyerje që ndryshoi edhe skenën politike. Ndërsa sot? Duket sikur “të rinjve” në politikë as u vjen ndërmend rebelimi.

Ishte pikërisht e djathta që reklamoi fort “fytyra të reja” në politikë me KOP-in para zgjedhjeve të 2005-ës. Si do të bëhej një bilanc i KOP-it sot, 12 vjet më vonë? Çka mbetur nga idetë e liberal-demokratëve që u shpalosën si prurje në politikën përndryshe ideologjikisht shterpë? Në lëmin e ideve, pakgjë. Shumica prej “të rinjve” u implikuan në betejën mizore për poste dhe tendera. Të tjerë nuk patën guxim, ose ndoshta nuk kishin fare ndërmend, të shinin përtej fitores zgjedhore—nevojën ulëritëse për një parti ndryshe.

Qoftë tek e djadhta, që vazhdon të vetë-sabotohet me zell, qoftë tek e majta delirante, “figurat e reja” shumë-shumë janë munduar të kapitalizojnë zhvillimet në politikën amerikane. (Kujtoni monopolizimin qesharak që kërkuan t’i bënin “çastit Obama” në vitin 2008; apo, së fundmi, përpjekjet po aq qesharake të demokratëve për t’u vënë në të njëjtin rrafsh me Trump-in, a thua se ky do preket nga lufta e lavdishme anti-Sorosiane e një grushti amatorësh shqiptarë, që edhe populizmin e bëjnë si kopjacë që s’dinë të kopjojnë).

Kjo sinjalizon se politika shqiptare vazhdon të jetë në thelb parazitare. E ngaqë është parazitare, ajo vazhdon të çmojë figura parazitare, duke i bërë të duken si syleshë ata që mbase do donin të konkuronin në rafshin e ideve. Kjo po duket të shpaloset edhe në këtë prag zgjedhjesh, teksa analistët vazhdojnë të komentojnë lëvizjet e politikanëve si bilanc gjahu, e ku spektatorët vazhdojnë ta shohin politikën si lojë “të futmesh”.

Ka edhe një mundësi tjetër: Shumë prej “të rinjve” në fakt kanë qenë mediokër—dhe pikërisht kjo është arsyeja pse i kanë promovuar, duke qenë se mediokriteti nuk cënon pushtetin e njëshit. Ose, tjetra, nuk kanë patur qëllim të kundërvihen ndaj interesave të mëdha, mbase ngaqë interesat e mëdha u janë dukur tepër të fuqishme, ose ngaqë kanë dashur të bëhen vetë palë.

Kjo na fton të shohim me dyshim trumbetimet e fytyrave të reja në politikë—në një kohë kur, dëshpërimisht, politika vazhdon të kurorëzojë të njëjtat fytyra të vjetra, që premtojnë krizë të përhershme. Pasqyra e këtyre zgjedhjeve e jep shëmbëlltyrën e skenës politike shqiptare në gjithë shëmtinë e saj: ca që qeverisin e nuk e meritojnë të vazhdojnë të qeverisin, e ca që bëjnë sikur bëjnë opozitë, por nuk e meritojnë të shpëtojnë nga vetë-shkatërrimi. Akoma më alarmante është pamja e një gjenerate të re që duket kaq e vjetëruar në aftësitë e imagjinatës së saj.

Please follow and like us: