Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Ka ndodhur…

 
-Tregim-

“E di, të gjitha për vete i doni,
veçse për një gjë ju lutem:
mos na merrni aromën e limonit”!
Autori
1.
Vjedhja e agrumeve po kthehej në një epidemi të vërtetë. U dha alarmi dhe organet shtetërore dhe partiake të rrethit ia nisën me mbledhje dhe kontrolle të njëpasnjëshme në brigada e sektorë, madje aktivizuan policinë dhe disa reparte të ushtrisë për të frenuar dhe ndaluar vjedhjet. Si pasojë pati kritika, shkarkime nga detyra, transferime të atyre kuadrove të kapur në flagrancë, por edhe u mbushën me vjedhës të rëndomtë ato pak vende që kishin mbetur ende bosh në burgje… Ndryshe veproi Dimoja, njëri ndër kuadrot e lartë të komitetit. Ai shfaqi idenë që, nën drejtimin e tij, të zhvillohej një seminar i madh dy ditor në zonën ku prodhimi i portokajve, limonëve dhe mandarinave ishte më i madh, por edhe vjedhësit shfaqeshin më dendur. -“Tigri nuk zbutet duke e rrahur!”-tha ai,-“Njerëzit, krahas masave shtrënguese, duhet të edukohen dhe të ndërgjegjësohen se plantacionet me agrume janë pronë e përbashkët, prandaj ato duhet të ruhen nga të gjithë si sytë e ballit dhe jo t`i rrëmbejmë siç “bëjnë minjtë kur ndjejnë erën e djathit”.
Me të thënë e me të bërë, nisi puna përgatitore për seminarin e madh. Në zyra u formuan grupe dhe komisione, të cilët filluan punën për hartimin e programit, sigurimin e bazës së nevojshme materiale dhe propagandistike, përgatitjen e referateve dhe kumtesave…Për ta bërë seminarin sa më origjinal, me propozimin e Dimos, u vendos që ai të mbahej në shkallët e gurta të Teatrit antik të Orikut, të ndërtuar në periudhën romake e të përmendur nga Cezari në kujtimet e tij. Me këtë rast, ndërmarrjes komunale të qytetit iu ngarkua detyrë që, pranë Teatrit antik, të ngrinte disa çadra të mëdha me hapësirat dhe mjediset e nevojshme, ku do të strehoheshin pjesëmarrësit e seminarit. Ndërkaq, piktorët e disenjatorët nisën me përgatitjen e sfondit, vendosjen e flamujve, stendave, parullave propagandistike, banderolave, si dhe citateve për mbrojtjen e pronës. U montuan gjithashtu edhe dy qendra zëri të fuqishme,(njëra tek Teatri dhe tjetra te çadrat), të cilat do të jepnin muzikë, por në ato mjedise do të shfaqeshin edhe koncerte, filma dokumentarë dhe artistikë, pjesë teatrale, humor, këngë, valle… -Sa më shumë pjesëmarrës, aq më mirë,-tha Dimoja dhe ngulmoi që, krahas punëtorëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe administratave të ndërmarrjeve bujqësore, në atë seminar të merrnin pjesë edhe të gjithë rojet e sektorëve dhe të parcelave të agrumeve, të cilët të përgatiteshin për të raportuar se si i kryenin detyrat për ruajtjen e prodhimit nga vjedhësit e shumtë…
2.
Fjala e të deleguarit u prit me entuziazëm. Ai shpalosi njohuri të gjera kulturore dhe historike, veçanërisht kur foli për qytetin e lashtë të Orikut, i themeluar nga eubeasit në shekullin e VI p. e. r në trojet e fisit ilir të amantëve mbi kodrën e njohur Paleokastër. Shpjegoi dhe përshkroi deri në detaje stilin e ndërtimit dhe arkitekturën e Teatrit, ku, dikur, përveç shfaqjeve, organizoheshin edhe ndeshje me gladiatorë. Pastaj nënvizoi se, në lashtësi, qyteti i Orikut kishte qenë port i rëndësishëm i Adriatikut, i cili u shfrytëzua gjerësisht nga romakët.-Oriku,-shpjegoi i deleguari,-luajti një rol të madh në luftën civile midis Cezarit dhe Pompeit. -Dhe, duke iu afruar një harte të vjetër të Mesdheut, ai vijoi:-Cezari, që ishte burri më i fuqishëm i Romës dhe i botës së atëhershme, zbarkoi në Palasë te “Rrugët e Bardha” me 15 mijë ushtarë dhe, ja, nga ato lugina, gryka e shtigje të ngushta malore të Llogorasë, me anë të një dredhie të befasishëm ushtarake, ai e vuri nën rrethim garnizonin romak të Orikut. Por, Cezari e mori pa luftë qytetin, sepse mbrojtësit e tij dhe komandanti romak që ishte në shërbim të Pompeut, u dorëzuan paqësisht…-Dëshiroj t`ju bëj të njohur miqtë e mi, se, në gjirin detar përballë nesh ka marshuar dikur flota maqedonase e Aleksandërit të Madh, ajo normane e Guiskardit, e, në vazhdim, flotat venedikase, turke, italiane, greke, gjermane, angleze, ruse…Ato nuk kanë ardhur në ujërat e atdheut tonë për të sjellë paqe, apo për festivale garash e parakalime festive, por për të na pushtuar…-Heshti pak për të parë efektin e fjalës së tij dhe vijoi:- Në gadishullin e Karaburunit që kemi karshi, ndodhet gjiri i famshëm i Gramës, që do të thotë “i shkruar”. Ai gji ka shërbyer që në lashtësi si vendstrehim për detarët dhe anijet, të cilët, atje ndiheshin të mbrojtur nga erërat dhe stuhitë. Muret e gurta të gjirit përmbajnë vizatime, por edhe shkrime, shumica e të cilave i drejtohen mikpritjes së vendasve, por ato janë edhe lutje dhe himne drejtuar perëndisë Posejdon, “që stuhia të pushonte, që dallgët të binin dhe anija të nisej…” Në këto ujëra ka vepruar dhe kapedan Haxhi Aliu, i cili në gadishullin e Karaburunit ka edhe shpellën me emrin e tij… -Ngjalli interes për dëgjuesit veçanërisht pjesa kur i deleguari shpjegoi se nga bregdeti i Kerauneve ka lundruar dikur për në Itali princi dhe heroi trojan Enea. -Më lejoni, miqtë e mi, që për ta mbështetur këtë thënie, t`ju recitoj disa vargje nga vepra e famshme “Eneida” e poetit të madh romak Virgjili: “Ne atëherë me vela lundrojmë/nga malet Keraune. Kjo është udha,/më e shkurtër nëpër det drejt Italisë…”.
Pas duartrokitjeve entuziaste të seminaristëve, i deleguari vijoi:
-Në shpellën e Himarës, jo shumë larg prej këtej, ka qëndruar për një kohë heroi i mitologjisë Odiseu së bashku me luftëtarët e tij. Aty, brenda shpellës, ai u ndesh me Ciklopin Polifem… –Në këtë zonë, ka ekzistuar një nga bazat më të fuqishme ushtarake të Traktatit të Varshavës,12 nëndetëse, shumë kryqëzorë dhe anije të tjera luftarake. Pas prishjes së marrëdhënieve me rusët, ata na rrëmbyen tetë nëndetëse, kurse katër prej tyre i mbetën Flotës sonë Luftarake Detare.-Ai shpjegoi gjithashtu se, dikur, Karaburuni dhe malet deri në Himarë quheshin Akrokeraune, që do të thotë “Malet e vetëtimave”, kurse pas pushtimit osman, turqit e quajtën gadishullin me emrin Karaburun, që do të thotë “Hundë e zezë”. Ky gadishull,-tha ai,- ka qenë dikur vendi i prodhimit të mermerit, aty rriten drurë të llojllojshëm, sidomos druri i valanidhit, por edhe mbi 40 lloje bimësh mjekësore dhe shumë kafshë të egra. Mendohet se, anija e Amerigo Vespuccit, emri i të cilit i dha emrin kontinentit amerikan, ka qenë ndërtuar me dru valanidhi nga Karaburuni.(Atëherë lënda drusore më e preferuar për ndërtimin e anijeve ishte rrap, valanidh ose vidh). Në zonën, ku ndodhemi sot, dikur janë rritur derra të egër dhe është prodhuar verë e cilësisë së lartës.-I deleguari shkëputi një çast vështrimin nga letrat e shkruara, dhe, duke bërë paksa buzën në gaz, tha:-Meqenëse përmendëm derrat, po ju tregoj se, “I madhi” i Rusisë, Hrushovi, i cili e kishte shumë qejf mishin e derrit të egër, kur erdhi për vizitë në bazën ushtarake të Pashalimanit në vitin 1959, në një vakt dreke hëngri i vetëm një derrkuc të tërë të pjekur…-Pas gazit që shkaktoi episodi humoristik, i deleguari vazhdoi:-Por, zona ka qenë e përmendur veçanërisht për prodhimin e agrumeve dhe të ullirit, – dhe, duke thënë këto fjalë, ai u ndal në shpjegimin shkencor të emrit “Agrume”, si “një emër përmbledhës për portokajtë, limonët, mandarinat, nerënxat dhe për drurë të tjerë frutorë të këtij lloji, që rriten në vende të ngrohta dhe janë gjithnjë të blerët”. Për limonin, ai theksoi se është një prej agrumeve të Mesdheut plot shije dhe aromë, se emri limon vjen nga persishtja…Për portokallin, shpjegoi emrin latinisht, llojin, klasën, fisin, familjen dhe grupin, por edhe llojet, duke përmendur veçanërisht llojin “Valencia”. -Eh, Valentia, Valentia…! Medina bu-Tarab!-psherëtiu Dimoja, duke cituar me zë të ulët këto fjalë që, në fakt, ishin emri i Valencias në gjuhën arabe e që kishin kuptimin: “Qyteti i kënaqësisë.” Dhe, pas pëshpëritjeve admiruese të pjesëmarrësve në seminar, që vinin në dukje kulturën e lartë të të deleguarit, ai, si për ta zbërthyer artistikisht psherëtimën e tij, solli natyrshëm nëpër buzë vargjet e këngës: “Nën një portokalle moj,/ të ndala unë ty/lulet e limonit moj,/ të binin në sy/ ngrije kokën lartë moj/ se më dogji malli/ vinte gusha jote moj/ aromë portokalli ”
Në pjesën e nxehtë të referatit, ku flitej për vjedhësit e agrumeve, ai nisi të lexojë një listë të gjatë, shumë të gjatë, me emrat e qindra vjedhësve, që e gërryenin pareshtur plantacionin, si ata brejtësit e vegjël që gërryejnë në heshtje drurin. -Madje, këtë epidemi vjedhjesh, do ta krahasoja edhe me “retë e zeza” të karkalecave, të cilët vërshojnë me miliarda mbi fusha dhe i shkretojnë krejt ato brenda pak minutave…
I dhanë larmi seminarit diskutimet e brigadierëve dhe sidomos ato të rojeve të prodhimit, që ishin njerëz të thjeshtë dhe kryesisht fshatarë të zonës. Përshtypje të madhe bëri diskutimi i njërit prej rojeve, i cili ishte me këmbë të prera dhe qëndronte në një karrige invalidi me rrota. Ai me ndihmën e familjarëve të tij kishte ngritur një kullë të lartë vrojtuese, mbi një kodër në mes të plantacionit me agrume dhe, me anën e një makaraje, si ato që përdornin egjiptianët e lashtë për ngritjen e blloqeve të gurit, ai ngrinte veten si me ashensor deri në majë të asaj kulle.-Këtë kullë,-tha ai,-unë e kam pagëzuar me emrin “Kulla Eiffel”. Por, nëse “Kulla Eiffel” në Paris shërben si stoli turistike gjigante, kullën time unë e përdor për t`i shërbyer sa më mirë ruajtjes së prodhimit të agrumeve. Brenda kabinës së kullës, kam të afishuara ligjet për mbrojtjen e pronës, llojet e dënimeve për vjedhësit e saj, kurse në stendën edukative-propagandistike, shndrit me shkronja të mëdha parulla: “Po i dhe miut një biskotë, ai të kërkon edhe një gotë me qumësht!” Nga lartësia e kullës, nëpërmjet dhjetëra dritareve, unë vëzhgoj me dylbi vjedhësit dhe raportoj me anë të një telefoni drejtorinë e ndërmarrjes dhe komitetin. -Atje lart kam një hartë të zonës, kurse poshtë kullës mbaj dy qen të fuqishëm “Militantin” dhe “Vigjilentin”, të cilët janë diplomuar shkëlqyeshëm në filialin e “shkollës së qenve” të hapur kohët e fundit në qytet. Sapo zbuloj hajdutët, shtyp butonin e sinjalit të alarmit, që shkakton valë drithërimash të frikshme tek të gjithë banorët e zonës, hedh në hartë vendndodhjen e hajdutëve dhe ndërsej qentë. Kuptohet, rezultatet janë të jashtëzakonshme. Si dëshmi, unë mbaj në muzeun e kullës vrojtuese copa veshjesh, që qentë e mi ua kanë shqyer e grisur me dhëmbët e tyre të mprehtë hajdutëve. Por kam edhe qindra trasta dhe thasë, si dhe “një mal” me këpucë, atlete, sandale, e, sidomos opinga, që vjedhësit i lënë në vendngjarje kur ia mbathin nga frika e qenve të mi…
Shkaktuan emocion të fortë fjalët e tij kur shpjegoi se si vepronte në ato raste kur telefoni në kullën vrojtuese nuk punonte. Me anë të makarasë, ai zbriste poshtë urgjentisht dhe, i shoqëruar nga qentë e tij, lëshohej vetëtimë me tërë shpejtësinë e karrocës së invalidit në lëndina, lugina, qafa dhe bregore për të kapur hajdutët me “presh në dorë”. Disa here ai ishte rrokullisur e përplasur, por kjo nuk e kishte penguar aspak për kryerjen me nder të detyrës. -Prodhimi i sivjetshëm,-tha roja me karrocë invalidi,- është nga më të mirët, pemët dhe degët e tyre sa s`thyhen ngaqë janë plot e përplot…
-Ky njeri, të dekorohet me urdhrin më të lartë të punës…,- tha aty për aty, me një mallëngjim në sy, i deleguari. Ndërkaq, ai thirri njërin nga piktorët e njohur të qytetit dhe e porositi që t`i bënte në çast atij Invalidi hero një portret, por, më pas, edhe një kompozim ku ta përshkruante duke ndjekur vjedhësit me karrocën e tij të invalidit…Sigurisht që ky njeri meriton edhe një bust të veçantë, -tha i deleguari, duke imituar kështu të lashtët e dikurshëm, të cilët në shkallët e atij Teatri antik kishin nderuar me trofe nderi, me këngë, poezi, portrete, buste, kurora ulliri dhe dafine njerëzit e përzgjedhur apo fituesit e olimpiadave. -Veç këtyre ndereve,-tha i deleguari,-unë propozoj që kulla e ngritur nga ky roje, ashtu si “Kulla Eiffel” mori emrin e inxhinierit dhe projektuesit Gustav Eiffel, kjo kullë të marr emrin e këtij roje vigjilent…
3.
Gjatë mbrëmjes Teatri antik gjallëronte nga bisedat dhe përshtypjet e seminaristëve, ndërkohë që thuajse të gjithë kishin dalë jashtë çadrave dhe grupe-grupe shijonin aromën e këndshme të portokajve, limonëve dhe mandarinave; programin me këngë e valle popullore, filmat dokumentarë dhe artistikë, teksa muzika harmonizohej aq bukur me dallgët e detit dhe erën e freskët…Herë-herë hapësirën detare përballë e shponin sirenat e mprehta të anijeve dhe të kryqëzorëve luftarakë, që venin e vinin duke çarë dallgët, kurse shkaktohej entuziazëm kur dikush u thërriste të tjerëve të shihnin periskopin e ndonjërës prej nëndetëseve të bazës së Pashalimanit që patrullonte Gjirin e Vlorës.
Grupi më entuziastë ishte ai që kishte rrethuar të deleguarin, Dimon. Ishin një grup i hareshëm, kryesisht zyrtarë të rrethit, kuadro kryesorë të ndërmarrjes, drejtues të fshatrave, të ftuar nga zonat tjera të rrethit që kthenin njërën pas tjetrës gotat me raki duke ngritur shëndete, bënin humor, tregonin barsoleta, uronin, këndonin, por edhe i kërkonin të deleguarit t`ia merrte edhe ai ndonjë kënge…
Dimoja e dinte se, konsiderohej kuadër i zoti dhe i vlerësuar ai që dinte të pinte raki, të dehte të tjerët ama vet të mos dehej, por edhe t`ia merrte këngës, prandaj, nuk ia përtoi dhe, i bërë çakërrqejf, ia nisi: “Do marr çiften do dal për gjah/Jaman shoko more jaman, jaman/E çiftja bam, zagari ham/Jaman shoko more jaman, jaman ”…E, ndërsa njëri grup vijoi me:“E cila more të pëlqen më qafsh/Jaman shoko more jaman, jaman”, i deleguari, Dimoja, në krye të grupit tjetër, ia kthehu solo: “O ajo mes këputura/Jaman shoko more jaman, jaman”…
Kulmi ishte kur i deleguari kërkoi t`i sillnin një gotë të madhe të mbushur me raki, të cilën e rrëkëlleu menjëherë, dhe, duke i çuditur të gjithë sa ishin, nisi të përtyp e të hajë me oreks të madh xhamin e gotës…
4.
Seminari përfundoi ditën e dytë pasdite, kur dielli ishte duke perënduar diku mes ishullit të Sazanit.
-Përpara se të largohemi, të shohim prodhimin e mbarë të këtij viti, -tha i deleguari, dhe në krye të grupeve të seminaristëve, ai dhe të tjerët, nisën të ecnin pas agronomit të zonës, që siç pëshpëritej, pas atij seminari madhështor me siguri do të ngrihej në një detyrë të lartë…
-Po, hë, do të na i tregosh zonën me prodhimtarinë më të madhe apo jo? Unë po shohë vetëm pemë të porsavjela,-i tha i deleguari teksa çanin pyllin e pafund me portokaj, limona dhe mandarina.
-Kjo është zona me prodhimtarinë më të madhe, shoku Dimo, kjo,-iu përgjigj agronomi, kush e di pse me zë të këputur.-Por,-vijoi ai,-tek po shoh rreth e qark gjurmë opingash dhe rrotash makine, po kuptoj se, këtu, pak përpara nesh…
-Do të thuash që prodhimi është vjelë i tëri. E shohë, e shoh, vetëm pak kokrra kanë mbetur majë degëve…Madje nuk e di pse i kanë lënë edhe ato…-Dhe, duke dashur të tregoj përsëri kulturën e tij, i deleguari, ngriti zërin që ta dëgjonin të gjithë dhe recitoi dy vargje nga Safoja, poetja e madhe e antikitetit:“Në majë të majës vjelësit e harruan,/Jo, s`e harruan, por s`e arritën dot.”
Zyrtarët shoqërues e duartrokitën fort shefin e tyre, ndërsa ai iu kthye përsëri agronomit:
-Miku im! Mua dhe pjesëmarrësve në seminar s`po na durohet ta shohim sa më shpejt prodhimin në pemët e mbushura plot e përplot e me degët që sa nuk thyhen nga pesha. Kështu na raportuat në seminar, apo jo?
-Po, ashtu ju raportuam shoku Dimo, sepse, pa nisur ende seminari, prodhimi në këtë zonë ishte i jashtëzakonshëm dhe pemët e mbushura plot e përplot vërtetë sa nuk po thyheshin, por…
-Nuk po të kuptojë,-e ndërpreu i deleguari,-lutem, agronom, shpjegoju më qartë!
-Po ja,-iu përgjigj shkoqur agronomi,-juve ngulmuat që, bashkë me drejtuesit, administratën dhe punëtorët, të vinin në seminar edhe rojet e plantacionit. Duket se, këto dy ditë që ne kemi zhvilluar seminarin e madh tek Teatri antik dhe te çadrat, vjedhësit, ashtu “siç bëjnë minjtë kur ndjejnë erën e djathit”, kanë pasur kohën e mjaftueshme për ta rrëmbye fare lirshëm e deri në kokrrën e fundit të gjithë prodhimin…

Please follow and like us: