Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Musa Ramadani ose sharmi letrar Prishtinë-Tiranë

Polemikat dhe debatet shoqëruan pothuaj gjithë javën që shkoi mbi fituesin e sivjetëm të çmimit letrar Kadare, për prozën në shqip, shpallur të dielën më 28 Maj në ditët letrare të Razmës, me fitues shkrimtarin nga Kosova, 76- vjeçarin Musa Ramadani…Në ditët e qëndrimit në Tiranë, kemi bërë një bisedë të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili vlerëson fituesin, dhe debatin e sheh si një atmosferë letrare e munguar, që prej viteve ’30-të, kur Shqipëria ishte një nga vendet më letrare në këtë kënd të Evropës…

Nga Violeta Murati

 

 

Polemikat dhe debatet shoqëruan pothuaj gjithë javën që shkoi mbi fituesin e sivjetëm të çmimit letrar Kadare, për prozën në shqip, shpallur të dielën më 28 Maj në ditët letrare të Razmës, me fitues shkrimtarin nga Kosova, 76- vjeçarin Musa Ramadani. Juria me kryetar shkrimtarin Bashkim Shehu dhe anëtarë Ledia Dushin, Ylljet Aliçkajn, Mirela Oktrovën dhe Agim Baçin për herë të parë janë gjendur përballë dilemave dhe mendimeve diverse sa i takon fituesit. Ndërsa në finale shkuan pesë vepra, autorë të së cilës krijuan një raport interesant të garës; tre nga Kosova dhe tre nga Shqipëria, për të cilët juria ka votuar e ndarë po ashtu. Beteja letrare u bë e fortë për dy autorë; dy nga votat kanë shkuar për shkrimtari Virion Graçi me romanin në dorëshkrim “800 hapa larg Venerës” dhe tre vota për shkrimtarin Musa Ramadani për romanin në dorëshkrim “Profeti nga Praga”. Atmosfera e polemikës qëndronte sa në çështje të simbolikës, pra se një çmim shkoi në Kosovë, ku dëshmoi se ende janë të brishta e të dobëta hallkat e bashkëpunimit mes letërsisë shqipe të të dy vendeve po ashtu dhe në çështje të vetë çmimit, si institucion vlerësues sa arrin të ketë lexueshmëri dhe treg libri fitues, autori. I pari që e hodhi këtë ishte finalisti Virion Graçi duke reaguar në rrjetin e tij social se librat fitues të çmimi Kadare kanë dështuar në treg, ndërsa kanë pasuar reagimet duke e kthyer, si nga rastet e rralla, diskutimet në çështje marrëdhëniesh letrare.

Lidhur me këto marrëdhënie, në një bisedë të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare që gjendet këto ditë në Tiranë, duke ndjekur nga larg këtë atmosferë sjell një qasje krejt të ndryshme. Në këtë distancë Kadare u rikthehet viteve ’30-të kur debate të tilla në Shqipëri ishin mëse të zakonshme, duke e vlerësuar si gjë të rrallë madje edhe në rajon e Evropë, ku dalloheshin personalitete, karaktere nga më interesantët.

Dhënien e çmimit shkrimtarit nga Kosova, Kadare e sheh si një moment të gjallërimit sentimental në të dy vendet, duke thënë se kjo krijon sharmin letrar, aq të domosdoshëm ku vjen fjala tek letërsia, e në këtë rast të marrëdhënies me shqipen.

Në bisedën tonë, jashtë çdo përfshirje me çmimin që mban emrin e tij, e vlerëson këtë distancim si gjest dinjitoz që po tregon jeta letrare shqiptare. “Pavarësisht se mban emrin tim dhe zakonet shqiptare janë që shumica mund të mendojnë se jam përzier. Unë nuk jam përzier kurrë në këtë punë, dhe sa herë është dhënë ky çmim e kam marrë vesh si të tjerët. E kam kënaqësi që nuk jam përzier dhe nuk më ka kërkuar njeri të përzihem. Unë vetë s’do të pranoja të përzihesha por u treguan dinjitoze që, jeta letrare shqipare nuk më ngatërroi me këtë gjë”. Në këtë moment Kadare jep dhe përgjigje nëse është normale për një shkrimtar të gjallë të mbajë titullin e një çmimi, si një rast i diskutuar në qarqe letrare, e jashtë saj duke thënë se: “s’ka ndonjë problem, është një nga zakonet e botës moderne në letërsi kjo. Unë jam për të gjitha doket letrare të jetës letrare që vendet e zhvilluara evropiane i kanë kultivuar dhe ruajtur”.

Duke iu rikthyer sentimentit letrar mes dy vendeve, Kadare shprehet për fituesin: “Vlerësimi iu bë një shkrimtari serioz, dhe kjo marrëdhënie letrare me Kosovën sigurisht që mban një sharm letrar. Kjo s’duhej të shkaktonte polemika, nuk ka kuptim. Përkundrazi nëse e ka dhe këtë dimension të zbulimit të shkrimtarit aq më mirë. Këtu ka një të mirë pse ky shkrimtar nuk është njohur para çmimit, por së paku më mirë vonë se kurrë, më mirë ta njohim tani.

Por unë nuk mendoj se është një shkrimtar i panjohur në elitën letrare, ai është i njohur. Sigurisht Tirana me Prishtinën do të krijojnë bashkarisht këtej e tutje atë që quhet sharm të veçantë që krijon letërsia, qytetet e saj, ajo ka hartën e saj gjeografike, qytetet e saj ku zhvillohet, ku ndodhin ngjarje interesante, tërheqëse ndonjëherë romantike, ndonjëherë aspak e të tjera…”

Për Kadarenë kjo është ajo që quhet frymë evropianiste e letërsisë dhe që vendi ynë e ka, e  ka pasur në vitet ’30 shumë të fortë, që e humbi për fat të keq për shkak të komunizmit. “Komunizmi nuk e duronte dot këtë frymë mitimiste të letërsisë. Nuk duronte dot  që letërsia të krijonte jetën e saj të pavarur, me historitë e saj qoftë edhe intime e të tjera. Dhe shkrimtarët, për fat të keq, u tërhoqën. Nga ana tjetër, ne kemi shkrimtarë të shquar, por nuk ua dimë jetën e tyre për fat të keq”

Për çfarë kemi vuajtur në këtë marrëdhënie letare Shqipëri-Kosovë që shkaktoi reagimin e mënjëhershëm dhe hapi këtë debat pse vlerësimi çmimi shkoi në Prishtinë?

Megjithëse vitet e fundit janë kapërcyer shumë pengesa, madje dukshëm, Kadare thotë se kemi vuajtur për këtë njohje gjithmonë, si diçka e munguar. Duke marrë shembull vitet ’30-të kur Shqipëria ishte një nga vendet më letrare, në kuptimin romantik të fjalës, Kadare si rrallë herë kthen e rikthen vëmendjen në plejadën e jashtëzakonshme të atyre të viteve, sa e larmishme dhe e rrallë ishte kjo plejadë, në këtë kënd të Evropës.

Çlirimi nga klishetë historike është arsyeja tjetër pse Kadare këmbëngul të rishfaqë e t’u japë kuriozitetin e vëmendjen shkrimtarëve të viteve ’30-të. Rastet vijnë sa enigmatike aq dhe të panjohura, të përjashtuara, e për rrjedhojë të papranuara. Si shembull merret një shkrimtar, për të cilin ende nuk dihet saktë mbi faktin e dekretimit të tij nga Mbreti, si shef i shërbimit Sekret të Shqipërisë – nëse kjo është e vërtetë thotë Kadare,  që “ky shkrimtar me ndershmërinë e tij e kapërceu këtë detyrë njollosëse, duke u bërë një shkrimtar normal pas çlirimit, dhe nuk u dënua për këtë gjë, ne që e kishim aq të lehtë për të dënuar gjithkënd, kjo tregon një pasuri të jetës. Ne, duhet t’i zbulojmë këto kuriozitete, që nuk janë thjesht të tilla”. Në këtë kontekst, të çlirimit të klisheve ndaj shkrimtarëve thuhet edhe për Kutelin, si një rast unik për të cilin ende historia e tij merret si “njollë”.

Ndaj ardhja në ditët e sotme, dhe hapja e një debati mbi klishetë, shkrimtari e sheh si çështje të një atmosfere letrare, e pakuptimtë për ndarje të letërsisë. Letërsinë e pas ’90-ës, asaj që konsiderohet bashkëkohore, dhe që mban më shumë debatin mbi letërsinë, Kadare e sheh si raport të shoqërisë me letërsinë, dhe politikës ndaj shkrimtarit.

“Në gjithë këtë atsmoferë letrare të sotme, unë shoh një gjë kryesore: dashurinë për letërsinë. A e ka shoqëria shqiptare një dashuri të veçantë? Nuk është puna për të ngritur kultin. Letërsia ka nevojë, ka nevojë për një farë kulti. Marksi ka një shprehje shumë qesharake: shkrimtarët kanë nevojë të përkëdhelen. Jo nuk kanë këtë nevojë, nuk është përkëdhelja ajo që duan shkrimtarët. Ata kanë nevojë për vëmendje. Që nga fjala përkëdhelje që kanë përdorur është negative për shkrimtarët. Klasa politike do s’do me sa duket trashëgon një shpërfillje ndaj letërsisë, vëmendja ndaj shkrimtarëve quhet si dekadente, e vjetër, e kaluar…”.

Please follow and like us: