Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Trump: Nuk pati asnjë bashkëveprim me Rusinë

Presidenti Donald Trump u shfaq sfidues pas dëshmisë në Senat të ish-drejtorit të FBI-së, James Comey. Ligjvënës demokratë shprehen të bindur se ekzistojnë bazat për të ngritur akuza për pengim të drejtësisë, ndërsa republikanët mendojnë se krahas elementëve të mungesës së eksperiencës politike nga ana e presidentit, nga kjo dëshmi gjithashtu u vërtetuan deklaratat e mëparshme të zotit Trump. Sidoqoftë, nuk ka gjasa që republikanët të fillojnë një proces për ngritje akuzash ndaj Presidentit, ndërkohë që edhe vetë udhëheqësit demokratë u përpoqën të përmbajnë thirrje të tilla nga radhët e ligjvënësve demokratë.

Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump u shfaq dje sfidues përkrah Presidentit të Rumanisë, duke shfrytëzuar mundësinë për t’iu kundërpërgjigjur akuzave prej dëshmisë së James Comey-it.

“Nuk ka patur bashkëveprim (me rusët), as pengim drejtësie. Ai vetë i ka nxjerrë të dhënat. Por, le t’i kthehemi punës së qeverisjes së vendit”, tha Presidenti Trump.

Presidenti mohoi deklaratat e zotit Comey se i pati kërkuar të ndalonte hetimin për ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, Michael Flynn, gjë për të cilën tha se është i gatshëm të dëshmojë nën betim.

“Nuk e kam thënë diçka të tillë. Sërish, nuk do të kishte qenë diçka e gabuar, por që nuk e kam thënë”, tha ai.

Presidenti Trump tha gjithashtu se së shpejti do të njoftojë nëse ekzistojnë regjistrime të bisedave me zotin Comey.

Gjatë seancës dëgjimore në komisionin e zbulimit të Senatit, zoti Comey tha se kishte patur ndjesinë që kërkesa për të braktisur hetimin e zotit Flynn, kishte përmasat e një urdhëri të drejtpërdrejtë.

“E mora si një udhëzim. Ishte Presidenti i SHBA-së që të thotë veçmas se ‘shpresoj të bëhet kështu’. E mora si vullnetin e tij. Nuk iu binda, por të tillë e perceptova”, tha zoti Comey.

Nëse është e vërtetë, kjo mund ta rrezikojë ligjërisht Presidentin Trump.

“Këto veprime të marra së bashku, mund të përbëjnë pengim drejtësie, por sigurisht kjo mbetet të përcaktohet nga prokurori special Robert Mueller”, thotë Paul Schiff Berman, i Universitetit George Washington.

Gjatë seancës, zoti Comey sulmoi edhe besueshmërinë e Presidentit Trump, gjë që mund të ketë efekte politike.

“Si rifitohet besueshmëria pasi e humb? Mendoj se kjo është e vështirë për një president dhe administratën e tij”, thotë Chris Edelson, i Universitetit Amerikan.

Sidoqoftë, republikanët për momentin mbështesin Presidentin, duke ulur kështu shanset për ngritje akuzash.

“Mendoj se balanca është pozitive për Presidentin. Nëse ia heq gjithë dramacitetin, konkluzioni është se Presidenti Trump nuk ka qenë ndonjëherë nën hetim”, tha Ligjvënësi republikan Peter King.

Në anën tjetër, demokratët vazhdojnë të jenë të shqetësuar.

“Në këtë vend kemi një vijë ndarëse ndërmjet organeve ligjzbatuese dhe ndërhyrjes politike dhe Presidenti e shkeli këtë vijë”, tha Senatori demokrat Chris Van Hollen.

Hetimi për ndërhyrjen ruse nga prokurori special Mueller për momentin mbetet me kohëzgjatje të paparashikueshme.

Please follow and like us: