Arsim Sinani: Shqiptarët dhe maqedonasit
Realiteti në Maqedoni ka dëshmuar se shqiptarët janë faktori determinues i këtij vendi. Këtë nuk kanë arritur ta kuptojnë ose kanë dashur ta mbështjellin, duke e instrumentalizuar klasën politike shqiptare, duke e joshur me benefite, ndërsa çështjet janë shtuar pa u zgjidhur. Maqedonia nuk ka mundësi që me këtë konstelacion të forcave që ka të vazhdojë të luajë me ndjenjat e qytetarëve shqiptarë, të cilët pritjet e tyre nga shteti i kanë të vogla.
Zgjedhjet në Maqedoni prodhuan një rezultat goxha të ngushtë. Realisht, ky është rezultati më real që mund të ndodhte në demokracinë e re dhe të brishtë. Rezultati zgjedhor u përkthye, realisht, si një faktorizim i faktorit politik shqiptar, që u bë balancuesi i vërtetë i qeverisjeve në këtë vend. Shqiptarët humbën shumë, pasi, pas Republikës së Krushevës, pala e maqedonasve të sotëm refuzoi që të bashkëqeverisë me shqiptarët me parime, me program dhe me ndarje reale të pushtetit. Shqiptarët në qeverisjet në Maqedoni u përdorën për të kënaqur frustracionet e politikanëve maqedonas të sotëm, të cilët qeverisën me vendin në bazë të dëshirave të tyre, në bazë të disponimit që kishin, në bazë të një hileje që shqiptarin e përdorte për nevoja të veta. Përfundimisht, baza e qeverisjes ishte një tender, një shtëpi luksoze, pak vende pune, disa interesa dhe, në esencë, shterej çështja shqiptare. Kjo ishte e padrejtë. Prandaj, me shumë të drejtë shqiptarët në periudha të ndryshme kohore refuzuan dhe e kundërshtuan qeverisjen në vendin e vogël të quajtur Maqedoni, që prodhoi probleme të panevojshme në fotografinë e madhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është tabloja të cilën e kemi pasur në realitet, ndërsa fshehja e realizimit të kauzës shqiptare është kamufluar me një qytetari, ku pas saj është fshehur ideologjia e maqedonasve të sotëm, të cilët i kanë instrumentalizuar komunitetet e tjera, i kanë përdorur njëjtë si shqiptarët, në mos edhe më keq. Komunitetet e tjera edhe sot, derisa flasim, parapëlqejnë të jenë instrument në duart e pushtetarëve maqedonas të cilët u krijojnë disa benefite dhe i lëshojnë që të trumbetojnë mbi qytetarinë e shpifur, doktrinë e cila, në esencë, ka një qëllim – ky është prolongimi i ngritjes, avancimit, barabarësisë dhe asgjësimi i idesë së shqiptarëve që shqiptarët të jenë në nivelin e duhur në qeverisjet në Maqedoni, duke pasur përgjegjësi reale. Por, duke qenë të pavetëdijshëm se trajtohen si minoritet dhe duke qenë elitë e zgjedhur nga doktrina e maqedonasve të sotëm, ata nuk e kanë kuptuar se nuk i bëjnë dëm vetëm shqiptarëve, por edhe vetë komunitetit të tyre, sepse kanë fituar disa individë, ndërsa komunitetet kanë humbur barabarësinë e proklamuar e kamufluar nëpërmjet një qytetarie të shpifur alla jugosllavçe.
Maqedonasit e sotëm nuk e kanë kuptuar filozofinë politike shqiptare
Realiteti në Maqedoni ka dëshmuar se shqiptarët janë faktori determinues i këtij vendi. Këtë nuk kanë arritur ta kuptojnë ose kanë dashur ta mbështjellin, duke e instrumentalizuar klasën politike shqiptare, duke e joshur me benefite, ndërsa çështjet janë shtuar pa u zgjidhur. Maqedonia nuk ka mundësi që me këtë konstelacion të forcave që ka të vazhdojë të luajë me ndjenjat e qytetarëve shqiptarë, të cilët pritjet e tyre nga shteti i kanë të vogla. Në të vërtetë, shteti është treguar meskin dhe paratë ka arritur t’ua marrë me shumë elegancë, duke mbushur arkat e shtetit, ndërsa ua ka kthyer me shkop dhe me një dhunë, e cila është e pashpjegueshme dhe mesjetare si koncept dhe antievropiane si ide. Shpjegim tjetër nuk ka se pse Maqedonia nuk arrin që të jetë shtet funksional dhe stabil. Në qeverisjet që i kem parë, që nga komunizmi e deri më sot, shqiptarët nuk kanë pasur mundësi dhe janë vendosur në pozicione inferiore. Kjo i bën nervozë shqiptarët dhe i bën që mos ta ndiejnë Maqedoninë si vend ku secili do ishte i barabartë, me përparësitë dhe mangësitë. Qeverisjet kanë treguar se shqiptarët janë të rëndësishëm, por me detyra kozmetike dhe të parëndësishme, gjë që nuk kalon më tek popullata shqiptare, e cila, përveçse është a vetëdijësuar në masë të madhe, nuk e pranon që të jetë e nëpërkëmbur.
Problemi qëndron se maqedonasit e sotëm lipset të evropeizohen
Shqiptarët, duke u ndier si evropianë dhe duke qenë të afërt me këtë mentalitet, kanë plotësisht të drejtë që të ndihen keq, pasi procesi i europeizimit të maqedonasve të sotëm po shkon shumë ngadalë. Duke dashur dhe duke synuar aderimin në familjen e madhe evropiane dhe evroatlantike, ata me skepticizëm e kanë parë inferioritetin e klasës politike maqedonase, e cila ka luajtur me dy ndjenja: me atë sllave dhe atë evropiane. Shqiptarët, realisht, nuk mund të bëjnë kompromise kur bëhet fjalë për identitetin evropian, pasi në cilindo aspekt ta shikosh, jo vetëm që janë evropianë, por edhe filozofinë kombëtare e kanë ngritur në bazë të këtyre vlerave. Evropeizimi, kjo është çështja që i ka mbajtur gjallë shqiptarët. Nëse e ilustrojmë, do të themi se jo rrallë herë kemi parë në tubimet partiake, por edhe në filozofinë politike të maqedonasve të sotëm, një nostalgji, kur bëhet fjalë për regjimin e Josip Broz Titos, madje kjo shkon deri te dashuria dhe nostalgjia për Jugun dhe Putinin. Kjo mëdyshje e maqedonasve të sotëm realisht është pengesa kryesore në evropeizimin e Maqedonisë. Shqiptarët, me çdo kusht, ngulin këmbë që qeveria në Shkup të jetë e afërt me Brukselin, ndërsa ka ide që mos të jetë kështu.
Doktrina e Putinit, Ivanovi puth dorën e vëllait të madh
Vizita e fundit e mandatarit për krijimin e qeverisë, Zoran Zaev, në Bruksel, flet për këtë dhe insistimin që të ruhet rruga evropiane. Por shumë simptomatike është vizita e kryetarit kukull, Gjorgje Ivanov, i cili në të njëjtën kohë ishte në Moskë dhe e takoi Putinin. Kjo flet për dy tehet e politikës maqedonase. Kjo lojë me dy karta është e papranueshme. Kjo realisht nuk është filozofi e politikës shqiptare dhe jo vetëm që është e papranueshme, por në qeverisjet e ardhshme marrëdhëniet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit do jetë insistim i klasës politike shqiptare. Pala maqedonase deri më tani në politikën e jashtme ka luajtur në këto dy karta pa dëshirën dhe vullnetin politik të shqiptarëve. Dhe kësaj i ka ardhur fundi. Nëse në deklarimet e tyre intime, ku ka sllavë, politikanët maqedonas rrëfehen dhe luajnë, kjo nuk do kalojë më, pasi realiteti flet se startin e qeverisjes lipset ta ndajnë me shqiptarët. Këto flirtime nuk do lejohen dhe do jenë përplasje e ardhshme mes mentaliteteve ose doktrinave në qeveritë e ardhshme. Dhe mirë do ishte që me shumë delikatesë maqedonasit ta kuptojnë këtë, sepse me ne shqiptarët lipset ta ndajnë pushtetin. T’i harrojnë flirtimet, sepse nuk mundet që në të njëjtën kohë të kesh kurorë me shqiptarët, ndërsa të flirtosh kundër interesave të shqiptarëve.
Rruga Tetovë-Prizren, urë mirëbesimi dhe dritare
Rregullimi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase varet nga shumë gjëra, por ajo që është esenciale është një marrëveshje e qëndrueshme për qeverisje dhe një rregullim i plotë i politikave, gjë që deri më sot nuk ka ndodhur. Nuk do të ndodhë më që politikanët shqiptarë të pajtohen në heshtje, që takimet me Putinin të kalojnë sikur nuk janë vënë re. Shqiptarët do insistojnë dhe do të vendosin parime, të cilat më së pari ndërtojnë relacione brenda shtetit mes shqiptarëve dhe maqedonasve të sotëm, duke luajtur gjeostratigjikisht dhe duke ia bërë me dije me shumë delikatesë se qeverisjet në Maqedoni nuk ka asnjë shans që natën të jenë me Moskën e ditën me Brukselin.
Maqedonasit e sotëm më mirë është që të ndërtojnë filozofi me shqiptarët, për një qeverisje reale dhe me parime ku përgjegjësitë do ndahen, e jo qeveri ku shqiptarët do jenë kukulla dhe ata do t’i realizojnë idetë e tyre meskine, duke kënaqur epshet dhe ëndrrat bardh e zi. Shqiptarët kanë dhënë sinjale të forta se gjeostrategjikisht mbeten të palëkundur në rrugën drejt Perëndimit. Këtë maqedonasit e sotëm lipset ta kuptojnë si një sinjal se përballë fqinjëve vetëm me shqiptarët kanë mundësi t’ia dalin mbanë.
Ka edhe shumë çështje që mbeten të hapura, por shqiptarët dhe maqedonasit kanë shans që në rrugën drejt Perëndimit të bëjnë një marrëveshje historike, e cila do ta çonte vendin para, por aty ku të gjithë janë të barabartë, e jo pas idesë qytetare të fshihen djallëzi për të vazhduar me avazin e vjetër, që shqiptarët të kenë pushtet pa pushtet. Kjo lojë ka marrë fund dhe nuk kalon te qytetari evropian shqiptar.
Qeverisja në Maqedoni lipset të jetë qeverisje me parime demokratike, me ide për zhvillim, me ide për përmbyllje të procesit ne relacionet shqiptaro-maqedonase, me ide për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me përmbyllje të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe me rregullimin e çështjeve të hapura me fqinjët që janë bërë gangrenë e vendit.
Qeverisjet e tipit të deritashëm do jetë shumë problematike. Ne nuk pamë në kuadër të qeverisë projekte konkrete për shqiptarët, kështu që detyra kryesore është të shohim projekte konkrete për zhvillimin e shqiptarëve.
Pse të mos krijohet mirëbesimi me ura bashkëpunimi, si rruga Tetovë-Prizren dhe lidhje natyrale me rrugën e Adriatikut? Le të jetë ky një fillim i mirë për qeverinë e re, për kthimin e mirëbesimit! Këtë shans e ka kjo qeveri. Por se a do të krijojë ura ose djerrina ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve, kjo mbetet të shihet.