Dalina Buzi: Rama, fitorja e një skenografi
Vetëm një naiv beson se kjo fushatë, ose fushatat politike në përgjithësi të viteve të fundit, luftojnë me programin. Partitë kanë humbur vetëm në raste krizash të mëdha, por në raste të tjera, si fushata e këtij viti, fitorja i ka takuar qartazi atij që ka bërë spektaklin më të bukur.
Përsa kohë votuesit janë numra njësoj siç janë shikuesit, që televizionet i përcaktojnë me sondazhe, atëherë fushatat konceptohen jo si një luftë për programin më të mirë, jo si një betejë idealesh, por si një përpjekje se kush dhe si do të tërheqë vëmendjen më të madhe.
Në këtë aspekt, agjensia “Edi Rama & Co” ka treguar një mjeshtëri të jashtëzakonshme, duke krijuar zhurmën e duhur për të tërhequr sa më shumë njerëz rreth vetes. Siç edhe disa analistë të tjerë e kanë vënë në dukje këto kohë, Rama nuk shpalosi ndonjë program, por ama krijoi një spektakël të përditshëm me të gjithë elementët për të tërhequr vëmendje ku përfshiheshin: Batutat, sherret, stili i veshjes, ndryshimi i skenografive dhe shumë elementë të tjerë vizualë të denja për një program televiziv me shikueshmëri të lartë.
Fushata u mbështet në një skenografi të fortë siç ishin sheshet e rregulluara të qyteteve. Televizioni është sipërfaqe dhe Rama i mëshoi sipërfaqes. Ç’rëndësi kishin diskutimet mbi arsimin, taksat, borxhin e jashtëm, kur njerëzit humbisnin mbi publicitetet “Para dhe Pas” të stolave të rinj dhe pemëve të shtuara nëpër parqe? Edi Rama e ka provuar suksesin me lojën e skenografisë për 11 vite si kryetar bashkie i Tiranës, ndaj nuk kishte se si ta humbte.
Memorja vizuale është shumë e rëndësishme për një popull që harron shpejt dhe bombardimi i përditshëm me “Para dhe Pas” rezultoi më i thjeshti për të kapur interesin e shikuesit dhe për ta bindur se “Ja paska bërë ca gjëra të paktën.” Fundja, kush mban mend dhe kush është i vëmendshëm ndaj statistikave për rritje pensionesh apo ulje taksash?!
Rama 53-vjeçar ka luajtur me propogandën moderne të rrjeteve sociale më mirë se kushdo nga të famshmit e shoëbizit që ka gjysmën e moshës së tij. I zhveshur nga petku serioz që mori gjatë qeverisjes 4-vjeçare, Rama iu rikthye Personazhit! E urreje apo e doje, Rama ishte si Çani në televizion: Prapë do ta kaloje telekomandën ta shihje. Personazhi i tij ishte Personazhi i Reality TV të shekullit të 21-të, njeriu që pasi takon Merkel, futet në FB dhe zihet me “gocababit98”, pasi vendos rregullat e veta nëpër televizione, hap celularin apo ERTV dhe krijon emisionet e tij, kryeministri që vendos për tendera e koncensione dhe paralelisht ka kohë të postojë edhe Meme, që vesh kollare në mbledhje qeverie dhe tuta e t-shirt si “një nga të 30-tët e Noizyt” kur del nëpër popull. Në këtë fushatë, Rama mori të gjitha ngjyrat e pallateve të tij të Tiranës, por edhe më shumë. Dhe nëse ngjyrat e tij nuk ishin mjaftueshëm, apo njerëzve u vrisnin sytë, atëherë i zbuste me Erion Veliajn, i cili për hir të së vërtetës, ka një ndikim shumë të madh në fitoren e PS-së, të paktën për qarkun e Tiranës.
Strategjia e Personazhit televiziv Rama, funksionoi njësoj siç funksionon me çdo personazh televiziv kontroversial që ka një ekspozim aq të madh në media, saqë shikuesi mësohet dhe e pranon, pa iu futur në thellësi nëse ai/ajo di të flasë, nëse ai/ajo di të pyesë, nëse ai/ajo ka një vlerë a kontribut në pozicionin e tij. Në fund, familjariteti dhe interesi për të “parë edhe më se çdo të thotë a të bëj këtë rradhë” fiton dhe shikuesi preferon më mirë ta ketë rrotull Personazhin, sesa ta humbasë.
Nga ana tjetër, në një televizion krejtësisht më konservator, konkurronte “moderatori/autori” Lulzim Basha, i cili fatkeqësisht krijoi një spektakël pa skenar të mirëfilltë dhe më e rëndësishmja pa finale.
Fillimisht, ai hyri kur dha dorëheqjen Personazhi, që në këtë rast ishte ekuivalenti i Ramës, Berisha (madje mendoj se ky i fundit është një “Natural Born” në krahasim me Ramën). Pra në terma televizive, është njësoj sikur Ardit Gjebrea t’ja lërë “E diela Shqiptare’, dikujt që i beson në staf, pa e testuar, nëse do të ketë të njëjtin besim dhe interes në publik.
Basha, në pozicionin “e të përfituarit” dhe jo “e të merituarit”, në vend që të përqëndrohej për të merituar pozicionin brenda një partie që ashtu si e “E Diela Shqiptare” ka ndjekshmërinë e saj besnike dhe të madhe prej vitesh, kërkoi të eksperimentonte me metoda prej amatori, duke krijuar një shoë pa skenar dhe më e keqja, pa justifikuar mbylljen.
Krijimi i çadrës në vetvete mund të dukej interesant, por zhvillimi i kuptimit të çadrës, ngjasonte me spektaklin e fundit të BB9. Sajojmë ca çifte, i fusim në një shtëpi dhe më pas çfarë kemi? Muhabete buke.
Çadra që ndoshta u synua të kthehej në simbolikë rezistence, në fund u shndërrua në një pengesë fizike për qytetarët. Spektakli, që duke konsideruar rëndësinë e Partisë duhet të ishte “Primetime” ngjante me ato debatet e dështuara politike mes kryetarë komunash e kandidatë nëpër rrethe që dikur u tentuan nga televizionet (për hir të demokracisë) por nuk patën asnjë shikueshmëri. Shtoji dhe faktit, që përveçse Moderatori/Autori Basha nuk ka popullaritetin e duhur për të tërhequr vëmendje, ai largoi edhe personazhe që në fund (në terma televizivë) i ngrenë audiencën si Topalli, Bregu etj.
Nga ana tjetër, kishim edhe Ilir Metën, i cili kaloi nga pozita bashkë-autorësie në oponent i fortë kundër një emisioni që e “gatoi” bashkë me Ramën, brenda një muaji. Kurba e kreshendos së akuzave ishte aq e shpejtë, saqë padashje nuk llogariti se publiku vërtet ka memorje të shkurtër, por nuk vuan nga alzheimeri! Brenda një muaji, ish-bashkë-autori që mbronte çdo vendim të Ramës, nuk mund t’i kthehej kundër e ta quante pengesë në zhvillim.
Përgjërimet e Ramës “Më jepni timonin se më pengoi Meta” ishin më të besueshme, sesa akuzat e ish-bashkë-autorit që në fund të fundit, zgjodhi të drejtonte qeverinë dhe nuk ishte “I kushtëzuari” për ta drejtuar.
Partitë e tjera, duke përfshirë edhe “Libra” të Blushit apo “Sfida” e Bojaxhiut natyrisht që do të humbnin. Ata do të humbnin gjithsesi edhe sikur të kishin një program të tyrin televiziv. Sepse siç e thashë më lart, populli është publiku që tërhiqet pas sipërfaqes dhe kur do të rrish në thellësi, atëherë rrezikon të kapësh qoftë një vend për deputet ose sërish në gjuhë televizive, të hapen dyert vetëm në ndonjë orar gjumi pas orës 23:00.
Natyrisht është keqardhje që të kufizosh një fushatë në një konkurrencë televizive, kur në thelb duhet të jetë interesi publik dhe programi, por fatkeqësisht kjo është e vërteta e fushatave. Kjo është arsyeja përse kompanitë e marketingut politik në botë kanë një xhiro vjetore marramëndëse, kjo është arsyeja përse Rama ka fituar 11 vjet Bashkinë dhe do të vazhdojë të fitojë, nëse nuk do të dalë ndonjë skenarist dhe personazh më i zoti se ai që t’ja marrë vëmendjen publike, ose në rast se nuk do t’i vihet kundër, Erion Veliaj. /Anabel.al