Sadik Bejko: Poezia klasike kineze nën përkthimin e Kadaresë
(Dinastia TAN)
Dy poezitë që sjell më poshtë janë të përkthyera nga Ismail Kadare në librin ‘Poezi Klasike Kineze’, botuar në vitet ’60 të shekullit që shkoi. Janë poezi të epokës (dinastisë) Tan, shekulli VIII-IX, epoka e artë e poezisë klasike kineze.
Në këto poezi me një humanizëm suprem jepet melankolia ndaj rrënimit të lavdisë, te madhështisë dhe të bukurisë, (janë të përkohshme) si rregull, si ligj i kësaj bote. Nga pallatet ku shkëlqen luksi, bukuria e madhështia perandorake mbeten pas gërmadha. Damat e reja e të magjishme, të denja që të gëzojnë favoret dhe hiret perandorake, një ditë vetvetiu plaken e braktisen.
Poezia Tan sjell pak mëshirë për këtë shuplakë vrasëse të fatit, mbi përkohësinë e pasurisë, lavdisë, vlerave dhe shkëlqimit të bukurisë. Nga lumturia në pasuri e dalldi diamantesh … me kalimin e viteve mund të harrohesh në një pallat pa dritë e pa ngrohje…
Në historine e Kinës ku dinastitë perandorake kanë qenë më jetëgjatat, kanë sunduar pa ndërprerje me shekuj e shekuj, kanë vazhduar që nga koha e piramidave egjiptiane e deri ne vitet e Luftes II Botërore, poezia që herët ka vërejtur përkohësinë, ngrysjen e rrënimin e çdo lloj shkëlqimi që buron prej pushtetit njerëzor.
Nuk e di sesa ngushëllim (a mbase frenezi të shtuar) do t’i silllte kjo lloj poezie të sotmes, kohës së shkëlqimit të castit, kohës së mbretërimit të imazhit të hedonizmit, të merkantilizmit relativizues?
Le të lexojmë poezitë: në këto rreshta me imazh, elegancë, pa fije retorike, me densitet të fjalës, trishtimi vjen si pjesë e natyrshme e jetës.
MOTIV “DEGA E SHELGUT”
Shkruar nga LJU_JUJ_SIN (772-842)
Kanali Bjanshuj. Pallati i braktisur,
Ku netët kalonte perandori Jan Di.
Mbi shelgjet ka ca degë aty-këtu,
Mezi beson se erdhi pranvera.
Kur bie muzgu, një push i lehtë sillet,
Nën frymën e erës, ngrihet përmbi drurë.
Pallati i mbuluar si me borë
S’ka asnjë shpirt. Shkretëtirë përreth.
PALLATI I BRAKTISUR
JUAN ÇZHEN, (779-831)
Po plaket pallati i harruar
Në rrugën e vjetër imperiale.
As vetë trëndafilat s’ dinë
Pse lulëzojnë petalet.
Të thinjurat dama të oborrit
Ditët e fundit ngrysin,
Për kohërat e Sjuan e Czunit
Netëve molloisin.