Skifter KËLLIÇI: NJË LEXIM NDRYSHE I “LAHUTËS SË MALCIS”
Në këto shënime nuk i kam vënë qëllim vetes të vë në dukje vlerat e kësaj vepre që është dhe do të mbetet nga krijimet më të arrira të letërsisë shqiptare të të gjithë kohëve dhe që janë nxjerrë në pah që më 1991, kur Fishta, për arsye që dihen, u ringjall, pasi ishte varrosur prej vitit 1945 nga diktatura komuniste.
Tashmë që Fishta botohet në Shqipëri, Kosovë, studiohet nëpër shkolla dhe universitete, njihet edhe nga shqiptarët jashtë atdheut, dalin sërishmi në pah vlerat krijimtarisë së tij, veçanërisht të “Lahutës…” në të cilën ka faqe që na sjellin ndërmend fragmente të “Iliadës” së Homerit.
Për shembull në këngën e 22-të të kësaj vepre, ku përshkruhet dyluftimii Hektorit me Akilin, ndeshim këto vargje:
“Kshtu tha e vrik të mprehtë e nxuer taganin,
Qi të madh për mnerë deri n’teposhtë i varej,
E tue u përkulë me hov iu turr si shqipja,
Qi s’eprash maje fluturon drejt sheshit,
Prej reve t’errëta kur bvertitet me rrëmbye
Ndo’ ikingj kulloshtre, ja frigacin lepur,
Kshtu msyn Hektori kah vringllon taganin,
Njiheri turret porsi rrfe edhe Akili…”
Te denja për këto vargje homerike janë dhe vargjet fishtjane, të shkëputura nga Këanga e Njezët “Lekët’ e “Lahutës…( faqe 275):
“Si ‘i larosh qi hek’rash pështue,
kërlesh qymen e shpinës për mnerë,
zhgjetë t’u lëshohet qejve tjerë,
me ta haju edhe përlaju,
dboju shtekut dhe hendekut,
tue hungruem e cingruem,
hikin qejtë n’p’r proska e lamë,
shtangue bishtin hell ndër kambë,
njikshtu shkjetë n’p’r atë log mejdanit,
hikin podit derdhen planit,
para ushtimës së Rushman Hasanit…”.
Por në këto shënime, duke bërë edhe vlerësime, do të ndalem kryesisht në vërejtje të karakterit gjuhësor dhe artistik që për mendimin tim hasen te “Lahuta…’…. ( mbaron shtesa..)
…disa prej të cilave deri tani janë vënë në dukje kryesisht pr. dr. Shefkije Islamaj në librin e saj dyvëllimësh, me titull “ Gjergj Fishta, gjuha dhe stili”, kushtuar veprës, botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, më 2012.
Ndër të tjera, në studimin e saj ajo vë në dukje se Fishta nuk ka arritur t’i shpëtojë proliksitetit, teprisë së përshkrimeve, teprisë së fjalëve, përsëritjeve të panevojshme si dhe gabimeve drejtshkrimore…veprim ky i pamotivuar, i paarsyetuar, për shkak të aplikimit të regullave të metrikës, kur është fjala për veprat në vargje. (Vëllimi i dytë i veprës së mësipërme, faqe 104).).
DISA VEREJTJE GJUHESORE
Dihet se Fishta ka përdorur në veprat e veta, veçanërisht te “Lahuta e malcis”, gegërishten veri-perendimore, ose me saktë, të lagjeve katolike të Shkodrës dhe të rrethinave të saj, (gjithnjë katolike). Dhe kjo e folme dallohet nga e folmja e lagjeve myslimane të këtij qyteti dhe rrethinave të të njejtit besim fetar, kryesisht nga shqiptimi i bashkëtinglloreve gj, q, dh, të cilat shndërrohen përkatësisht ne xh, ç dhe ll.
Pra, qeni-çeni, gjaku- xhaku, ndodhi- ndolli.
Por ka raste kur bashkëtingëllorja q kthehet në gj, (qytet- gjytet), dhe bashkëtingëllorja ll ne dh, (llampa-dhampa). Por, siç dihet, ndodh dhe që bashkëtingëllorja q të kthehet ne k, si qime, kime, qaj-kjaj.
Këto dukuri vihen re rëndom kryesish te “Lahuta…,” ku madje prapashtesa -si (mal-malsi), kthehet në trajtën nëndialektore –ci; mal- malci. Ndaj dhe veprën e titullon “ Lahuta e malcis” dhe jo të paktën “ Lahuta e malsis”.
Kështu ndodh edhe në titullin e veprës tjetër “Shqiptari i gjytenuem”, për “Shqiptari i qytetnuem” dhe “ Pika voeset” për “Pika vese”, pra, në këtë rast, përdorimi i trajtës nëndialektore në rasën rrjedhore të emrit në të dyja gjinitë.
Dukuritë e mësipërme nuk përbëjnë ndonjë lajthitje, por janë përdorime të ndërgjegjshme dhe këmbëngulëse të Fishtës, sepse, siç dihet, ai ka dashur që e folmja e përdorur prej tij, të ishte bazë e gjuhës letrare shqipe dhe jo elbasanishtja që miratoi Komisia Letrare me 1916, të cilën ai e ka parodizuar me vargjet e një bejtjeje, ku e quan atë “gjuhë mushke me gjithë veshë dhe bisht”, ose ”që turçe nuk asht, po ashtu po i thonë, por që s’asht, qe besa, as gjuhë shqiptare”, (!?).
Për më tepër, edhe në botimin përfundimtar të “Lahutës..”, më 1937 Fishta i mbeti besnik i idesë që nëndialekti i tij të ishte bazë e gjuhës letrare shqipe, me të cilën kishte shkruar këngët e para të saj, që më 1905 dhe nuk bëri as edhe një ndërhyrje për ta afruar me gegërishten jo më të Elbasanit, por as edhe të Shkodrës, të paktën në këtë vepër.
Po sjell disa shembuj të kësaj vepre, të botuar nga Salih Kabashi, (Ljubjanë, 1990), së cilës do t’i referohem vazhdimisht në këto shënime:
“…thue se t’parit qi do t’veka,
petku cohet do t’iu preka,
e jo ma se po i pret deka”.
(“Preja”, faqe 30).
Nga sa del, folja në mënyrën habitore “veka”, ndoshta një trajtë nendialektore, për hir të rimimit me foljen e vargut të dytë “..preka”, zë vendin e foljes “vika”.
Më poshtë Fishta shkruan:
“O zotnitë e Shqiptarisë…”
Eshtë e vërtetë që në ” Fjalorin e gjuhës shqipe”, me fjalën “shqiptari” kuptohet “tërësia e shqiptarëve, populli shqiptar…”, por, më saktë do të ishte të përdorej fjala” … e Shqipnisë”, sepse me fjalën “shqiptari” kuptohet edhe “ndjenja kombëtare shqiptare, ndërgjegja kombëtare e popullit shqiptar…”, siç shkruan dhe Vaso Pasha se “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”.
Pastaj Fishta vazhdon:
“Mos lakmoni pares s’huej”, kur duhej të shkruante :
“Mos lakmoni paren e huej”, sepse pas foljes kalimtare “lakmoj”, (në këtë rast “lakmoni”), emri duhet të jetë në rasën kallëzore dhe jo dhanore. Dhe ky gabim përsëritet në poemë edhe ne raste të tjera. Eshtë përdorim nëndialektor që, me sa di, haset kryesisht në të folmen e Shkodrës.
Po të ishte vënë para foljes “lakmoni” trajta e shkurtër “i” e përemrit “ata”, “ato”, në rasën dhanore, kjo frazë do të ishte e saktë vetëm nga ana morfologjike, pra: ” Mos i lakmoni pares s’huej”, por do të ishte jashtë natyrës së gjuhës letrare.
Më poshtë pasojnë vargje me karakter didaktik dhe pa vlera artistike që i hasim edhe në raste të tjera në këtë poemë.:
Kinje n’ mend: për ju detyra,
s’asht me mjelë veç dele t’hueja,
s’asht me m’kambë veç gjuhët e hueja,
por me atë Fe qi kam prej qiellit,
me t’bardhën dritë t’Ungjillit,
brendë dashtëninë m’ua ndezë shqiptarëve, për kah gjuha e vendi i t’parëve”,
( “Vranina”, faqe 45)
Kështu del se poeti paska “me ua ndezë dashtëninë”, ose me saktë ” dashtuninë’”, ose edhe më saktë ”dashuninë”….
Është për të ardhur keq që në poeme ka plot e plot vargje të tilla, që përmblidhen me fjalë “proloksitet”, “tepri’, të cilat po të mënjanoheshin, do ta bënin veprën më të rrjedhshme dhe me nivel më të lartë artistik.
Në fund të faqes 45 Fishta vazhdon:
“…qi shqiptarët t’shërbejne njaj mbretit,
qi për mbret e troje t’veta,
mos t’u dhimbet gja as jeta,
por të desim si Oso Kuka,
qi asht tue dekë, ehu, n’ato suka!”.
Duhet:
“..qi shqiptarët t’i shërbejnë atij mbretit” ose thjesht:”…t’i shërbejnë mbretit”, sepse mbiemri dëftor “njatij”, për “atij” në këtë rast është i tepërt.
Fishta gabon gjithashtu kur përemrin ose mbiemrin dëftor “ai” e zëvendëson me trajtat nëndialektore “njaj’ dhe “qaj”.
SHQIPTARET T’I SHERBEJNË NJAJ MBRETIT? …
Në vargjet e mësipërme Fishta dy herë nënvizon fjalën “mbret”. Kuptohet se me të ai nënkupton sulltanin e Turqisë. Pra, shqiptarët t’i shërbejnë sulltanit dhe madje për të mos i dhimbset as jeta, ashtu si Oso Kukës…
Në zërin “Oso Kuka”, të përfshirë në FESH, botim i dytë, midis të tjerash, shkruhet:”Atdhetar nga Shkodra, komandant i një njësie, që dha jetën për mbrojtjen e trojeve nga shovinistët malazeze”, (faqe 1396, vëllimi i dytë, 2008). Pra, nuk theksohet shprehja që ai dha jetën edhe ” për mbret”, me një fjalë për sulltanin, paraardhësit e të cilit prej shekujsh kishin pushtuar Shqipërinë dhe të cilën ai e mbante me dhunë nën sundimin e tij mizor.
Mendoj se edhe Fishta kishte mundësi të mënjanonte shprehjen “për mbret”, të cilën e ka nënvizuar edhe në fund të faqes 44, kur shkruan:
”Mallkue kjoftë njaj n’Shqipni,
…qi për mbret e për liri,
s’çohet sot me armë mizore…”.
(“Vranina”, faqe 44)
Po ashtu dhe në Kangën e Dytë “, Oso Kuka”, ai mund të mënjanonte dhe takimin e këtij heroi me Avdi pashën, sundimtarin turk të Shkodrës, të cilit i kërkon 40 trima dhe me ta niset për në Vraninë, për t’u përballur me trupa malazeze që kërkonin të pushtonin toka shqiptare, por që ishin prej shekujsh të pushtuara nga Turqia.
Po kështu Fishta kishte mundësi që në Kangën e 6-te, “Dervish Pasha”, të mënjanonte takimin e shtegtarit shqiptar me Abdyl Hamitin, të cilin përsëri e quan “mbret” dhe jo “sulltan”, aq më tepër qe ky shtegtar shkon në Stamboll që t’i lutet sulltanit, pra, atij që vazhdonte ta mbante Shqipërinë nën zgjedhë, që të dërgonte forca, për të zmbrapsur malazezët, të cilët kërkonin të pushtonin toka shqiptare. Pra, ky shtegtar, që përfaqëson Shqipërinë, i kërkon ndihmë…. pushtuesit, për të zmbrapsur pushtuesit e rinj.(!?).
Eshtë e vërtetë që më pas Fishta thekson se Dervish pasha i ngarkuar nga mbreti, pra sulltani, u nis me 50 tabore që të zmbrapste forcat malazezeve, jo për t’i mbrojtur shqiptarët, por për t‘i mbajtur si gjithnjë nën zgjedhen turke, por ky fakt historik nuk i shton poemës as vlera artistike dhe as ideore.
Fishta mund të mos e përfshinte takimin e shtegtarit me sulltanin te “ Lahuta…”, për më tepër sepse ai është krijim tërësisht letrar, sidoqë me motive epike dhe historike.
Besoj se nuk do tingëllonte mirë një vepër letrare, ku të ngrihej lart akti heroik deri në vetëmohim i një shqiptari, i cili në vitet 40-të të shekullit të kaluar, duke qene si plot shqiptarë të tjerë ushtarak i rreshtuar në njësitë e ushtrisë italiane, që komandohej nga vetë Musolini, të kryente aktin heroik të Oso Kukës, p.sh. në luftë me forca ushtarake malazeze, të cilat cenonin kufijtë e Shqipërisë, këtë radhë të pushtuar nga Italia fashiste. Aq më keq, po të mburrej se jepte jetën “për mbretin, (italian) dhe për liri”, siç shkruan Fishta te “Lahuta…”.
Përkundrazi, dihet se shumica e ushtarëve shqiptarë që bënin pjesë në repartet e ushtrisë fashiste italiane, të cilat më 1940 u dërguan në front gjatë Luftës Italo-Greke, jo vetëm nuk luftuan kundër grekëve, por edhe dezertuan.
Me këto argumente nuk kërkoj kurrsesi që të nënçmoj aktin atdhetar te Oso Kukës, por e përsëris, kam mendimin se Fishta, mund të kishte hequr nga “Lahuta…”. takimin e Osos me Avdi pashën dhe fjalët se ai lufton edhe “për mbret”.
Duket se vargje të tilla përbëjnë thjesht shkarje rastësore, sepse e tërë poema përshkohet nga urrejtja e thellë ndaj pushtuesve osmanë dhe shovinistëve malazezë, të mbiquajtur me përbuzje “shkje”, që dëshmohet edhe në vargjet e mëposhtme:
Kam shkue jetën si bisha,
Zbathë e zhveshë edhe pa ngranë,
Poe as mbretit, por as krajlit,
Tungjatjeta nuk i kam thanë.
(“Lidhja e Prizrenit”, faqe 110)
LUFTERAT KUNDER SHOVINISTEVE MALAZEZE DHE PUSHTUESVE TURQ
Në analizën sado të përciptë që i bëjnë kësaj poeme, autorët e tekstit te “Historisë së letërsisë shqiptare”, të botuar gjatë më 1958, pra gjatë periudhës komuniste, ndër të tjera kanë vënë në dukje se vepra kryesore e Fishtës, poema “Lahuta e Malcis”, duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve te Veriut, propogandonte antisllavizmin dhe vinte ne plan të dytë luftën kundër pushtuesit otoman.
Më saktë, duhej thënë luftërat kundër synimeve grabitqare të shkjave malazezë zënë më shumë vend se luftërat kundër pushtuesve otomanë, të cilët ishin dhe mbeteshin armiqtë kryesorë të Shqipërië. Madje, edhe në vitet 1858-1913, periudhë gjatë së cilës zhvillohen ngjarjet e poemës, siç e vë në dukje dhe vetë poeti që në vargjet e para të Kangës së Parë, (Pesëqind vjet kishin kalue,/çëse të buk’rën këtë Shqipni,/Turku e mbante në robni), ishin pikërisht pushtuesit otomane, të cilët vazhdonin ta mbanin shtrirë sundimin e tyre, që nga viset më të epërme veri-perendimore dhe veri-lindore të krahinave shqiptare, duke përfshirë Kosovën dhe Dibrën, deri në Shqipërinë e Jugut, në Çamëri.
Dhe pikërisht në vitin 1858 kur fillojnë edhe ngjarjet e poemës, malazezët nisën sulme të vazhdueshme për të rrëmbyer sa më shumë toka shqiptare.
Fishta këtyre synimeve grabitqare për pushtimin e viseve të veriut të vendit, bashkë me Shkodrën, deri në lumin Drin, me të drejtë u kushton në këngët e para; por , duhet të vijmë në Kangën 6-të, që përmenda pak më sipër, për të vazhduar deri në Kangën e 10-të, “Mehmet Ali Pasha”, që ai të theksojë se në njëjtën kohë, synimet e perandorisë turke ishin që t’i zmbrapste ushtritë malazeze, jo për t’i lënë shqiptartë të lirë, por për t’i mbajtur gjithnjë nën thundrën e saj
Prandaj poeti paralajmëron në mënyrë figurative Shqipërinë:
Por a njimend thue se Dervishi,
këtë ushtri nën armë e grishi,
Për me ardhë me t’dal zot ty,
Edhe hek’rat me t’shpërthye….
Jo, mo’ e shkretë! Dervishi s’lot,
Për me të dalë ty zot,
por ai vjen përse Stambolla,
s’do’ qi t’hijë n’Shkodër Nikolla,
pse do’ vetë edhe mbas sotit,
me të mbajtë rob ajo si motit…
( “Dervish Pasha”, faqe 67)
Mirëpo këto vargje bien kryekëput në kundërshtim me vargjet që janë renditur në dy faqet e mëparshme të kësaj kënge, ku një shtegtar që ka udhëtuar nga Shqipëria në Stamboll, (personazh i krijuar nga poeti), i thotë me qesëndi sulltanit, të cilin Fishta vazhdon çuditërisht ta quajë mbret (?!):
…për jëtë tande, lala Mbret,
a ti mbahe mbret n’Shqipni,
apo mbret asht krajl Nikolla,
qi i ka mbledhë cubat n’ Cetinë
e u ka pri ktej kah Shqipnia…
(“Dervish pasha”, faqe 65)
Mendoj se bashkëbisedimi i shtegtarit me sulltanin, nuk duhej të kishte vend në poemë, sepse nuk është aspak e natyrshme që ky personazh, që përfaqëson Shqipërinë, pasi i lutet sulltanit, pushtetin e të cilit e mban prej qindra vjetësh, tashmë e urdhëron me fjalët:
Për jetë tande, lala mbret,
A hiq dorë ti prej Shqipniet,
Ase ndryshe çoe nji ushtri,
që t’i bjerë Malit të Zi,
pse gjallë kështu ma nuk u rrueka. (!?)
E pakuptueshme,sepse kështu, gjithë shpresat e shpëtimit nuk u gjetkan në forcat e vetë malësorëve, pra dhe të të gjithë shqiptarëve, por në dëshirën e sulltanit.
Në Kangën e 9-të të poemës, të titulluar “Lidhja e Prizrenit”, duhej të vihej në dukje se Turqia nuk i falte Malit të Zi me dëshirë toka shqiptare, por detyrohej ta bënte këtë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, më 1878, si humbëse në Luftën Ruso-Turke. Ky fakt mund të qartësohej edhe në Kangën e 8-të, pra në këngën e mëparshme.
Por, çuditërisht, duhet të presim Kangën e 27-të, ”Xhymyjeti”, dhe tri këngët e fundit të “Lahutës…”, pra ngjarjet e vitit 1908 dhe më të mëvonshme të cilat mbyllin poemën, që Fishta t’u kthehet kryengritjeve të shqiptarëve të krahinave të veriut kundër sundimit turk. Por për këtë $eshtje do të ndalem sërishmi në një një nënkapitull nga fundi këtyre shënimeve.
LIDHJA E PRIZRENIT DHE ”LAHUTA…”
Deri në Kangën e 8-të, siç dihet, ngjarjet e poemës përqendrohen kryesisht në Malësinë e Veriut. Dhe ja, në Kangën e 9-të para nesh me vargun e tij plot patos dhe dinamizëm Fishta zbulon një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë të shekullit të 19-të, Lidhje e Prizrenit, (1878-1881).
Nuk do të ndalem te paralelet e gjetura dhe të e goditura të poetit tonë të madh që krahason personazhet historike të Lidhjes me personazhe mitologjike ose periudhës së lashtë greko-romake, homerikë, dhe na shpien : ” …kah Urali,/ n’pr ato breshta ta larta,/ siellej shkjau, si shkërbe mali,/ tue kërkue për molla t’tharta,/, kur n’kta vise të Ballkanit,/ të parët tanë, pellazgët e motit,/ gjanë e gjallë kullotshin n’fushë t’Zotit”, (faqe 105). Do të citoj vetëm disa nga personazhet që poeti në bisedë me Zanën na i paraqet në kuvendin që zhvillohet në Prizren. Të tillë janë, siç i radhit autori, janë Ali pasha, (është fjala për Ali pashë Gucinë), që rrinte “n’krye të vendit”, Marash Vata, bajraktari i Shkrelit, Frashër Begu, pra, Abdyl bej Frashëri, që në ketë këngë duhej cituar kështu, sepse nuk njihet me epitetin e mësipërm, i vënë nga Fishta për hir të rimës: “…Frashër Begu,/..ku e qiti shtegu”. Pastaj autori na njeh me Preng Dodë Bibën, kapiten i Mirditës, pranë të cilit ndodhet Zogolli, Gjetë Gjekë Shllaku, edhe Begolli, Cun Mula, Mar Lula “njeni Hot e c tjetri Shalë”, siç nënvizon ai, ”…Dodë Preçi prej Kastratit, /me atë Vrionin e Beratit”.
Pastaj renditen dhe emra krerësh bajraktarë, ku del në pah Abdullah pashë Dreni, “…: njaj pa të cilin s’hecë kuvendi,/e ia dro t’keqen Prizreni,/dro Prizreni, dro Gjakova,/rreth e çark ia dro Kosova”, (faqe 104).
Eshtë e drejta e autorit që figurat e atdhetarëve që citohen më sipër, t’i trajtojë si personazhe të Lidhjes së Prizrenit , ndonëse, duhet thënë se ata, me përjashtim të Abdyl Frashërit, që nuk kuptohet se përse Fishta e mbiquan edhe Duli, si dhe Abdullah Drenit, për të cilin do të flitet gjerësisht më poshtë, në këtë këngë jo vetëm nuk njihen si personazhe të rëndësishme historike, por mbetën vetëm emra. Pra nuk zhvillohen artistikisht. Dhe kjo dukuri, siç do të shohim më poshtë, do të vihet re dhe në këngë të tjera.
Dhe në qoftë se Fishta, duke renditur emrat e mësipërm të bajraktarëvë malësorë, ka dashur t’i qëndrojë besnik historisë, atëherë ai duhej të shtonte dhe emrat e atyre atdhetarëve që për më tepër u zgjodhën në këshillin e përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit, si Iliaz pashë Dibra, dhe , veç Abdyl Frashërit, anëtarë të tjerë të tij, Ymer dhe Shaban Prizreni, dhe mbi të gjithë Sulejman Vokshi, nga Gjakova, “ …një nga nismëtarët e themelimit të Lidhjës dhe ndër udhëheqësit kryesorë politikë”, i cili: ”Qëndroi në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare dhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së tyre”.(FESH vëllimi 2, 2009, faqe 1514).
Nuk kuptohet gjithashtu se cilët janë për shembull, Zogolli, Begolli, Vrioni…Dhe kjo, sepse ata, si dhe krerët e tjerë që përmenden më sipër, ashtu si dhe trimat malësorë, me të cilët do të njihemi gjatë përshkrimit të betejave të tyre kundër shkjave malazezë, me përjashtime të rralla, si Mar Lula, i pari i Shalës, për fat të keq mbeten të patipizuar. Kjo edhe sepse poeti e ka pasur vështirë ta bëjë këtë brenda faqeve të kësaj kënge.
Megjithatë, shprehje të tilla që Mar Lula nxjerr plot duf nga shpirti dhe zemra në kuvendin e mbledhur në Prizren kundër vrasësve grabitqarë sllavë si:
…M’ka mbytë ai tatë e nanë,
e shnjerzue m’ka grue e motër,
e s’m’ka lanë me u rritë djalë në votër,
…m’ka marrë arën e punueme,
m’ka marrë tokën e trashgueme,
e tue m’ba kanun paçavër.
m’ka marrë qetë, po, për nën lavër,
…m’ka marrë dhen e m’ka marrë dhiz,
m’ka marrë vathë m’ka marrë mriz.
(faqe 111-112 …
të nguliten në mendje dhe bashkë me to edhe vetë ky personazh.
Por pas pasqyrimit të kësaj ngjarjeje, Fishta duhej të kishte vazhduar me episode brenda saj, ose edhe në ndonjë këngë tjetër edhe veprimtarinë e mëtejshme të Lidhjes së Prizrenit, që vazhdoi deri nëvitin 1881, pra për tre vjet. Duhej të dilte më në pah se betejat e përgjakshme që përshkruhen në këngët e mëpastajme, sidomos te Kanga “Te Ura e Rrzhanices”, “Në qafë Hardhi”, ”Te Ura e Sutjeskës”, ishin veprimtari të organizuara nga udhëheqësit e kësaj lidhjeje, ashtu siç dëshmohet qartë dhe në dokumentet historike, ku,veç të tjerash, pasqyrohet edhe rezistenca e vendosur e kryengritësve shqiptarë, për të mos lëshuar pa luftë Plavën, Gucinë dhe troje të tjera, të cilat sipas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit i merreshin Turqisë, për t’iu dhënë Malit të Zi.
”Kur ushtritë malazeze erdhën pasdite, (është fjala për pasditen e 17 prillit të vitit 1880, SK), për të marrë në dorëzim Hotin dhe Grudën, u ndeshën me repartet e Lidhjes Shqiptare që kishin zënë prita te Ura e Rrzhanicës”. (FESH, vëllimi 2, 2008,f aqe 1514).
Kjo do të sillte një zhvillim më të harmonishëm të Kangës së 9-të ”Lidhja e Prizrenit, me këngët që citova pak më sipër. Në këtë mënyrë Fishta do të pasqyronte bashkëpunimin e forcave të Lidhjes së Prizrenit me kryengritësit e Malësisë duke shmangur në një farë mënyre karakterin e saj fragmentar.
“LAHUTA…” DHE KOSOVA
Nuk duhet harruar se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, krahas kryengritjes kundërosmane që shpërtheu në Mirditë, (1876-77), e cila kërkonte autonomi nga Porta e Lartë, me shumë rëndësi ishte kryengritja kundërosmane e vitit 1893 në Kosovë, e drejtuar nga Bajram Curri dhe Haxhi Zeka dhe kryengritja e vitit 1910, që përfshiu rrethet e Pejës, Gjakovës dhe të Dibrës, e udhëhequr nga luftëtari tjetër i madh kosovar, Isa Boletini. Gjithashtu, duhet të theksojmë edhe se një vit më pas shpërtheu dhe një tjetër kryengritje kundërosmane, përsëri e udhëhequr nga Isa Boletini, e cila mori përpjesëtime të mëdha po në Kosovë. Porta e Lartë arriti ta shtypte këtë kryengritje edhe falë ndërhyrjes së Rusisë dhe Serbisë.
Kam mendimin se Fishta në poemën e tij mund të kishte gjetur hapësirë që të paktën në Kangën e 28-të, “Dedë Gjo’ Luli”, të përfshinte edhe episode të këtyre kryengritjeve, aq më tepër që zhvilloheshin në krahina të Kosovës dhe kështu që krahas tij të përjetësonte te “Lahuta…” edhe figura të tilla të mëdha historike, si Isa Boletini dhe Bajram Curri, figura përjetësisht kaq të shtrenjta të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ja sepse Fan Noli më 1925 pas vrasjes së këtij të fundit, ashtu si Gurakuqit, i kushtonte një elegji, nga e cila po përmendim vargjet:
O Bajram,bajrak i gjallë,
More namë me gjak në ballë,
Te një shpellë e Dragobisë,
Yll i rallë i trimërisë.
Mbi të gjitha, Fishta duhej të vinte në dukje edhe mizoritë e ushtrive serbe që qysh atëherë kryen ndaj popullsisë së pambrojtur kosovare. Dhe kishte mundësi, sepse pas këngës së mësipërme , pra së 9-tës,” Lidhja e Prizrenit”, së cilës i paraprin Kënga e 7-të, “Kuvendi i Berlinit”, vimë në Këngën e Dhjetë, “Mehmet Ali Pasha”, me ngjarje që zhvillohen në Prizren dhe Gjakovë dhe me personazhe historike kosovare, si Abdulla Dreni dhe Haxhi Zeka.
Siç dihet, në këtë këngë përshkruhet takimi i këtij pashai turk në shtëpinë e Abdulla Drenit në Gjakovë, me krerë shqiptarë, ku ai u kumton atyre se sulltani ka vendosur t’i lëshojë Malit të Zi Plavën dhe Gucinë. Krerët revoltohen dhe kështu Mehmet pasha vendos t’i burgosë. Shqiptarët kur mësojnë këtë mënxyrë, i kërkojnë Abdulla Drenit që t’u dorëzojë pashën turk. Por ai, sipas zakonit, nuk mund ta bëjë këtë, sepse e ka atë mik, kurse shqiptarët që kanë rrethuar shtëpinë e tij, e quajnë të dërguarin e sulltanit armik, dhe si pasojë shtëpia merret me sulm. Mbeten kështu të vrarë Mehmet pasha, Abdulla Dreni dhe shqiptarë që luftonin për ta shtënë atë të gjallë në dorë.
Në vargjet e mëposhtme Fishta shpreh dhëmbje që shqiptarët vriten midis tyre për shkak të turqve:
Prandej keq a’ e si a’ ma zi,
Kështu shqiptarët sot me u përzi,
E me u gri këta ndërmjet veti,
për nji pashë që çueka Mbreti…
(“Mehmet Ali Pasha”, faqe126)
Por përse kjo ngjarje duhej të zinte vend në poemë? #farë vlerash i shton asaj? Përse Kosova t’u paraqitet lexuesve me këtë mënyrë? Aq më shumë, kur errësohet figura e një atdhetari aq të njohur nga Gjakova që ”… u shqua si kundërshtar i rreptë i synimeve pushtuese serbe ndaj Kosovës dhe i politikës ruse, që i përkrahte ato….Mori pjesë në formimin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, u bë kryetar i degës së saj në Gjakovë, (K.Frashëri, FESH, vëllimi 2, faqe 526 ).
Në fjalimin e e tij tronditës, si pjesëtar i delegacionin shqiptar në punimet e Lidhjes së Kombeve që mbahej në Gjenevë më 1919, Fishta, ndër të tjera, dëshmon edhe për krimet e përbindshme të ushtrive serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Sidomos kur prapa tyre fshihej diplomacia ruse, që përsëri nxiste dhe ndihmonte politikën pushtuese serbomadhe ndaj shqiptarëve.
Episode të kobshme të këtyre ngjarjeve tragjike duhej të na shpaloste Fishta dhe të vazhdonte të na përshkruante ato që lexojmë që në këngë e parë “Cubat” të poemës së tij, ku tregon se si cari i Rusisë i shkruan letër knjaz Nikollës, ku i tërheq vëmendjen:
Po a s’ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme…
(“Cubat”, faqe, 10)
Mendoj se gjatë ripunimit të “Lahutës…”, të botuar e plotë më 1937, Fishta kishte mundësi që këto dukuri tragjike që kishin ndodhur dhe ndodhnin në Kosovë, t’i pasqyronte në faqet e kësaj vepre.
Dikush mund të thotë se ai nuk bën histori në poemën e tij. Por në këtë rast është lexuesi, sidomos kosovar, që shtron një kërkesë të tillë. Dhe kjo se vetë autori me këngët ”Ali Pashë Gucia” , “Lidhja e Prizrenit’, “Mehmet Pasha”, që citova pak më sipër, na shpie në mjedise kosovare duke u përpjekur gjithashtu të na japë edhe atmosferën historike të atyre kohëve.
Sendërtimi qoftë edhe i disa prej ngjarjeve të mësipërme që zhvilloheshin në Kosovë, do të zgjeronte kornizat e poemës që, siç është vënë në dukje, u kushtohen kryesisht luftërave të malësorëve të veriut kundër shovinistëve malazezë. Madje këtë Fishta mund të kishte gjetur hapësirë për ta shprehur edhe në këngën e mësipërme kushtuar Dedë Gjo’Lulit. Si pjesëtar dhe drejtues i mbledhjeve të përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës për autonominë e Shqipërisë, Dedë Gjo’ Luli ishte ndër ata atdhetarë që vendosën bashkimin me Lidhjen e Pejës, (1899-1900), vazhduese e rrugës së Lidhjes së Prizrenit, kryesuar nga atdhetari i njohur Kosovar, Haxhi Zeka, e cila u shpreh me vendosmëri “…për të përballuar me forca ushtarake vullnetare çdo orvatje të re që monarkitë ballkanike, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, ndërmorën për copëtimin e trojeve shqiptare”, ( FESH, vëllimi 2, faqe 1512).
Detaje të tilla do të ndriçonin dhe më mirë figurën e Dedë Gjo’ Lulit dhe do të tregonin lidhjet midis malësorëve të veriut me luftëtarët kosovarë, që luftonin për një qëllim: kundër pushtuesve otomanë dhe serbo-malazezë.
Vargje të tilla ku poeti i drejtohet Ali pashë Gucisë si:
M’kamë pra Ali, për n’kjofsh kund gjallë,
Nuk asht ngaeja sod me u tallë,
Knjazi topin asht ka e kallë,
Dil e piqu me Haxhi Zekën,
Grish Kosovën bashko Rekën,
Lsho kushtrimin n’Toskë e Gegë,
Mblidhnu tok si kokrrat n’shegë,
(“Ali Pasha i Gucisë”, faqe 94),
nuk mund të plotësojnë si duhet këtë detyrim të poetit për Kosovën që duhej të zinte vend më të gjerë te”Lahuta…”, të paktën me nxjerrrjen në pah të disa personazheve historike kosovare që kam përmendur më sipër, të përshkruara me forcën e fuqishme artistike me të cilën Fishta ka gdhendur figurën e pashlyeshme të Oso Kukës ose Tringës.
Këto probleme nuk do të lindnin, në rast se Fishta t’ia kishte kushtuar poemën e tij vetëm ngjarjeve që lidhen me heroizmit të shqiptarëve të Malësisë së Veriut kundër pushtuesve otomanë dhe malazezë, të cilat në faqet e saj janë përshkruar në mënyrë të pashoqe. Dhe kështu ai do të ishte plotësisht justifikuar para lexuesit.
Por si shpjegohet atëherë fakti që në Kosovë dhe në trevave të tjera shqiptare në Maqedoni, qysh në vitet 30-të të shekullit të kaluar janë mësuar përmendësh kënga të tëra të “Lahutës…”.
Siç ma kanë pohuar dhe vetë kosovarë, me të cilët kam pasur rast të bisedoj, kjo ka ndodhur, sepse Fishta me talentin e tij të mahnitshëm, të shprehur me gjuhë shumë të komunikueshme dhe me ngjyra popullore, ka lartësuar bëmat e mëdha të malësorve të veriut, pra vellezërve të tyre të një gjaku, me të cilët i ndanin veç disa male e fusha, kundër shkjeve malazezë, që ishin po aq mizorë sa shkjetë serbë, sundimin e egër të të cilëve e mbanin dhe vazhduan ta mbanin për dekada të tjera mbi kurriz.
KOMPOZICIONII “LAHUTES…’ DHE PERSONAZHET E SAJ
Përqendrimi i ngjarjeve të poemës vetëm në vitet 1858, 1878 dhe më pas në vitet 1908 dhe 1913 ka sjellë si pasojë që vepra të jetë fragmentare dhe herë-herë monotone, siç e ka vë në në dukje ndër të tjera edhe Ismail Kadareja në studimin e tij “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”.
“Lahuta…” bëhet fragmentare edhe sepse në pjesën më të madhe të saj këngët nuk kanë lidhje me njera-tjetrën dhe përfshijnë ngjarje me vete, me personazhe me vete.
Këtë dukuri të kësaj vepre vë në dukje dhe pr. #abej, kur nënvizon:
”Përsa i përket arkitekturës së jashtme, e cila përshkruan luftat e dy brezave, nuk është një vepër e njënjëjtë me veprim të vetëm të madh, që ta përshkonte nga kreu deri në fund. Ajo është më fort një varg këngësh epike, prej të cilave çdo grup përshkruan një ngjarje historike. Ndërmjet është ndërlikuar nga ndonjë këngë e vetme, e cila përshkruan një episod të vetëm që qëndron më vete, ose na largon e na shpie në botën e përrallave…Po të krahasojmë formën e parë, shumë të shkurtër të veprës, me trajtën definitive të vitit 1937, shohim përpjekjen e poetit për të shtrënguar disi lidhjen e dobët ndërmjet një kënge e kënge, herë duke ndërruar rendin e parë të këngëve, herë duke shtuar këngë të reja të krijuara më vonë, për të mbuluar kështu plasat e para e për të dhënë një pamje të plotë”. (“Epika e Fishtës”, shkruar me rastin e vdekjes së poetit, 30 dhjetor 1940, marrë nga google, internet).
Është e vërtetë që më poshtë në artikullin e tij studimor me shumë vlera edhe sot, pr. Çabej shkruan për Fishtën:
“Në themel nuk ka qenë qëllimi i tij të krijojë një poemë me një veprim kryesor të vetëm dhe me një hero kryesor”. (Po aty).
Por te “Lahuta…” ka raste ku personazhet i ndeshim nga një këngë në tjetrën. Kjo ndodh veçanërisht me personazhe të tilla historike, si knjaz Nikolla, Mark Milani, të cilët janë dhe më të realizuarit në poemë.
Kështu knjaz Nikollën e shohim të shfaqet në Kangën e Parë “Cubat”, kur merr letrën nga cari i Rusisë dhe pastaj në bisedë me vartësin e tij, Vulo Radoviç, kur nis e thur plane kundër Shqipërisë.
Ky episod është shumë i gjetur për të karakterizuar tiparet e knjaz Nikollës. Them i gjetur, sepse më 1858 knjaz i Malit të Zi ishte Danilo, ungji i Nikollës, që u vra më1860. Dhe atëherë vendin e tij e zuri Nikolla. Por kjo nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi ka fakti se me marrjen e letrës nga cari i Rusisë, ngjarjet që pasojnë, intrigohen , sepse pastaj Vulo Radoviçin e shohim në Kangën e 2-të, “Oso Kuka”, kur malësorët, të prirë nga Oso Kuka, dëbojnë bandat malazeze nga Vranina dhe në Kangën e Tretë, “Preja”, kur ai vret pabesisht trimin shqiptar, Avdi Hisa.
Përballë tij po në këto këngë shohim edhe Oso Kukën, që e hasim pastaj edhe në Kangën e 3-të “Preja”, Kangën e Katërt “Vranina” dhe Kangën e Pestë, “Deka”, ku me ngjyra shumë prekëse autori përshkruan vdekjen e tij heroike.
Të hamendësojmë për një $ast se Fishta do ta mbyllte “Lahutën…”. me këtë episod, që shënon pikën kulmore shumë tronditëse të ngjarjeve që përfshihen në pesë këngët e para,(“Cubat’, “Oso Kuka”, ”Preja”,“Vranina”, dhe ”Deka”), të shkruara me frymëzim magjik, dhe, mbi të gjitha, dhe me kompozicion të harmonishëm.
Atëherë askush nuk do të vinte në dyshim se ndodhemi para një kryevepre, të cilën mbase do të kishte dashur të kishte të vetën cilido poet i njohur në botë dhe bashkëkohës i Fishtës.…
Le t’i analizojmë përsëri shkurtimisht kompozicionin e këtyre këngëve:
Ekspozimin e ngjarjes:
Biseda e Knjaz Nikollës me Valo Radovi$in, pas ardhjes së letrës nga cari i Rusisë dhe planet që thurin per pushtime tokash shqiptare…
Pika e lidhjes:
Valo Radovi$i me bandën e tij sulmon dhe pushton Vraninën. Oso Kuka mbledh një grup luftëtarësh të zgjedhur dhe niset për dëbimin e tyre…
Zhvillimi i ngjarjeve:
Vulo Radovi$i vret bariun shqiptar, Abdi Hasa. E motra e vajton…Osoja thërret shokët që të marrin hak. Luftime të ashpra të luftëtarëve shqiptarë kundër hordhive malazeze, që munden… Knjaz Nikolla trembet nga trimëritë e Oso Kukës me besnikët e tij. Mbledh komandantët dhe u tregon planet kundër tyre…Por edhe Oso Kuka parandjen rrezikun…Kënga e Kacel Dodës për bëmat e Gjergj Elez Alisë, tradhtia e Zeliq Gjokës, që u rrefen rrugën malazezëve…Betejat midis të dy palëve… Shqiptarët zbrapsen të thyer.
Pika kulmore:
Osoja i rrethuar në depon e barotit …Lufta e tij kundër malazezeve të shumtë.
Zgjidhja:
Osoja lufton, nuk dorëzohet, hedh veten në erë bashkë me armiqtë malazezë.
Këto pesë këngë së bashku mund të përbënin “Pjesën e parë” e poemës.
Në pjesën e dytë mund ta përbënin Kanga e 6-të, ”Dervish Pasha” deri te Kanga e 25-të, “Koha e re”. Kurse në pjesën e tretë dhe të fundit do të përfshiheshin këgët e tjera, që mbyllen me Kangën “Konferenca e Londonit”.
Por në ecurinë e ngjarjeve që përfshihen në këto këngë, poema bëhet fragmentare, sepse ngjarjet në to me disa përjashtime nuk kanë lidhje organike me njera- tjetrën.
A mund të mënjanohej kjo mangësi? Mendoj që po.
Si$ u përmend dhe më sipër, Kjnaz Nikolla paraqitet sërishmi në Kangën e 7-të, “Kuvendi i Berlinit“, kur del i reckosur para krerëve të shteteve të Evropës dhe u lyp ndihmë, pra lyp toka shqiptare, lutje që i plotësohet. Ky personazh, tepër komleks dhe tepër intrigues dhe imponues, më i realizuari në poemë, shfaqet pastaj në Kangën e 11-të, ” Lugati”, kur i fanitet në ëndërr Mehmet Ali Pasha i vrarë, në Kangën e 15-të “Kasneci”, kur merr vesh për humbjet që ka pësuar nga shqiptarët komandanti i tij, Mark Milani. Madje, sado kalimthi, ai shfaqet edhe në këngën e fundit “Kongresi i Londonit” , si të ishte kështu fill përçues i tërë poemës, rol të cilin mund ta kishte luajtur edhe Marash Uci ose Zana e Frymëzimit që është cituar më lart.
Po kështu Mark Milani shfaqet pastaj në Kangën e 17-të, “Te Ura e Rrzhanicës”, dhe në Kangën e 21-të në një bisedë plot dredhi dhe lajka më patër Gjonin, gjatë armëpushimit për të varrosur luftëtarët e vrarë nga të dy palët, ku i thotë:
A ma mirë ju rob nën turk,
qi ka qenë gjithmonë tërfuk,
me u ra shpinës me u llomitë,
mandej gjanë me u grabitë,
apo ortakë me u ba me ne,
tue ruejtë doke, gjuhë dhe fe,
e tue njoftë për”gospodar”,
Knjaz Nikollën, trim bujar…
(“Ndërmjetësia”, faqe 293)
Dhe pastaj Mark Milani merr nga patër Gjoni përgjigjen kuptimplote:
Unë, zotni, n’ushtri kam dalë,
jo me turq, por me shqiptarë,
turq a t’kshtenë si muhamedanë,
Shqipninë s’bashkut gjithë e kanë.
(Po aty, faqe 294)
Nga këto dëshmohet se në këngët e tjera që mund të përbënin pjesën e dytë dhe të tretë të “Lahuta…” nuk kemi një hero pozitiv që t’i kundërvihet Knjaz Nikollës dhe Mark Milanit, por vetëm një, patër Gjonin, që e shohim në Kangën e 14-të “Patër Gjoni” dhe në Kangën e 21-të “Ndërmjetësia”, dhe që bëhet kështu një nga figurat më mbresëlënëse të poemës.
A kishte mundësi poeti që këtë figurë ta zhvillonte më tutje. Si në rastin e mësipërm përsëri mendoj që po…Por kështu më shumë mund të zhvillohej dhe figura e Tringës, që gjithsesi, edhepse e shohim në Kangëne 22-të , mbetet një personazh i rrallë në poezinë tonë të të gjithë periudhave.
Do të kishim kështu një poemë të ndarë në tri pjesë të veçanta nga njera-tjetra, me kompozime gjithashtu të ve$anta, por që, si$ kam përmendur më sipër, mund të lidheshin me anë të figurave të tilla si Zana e Frymëzimit ose Marash Uci.
Me aq sa ka mundur, Fishta është përpjekur të paraqesës figura të diplomacisë evropiane. Ndër ta, ku më shumë e ku më pak, dalin në pah Franc Josefi i Austro-Hungarisë Vilhelmi i Gjermanisë, Krajli i Inglizit, i Moskovit, Francës, Italisë, (Kanga e 30-të, “Konferenca e Londonit”), e cila, siç do ta shpjegoj më poshtë, duhej të hiqej dhe të zëvendësohej me një këngë kushtuar Shpalljes së Pavarësisë më 1912 në Vlorë.
EDHE NJE HERE PER BETEJAT KUNDER PUSHTUESVE TURQ
Si$ e kam përmendur më sipër, në këngët e “Lahutës…” ato zenë një vend më të vogël se betejat e shqiptarëve kundër malazezëve, dhe përqendrohen kryesisht në Kangën e 27-të, “ Dedë Gjo Luli”.
Në këtë këngë, veç betejave të mësipërme, të përshkruara nga autori me nota epiko-tragjike, nuk të shlyhet nga mendja figura e Llesh Nikë, veçanërisht në vargjet:
T’janë mbledhë miq prej s’dij se kahit:
Pse m’rri shtri si dru prej ahit?
Cou njiherë për me ligj’rue,
çou, djelminë për me e trimnue!
folja ‘i fjalë babës Nikë, t’motuem,
Ty nuk t’tremi gjylja e topit,
nuk t’ligështoi duhmja e barotit,
kur mbi turq mësyne rr’fe motit.
(“Dedë Gjo’ Luli”, faqe 487)
Është hera e parë dhe e fundit që Fishta ngjarjet e poemës i zhvendos nga krahinat e veriut, në viset e Matit, ku shqiptarët e atyre viseve ngrihen kundër pushtuesve turq.…
Pastaj poeti na shpalos një faqe tjetër të luftërave të popullit tonë kundër sundimit turk, që kulmon me fushatën e madhe të Turgut pashës, i cili në krye të 100 taboreve sulet mbi Shqipërinë, veç të tjerash që shqiptarët të mos mbajnë më armë, që madje të mos ta quajnë më veten shqiptar, aq më shumë kur në parlamentin turk, Xhavit Pasha dëshmon për ta::
Veç se sherrin…s’di a dini,
çë se turku s’parit hini,
në Shqipni e deri sot,
jo ma pak, po them me lot,
se pesëdhet e katër herë,
m’ne shqiptarët janë lshue poterë..”
(“Xhemjeti”, faqe 461).
Sidoqoftë, Fishta kishte mundësi të përshkruante në poemën e vet edhe disa ose të paktën edhe një nga të 54 kryengritjet që pashai turk përmend më sipër, të cilat i hasim në kronikën historike të fillimit të shekullit të 20-të, ose, siç kam vënë në dukje, nëpërmjet rrëfimeve ë Marash Ucit ose Zanës së Frymëzimit, të tregonte edhe për beteja të hershme kundër pushtuesve turq.
Kështu ai do të dëshmonte se populli ynë, siç e shohim që në vargjet e para të poemës, luftonte së pari kundër pushtimit shumëshekullor otoman dhe njëherësh edhe kundër synimeve pushtuese të shovinistëve serbo-malazezë që ishin bërë rrezik shumë i madh për fatet e kombit tonë.
Po kthehemi përsëri te personazhet, për të vënë në dukje se nga dëshira që të përjetësojë në poemë luftëtarët malësorë që kanë marrë pjesë në betejat kundër malazezëve, Fishta në këngët ku i përshkruan, i përmend thuajse të tërë. Por, me gjithë këtë dëshirë, ata mbeten vetëm emra dhe jo personazhe, siç ndodh në Kangën e 18-të “Te Ura e Sutkjeskës”:
..Si njaj Osja i Shas Alltunit,
Zeqir Meta e Met Halili,
Osman Zela ‘i zog bylbylit,
Janiq Mirko e Tomiq Pera,
Rrahman Dyli porsi fjera,
Krye më kreu me Janiq Gjurën…
(faqe 223)
Këtë dukuri e vemë re dhe te Kanga “Dedë Gjo’ Luli”, ku brenda 9 vargjesh radhiten emrat e 9 luftëtarëve të njohur :
“Sokol Baci, mendeqar,
Mirash Luca, pushkatar,
Mehmet Shpendi, dervendi,
Frano Pali, e Mirash Pali,
Si dy plumba n’”xheverdare”.
Me atë Tomë Nikën, harushë mali,
qaj Lukë Marku, rr’fe zhgjetare,
Me atë Islamin Mukalashi,
prej Shkodranësh Luigj Gurakuqi…”.
(faqe 481)
Sado që poeti u vë luftëtarërve të sipërpërmendur epitete, disa prej të cilave, si “harushë mali” e “rrfe zhgjetare”, janë përdorur dhe në faqe të tjera të poemës, ata nuk mund të pohohet se janë portretizuar, aq më tepër figura e atdhetarit dhe poetit të njohur, Luigj Gurakuqi, mbi të gjitha, mik dhe shok i penës edhe i vetë autorit, që përmendet për herë të parë dhe të fundit tnë faqet e “Lahutës…”.
Dhe të mos harrojmë se Luigj Gurakuqi ,” Më 1911 mori pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës dhe si një nga udhëheqësit e saj, hartoi së bashku me Ismail Qemalin Memorandumin e Greçës, drejtuar Portës së Lartë, me 12 kërkesa, një ndër më të rëndësishmet e të cilit ishte njohja e plotë e kombit shqiptar, dhe më 1912 zhvilloi veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme”.(FESH, vëllimi 1, 2008, faqe 798, 2008).
Kur Fan Noli, i mërguar pas kthimit të Zogut në fuqi në dhjetor të vitit 1924, që edhe ai, si$ dihet, e kishte Gurakuqin shok dhe bashkëpunëtor të ngushtë, i kushtonte atij elegjinë nga ku shkëpusim strofën:
”Nëno moj, , vajto merr malin,
Larot ta përmbysnë djalin,
Që me Ismail Qemalin,
ngriti flamur trimëror”,
kuptohet se edhe Fishta, gjithashtu për të njëjtat arsye i arratisur në Itali, duhej t’i kushtonte Gurakuqit edhe ai jo mënjë poezi, por një vend të dukshëm në poemë dhe të mos mjaftohej me një varg, aq më shumë kur, Si$ e thekson Noli në elegjinë e mësipërme , ai ishte ndër atdhetarët e flaktë për shpalljen shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Mendoj se trajtimi i figurës së Luigj Gurakuqit, do t’i jepte më shumë frymëmarrje poemës, kur kujtojmë se veç Oso Kukës, vështirë të na kujtohet ndonjë personazh i spikatur nga Shkodra.
Po kështu në poemë duhej të zinte vend të dukshëm edhe figura e Mehmet Shpendit, i cili,”…në nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit mori pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi i parashikuar në Traktatin e Berlinit”. Gjithashtu:”Mori pjesë aktive në kryengritjen kundërosmane të vitit 1911 dhe më 1912 ishte një nga udhëheqësit e forcave kryengritëse në luftimet për çlirimin e Shkupit”. ( FESH, vëllimi 3, 2009, faqe 2530).
Edhe në Kangën e 20-të, “Lekët”, Fishta citon rreth 40 emra luftëtarësh, nga të cilët të le mbresë malësori shqiptar, Bec Patani, dhe malazezit Mil Spasi, të cilët gjatë luftimeve dalin se janë dhe probatinë, përshëndeten dhe sipas zakonit mbështesin kokat në supet e njeri-tjetrit.
Ky episod, siç nënvizon studiuesi kanadez, Robert Elsi, në veprën e tij “Histori e letërsisë shqiptare”, (Pejë, 1997, faqe 294), është i ngjashëm me episodin e takimit te Glaukut me Diomedin ne muret e Trojës së lashtë. Mbase Fishta është ndikuar prej tij. Sidoqoftë, më duket se episodi në fjalë i kësaj kënge, të vënë në poemë mbase për të nxjerrë në pah këtë zakon kanunor, mund të mos zinte vend në poemë.
Nuk më duket aspak e arsyeshme që Fishta në Kangën e 21-të, “Ndërmjetësia”, nga të goditurat e poemës, ndër tëtjera tregon se si malësori Bec Patani, krahas Oso Kukës, fratit Gjon, Tringës, nga personazhet pozitivë më të skalitur në poemë, së bashku më shokë të tij ndërmerr një aksion në një fshat malazez, gjatë të cilit lidh në një fron të zotin e moshuar një të shtëpie dhe bashkë me ta…. rrëmben plaçka e bagëti(!?). Me fjalë të tjera, vepron bash si cubat malazezë që përshkruan në këngët e para të”Lahutës…”.
Dhe Fishta e justifikon këtë “bëmë” të Becit me fjalë që ky i fundit i drejton plakut malazez:
…Hallallë, mixhë,
pse pak sonte t’kem tundue,
Vathin gjajet tue t’shkretnue,
Pa na pasë ti gjak në varrë,
Ne’ pre mik, ne’ erzin marrë,
As thye vi, as luejtë kufi,
veç se ti shkja ke le,
dhe ban hije mbi dhe.
(”Tringa”, faqe 303).
Robert Elsi, gjithnjë në librin e tij “ Histori e letërsisë shqiptare” e justifikon këtë veprim të Becit, i cili sipas tij “ ..na kujton “Iliadën” plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan”, ( faqe 234 e veprës së mësipërme). Por mua ky arsyetim më duket fund e krye pa asnjë bazë.
Duke marrë parasysh se Fishta e ka botuar “Lahutën… “ të plotë me 1937, me rastin e 25-vjetori te kremtimeve kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë, pra, 32 vjet pas krijimit të këngëve të para të saj, kam bindjen se po ta kishte parë atë me sy kritik, ai do të kishte mundur te krijonte një lidhje më organike dhe më të natyrshme të këngëve. Për këtë qëllim, mund te kishte krijuar edhe një personazh historik, si Marash Uci, që përmenda më lart, vdekur me 1914, pikërisht atë që e përjetëson në Këngën e 12-të, të titulluar me emrin e këtij malësori, të cilin e kishte njohur me 1902 në një fshat dhe nga tregimet e të cilit ishte frymëzuar për të shkruar këngët e para të “Lahutës…”
Fishta, jo vetëm kishte përkthyer dhe përshtatur drama, por ishte dhe vetë dramaturg. Si pasojë, njihte mirë rregullat të cilave u nënshtrohet një vepër letrare. Prandaj, në rast se edhe ”Lahutën…” do ta kishte parë nga ky këndvështrim, mund të kishte krijuar një poemë më organike.
PERSONAZHET MITOLOGJIKE TE “LAHUTES…”
I ndikuar nga vepra të letërsisë antike greke dhe kryesisht nga “Iliada” e Homerit, edhe Fishta ka ndërthurur te ”Lahuta…” personazhe mitologjike, por shqiptare, si zanat, orët, kulçedrat, qofshin shqiptare ose malazeze, të cilat, si te veprat homerike, ndërhyjnë në ngjarjet që shtjellohen në poemë.
Më të goditurat, sipas mendimit tim, janë episodet të cilat përshkruajnë bisedat e zanave që ndjekin debatet e atdhetareve në Kuvendin e Prizrenit, (Kanga e 9-të “Lidhja e Prizrenit”) dhe episodet që përshkruajnë vdekjen dhe varrinin e Tringës nga zanat, (Kanga e 24-t ”Zanat e Vizitorit”), edhe kjo ndër më tërheqëset e poemës.
Por edhe në këtë këngë Fishta ka rreshtuar një numër jashtëzakonisht të madh zanash, orësh, e shtojzovallesh, rreth 60, (dhe brenda 32 faqesh), nga të cilat të zhvilluara artistikisht janë Zana e Madhe, e Mira, Ora e Trojanit dhe Zana malazeze e Vizitorit. Kjo e fundit zhvillohet dhe rritet edhe më shumë para syve të lexuesve, sidomos gjatë dyluftimit qiellor dhe Zanën e Dormitorit, ku mundet keqas prej saj dhe përfundon robinë e zanave, e lidhur pas një bliri, pranë varrit të Tringës.( Kanga “Gjaku i marrun”).
Kurse zanat, orët dhe shtojzovallet e tjera mjerisht mbeten emra dhe vetëm emra.
Po e ilustroj ktë me vargje të tilla :
…Ndigjoni,
Jere, Lere,Tere, Gere,
Ti, Culinë, e ti Dalinë,.
Tile, Gile,Tale, Gale,
Bashkë me Donen e Berdonen,
Beken, Ceken e Cërleken,
Shpejt me m’endë ju nji këmishë deke.
Dy vargje më poshtë:
E ju, Care, Nare, Dare,
Nji rizë t’gjatë, t’bardhë e t’hollë
Si ato rrezet për t’më endë keni…
Dy vargje të tjera më poshtë:
Ti Fatale, Naze, Raze,
Nji “ndjesë” arit shpejt m’ia shkrini. (faqe 382, 383)
Më tutje:
Edhe Syne, Lore, Loshe,
Mine, Mile, Mele, Groshe,
Para duersh aty po bijshin,
Mirë t’lëmueme ‘i rrasë mermerit. ( faqe,385, 386)
Dhe më tutje:
Motrat’veta: Bjeshkë e Borë,
Thrake, Dake,Vace, Grace,
Lali, Lice, Like, Dike,
e sa jeni motra t’mija…( faqe 400)
Siç e kam shprehur më sipër, Kanga e 26-të, “Kulshedra”, nga më të goditurat e poemës, nuk ka asnjë lidhje organike me ngjarjet e saj. Por do të qëndronte krejt natyrshëm, në rast se Fishta pas përshkrimeve tronditëse dhe me nivel të rrallë artistik të ndonjërës prej betejave kundër shkjave malazezë, njëherësh ta ndërthurte atë me tregimin a këngën e një luftëtari për përleshjet e malësorëve me kulshedrën, ashtu siç vepron në Kangën e 5-të “Deka”, ku Oso Kuka i kërkon një luftëtari të këndojë një këngë trimërie. Dhe ky luftëtar këndon këngën e Gjergj Elez Alisë.
SKENDERBEU TE “LAHUTA…”
Heroi ynë i madh kombëtar duhej të kishte vend më të gjerë në poemë dhe lexuesi të mos njihej me të nëpërmjet Fishta përsëritjes së vazhdueshme të fjalëve “…nipa të Kastriotit, a Skënderbeut”. Për mendimin tim në Kangën e 9-të, “Lidhja e Prizrenit”, ku zanat soditin nga malet ç’po ndodh në këtë kuvend kaq të rëndësishëm historik, Fishta mund t’i kishte vënë të rrëfenin se, ashtu siç është mbledhur ky kuvend, ato kishin parë të mblidhej dikur edhe Kuvendin e Lezhës, i kryesuar nga Gjergj Kasrioti. Kështu ai do të skaliste sado pak edhe figurën e heroit tonë legjendar që në poemë i ka kushtuar këto vargje:
Skanderbegu ‘i rr’fe prej qiellit,
pallën xier atje në Krue,
se ç’vetue ka n’rreze t’diellit,
e si ula’ tue buluritun,
shqiptarisë ia lëshon kushtrimin,
qi, shk’ a’ burrë në luftë me zbritun,
Turkut në kambë m’ia shtypë guximin…
(“Lidhja e Prizrenit”, faqe 107)
Sidoqoftë, pak dhe jo me nivelin artistik që Fishta ka derdhur në faqet e “Lahutës.. “ për shumë ngjarje të tjera historike. Mbase ai ka gjykuar se heroi ynë legjendar njihej edhe atëherë falë gojdhanave, të cilat studiuesi Marin Sirdani, i mblodhi në librin e tij “Skënderbeu pas gojëdhanash’, (1926)”, ose dhe nga tekstet shkollore ku pjesë të ”Lahutës…” besoj të jenë përfshirë në vitet 30-të të shekullit të kaluar Por, sidoqoftë, Skënderbeu duhej të mishërohej si personazh te “Lahuta…”, madje dukshëm.
Meqë më sipër përmenda zanat, duke bërë një parantezë, mendoj se Kanga e 22-të “Tringa”, mund të rrëfehej një zanë e pranishme në vdekjen e saj heroike, e cila pastaj me me zanat qe tjera kujdesen për varrimin e saj sipas riteve tradicionale shqiptare.
“LAHUTA …” DHE SHQIPERIA E JUGUT
Fishta mund të zgjeronte edhe më shumë gjeografinë e kësaj poeme dhe me ngjarje nga Shqipëria e jugut.
Është e vërtetë që ai ka përfshirë te “Lahuta…” vargje të tilla:
E t’janë çue Toskë e Dibranë,
E t’janë ngritë lumë e pejanë,
Gash, Krasniqe e Gucinjanë,
Me Gjakovë e me Tetovë,
me ra n’ Tuz me ra n’ushtri,
me dhanë jetën për Shqipni.
(“Kasneci”, faqe171)
ose:
Bini Toskë, ju në pikë te vrapit,
mos t’u ndalin mal e zall,
Naim Frashëri i ra qitapit,
Mos me lshue Shqipnin t’gjall.
(“Pater Gjoni” ,faqe 255,256)
Por, sidoqoftë, këto vargje dhe të tjera si këto, të cilat, veç të tjerash, nuk janë në nivelin e shumë e shumë vargjeve të kësaj natyre që Fishta ka derdhur në faqet e poemës, heronj të Toskërisë, të tillë p.sh., si Rrapo Hekali ose Zenel Gjoleka, nuk na paraqiten në poemë. Është e vërtetë që si personazh nga Jugu, ai ka zgjedhur atdhetari i madh Abdyl Frashëri, që zë vend kryesor në Kangan e 9-të, “Lidhja e Prizrenit”. Por nuk është e logjikshme se përse në vargjet e mësipërme të këngës “Patër Gjoni” poetin tonë të madh të Rilindjes , Naimin, vëllanë e Abdylit , Fishta mjaftohet ta përmendë vetëm me vargun, madje të rëndomtë:
“Naim Frashër i ra Qitapit”,
Aq më tepër me fjalën turke… “qitap”.
Dhe të mendosh se #ajupi, bashkëkohas i Fishtës, i kushtonte këtij poeti të madh të Rilindjes Kombëtare një elegji, ku, ndër të tjera, shkruante:
“Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skëndërbenë,
vdiq Naimi që lëvdoi,
Dhe nderoi mëmëdhenë”.
Ishte rasti në këtë këngë Fishta të nxirte më në pah figurën e Naim Frashërit edhe me episode të tjera, të përshkruara me ngjyrime të dukshme emocionuese, si$ ka vepruar në rastin e rrëfimit tronditës kushtuar Eufrosinës, në këngën “Kulshedra”.
Jo vetëm kaq. Por ai kishte mundësi të gjente hapësira të paktën për të rrëfyer heroizmin e grave suliote të cilat, për të mos rënë në duart e pushtuesve turq, dhanë jetën duke u hodhur poshtë shkëmbenjve.
Por akoma më e papërceptueshme është se përse në këtë poemë nuk përmendet asnjë krahinë, a qytet i Shqipërisë së Jugut, madje as Vlora, ku më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë, ngjarje të cilën do trajtoj në nënkapitujt e tjerë.
PERSERI PER QENIET MITOLOGJIKE
Duke u kthyer sërishmi te qeniet mitologjike, Fishta mund të kishte mënjanuar episode tjera, me qenie të tilla, që ndeshim në Kangën e 26-të, “Koha e re”, aq më tepër që nuk shquhen për vlera artistike. Të tilla janë episodi i bëmave të Lleshit të Zi, që lufton me kulçedrën në një shpellë, ku poeti këshillon zanën që që të mos hyjë… dhe episodet me floçkat, kshtesat, qenie mitologjike femra, që flasin shqip, madje njëra prej të cilave edhe martohet me një kelmendas…Për më tepër, sepse edhe këto ngjarje nuk shkrihen organikisht me rrëfimet historike të poetit për mbretërit ilirë, luftërat me pushtuesi romakë dhe në vazhdim me episode të tjera që lidhen me Gjergj Kastriotin.
Në këtë këngë është poeti që në bisedë me Zanën, i rrëfen asaj për orë dhe zana, për shtriga e kulshedra, për shtojzvalle të Elikonës që “…kanë lanë bjeshkë e vërrije e zalle,/ të Grekisë e dalë në’Shqipni,/ ku n’gjuhë shqipe-bukuri-/ herë tue folë e herë tue këndue,/ kanë rysë gjinden me feksue…”, (“Koha e re”, faqe 455), kur duhej të ndodhte e kundërta, sepse zanat janë hyjnore, pra dhe të pavdekshme.
Sikur Fishta të vepronte kështu, atëherë dhe bëmat e qenieve të mësipërme mund të ishin më të natyrshme, si ngjarje të përjetuara në gojdhana nga vetë Zana , sepse tingëllojnë si të stisura vargjet e mëposhtme, në të cilat poeti i kallëzon zanës:
Kur të dalësh n’atë detë,
Aty bregut ke me pa,
Floçka e Kshetsa tue ndejë n’shulla,
tue u krehë e tue bubitë,
shoqja shoqen tue ngallitë…
( Po aty, faqe 454)
Pra, edhe e përsëris dhe një herë, si mundet që poeti t’i kallëzojë Zanës ngjarje shumë të lashta, kur ajo vetë është e përjetshme dhe si si pasojë është e logjikshme që këto ngjarje t’i këtë përjetuar vetë më parë se ai vetë?..
Veç kësaj, vargjet kushtuar këtyre qenieve mitologjike janë të dobëta si dhe vetë ngjarjet që shtjellohen në praninëe tyre, sidomos po t’i krahasojmë me vargje të tilla të kësaj kënge, me të cilat poeti i drejtohet zanës:
…leni sot, moj shtojzavallet,
leni flut’rat t’marrin zallet,
leni sutat t’marrin malet,
..…
behma këtu n’kët Lissus t’vjetër,
ku larg zhurmet e poteret,
dola dhe u’n’këtë buzë pranveret,
për me këndue n’Lahutë t’ Malcis,
se si u end fati i Shqipnisë…
(Po aty, faqe 446)
Kur përmend se varri i Skënderbeut ndodhet pikërisht në Lezhë, Fishta kishte rastin më të mirë që të ndalej përsëri te figura e heroit tonë kombëtar, siç kam theksuar dhe më lart, mbetur në poemë vetëm në disa vargje të përgjithshme dhe t’i ofronte lexuesit të paktën një epoisod, qoftë historik, a të trilluar prej tij ose luftëtarëve të tij, për të mos thënë se mund të shfrytëzonte edhe legjenda për Skënderbeun, me të cilat sigurisht ai ka qenë i njohur.
Madje, në këtë këngë ishte rasti më i mirë që Fishta të rikujtonte se pikërisht në këtë qytet më1444 nën kryesinë e Skënderbeut ishte mbledhur kuvendi i princërve shqiptarë për organizimin e luftës së përbashkët kundër pushtuesve otomanë. Dhe një episod i tillë mund, të rrëfehej nga Zana e Frymëzimit, siç kemi përmendur, bashkëbiseduese e natyrshme dhe e goditur me poetin në disa këngë, edhe në këngën e fundit.
Të bën përshtypje fakti se, përse me përjashtim të bisedave të tij të shkurtra me këtë zanë, me figurat e tjera mitologjike Fishta na njeh te “Lahuta…” kryesisht vetëm në këngët që përfshijnë vitin 1878, më saktë, duke filluar nga Kanga e 9-të, “Lidhja e Prizrenit”, kur zanat soditin nga malet zhvillimet e këtij kuvendi.
Mendoj se autori , ashtu siç na njeh me to në episodet që lidhen me vrasjen tragjike të Tringës dhe varrimin e saj, mund të kishte gjetur hapësirë që të na njihte, fjala vjen, edhe pas vetëflijimit të Oso Kukës, duke na rikujtuar dhe ndonjë heroizëm të një luftëtari tjetër shqiptar në kohë më të hershme.
Gjithashtu të bën përshtypje edhe fakti tjetër, që këto figura mitologjike, pra zanat, orët, nuk shfaqen në pjesën e tretë dhe të fundit të poemës, nëse mund ta përcaktojmë kështu, pra në ngjarjet e viteve 1908-1913….
Pasurimi i “Lahutës…” me ngjarje që lidhen me këto figura, mund t’i kishte dhënë mundësi poetit që të plotësonte dhe më mirë portrete e tyre, sepse, me përjashtim të Zanës së Frymëzimit, Zanës së Vizitorit dhe deri diku zanës malazeze të Dormitorit, siç e kam përrmendur më sipër, figurat e tjera mitologjike, ngaqë janë edhe të shumta, mbeten edhe të zbehta.
GJUHE FIGURATIVE, POR EDHE FJALOR ARKAIK
Siç është vënë në dukje dhe nga kritika, gjuha e Fishtës është shumë e pasur me figura letrare, veçanërisht me epitete dhe krahasime, jo vetëm me fjalë, por edhe me fraza të zgjeruara, që ndeshen aq shume dhe te “Iliada” e Homerit, nga e cila mund të jete ndikuar edhe në këtë rast.
Fjala “pushkë” çuditërisht është përdorur rrallë nga Fishta dhe në vend të saj ndeshim fjalët hutë, mauzer, karajfile, breshanë, martinë, fjalën turke xheverdare, fjalën sllave novicë. Aq më pak është përdorur dhe fjala shpatë, e zëvendësuar thuajse tërësisht nga fjala turke tagan,si dhe fjala pallë.
Duke bërë një parantezë, 27 vjet pas botimit të “Lahutës…”, më 1964, Kadareja në poemën e tij të njohur “Përse mendohen këto male”, pavarësisht se për kushtet e kohës ajo iu nënshtrua kërkesave ideologjike, përdor për armën vetëm fjalën “pushkë”, e njohur nga te gjitha dialektet.
Dhe e përdor në mënyrë të figurshme:
Se gruaja lindte fëmijë.
Por pushka lindte krisma,
Dhe për shqiptarin ishin,
Po aq te shtrenjta te dyja,
Dhe krisma dhe fëmija.
Ose:
Dhe mbi trup,
Si shtesë e hekurt,
I rritej e zezë,
Pushka e gjatë,
Një çast i shkurtër,
Dhe një histori e gjatë.
Pra, pushka fiton te Kadareja një përgjithësim më të madh artistik dhe filozofik. “Ndaj me simbolikën e vet, – shkruan pr. dr. Mylazim Krasniqi, – poema ”Përse mendohen këto male”, ka ushtruar një ndikim të ndieshem në mendimin e lexuesve, veçmas në Kosovë”.(“Përse mendohen këto male”, “Shqipëria.com”, nga faqet e internetit).
Natyrisht, këtë dukuri që vëmë re te kjo poemë e Kadaresë, nuk mund ta quajmë mangësi të “Lahutës…”. Dhe kjo, sepse Fishta nuk përdor figura te tilla letrare, kryesisht metafora, ngaqë një shekull e më shumë më parë, ai i drejtohej së pari popullit te thjeshtë , shumica e të cilit nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Prandaj kemi emërtime të ndryshme të pushkës që njihej në krahinat e veriut dhe në tërë Shqipërinë, për t’i dhënë ngjyrimet e duhura mjediseve luftarake ku zhvillohen betejat midis shqiptarëve dhe malazezeve.
Veç kësaj, në shekullin 19-te dhe dekadat e para të shekullit te 20-te Fishta ndiqte shkollën e poezisë tradicionale evropiane, romantike, qoftë dhe në zhanrin epiko-historik, që u pasurua më pas me vepra letrare të një një stili të ri poetik, të cilin në Shqipëri nisi ta përdorte Poradeci në poezitë e tij lirike dhe Migjeni në poezitë me tema të mprehta shoqërore dhe më pas Kadareja dhe poetë të tjerë, të mëvonshëm, të tërë të ndikuar nga poezia moderne botërore, e shoqëruar dhe me shprehje te reja metaforike më të avancuara.
Fishta është kujdesur ta pasurojë “Lahutën…” dhe me fjalor. Sipas studiuesve në këtë vepër numërohen 1274 fjalë, shumica të vjetra, ndër të cilat dhe turqizma të panumërta, të marra nga të folmet e rrethit të Shkodrës dhe Malësisë së Veriut, të cilat nuk i gjejmë të përdorura kaq dendur nga shkrimtarë të tjerë të Veriut.
Si pasojë. këto fjale, si zatete, agzot, fulikare, i zotet, serotinë, kolla, karrani, kurrne, telatin, misnik, sergji, kullme, mshil, zburth, gaperr, senjur, melaqe, nemi, orok, bubis, gajres, ushtuer, kacaturre, fuzhnje, rrëfane, mutue, e plot e plot të tjera, e bëjnë veprën te vështirë për t’u lexuar, jo më nga banorët e Shqipërisë së Jugut edhe te Mesme, por edhe të Shqipërisë se Veriut. Madje, brenda vargjeve të para të faqes 288 të “Lahutës…” , (Kanga “Ndërmjetësia”), Fishta ka përfshirë fjalët: calina, shejshana, sylah, harbi, xhurdi, caruqe, duqe, zanambare,bunjet, cungal … duke i bërë këto vargje thuajse të pakuptueshme.
Do të kishte qenë e arsyeshme që vetë autori në fund të çdo faqeje ku hasen fjalë të tilla, të bënte shpjegimin e tyre, si ka vepruar Daniel Gjeçaj në botimin e dytë, ( Romë,1958).
Por duhet vënë në dukje se në veprat e tjera poetike, sidomos në poezitë lirike, gjuha e Fishtës është e zhveshur nga fjalori arkaik, siç e pamë i përdorur enkas nga prej tij për t’iu përshtatur mjediseve dhe personazheve që përshkruan, ndonëse edhe me tepri, për t’ia lënë vendin një gjuhe të rallë poetike, që rrjedh kumbueshëm dhe me nivel të lartë artistik.
RIMAT, APOSTROFAT DHE PERSERITJET
Jo rrallë, për hir të rimës, ka raste që ai i deformon fjalët. Kështu ndajfolja “vona” (“..ne e vona”, pra: “tek e vona”), rimon me emrin “zakona” që në shumës është “zakone”. Për të rimuar me mbiemrin “serbjane”, që duhej të ishte “serbe”, ai Kishën e Deçanit e kthen në “Kishë Deçjane”, (!?).
Gjithashtu, për të rimuar me emrin “hana”, Fishta përdor mbiemrin “të mëdhana”, për “të mëdha”, (?). Për të njejtën arsye emri Nikolla kthehet në Nikolli që të rimojë me fjalën Stambolli:
”…me mbret t’Stambolllit,/ bamun ballë Nikollit” dhe:
“..për mbretin e Stambollit,/…thonë se knjaz Nikollit, (faqe 112,113)
Fishta e tepron me përdorimin e apostrofit. Kështu parafjalën “nëpër” ai e shkruan “n’p’r”, kur dihet se bashkëtingëlloret në gjuhën shqipe nuk mund shqiptohen pa ndihmën e zanores “ë”.
Shembull tjetër:
“Shk’a’ gegë, shk’a’ Toskë”..,
kur fare mirë mund të shkruante:
“ Shka asht Gegë,shka asht Toskë”.
ose më saktë:
“Kush asht Gegë, a kush asht Toskë”,
sepse peremri pyetës “shka”, më saktë “çka”, “çfar”, përdoret për emra jo frymorë”, (faqe 99).
.Jo vetëm kaq, por për hir të apostrofimit edhe i cungon fjalët . Kështu ai shkruan jo rrallë ”ki’n”, për “kishin” dhe “ki’te” per “kishte”, kur rrokja “shi” në fjalën e parë dhe bashkëtingëllorja “sh” në fjalën e dytë, nuk e prishin aspak ritmin e tetërrokëshit, të cilin ka jo pak raste qe ai e kthen në dhjetërrokësh si :
Por vetimë si kokrra e rr’fesë,
n’kondak t’pushkës i mbet shkjaut kresë.
“Lahuta…” vuan edhe nga përsëritje të panevojshme, qoftë fjalësh, qoftë edhe vargjesh. Ka përsëritje të tilla si “…i dhimbet miut në mur dhe gjarpnit në gur”, “i dhimbet gurit dhe drunit”…
Ka gjithashtu përsëritje të shumta të shprehjes “nipa te Kastriotit..”, ose “nipa t’ Skanderbeut”. Madje edhe brenda dy faqesh:
”Kush asht nipash t’Skënderbeut”, (faqe 108) dhe: ”Kush asht nipash t’ Kastriotit”, ( faqe 109), si dhe brenda një faqeje:”..nipat e Kastriotit”, dhe “nipave të Kastriotit”, ( faqe 161). Po kështu brenda faqes 203 përsëritet dy herë emri “Cernagore: ”…moj Cernagore”, “Kerserderi i Cernagores”, pasuar po në atë faqe nga mbiemri “cernagoras”.
Ve$ ktyre ka gjithashtu epitetesh, si sokol mali, zogu i verës, bylbyli në pranverë, trim bujar, burrë zotni, drague, ose drangue, e plot e plot të tjera si këto, veçanërisht në përshkrimin e tipareve të personazheve që i kanë mustaqet “vesh me vesh”, janë “kaleshanë”, me “vetulla të trasha”, trima “azganë”…
Mbi të gjitha, ka përsëritje, nga njëherë dhe me tepri përshkrimesh, dhe ndonëse jo shpesh, edhe të betejave, sidoqë ato janë dhënë me vërtetësi dhe nivel të rrallë artistik, të denja për “Iliadën” e Homerit, si në këtë episod kur shkjetë pushtojnë Nokshiqin, që na kujton pushtimin e Trojës nga grekët:
Kur qe, Shkjau, si drita duel,
ban e sheh ai për kundruell,
se si gjindja vu janë në t’hikun…
Se ç’kanë nisë atëherë me shti,
m’gjindje t’ngratë dhe n’bagëti,
si me gjuejtë shkërbe’ n’lisni,
këtu vra’i plak, atje nji fëmijë,
këtej nji grue, përtej nji dhi,
dike dekë, dike varrue,
njan’lësho n’prroskë e tjetrin n’ përrue,
ment e kresë me t’u dërmue.
( “Tringa”, faqe 316)
Mangësitë që përmenda shkurtimisht më sipër, qofshin gjuhësore dhe artistike, cenojnë sado pak vlerat e padiskutueshme të kësaj poeme madhore.
Veçanërisht ato që vihen re në këngën e fundit, të 30-ën, “Konferenca e Londonit”.
KONFERENCA E LONDRES VIHET MBI SHPALLJEN E PAVARESISE!?…
Është për t’u habitur se si Fishta, në vend që ta mbyllte poemën e tij me një këngë himnizuese , kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, në 28 nëntor të vitit 1912, parapëlqen ta mbyllë me një këngë kushtuar Konferencës së Ambasadorëve, që zgjati nga viti 1912 deri më 29 korrik të vitit 1913, datë në të cilën e shpalli Shqipërinë të pavarur, duke përjashtuar $do lidhje me Perandorinë Osmane. Mirëpo kjo konferencë nuk njohu qeëverinë e Përkohshme të Vlorës dhe drejtimin e administratës së shtetit shqiptar ia ngarkoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Kështu dhe Kanga e 30-të që mbyll poemën titullohet “Konferenca e Londonit’), e cila “…përsa u përket kufijve kreu një padrejtësi të madhe në dëm të kombit shqiptar. Fuqitë pjesëmarrëse nuk përfillën të drejtat dhe interesat themelore të shtetit shqiptar. Brenda kufijve të tij u përfshinë vetëm gjysma e tokave shqiptare, një sipërfaqe prej rreth 28 mijë km2 dhe më pak se gjysma e popullsisë me kombësi shqiptare, rreth 800 mijë frymë. Më tepër se gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë kufijve të atdheut. Pjesa më e madhe shkuan nën Serbinë, pjesa tjetër nën Malin e Zi dhe Greqinë”, (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi i dytë, faqe 1242, Tiranë 2008).
Kjo është me të vërtetë e papërceptueshme….
Me shumë keqardhje, por në këtë mënyrë Fishta injoron ditën e 28 Nëntorit, që kremtohet kudo në Shqipëri si dita në të cilën atdhetarët tanë u mblodhën nga të katër anët e vendit në Vlorë dhe vendosën që Shqipëria të jëtë më së fundi e pavarur, krijuan edhe qeverinë e përkohshme, dhe e mbyll poemën, për të cilën ka punuar rreth 32 vjet, me vargjet shumë të dobëta, siç është në përgjithësi e tëra kjo këngë:
Edhe kështu mbas sa mjerimit,
mbas sa gjakut dhe shëmtimit,
e p’r inatë t’shkjeve të Ballkanit,
për gazep t’atij sulltanit,
si premtue kisht’ Perendia,
prap zojë m’veti duel Shqipnia.
(“Konferenca e Londonit”, faqe 518 )
Kësodore Fishta nuk përfshin në poemë personazhe të tilla të mëdha historike si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, i cili, siç u vu në dukje më lart, përmendet në poemë vetëm një herë, Isa Boletinin, të ardhur nga Kosova, që vuante nga shtypja turke, si dhe figura të tjera të rëndësishme atdhetarësh.
Dhe vendin e tyre në Kangën e 30-të, “Konferenca e Londonit” e zënë përfaqësuesit e atyre vendeve që i bënë varrin atdheut tonë, si të Anglisë, Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Francës, ..… ata që, siç shkruan Fishta në këtë këngë, i parodizojnë atdhetarët tanë të mëdhenj me vargjet:
Varg e vistër kanë dalë në Vlonë,
.. e i paçavër kuq e zi,
vjerrë na e paskan për nji hu,
edhe hunin ngulë m’nji ship,
t’madhe niskan me këndue,
kin me demek po duem Shqipni,
kinse kështu na jem shqiptarë.
Eh, madhni, as ne s’hamë bar,
na edhe i kemë po mendtë n’kandarë,
e kem sy edhe me pamë…
( faqe 514, po aty).
Dhe është për të ardhur shumë keq që Fishta, satarik i mprehtë dhe i ashpër, nuk ndërhyn për të bërë shkrumb e hi këto shprehje të neveritshme që ka vënë në gojë të përfaqësuesit francez, sepse ai vetë nuk e ka përmendur, pale të himnizonte këtë datë të madhe historike, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën legjendare. Dhe, siç e pamë, e zëvendëson atë me Kongresin famëkeq të Londrës,(!?)…
Për një lexues me origjinë shqiptare, që nuk e njeh historinë e Shqipërisë, si dhe për një të huaj që edhe ai ka dëshirë ta njohë atë nëpërmjet të përkthimeve të “Lahutës…”, nga leximi i vargjeve të mësipërme dhe pastaj të kësaj kënge që mbyll poemën, arrin në përfundimin se ngjarja më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë është vendimi i kësaj konference kobzezë, më 29 korrik tëvitit 1913, dhe kurrsesi Shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, e parodizuar në gojën e ambasadorit francëz në atë konferencë.
Ve$ kësaj, Fishta te “Lahuta…” nuk ndalet te rrethimi i Shkodrës nga ushtritë serbe dhe malazeze për gjashtë muaj, (20 tetor 1912 – 23 prill 1913), nuk përshkruan qëndrimin heroik të banorëve të këtij qyteti, të cilët përballuan këtë rrethim me heroizma të papara, nuk përshkruan tradhtinë e Esat pashë Toptanit, që pasi vrau komandantin Hasan Riza Pasha, i cili kërkonte të mbronte qytetin, ua dorëzoi qytetin malazezëve, kurse vetë u largua me ushtrinë e tij dhe iu kundërvu Shpalljes së Pavarësisë…
Dhe të mos harrojmë se gjatë këtij rrethimi Fishta ka qenë i strehuar në Kishën e Arrës së Madhe dhe kështu ka përjetuar ngjarjet e këtij rrethimi kaq të gjatë.
Ishin pikërisht këto ngjarje që qysh më 1913 frymëzuan shkrimtarin Ndoc Nikaj, të botonte romanin e tij “Shkodra e rrethueme” dhe më 1978 shkrimtarin e njohur Skënder Drini, “Vraje tradhtinë’ më 1978. Kurse Fishta, për habinë e lexuesit, e ka përmbledhur këtë rrethim vetëm me vargjet e mëposhtme:
E kokë-fortë, kur knjaz Nikolla,
ku më pushkë e ku me t’holla,
s’po do’ Shkodrën me e lirue,
të shtatë krajlat ç’janë idhnue,
Donamtet n’Shqipni kanë çue,
Ku admiralat m’breg sa dolën,
Kap për për veshit knjaz Nikollën,
Fill prej Shkodret jashtë e nxorën.
(”Konferenca e Londonit”, faqe 517).
Jam i sigurtë se, ashtu siç ka shkruar faqe të mahnitshme, kur përshkruan betejat e malësorëve kundër ushrive malazeze , (kujtoni “Kangën “ Te Ura e Rzhanicës”, “ Në Qafëhardhi”, “Te Ura e Sutjeskës”…), po ashtu Fishta do ta kishte përjetësuar rrethimin e Shkodrës nga ushtritë serbo-malazeze. Aq më tepër kur këto ushtri ishin shumë më të mëdha se forcat e luftëtarëve shkodranë të ndihmuar dhe nga të moshuar e fëmijë që u vunë përkrah ushtrisë turke të Hasan Riza pashës dhe zhvilluan beteja edhe më të përgjakshme kundër tyre.
Për t’u bindur, le të ndalemi te këto vargje:
E si përrue kur të bjerë shi,
Turbull bjeshkëve tue shung’llue,
Landë e gurë tue rrukullue,
Urat merr q’ të gjejë përpara,
E then ledhet për nën ara,
Bujkut t’ngratë zemrën tue ia tha,
Njashtu n’luftë Malsia ra,
Aman zot se shka me pa!
(“Te ura e Rrzhanicës”, faqe 162)
MANGESI QE MUND TE SHMANGESHIN…
Por a kishte Fishta mundësi që të paktën një pjesë të këtyre mangësive t’i shmangte para se t’i paraqiste publikut të gjerë botimin e plotë dhe përfundimtar të “Lahutës…”, me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1937?
Pa dyshim që kishte. Mbase jo ai vetë, sepse autori e ka shumë të vështirë të bëjë vetë ndreqjet e duhura. Këtë mund ta kishte bërë dikush tjetër, pra, një koleg, shkrimtar, poet, gjuhëtar, të tillë si si Mjeda, Koliqi… që besoj se i kanë qëndruar pranë dhe kanë ndjekur krijimtarinë e tij, si dhe ai të tyren, ose miku i tij, Viktor Volaj, që është marrë me përgatitjen e kësaj vepre.
Në radhë të parë vepra duhej t’i nënshtrohej rregullave gjuhësore, të miratuara, nga Komisia Letrare, më 1916, ku bënte pjesë dhe ai vetë. Dhe të mendosh se Ve$ studiuesve të shquar atdhetarë, Gjergj Pekmezi, Aleksandër Xhuvani, Haviz Ali Korça, Josif Haxhistasa, Sotir Peci, anëtarët e tjerë të kësaj komisie, Luigj Gurakuëi, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca dhe Vinçenc Prenushi qenë nga veriu i Shqipërisë. Por, edhe pse i pranoi ato rregulla që bazoheshin në të folmen Elbasanit, pra të dialektit gegë, Fishta nuk i nuk i zbatoi kurrë në veprat e veta duke përfshirë dhe “ Lahutën…”. Për më tepër, siç dihet, e quajti atë “gjuhë mushke me gjithë veshë e bisht”, ose: ”… që turçe nuk asht, por që ashtu po i thonë, por që s’asht, qe besa, as gjuhë shqiptare”.
Kështu vepra na ka ardhur e shkruar në nëndialektin veri-perëndimor dhe me gabime drejtshkrimore, si$ do të ve në dukje më poshtë.
Që nga viti i botimit të plotë të “ Lahutës..”, siç thamë më 1937, kanë kaluar shumë dekada.
Nuk dimë në sa kopje u bë ky botim, në cilat qytete u shpërnda, në cilat biblioteka të Shqipërisë u depozitua. Nuk dimë ç’jehonë pati vepra te lexuesit e qyteteve jugore të Shqipërisë. Mbi të gjitha, nuk dimë sa u lexua dhe kuptua prej tyre.…Nuk dimë a arriti të shpërndahej dhe në Kosovë, që vazhdonte të vuante nën thundrën serbe, ose vise të tjera shqiptare, ose të diasporës sonë.
Duke qenë se “Lahuta…” është shkruar në nëndialektin veri-perëndimor, mendoj se leximi dhe kuptimi i saj nga banorët toskë në Shqipërinë e asaj periudhe kur u botua, ka qenë disi i vështirë.
Pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi, Fishta, siç dihet, u cilësua poet reaksionar, agjent i fashizmit…Kështu vepra e tij u varros si ai vetë.
Dhe ja, pas shembjes së kësaj diktature të pashembullt në Evropë, Fishta u ringjall. Bashkë me të edhe tërë krijimtaria e tij letrare, duke përfshirë edhe ”Lahutën…”.
Dhe nga mallkimi, erdhi himnzimi i tij, ngritja në piedestalin e lavdisë, nga ku komunistët padrejtësisht e kishin rrëzuar, për të mos e ngritur kurrë.
Nisën të botoheshin studime kushtuar veprës së Fishtës me analiza të gjithanshme, për të nxjerrë në pah vlerat e mohuara të saj. Dhe u bë shumë mirë. Ai nisi të zinte vend edhe në botimet shkollore, të bëhet i njohur kështu edhe nga nxënësit dhe studentët.
Por deri tani, siç është vënë në dukje, edhe në fillim të këtyre shënimeve, me përjashtim të pr. dr. Shefkije Islamajt, që ka shkruar një vepër në dy vëllime kushtuar gjuhës dhe stilit të Fishtës, dhe ka vënë në dukje mangësi të saj që janë përmendur më sipër, nëse nuk jam i gabuar, nuk kam parë që veprës së tij, veçanërisht “Lahutës…”, t’i bëhet edhe një shikim kritik, ku të vihen në dukje edhe mangësitë e tij, disa prej të cilave rendita dhe unë më sipër, dhe të cilat mund të jenë edhe subjektive.
FISHTA DHE LEXUESI I SOTEM
Përsëri bëj pyetjen: A kuptohet tërësisht “Lahuta…” nga masat e gjera të lexuesve të sotëm, sidomos të rinisë?
Duhet vënë në dukje se përfshirja e Fishtës në antologjitë e shkollave të mesme, me komente dhe shënime përkatëse, përgatitur nga dr. Tonin Çobani, ku vend të rëndësishëm zë dhe “Lahuta …” është një ndihmesë e madhe për njohjen dhe kuptimin e saj nga brezi që ndjek këto shkolla.
Sidoqoftë, është mirë të bëhet një anketim në bibliotekat e Shqipërisë dhe Kosovës, për të parë sa tërhiqet kjo vepër nga lexuesi i përgjithshëm.
Që nga viti 1972 me vendimin e Kongresit të Drejtshkrimit që toskërishtja të jetë bazë e gjuhës standarde, gegërishtja mbetet gjallë në veprat e shkrimtarëve që kanë shkruar në këtë dialekt.
Por ata, ndër të cilët Mjeda, L. Gurakuqi, Shiroka, Koliqi, Migjeni…deri te Mekuli në Kosovë, kanë përdorur një gegërishte të butë, ndryshe nga gegërishtja veri-perëndimore shkodranishte e Fishtës. Duke marrë parasysh se, ndryshe nga poezitë e tjera lirike dhe atdhetare, Fishta përdor në këtë vepër dhe një fjalor të pasuruar me fjalë të rralla të atyre krahinave, si dhe turqizma, kryesisht për t’i përcjellë lexuesit ngjyrimet e kohës kur zhvillohen ngjarjet, pra, të gjysmës së dytë të shekullit të19-të, kuptohet se lexuesi i sotëm e ka disi të vështirë ta kuptojë plotësisht ”Lahutën..” , madje edhe lexuesi i sotëm verior.
”Lahuta…”, bëhet disi monotone edhe nga përsëritjet dhe përshkrimet e gjata dhe të panevojshme, një pjesë të të cilave i vura në dukje më sipër.
Jam i mendimit se kjo vepër duhet të ribotohet me disa shkurtime, ku të mënjanohen mangësitë e mësipërme. Të mos harrojmë se ajo është 512 faqe e gjatë, pa dyshim më e gjata poemë në letërsinë shqiptare dhe mbase ndër më të gjatat në letërsinë e huaj, dhe mund të lexohet me nge nga ata që kanë pasion dashuri dhe durim, por që edhe mund të kenë vështirësi për ta lexuar edhe për arsyet e mësipërme.
Veç shënimeve që Fishta ka vënë në krye të çdo kënge, në disa prej të cilave ai u paraprin ngjarjeve duke na shuar deri diku kureshtjen për fundin e tyre, mendoj se vepra duhet shoqëruar me shënime të tjera më të hollësishme historike dhe fjalor pas çdo kënge.
Dhe kjo, sepse për fat të keq, fjalët që përdor Fishta, të gjetura nga krahina rreth Shkodrës, siç u vu në dukje edhe në shembullin e mësipërm, nuk janë përhapur në popull dhe në pjesën më të madhe nuk janë përdorur nga shkrimtarë të tjerë, ndaj kanë nevojë të shpjegohen.
Mbi të gjitha, krahas botimit origjinal, që shërben për studiuesit dhe studentët e fakulteteve të gjuhës dhe letërsisë së universiteteve tona, dhe në Kosovë, “Lahuta…” duhet të botohet në gegërishten shkodrane, pak a shumë të Mjedës a Koliqit, pra, duke mënjanuar trajtat nëndilektore, si shndërrimin bashkëtingëlloreve “ç” në “q”, (gjeraçinë në gjeraqinë, ) ose “q” në “k’“ (kime, në qime), “gj” në “q” ( gjytetnuem, në qytetnuem, “c në “s”, ( malci, në malsi), “sh” në “ç” ( shka në çka)… mënjanimin e rjedhores nëndilektore (voeset në vese”) etj. Me fjalë të tjera “…”Lahuta..” të shkruhet pak as shumë në shkodranishten e shkrimtarëve të mësipërm dhe kësisoj me një drejtshkrim të përafërt me te cilin ata shkruan veprat e tyre, që nuk ndryshonte nga drejtshkrimi i elbasanishtes, e cila u miratua nga Komisia Letrare qysh në vitin 1916, të cilën për fat të keq Fishta, si$ e pamë , nuk e përfilli .
Të gjitha këto nuk do të preknin stilin e autorit dhe faqet e mahnitshme të “Lahutës…”, veç përsëritjeve dhe zgjatjeve, do të çliroheshin nga këto “barëra”që i zënë frymën dhe do të dilnin më shumë më mirë në pah edhe dhe vlerat e padiskutueshme të kësaj poeme madhore. Kështu ajo do të shfaqej me tërë madhështinë e Fishtës si poet i zhanrit epiko-historik, më i madhi në letërsisë shqiptare dhe do të bëhej kështu dhe më i afërt dhe më e dashur për lexuesit tanë.
Qershor-korrik, 2016, North Quincy, Boston, SHBA