Albspirit

Media/News/Publishing

Martin Amis, të zbulosh Holokaustin përmes dashurisë

Alda Bardhyli

“Ajo ishte Hana, zonja Hana Dolli .Tek Klubi i Oficerëve, i ulur në një kanape me qime kali, i rrethuar nga takëme kuajsh dhe imazhe kuajsh, po pija një surrogat kafeje (kafe për kalorësit), kur i thashë shokut tim të hershëm Boris Elci:

– Në një çast e ndjeva veten sërish të ri. M’u duk vetja si dashuri.

– Dashuri?

– Të thashë, si dashuri. Mos më shih me atë vështrim shigjetues. Si dashuri. Ndjeva të pashmangshmen. Më kupton se ç’dua të them; diçka si lindja e gjatë dhe e mrekullueshme e një romance. Dashuri romantike”.Këto janë disa pasazhe nga romani më i ri në shqip i Martin Amis “Zona e interesit” botuar nga Saras, nën përkthimin e Lavdimir Markut. Duket si një roman për dashurinë, por në fakt ajo është pjesë e strategjisë me anë të së cilës Martin Amisi i është qasur Holokaustit. Kampi nazist i vdekjes, ai i Aushvicit, përbën sfondin e ngjarjeve që Amisi përshkruan tek “Akrepat e kohës”.

Kur më 1949, Teodor Adornoja deklaroi duke thënë se “të shkruash poezi për Aushvicin, është gjë barbare”, ai ndoshta me këtë kishte paralajmëruar të gjithë atë masë poezie dhe proze që i referohej Holokaustit, e që sidoqoftë deri në atë çast kishte një gamë dhe intensitet më të paktë nga ajo që do të pasonte më vonë. Kjo lloj letërsie përfshin atë realizëm psikologjiko-historik të rrëfyer ngulmët të André Schwarz-Bart-it, Imre Kertész-it, Kafka, skenat onirike, kafkiane, të Aharon Appelfeld-it, dhe për të ardhur më vonë te krijimet letrare eliptike e thellësisht origjinale të W. G. Sebald-it.

Teksa brezat e parë, që ishin dhe dëshmitarë okularë të asaj që kishte ndodhur, u hapën rrugën brezave të ardhshëm, veprat letrare mbi këtë subjekt kanë qenë më të kujdesshme; romanet e fundit të Susanna Moore-it dhe Ayelet Waldman-it kanë arritur të krijojnë ndjenja të forta duke u fokusuar te disa personazhe periferike të historisë europiane që, sido që të jetë, nuk kanë pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me vetë ata. Ky zjarr i stërmadh duhet parë thjesht shkarazi, jo drejtpërdrejt, po të kemi parasysh këshillën e Appelfeld-it, sipas të cilit: “askush s’mund ta shohë drejtpërdrejt, me sy të lirë diellin”.

Por nuk është se një përkujdesje e tillë ka qenë pjesë e strategjisë me anë të së cilës Martin Amisi i është qasur Holokaustit. Kampi nazist i vdekjes, ai i Aushvicit, përbën sfondin e ngjarjeve që Amisi përshkruan tek Akrepat e kohës: ose natyra e fyerjes” (1991), tek i cili jeta e një mjeku nazist që merrej me eksperimente, paraqitet të rrjedhë në një drejtim kronologjik kundërorar, duke zënë fill me vdekjen e tij (si i dashuri amerikan, Tod Friendly) dhe për të përfunduar te ngjizja e tij (kur i vihet dhe emri ogurzi, Odilo Unverdorben), e gjitha kjo shtjellohet duke pasur si dëshmitar njërën pjesë të tij, atë që duket të jetë ndërgjegjja e tij, ose shpirti i tij.

Afërsisht një çerek shekulli më vonë, romani më i ri i Amisit mbi nazizmin, i cili mbart po të njëjtin risk, Zona e interesit, i rikthehet edhe një herë qytetit të Aushvicit, më veçanërisht zonës së interesit, në të cilën është njëri prej kampeve të vdekjes, shtabet dhe banesat e personelit nazist dhe adjutantët e tyre, “një vendgrumbullim për idiotët e kategorisë së dytë”, siç vërente i thartuar në fytyrë komandanti i tij.

Në roman ndeshet gjithkund fryma e hulumtimit historik në atë mjedis të tmerrshëm e absurd që në pasthënien e romanit, ai e quan “e pazakonta e Rajhut të Tretë”. Zona është një vend ku “shkarkohen” nga trenat hebrenjtë, të cilët më pas do t’u nënshtrohen punës së detyruar ose do t’i dërgojnë drejt e në dhomat e gazit; eshtrat e tyre groposen në atë që me eufemizëm quhej Livadhi i pranverës, por që në të vërtetë kundërmonte kalbësirë. (“Nëse ajo çka po bëjmë ne është kaq e mirë sa thuhet, – thoshte me vete komandanti, – atëherë pse ky kundërmim therës është kaq i keq?”) Në këtë vend të skëterrshëm, në gusht 1942, ndodhen disa rrëfimtarë; asnjëri nuk është aq shumë gojëtar, sipas mënyrës nabokoviane të ironisë, sa ç’është rrëfimtari i paidentifikuar i romanit Akrepat e kohës, por secili, në mënyrën e vet, sjell dëshminë e vet.

I pari ndër rrëfimtarët është komandanti Tomsen, një oficer nazist i një grade të mesme i cili përgjigjet për fabrikën Buna-Werke, nipi i parapëlqyer i kreut të lartë nazist, Martin Bormanit – “njeriut që mban protokollin e Shpëtimtarit”. (Për disa arsye, askush te Zona e interesit nuk i referohet drejtpërdrejt në emër Adolf Hitlerit, veç disa rasteve të parafrazuara.) Pjesëmarrja e Tomsenit në luftën naziste është spontane dhe në përshtatje të plotë me rrethanat.

Ai shprehet: “Ne ishim vrima e fundit e kavallit. Thjesht për inerci vazhduam të merrnim pjesë në këtë luftë. Filluam ta kërcenim këtë valle duke bërë çdo gjë që vetëm e vetëm të tërhiqnim zvarrë këmbët tona. Dhe si puna jonë kishte me qindra mijëra, mbase miliona vetë”. Sidoqoftë, Tomseni e përshkruan veten e tij si modelin e një ariani: rreth dy metra i gjatë, me sy “arktikë” në ngjyrë kobalti blu, me shalët posi direkë të latuar”.

Një gruar i sëmurë dhe një mburravec që krekoset për aventurat e tij seksuale, ai është marrëzisht i dashuruar pas bashkëshortes së komandantit të kampit, Paul Dollit – të paarritshmes dhe kryelartës Hana, e cila “në përpurthje me idealin kombëtar për femrën e re, është e ftohtë, ka tipare të femrës së lidhur me natyrën, dhe një trup të aftë për të lindur shumë fëmijë e për të bërë punë të rënda”.

Paul Dolli është rrëfimtari i dytë. Ai është një mburravec qesharak, i cili ndien keqardhje për veten e tij, pasi sheh se keqtrajtohet nga e shoqja (e cila ndien neveri për të) dhe mbingarkohet nga eprorët e tij (që e përçmojnë). Ai është përgjegjës për mbikëqyrjen e mbërritjes së të shpërngulurve dhe për vijimin e fatit të tyre në Aushvic.

Për këtë arsye, ai ishte i ngarkuar nga Zyra Qendrore e Administrimit Ekonomik, që të ndihmojë në “shtimin e forcës punëtore (për industrinë e armatimit)”, dhe njëkohësisht është ngarkuar edhe nga zyra kryesore për sigurinë e Rajhut që të rekrutojë për shërbimet e kësaj zyre sa më shumë të shpërngulur që është e mundur, me ç’duket për arsye sigurie. Ai ndjek koncertet e nazistëve, ndërkohë që mendon “sesa gaz do të duhej për ta mbytur atë auditor…”.

Duket qartazi që Amisi e ka për kënaqësi të vendosë zërin e vet satirik në gojën e Dollit, gjatë deklamimeve të këtij të fundit, teksa qahet për fatin e tij e thotë se ka ngecur në zonën e interesit “duke vrarë plaka të vjetra e fëmijë të vegjël, teksa burra të tjerë i japin një vlerësim të shkëlqyer këtij realiteti”. Është pikërisht kjo ajo që e vesh me humor të zi imazhin e nazizmit.

“E merrni lehtësisht me mend se ç’ndodh kur të rinjtë dhe më të shtyrët në moshë i përball me forca e virtyte të tjera – fanatizmi, radikalizmi, vrazhdësia, mostoleranca, ashpërsia, ftohtësia, mungesa e mëshirës e kështu me radhë. Tekefundit… dikush duhet ta bënte këtë – hebrenjtë do të na kishin trajtuar edhe neve në të njëjtën mënyrë, po qe se ata do të kishin pasur qoftë dhe gjysmën e mundësisë për diçka të tillë, sikurse çdokush e merr lehtësisht me mend”.

Po ashtu siç ndodh rëndom në skenë gjatë shfaqjeve të komedive, maskat e bufonëve nazistë bien dhe befas dëgjojmë një zë që dridhet, i cili befas ndalon, ja, njëlloj si në këtë fantazim të Dollit: “Ajo është një femër e re, e pashme dhe e zgjuar, ndonëse është fort gjoksdërrasë (ndonëse vithet i ka përsosmërisht për së mbari dhe në rast se e ngre lart atë fund të shtrënguar pas kofshëve të saj… Mos u përpiq të kuptosh pse shkruaj kështu unë; ky nuk është aspak stili im)”.

Ka njëfarë ironie dhe shumë më pak humor te rrëfimtari i tretë i Amisit, komandanti Zmul, kreu i të burgosurve të veçantë, kreu i të burgosurve hebrenj që ndihmonin nazistët për të vrarë e për të futur në furrë hebrenjtë e tjerë – “korbat e krematorëve” që duket se e kryenin detyrën e tyre të kobshme me një mospërfillje shurdhmemece”.

Zmuli e percepton veten e tij me terma të ndryshëm, si një dëshmitar të tmerrit: “Ndiej se po ta dije çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të historisë njerëzore, ti nuk do të gjeje ndonjë shembull, ndonjë model, ndonjë precedent”. Si dhe të gjithë të rekrutuarit e tjerë për një punë të tillë, mes atyre të burgosurve dhe të kufomave të tyre (të cilëve duhet t’ua hiqnin me kujdes dhëmbët prej floriri), Zmuli kupton që edhe ai është i dënuar, ndonëse ai shpreson që dëshmia e tij do t’i bindë gjykatësit:

“Ndonjë ditë do të vijë ndokush në geto ose në kampin e përqendrimit dhe do ta vërejë përkujdesjen thuajse absurde të urrejtjes gjermane. Dhe atëherë unë do të zë të pyes se përse ishim dënuar ne, pse nuk ishim të lirë, teksa ne po shkonim drejt shkatërrimit tonë… Ja ku është, e sheh vetë: hebrenjtë mund t’ia zgjatin jetën vetes së tyre vetëm nëse ndihmojnë armikun që të fitojë – e çfarë do të thotë kjo fitore për hebrenjtë?”

Tjetër përveçse ishte një korb krematori, Zmuli është një biçim shenjti i Aushvicit, një lloj asketi dhe një lloj vetëmohuesi. Nëse ai nuk është një personazh fort bindës, del thuajse si një detyrë e pamundshme që t’i japësh një zë bindës një personi të tillë (dhe sipas të gjitha gjasave një person i tillë ekzistonte).

Zmuli të gjitha ato çka kishte shkruar si një dëshmitar i Aushvicit i fut brenda një termosi, të cilin më pas e lë rrëzë një kulumbrie: “Dhe për shkak të kësaj, jo e gjithë qenia ime do të vdesë”.

Është oportunisti Tomsen ai që mbijeton nga disfata e ushtrisë gjermane. Duke u rimarrë me të si me një “personazh të reformuar” – një gjerman i denazistizuar – në shtator të vitit 1948, aty nga fundi i romanit, Tomsenin e shohim të punojë me amerikanët, për Bundesentschadigungsgesetz-in, ose atë që quhej ndryshe “direktiva e rehabilitimit”: drejtësia e viktimave”. Ai ka dëgjuar që himni i ri i Gjermanisë titullohet Ich Wusste Nichts Uber Es (S’dija asgjë për këtë).

Sidoqoftë, Tomseni nuk arrin dot ta rehabilitojë jetën e vet, dhe mbase ky ishte dhe dështimi i madh kombëtar. Te Zona e interesit ai reflekton: “Ndihesha i dyzuar (ky jam unë dhe ky nuk jam unë; duhet të kem edhe një unë të më përtejmë), pas luftës u ndjeva i gjysmuar”.

Martin Amisi në këtë roman, me një vështrim të ftohtë e pa iu dridhur bisturia në dorë, arrin pikën e tij kulminante si “një eksperimentues me qeniet e gjalla”. Ky roman, në momentet e tij më frymëzuese është një konspekt epifanish, tmerresh, anekdotash dhe një historie radikale të përmbledhur. Duke paraqitur virtualisht në çdo faqe të romanit tmerr, duke përfshirë dhe kundërmimin e rëndë të vdekjeve në masë, ky është një zgjatim i imagjinatës së lexuesit për atributin që i bëhet “interesit për dashurinë” e Tomsenit ndaj Hana Dollit, i cili rezulton të jetë shumë më tepër se një element dytësor.

Dhuntia e madhe e Amisit është ai zë satirik e gërryes, shpesh shumë zbavitës, gjithë vrull profan, i pahijshëm dhe skatologjik. “Zemërimi i egër” i Xhonathan Suiftit, i shoqëruar nga moraliteti pasionant i Suiftit, është pikërisht ajo çka përshfaq vepra e Amisit. Por te romani i ri për Holokaustin, Amisi është shumë human, përderisa tekefundit arrin që për disa herë rresht të krijojë humor. Efekti i Holokaustit nuk sjell vetëm një pasojë, por disa.

Gjatë ekzekutimit të një Selektimi rutinor (selektimi i të burgosurve: disa të vazhdojnë të jetojnë, por duke bërë punë me detyrim, kurse të tjerët të shkojnë drejt e në dhomat e gazit), komandanti shoqërohet nga një grup i vogël violinistësh, për të luajtur muzikë, për të mbuluar klithmat e terrorit (“tendosja e parë e violinave nuk arrinte të bënte më shumë sesa të dublonte e të përforconte atë britmë të pashpresë e drithëruese. Por pastaj muzika ndali”), pastaj është dhe ajo pjesa e humorit më të zi. Madje, kur mizori të tilla përsëriten e përsëriten vazhdimisht, qoftë dhe vetë satiristi arrin të pajtohet me Tomsenin, kur ky i fundit thotë: “U përpoqa të jem si i mpirë, por tani e ndiej veten si një copë e pazier mishi”. Një anomali tjetër më shumë në këtë roman janë edhe ato pasazhe ku në tekst përdoren fjalë në gjermanisht (por për disa arsye nuk janë vënë shenjat karakteristike diakritike mbi ato zanore që marrin të tilla), ndërkohë që të gjithë dialogët dhe materiali në introspektivë duhet të kishte qenë në gjermanisht.

Gjatë një shkëmbimi mes Dollëve, njëri personazh flet në anglisht e tjetri në gjermanisht, dhe Zmuli, në njërën prej fantazimeve të tij mendon: “Të burgosurit që punojnë këtu vuajnë nga Seelenmord-i – vdekja e shpirtrave”, siç do të mund ta kishte shprehur mendimin e tij në lidhje me këtë një gjermanishtfolës. Autori i romanit, jo rrëfyesi i kapitullit, dëshiron të nxjerrë në pah disa fraza të caktuara, për të mirën e lexuesit, por manierizmi është diçka që ta tërheq vëmendjen.

Në të vërtetë, duket si lehtësim për autorin, si dhe për lexuesin, kur trillimi i sforcuar “i trillimit” lihet mënjanë dhe ne dëgjojmë zërin tejet të angazhuar të Amisit kur lexojmë pasthënien, të titulluar Ajo që ndodhi.

Këtu Amisi u referohet shumë veprave historike dhe shënimeve biografike që ai ka shfrytëzuar për të shkruar Zonën e interesit dhe magjepsjen e tij pas Fyhrerit të të gjithë Fyhrerëve: “Atij i jam referuar kaq e kaq herë nëpër roman, por pa ia përmendur ndonjëherë emrin; por tani jam i detyruar të shkruaj fjalët “Adolf Hitler”.

Amisi i bashkohet asaj enigme të njohur edhe për historianët e tjerë, rreth “të kuptuarit” të Hitlerit: “Ne e dimë shumë mirë sesi arriti ai të bënte atë çka bëri; por duket se thuajse nuk dimë asgjë rreth asaj se përse ai veproi kështu”. Interesante në lidhje me këtë lloj magjepsjeje është fakti që Hitleri nuk është fare i pranishëm në Zonën e interesit, përveç asaj që referohet si një figurë thuajse mitike, të cilën e adhurojnë dhe njëkohësisht ia kanë frikën nazistët e zakonshëm.

Amisi e shpjegon më poshtë makthin që e kishte kapluar atë në lidhje me Holokaustin:

“Narracioni im i brendshëm është një lloj amullie kronike, e ndjekur nga një lloj pushimi… Së pari, pata lexuar në vitin 1987 veprën klasike të Martin Gilbertit Holokausti: tragjedia hebraike, dhe e pata lexuar me mosbesim; në vitin 2011 e lexova sërish dhe ndjeva që mosbesimi ishte plotësisht si ai i mëparshmi… Në intervalin mes këtyre dy leximeve kisha punuar duke lexuar mjaft libra e duke mbajtur shënime në lidhje me këtë subjekt dhe ndërkohë që mund të kisha arritur mjaft sa i përket njohurisë, nuk kisha arritur asgjë sa i përket depërtimit brenda kësaj çështjeje. Ato fakte të mbledhura nga një historiografi e dhjetëra mijëra volumeve nuk mund të dyshohen lehtësisht; por sidoqoftë në një farë mase ato janë të pabesueshme, ose përtej mundësisë për t’i besuar dhe nuk mund të pranohen tërësisht.

Duke treguar shumë kujdes, unë e paraqes Rajhun e Tretë si një përjashtim, si një arsye të panënshtrueshmërisë së këtij të fundit – sertësia elektrike me të cilën përpiqet të zmbrapsë kontaktin tonë me atë realitet. Mbase ndokush do të mund të kundërshtonte e të thoshte se Hitleri dhe larot e tij nuk ishin aspak një përjashtim në atë pjesë të historisë njerëzore, të mbushur me luftime, një mizori të parrëfyeshme dhe gjenocidi që kryen. Ajo çka i dallon nazistët prej paraardhësve të tyre më pak efikase se ata, ishte mundësia e tyre që si njerëz të shekullit XX përdorën mjete të industrializuara për luftën dhe asgjësimet e tyre, si dhe makinën e një propagande e cila përjashtonte të gjitha rrugët e tjera të informacionit, të cilat njoftonin faktin që në thelb populli gjerman ishte i kapur rob.

Zona e interesit, po ashtu si edhe Shigjetat e kohës, shënjestron peripecitë e personit dhe të rrethanës dhe nuk thellohet në analizën e plotë të kësaj çështjeje shumëplanëshe, por thjesht e çik atë kalimthi. Zemërimi i autorit ndaj tmerreve të Holokaustit është i ndarë në skena dhe sentenca, jo në njësi të vetme, që të shkaktojë shastisje apo tmerr te lexuesi. A është e qenësishme kjo për postmodernizmin që, pavarësisht subjektit, emocione të tilla duhet të qëndrojnë në njëfarë mënyre larg nesh?

“Për të shkruar një libër të rëndësishëm, duhet të zgjedhësh një temë të rëndësishme”, – kështu shkruan Melvilli te Mobi Diku; por shkrime të tilla të rëndësishme mund të pengohen prej mënyrës së të shkruarit të atyre të cilëve shtrati krijues më tepër është ironia sesa empatia. Te pasthënia, Amisi citon atë pasazh të famshëm të Primo Levit, në kujtimet e këtij të fundit për Aushvicin, në të cilin ai pyet një roje gjermane, teksa i thotë: Warum? (Përse?); dhe roja i përgjigjet: Hier ist kein warum (Këtu s’ka “Përse?”). Mbase kjo përgjigje lakonike është përgjigjja e vetme, e përshtatshme ndaj të gjitha pyetjeve “Përse?” në lidhje me Holokaustin.

Please follow and like us: