Nasho JORGAQI: PËRSE AKUZOHET FAN NOLI
Peter Minar duke pasur privilegjin të jetë bashkohës i Fan Nolit, godet dhe trondit vitet e fundit kulturën dhe historinë shqiptare.
Sipas profesor Nasho Jorgaqit, njerit prej njohësve më të mirë të veprimtarisë dhe krijimtarisë së Nolit, Peter Minar e bën këtë për arsye politike dhe shumë personale. Në librin me titull “Për Shqipërinë”, Peter Minar e akuzon Nolin si vjedhës të veprës së Konicës. Profesor Nasho Jorgaqi rrefen fakte dhe argumente mbi figurën e njohur të Fan Nolit.
Profesor Jorgaqi, kohët e fundit në shtyp janë botuar mendime dhe të dhëna të zotit Peter Minar dërguar nga SHBA-ja, që duket se thyejnë disa teza tabu për Fan Nolin. Ju, si një nga studiuesit e njohur të Nolit, si i gjykoni këto?
Fillimisht dua të them se këto mendime nuk janë të reja. Për herë të parë, zoti Peter Minar i ka shfaqur ato dhjetë vjet të shkuara (1994) dhe i ka përsëritur para pesë vjetëve, më 1999. Siç është e natyrshme, ato ngjallën reaksion në opinionin shqiptar. Goditja që i bëhej Nolit ishte një goditje që i bëhej njërës prej shtyllave të kulturës dhe historisë moderne shqiptare. Në të vërtetë, mendimet dhe faktet sensacionale që sillte Minari qenë dhe mbeten më shumë një kronikë thashethemesh e trillimesh dashakeqe, se sa një gjykim serioz apo përpjekje e ndershme për të zbardhur të vërtetën. Edhe pse u bënë në emër të thyerjes së tabuve dhe të rishikimit objektiv të historisë, ato nuk i shërbyen gjykimit dhe vlerësimit shkencor. Unë dhe kolegë të mi historianë, duke u bërë zëdhënës të shqetësimit të opinionit shqiptar iu përgjigjëm zotit Minar. Përpara përrallave të tij ne sollëm fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme. Megjithatë, ai vazhdoi të shkruajë, duke shpifur, duke falsifikuar, i ndezur nga pasioni politik dhe inate personale. Dhe jo vetëm kaq, por pa u dhënë asnjë përgjigje mendimeve tona dhe duke mos u hequr asnjë presje shkrimeve të veta, i botoi ato kohët e fundit në librin “Për Shqipërinë”. Pra, publikut i serviren rishtazi të njëjtat përralla të mbrapshta.
Mund të na thoni se ku konsistojnë këto mendime të mbrapshta dhe trillime, sipas jush?
Zoti Minar, që ka privilegjin të ketë qenë bashkëkohës i Nolit dhe mik i Konicës e që, sidoqoftë, duhet respektuar për moshën, pasi tani i ka kaluar të njëqindat, ka hedhur në publik një varg falsifikimesh nga më monstruozet e më flagrantet që mund të jenë thurur në historinë e kulturës shqiptare, për një nga etërit e saj shpirtërorë. Ato paraqiten si akuza ordinere përmes “rrëfimesh” ordinere, me arsyetime e gjuhë ordinere. Them kështu, sepse kur merr përsipër të gjykosh për vepra kapitale të kulturës sonë kombëtare, jo vetëm që duhet të karakterizohesh nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare e atdhetare, por lipset të ruash edhe etikën, si dhe të kesh njëfarë përgatitjeje elementare shkencore. Fatkeqësisht, zotit Minar këto i mungojnë plotësisht. Ai e akuzon Nolin se dy veprat shkencore të jetës së tij “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e “Bethoveni dhe revolucioni francez”, ia ka vjedhur Faik Konicës. Për t’i bërë të besueshme akuzat e tij, ai nuk merret me shqyrtimin shkencor të këtyre dy veprave, por flet për fakte periferike, duke u marrë me fatin e arkivit të dorëshkrimeve të Konicës, duke përzier në këtë mes edhe gazetarin Qerim Panariti, një nga njerëzit më të afërt të Nolit.
Si qëndron e vërteta atëherë?
Dihet se me figurën e Skënderbeut janë marrë si Konica, ashtu edhe Noli. Konica pati nisur të shkruajë në fillim të shekullit të kaluar një histori popullarizuese për heroin tonë kombëtar, të cilën, si dhe vepra të tjera të tij të gjata, asnjëherë nuk arriti t’i përfundojë. Botoi vetëm kapitujt e parë te “Dielli”. Krejt ndryshe qëndron puna me Nolin. Ai botoi një histori të letrarizuar për Skënderbeun, që u botua më 1921 dhe që nuk i ngjante fare asaj të mikut të tij. Në vitet që erdhën, Konica nuk u mor më me Skënderbeun, kurse për Nolin figura e tij mbeti dashuria dhe pasioni i përjetshëm. Në vitet ’30 – ’40, ai iu rikthye seriozisht studimit të Skënderbeut dhe kreu kërkime shkencore, madje, për këtë pati dhe letra të vetë Konicës, me anë të të cilave ai e informon Nolin për vepra të autorëve të huaj mbi Skënderbeun. Studimet e tij në këtë fushë zgjatën disa vjet dhe fryt i kësaj pune të madhe e cilësore prej shkencëtari të vërtetë është vepra “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që ai e mbrojti si tezë doktorature (Doctor’s Degree) me udhëheqës shkencor, prof F. Novak, më 1945. Nga kjo punë kolosale e Nolit kanë mbetur si dëshmi autentike dorëshkrimet studimore, një pasuri e tërë materialesh, të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit. Janë mijëra faqe, konspekte dhe ekstrate nga vepra të studiuara prej tij, të hedhura në dhjetëra blloqe të mëdha, të vjela nga dora e Nolit nga gjuhë të ndryshme, mbi të cilat ai ngriti më pas veprën monumentale. Është kjo një dëshmi e rrallë, që pret të njihet e të studiohet e që flet veç të tjerash dhe për metodikën e punës shkencore të Nolit historian. Unë kam pasur fatin të njihem me këtë dokumetacion.
E vërteta për monografinë tjetër shkencore të Nolit “Bethoveni dhe revolucioni francez” është edhe më transparente. Ajo u shkrua në gjallje të Konicës dhe u mbrojt prej Nolit më 1939, në Universitetin e Bostonit, në Degën e Kërkimeve Muzikore, nën udhëheqjen e prof. A. Majerit, me të cilin ai mori gradën “Bachelor’s Degree”. Pra, kjo vepër u bë publike kur jetonte Konica. Madje, siç ishte e natyrshme, Noli u përgëzua nga miku i tij.
Më 1947 të dyja këto monografi, për vlerat e padiskutueshme që kishin, u botuan me rekomandimet e komisioneve shkencore nga “Internacional Univesity Press” në Nju-Jork me ndihmën financiare të “Vatrës” dhe patën jehonë në shtypin e specializuar dhe në opinionin publik. Por “vjedhjet” e Nolit nga veprat e F. Konicës, sipas Minarit, nuk mbarojnë me kaq. Noli tërë jetën paska bërë emër si njeri i kulturës shqiptare duke vjedhur e kopjuar tinëz, veprat e mikut të vet. Madje, kjo punë paska qenë e hershme. Kështu, del që edhe librin e parë të shërbesave të shenjta e paska përkthyer Konica, “meqë Noli nuk e fliste shqipen aq mirë”! Por dihet botërisht se librin “Shërbesat e javës së madhe” Noli e përktheu dhe e botoi në Boston më 1908, kurse të dytin, “Libra e shërbesave të shenjta” e përktheu po ai dhe e botoi nën përkujdesjen e Konicës në Bruksel. Për ta Konica do të shkruante me entuziazëm tek “Albania: “Po ç’përkthim! Ç’gjuhë e fortë, e lidhur, nervoze dhe e gjallë. Literatura shqipe do të kishte arsye t’i mbante mëri kishës që na vodhi një shkronjë të lindur. Po, për fat të mirë, miku ynë duke hyrë në kishë, nuk doli nga letrat”.
Por zoti Minar e akuzon Nolin dhe në planin politik…
Kjo është e vërtetë. Madje, kjo është fusha ku zoti Minar si antikomunist shfren dufet e tij. Nuk ka dyshim se Noli ishte dhe mbeti tërë jetën një demokrat i majtë, por asnjëherë nuk qe komunist. Të qenit i majtë nuk e pengoi asnjëherë përkushtimin e tij si atdhetar. Përkundrazi, demokratizimi i Shqipërisë ishte ideali i tij i përjetshëm. Në qoftë se pati simpati dhe përshëndeti LANÇ-in dhe reformat që varrosën feudalizmin pas lufte në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se ishte komunist. Këtë nuk do t’ia falë zoti Minar. Dhe kjo është e drejta e tij. Por, pandershmëria e Minarit shfaqet qartazi kur ai fillon të trillojë, kur shpif pa prova të dokumentauara. Kështu, ai e akuzon Nolin se kur është kthyer në SHBA, në vitet ’30, është vënë në shërbim të konsullit italian në Boston. Ka marrë dhe para, me kusht që të heshtë për politikën italane në Shqipëri. Një pohim i tillë nuk është veçse një shpifje nga më të ulëtat e më absurdet, po ta njohësh nga afër jetën dhe veprimtarinë e Nolit atdhetar e demokrat.
Si është e mundur të thuhet kjo gjë, kur Noli ka qenë një nga udheheqësit e lëvizjes antifashiste evropiane, në krah të A. Ajnshtajnit e të H. Barbysit, me të cilët kishte drejtuar dy kongreset botërore kundër fashizmit dhe kishte shkruar një mal me publicistikë antifashiste, si është e mundur pra që një antifashist i këtyre përmasave të dorëzohej para një konsulli fashist për një grusht para?
Edhe më e ulët është shpifja tjetër e Minarit, kur e akuzon atë se ka qëndruar pasiv në ditët e para të pushtimit fashist të Shqipërisë. Dhe kush? Noli që pushtimin e atdheut të tij nga fashizmi e kishte parashikuar në mënyrë profetike që dhjetë vjet përpara me sa e sa artikuj e thirrje publike! E vërteta është se Noli u trondit aq shumë nga pushtimi i Shqipërisë, sa vendosi të rikthehet menjëherë në politikë. Më 8 prill 1939 ai i dërgoi një telegram proteste Lidhjes së Kombeve dhe qeverive amerikane, franceze e angleze. Pa u shpërndarë në dokumente dhe faktet të tjera, mjafton të përmendim fjalën që mbajti Noli fill pas pushtimit në kishën e Shëngjergjit, në Boston, ku lavdëron qëndrimin e shqiptarëve kundër fashistëve që “i treguan botës se italianët hynë në Shqipëri me forcë e duke derdhur gjak”. Me këtë rast, Noli e përshkruan situatën me nota sarkastike, kur thotë se” “Musolini është një bretkosë e fryrë në erë dhe kur shikohet në pasqyrë i duket vetja luan. Po sikur ta shpojë njeri me gjilpërë, i del era dhe mbetet prapë bretkosë”. Tani lind pyetja: Si mund të fliste kështu një rrogëtar i fashizmit, siç e quan zoti Minar, në një kohë kur fashizmi po i vinte zjarrin botës? Është e qartë se fanatizmi politik dhe mllefet e Minarit ndaj Nolit nuk marrin parasysh të vërtetën konkrete në kontekstin historiko-politik të kohës, por e zëvëndësojnë atë me sajime banale të neveritshme.
Atëherë ç’mund të na thoni për marrëdhëniet e ndërsjellta mes Nolit dhe Minarit?
Peter Minari njihet si një nga kundërshtarët e vjetër të Nolit për arsye që nuk e nderojnë, bile vënë në dyshim edhe patriotizmin e tij. Mjafton të përmendim ngjarjen e rëndë që ndodhi në fillim të viteve ’50, në komunitetin shqiptar ortodoks të SHBA-së, kur Patriarkana e Stambollit, duke përfituar nga rrethanat famëkeqe të makartizmit deshi ta hiqte qafe Nolin si kryepeshkop dhe të shkatërronte Kishën Ortodokse Shqiptare. Ajo dërgoi për ta zëvëndësuar peshkopin renegat M. Lipe dhe atëherë të gjithë shqiptarët patriotë u ngritën më këmbë kundër tij. Minari ishte nga të paktët që mori anën e të dërguarit grekoman dhe këtë e shpalli publikisht. Ai botoi në revistën “Cristian sciece monitor” artikullin “Kryepeshkopi i ri shqiptar” kundër Nolit dhe kishës së kryesuar prej tij. Noli, iu përgjigj menjëherë në të njëjtën revistë, me tone të forta kritike dhe zemërim, duke i quajtur të gjitha sa shkruante Minari “shpifje, akuza false, shtrembërime, akuza gjysmake etj”. Minari, jo vetëm që mori anën e peshkopit renegat, duke iu kundërvënë gjithë komunitetit shqiptar, por u përpoq tinëzisht të minojë pozitën qytetare të Nolit, duke e akuzuar për komunist në kohën e “gjuetisë së shtrigave” të Makartit. E, megjithatë, nuk ia arriti qëllimit. Autoriteti dhe emri i çmuar i Nolit do të sfidonin çdo lloj përpjekjeje liliputësh për ta njollosur e denigruar. Minari nuk do t’i harronte këto dhe sapo filluan proceset demokratike në Shqipëri, tentoi të hakmerret kundër tij, duke dërguar nga përtej Atlantikut përralla diskredituese në adresë të Nolit. Mendoj se nuk ia vlen të zgjatemi më tej, pasi, normalisht, Noli nuk ka nevojë për mbrojtje, aq më tepër kur sulmohet nga njerëz të dyshimtë për patriotizmin e moralin e tyre, aq më tepër kur këta fatkeqë nuk kanë as përgatitjen më elementare për të gjykuar mbi çështjet madhore që ngre trashëgimia e savantit shqiptar.
Si kanë reaguar shqiptarët e Amerikës ndaj mendimeve e gjykimeve të Minarit?
Sigurisht, nuk e kanë pritur mirë. Dhe me këtë kam parasysh rrethet intelektuale e patriotike, për të cilat Noli është shëmbëlltyrë e atdhetarizmit, e demokratit dhe e intelektualit. Këtë qëndrim e pasqyrojnë edhe dy letra të shkruara e të botuara nga dy personalitete. Njëra është e Anton Athanasit, biznesmen i njohur, dhe një figurë qëndrore e diasporës shqiptare në SHBA. Tjetra është e zonjës Sarah Panariti, gruaja e gazetarit dhe e patriotit Qerim Panariti, ish-profesoreshë në Harvard dhe mikeshë e Nolit.
Zoti Minar ju cilëson ju si një historian komunist. Cili është komenti juaj?
Nuk e di se çfarë ka parasysh zoti Minar me këtë cilësim, por nuk druhem të them se unë jam historian marksist, që do të thotë se mbështetem në parimet e materializmit historik dhe në metodologjinë shkencore të K. Marksit. Dhe kjo më nderon, jo vetëm se Marksi ka qenë dhe mbetet një nga filozofët e mëdhenj që me idetë e tij tronditi botën dhe i hapi shtigje të reja shoqërisë njerëzore, por dhe për faktin e njohur se shumë studiues amerikanë sot punojnë mbi bazën e metodologjisë së tij, duke përfshirë këtu dhe profesorë të Universitetit të Harvardit, që gjendet afër Bostonit, ku jeton zoti Minar.
Fan Stilian Noli, jeta e një njeriu të gjithanshëm
Të gjithë e njohin figurën dhe emrin e tij. Fan Noli ose, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Vendlindja, Ibrik-Tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18- vjeçare, ai u largua nga vendlindja. Më 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua për arte, kurse më pas, në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-Besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”, si dhe gazetën “Dielli”. Në jetën politike të Nolit është e rëndësishme shkëputja e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllim, më 1908 ai u dorëzua prift dhe, duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi, përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Pasi u vendos në SHBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe revolucioni francez” etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar. Ai vdiq më 13 mars 1965 në SHBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.