Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Shkreli përplaset me ministren Kumbaro

Para pak ditësh, Forumi i Trashëgimisë Kulturore kritikoi ashpër restaurimin e Kullës së Sahatit. Forumi, nëpërmjet një postimi në Facebook, akuzoi Ministrinë e Kulturës duke u shprehur se:

“Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e ‘restauruar’ e Kullës, është pjesa që u ngrit më 1928, domethënë gati 90- vjeçare. Pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vjet më parë me financimin e Ambasadës Amerikane, pa pasur asnjë nevojë, Kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike, duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot. Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Tani një Kullë plastike, me makiazh provincial si të vilave të milionerëve të Golemit dhe Gjirit të Lalëzit, u serviret shqiptareve si ‘ri-restaurim’. Para të shpërdoruara për të bërë një restaurim jo vetëm të panevojshëm, pasi Kulla ishte tashmë e restauruar sipas kritereve, por edhe të dëmshëm duke i dhënë asaj një imazh që nuk e ka pasur kurrë. Dikush duhet të përgjigjët… INSTITUTI ose MINISTRIA.”

Ndërkohë që sot erdhi përgjigja.

Instituti i Monumenteve të Kulturës reagoi në lidhje me akuzën e Forumit për Kullën e Sahatit duke sqaruar se:

“Projekti i ndërhyrjeve restaururese në objektin “Kulla e Sahatit në Tiranë”, monument kulture i kategorisë së I-rë, i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr. 181, datë 25.09.2015, parashikon një sërë ndërhyrjesh restauruese në këtë objekt dhe është mbështetur në projektin e restaurimit të realizuar sipas projektit të vitit 2009, miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr. 1, datë 27.03.2009.

Projekti i restaurimit të Kullës së Sahatit është hartuar nga IMK pas një analize të thellë të monumentit në bashkëpunim me specialistët e Bashkisë Tiranë, të ndërhyrjeve të bëra në të gjatë viteve dhe të problematikës aktuale.

Punimet po kryhen nga shoqëri e licencuar dhe mbikëqyren nga specialistë të IMK. Ftojmë të interesuarit të shfletojnë materialin e pasur pranë arkivës së IMK, ku vihet re qartë vijueshmëria e përdorimit të materialeve sipas projektit të parë të restaurimit të vitit 2009 kur është përdorur e njëjta bojë.

Boja e përdorur në rastin në fjalë është bojë akriliku me bazë kuarci e përshtatshme për aplikime në fasadat e jashtme. Kjo bojë siguron rezistencë të lartë kundër agjentëve atmosferikë si edhe ka veti të mira që garantojnë frymëmarrjen e fasadës. Kjo lloj boje është vërtetuar se ka aftësi shumë të mira konservuese për godinën ku aplikohet pasi ka përqindje të ulët përthithëse të lagështirës.”

Për të kuptuar më shumë rreth temave të tilla delikate që përbëjnë shqetësimin për kryeqytetin dhe kryeqytetarët, do të ishte më e udhës që debatet të bëheshin përballë dhe jo nën petkun e forumeve  që u kërkojnë llogari institucioneve.

Edhe pse për shumëkënd është e qartë që Forumi kundër Kullës, me fjalë të tjera është Shkreli kundër Kumbaros. Këshilltari i Kryeministrit Artan Shkreli vs Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro./opinion

Please follow and like us: