Librat e Kadaresë në një nga bibliotekat më të mëdha në botë
Shkrimtari, Ismail Kadare është ndër të vetmit autorë, librat e të cilit janë përkther në mbi 50 gjuhë të botës. Kadare numëron mbi 1301 botime dhe është një shkrimtar i njohur ndërkombëtarisht.
‘Akademia e Shkencave e Shqipërisë’ ka ndarë me ne lajmin, se librat e Ismail Kadaresë të përkthyera në mbi 50 gjuhë, mund të gjenden në bibliotekën madhështore të ‘El Ateneo Grand Splendid’.
Kjo bibliotekë ndodhet në Buenos Aires, në Argjentinë dhe ka spikatur si një nga libraritë më të mëdha dhe më të bukura në botë.
Ismail Kadare është shkrimtari më i vleresuar i të gjitha kohërave, në lëtërsinë shqipe dhe ka marrë disa vlerësime, veçanërisht në Francë, ku është dekoruar me disa çmime.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzabu Oe etj.
Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”.
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.
Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj në gjuhët amtare gjegjëse si Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix në frëngjisht, Piet de Moor në hollandisht, Peter Morgan në anglisht, Bernardo Joffily në portugalisht, Jose Carlos Rodrigo Breto në spanjisht, dhe Ece Dillioğlu në turqisht.
Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024.