Defterë nga Stambolli për pronat e shqiptarëve
57 regjistra osmanë që ofrojnë një informacion të dorës së parë për popullsinë, pronat dhe taksat në territoret shqiptare prej shek. XV-XIX kanë mbërritur në Arkivën e Shtetit. Edhe pse këta regjistra duhet të kalojnë fillimisht përmes një procesi tekniko-shkencor, mësohet se ata kanë një rëndësi të veçantë, pasi ofrojnë një informacion autentik për popullsinë, pronat dhe taksat në territoret shqiptare prej shek. XV-XIX. Regjistri i parë i këtij fondi i përket vitit 1431 dhe mendohet se ka informacion shumë të vlefshëm për konfigurimi e popullsisë dhe pasurisë së shqiptarëve.
Defterët osmanë janë dy llojesh, përmbledhës (ixhman) dhe të hollësishëm (mufasatë). Përmbledhësit shënojnë për çdo vendbanim numrin e shtëpive, zotëruesit e pronës, timar dhe sasinë e taksave, kurse të hollësishmit ofrojnë edhe lista të detajuara të taksave, emrat e kryefamiljarëve, të beqarëve dhe të të vejave, pasi të gjithë ishin subjekt i taksimit. Ardhja e këtyre regjistrave tyre do të shërbejë për qëllime studimore dhe historike.