Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Nëse doni të nderoni qëndresën, mos i vendosni grim torturës

Në këtë vend, të vërtetat nuk zhbëhen më me dhunë. Zhbëhen me projekte. Me leje të përkohshme. Edhe qëllime të mira po deshe. Por sidomos me papërgjegjshmëri institucionale.

Nuk di si mund të “stilohet” Spaçi me gëlqere si skenografi, kur në të është konsumuar akti më i pazëvendësueshëm i një tragjedie të vërtetë kombëtare.

Ministria e Kulturës deklaron se ndërhyrja në ish-burgun e Spaçit është “e përkohshme”, se është bërë për një film që synon të risjellë Revoltën e vitit 1973, se gjithçka është bërë me “përkushtim” dhe “dashuri për historinë”. Por qysh kur historia paska nevojë të suvatohet për t’u treguar me dashuri? Si ruhet e vërteta duke e maskuar?

Spaçi nuk është një set i pazhvilluar filmik, që pret regjinë ta bëjë kuptimplotë. Ai është vetë kuptimi. Muret e tij nuk janë sfond, janë brendí. Janë dëshmi e një epoke, që ende nuk ka kaluar në filtrin e drejtësisë.

Në kujtesën kolektive edhe çarja e një muri është dëshmi. Edhe hiri mbi hekurat e një dere ka statusin e provës.

Në Gjermani, kampet e përqendrimit nuk preken as me furçë e jo më me bojë. Në Poloni edhe për të xhiruar një film për Holokaustin përdoren imitime, jo ambientet origjinale.

Në Auschwitz nuk lejohet as të flasësh me zë të lartë. Në Buchenwald, çdo tullë ruhet si dëshmi.

Në Shqipëri, Spaçi lyhet. Me bojë të bardhë. Me gëlqere. Pa transparencë, heshtur, me “marrëveshje gojore” me kryeministrin, siç thotë regjisori i një filmi ambicioz artistik mbi revoltën e Spaçit të vitit 1973 . Dhe shteti justifikon. Madje cilëson Sanço Panço kë nga dhimbja fundore e shpirtit a formimi intelektual reagon.

Artisti mund të shpikë. Historiani mund të rindërtojë. Por shteti nuk ka të drejtë ta “lyejë” kujtesën.

Nëse qëllimi është të tregosh Revoltën e vitit 1973, ajo mund të xhirohet kudo. Në studio, në ambiente të ngjashme, me teknologji që sot riprodhon çdo gur, çdo hije, çdo qoshkëz.

Kjo nuk është çështje nëse filmi është i mirë apo i keq, i arrirë a i dobët. Sepse asnjë dyshim nuk kam në aftësitë e regjisorit e skenaristit, të talentuar, pesha të rënda të kulturës.

Kjo është një tjetër çështje: kush e kontrollon narrativën e së shkuarës në një vend pa drejtësi?

Spaçi nuk është hapësirë për të xhiruar. Nuk ka nevojë për regji. Ka nevojë për status. Për mbrojtje. Për muze. Dhe mbi të gjitha, për respekt. Dhe respekti nuk ndërtohet me bojë që do lahet pas xhirimeve. Respekti është të mos prekësh asgjë nga droja se mos zhduk edhe një gjurmë të vetme të së vërtetës.

Nëse ka një revoltë që sot duhet të dëshmohet, nuk është ajo filmike.

Është revoltë ndaj mënyrës si po menaxhohet kujtesa kombëtare.

Sepse një shtet që lyen Spaçin, ka humbur ndjeshmërinë për atë që ai përfaqëson: jo vetëm burgun fizik të disidentëve, por burgun e pazgjidhur të ndërgjegjes sonë kolektive.

Të lejosh ndërhyrje pa plan konservimi, pa dokumentim të çdo centimetri katror, pa një autoritet shkencor të pavarur, është jo thjesht papërgjegjshmëri, por abuzim me kujtesën.

Cila është garancia që nesër Spaçi nuk do përdoret për tjetër gjë? Për një serial? Një klip muzikor? Një fushatë marketingu?

Nëse e hap këtë derë sot, si do ta mbyllësh nesër?

Apo kujtesa kolektive është kthyer në pronë të përkohshme të çdo projekti me “marrëveshje gojore” nga Kryeministri? Që me trashëgiminë kulturore ka bërë gjynahe.

Spaçi ka nevojë për një muze, jo për suvatim. Në vend që të ndërtojmë një qendër kombëtare të dokumentimit të krimeve të komunizmit, ndërhyjmë në mënyrë spontane, pa transparencë, pa debat publik dhe pa ndjeshmërinë që i takon një vendi të tillë.

Nëse doni të nderoni qëndresën, mos i vendosni grim torturës.

Mos i jepni leje artit të bëjë atë që ende nuk ka guxuar ta bëjë drejtësia.