Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko, replikë me Fatos Tarifën: Feja në shkolla dhe gjuha e dhunës

 

 

Nga Sadik Bejko

Pas një prononcimi të kryeministrit Rama në favor të futjes së arsimimit fetar në shkollat tona të mesme, debati pro dhe kundër këtij mendimi ka vazhduar i ashpër në shtypin tonë. Ca ditë më parë (22 prill 2016) në gazetën “Mapo”, prof, Fatos Tarifa debatonte me një shkrimin tim në gazetën ‘DITA’ mbi këtë temë. Shija e keqe që ngjallin shkrimet e Z. Tarifa (ka publikuar tri shkrime të stërgjata mbi këtë temë), vjen nga përforcimi stilistik me theks përçmues, përjashtues për tjetrin. Z. Tarifa nuk ia përton të vërë në punë dhe një gjuhë të dhunës, si mjet për të imponuar me patjetër mendimin e vet. Të drejtën e qytetarisë të artikulohen sheshit e kanë të gjitha alternativat, jo vetëm mendimet e pinjollëve ideologjikë apo të trashëgimtarëve fantazma të ish-Institutit m-l të Komitetit Qendror.

Gabimi fillon që në shtrimin e problemit, pra, gabimet janë konceptuale në trajtimin e çështjes nga ana e zotit Tarifa. Nuk operohet më me tezat bardhë e zi si dikur. Në tekstet kur merrnim shkollim unë dhe zoti Tarifa, thuhej që këto apo ato janë forca reaksionare, këto të tjerat janë përparimtare. Feja është reaksionare, shkenca është përparimtare. Këta filozofë janë reaksionarë, këta janë shkrimtarë reaksionarë…etj. Filozofë e shkrimtarë të tillë nuk botoheshin. Kush gjente mundësi t’i lexonte, burgosej.

Feja, kisha shpalleshin e kundërta e progresit, armike të progresit, ishin dragoi, përbindshi në portat e progresit të shoqërisë. Për të mbështetur këto ide, nuk merren më citate nga Marksi dhe Lenini. Sot zoti Tarifa për kishën armike të progresit, për kishën dragua e përbindësh, thërret në ndihmë Bertrand Rasëllin e një radhë mendimtarësh majtistë të tjerë.

Pra, disa konceptime klishe të së shkuarës ngrenë krye te shkrimet e zotit Fatos. Besimtarët etiketohen si të indoktrinuar, fanatikë, me besime false, si njerëz që i ka lënë koha pas etj. Si njerëz që nuk janë në nivelin intelektual të modernitetit. Gati sa nuk thuhet se nuk janë njerëz. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Një të menduar i tillë mund të jetë shprehje e racizmit ndaj besimtarëve praktikantë.

Shumë njerëz të shquar në histori kanë qenë dhe janë edhe sot besimtarë. Ishin besimtarë praktikantë të devotshëm De Gasperi, themeluesi i republikës së sotme italiane, si edhe Adenaueri, dy nga etërit e Europës së Bashkuar krahas me Shtrausin, Çërçillin dhe De Golin. Për të mos thënë se një nga mendjet më gjeniale si Ajnshtajni ka thënë se “Shkenca pa fenë është e çalë, ndërsa feja pa shkencën është e verbër”.

Mesjeta ka qenë epokë e errësirës, e inkuizicionit (siç). Historiani i artit Ernst H. Gombrich, Kenneth Clark, Jacque le Goff etj., e hedhin poshtë këtë narativë mohuese të së majtës mbi Mesjetën. Në këto të quajtur shekuj të errët të Mesjetës qytetërimi i sotëm europian rilindi nga e para duke e rikrijuar në terren tjetër e në kontekst tjetër kohor idealin e klasicizmit greko-romak. Në këto vite mësimet e ungjinjve u pajtuan me filozofinë klasike greke prej mësuesve të kishës dhe kështu themeluan teologjinë si filozofi, si lëndë universitare…

Mesjeta lindi Universitetet. Filozofia e Mesjetës përfshinte filozofët muslimanë AlkindusAlfarabiAlhazenAvicennaAlgazel, AvempaceAbubacer dhe Averroes; filozofët hebrej Maimonides dhe Gersonides dhe filozofët e krishterë AnselmAugustini i Hippos, BoethiusPeter AbelardRoger BaconThomas AquinasDuns ScotusËilliam i Ockham-it dhe Jean Buridan.

Kundërvënia Rilindje-Mesjetë është e tepruar. Mesjeta e përgatiti Rilindjen. Prapë Kisha i paguante Mikelangelon për Kapelën Sistine, paguante Da Vinçin për “Darkën e fundit”, kryevepra të përbotshme me subjekt fetar, por konceptuar e pikturuar sipas filozofisë humaniste të Rilindjes. Është e vërtet se ka pasur inkuizicion. Kisha është një shfaqje e idesë së shenjtë në tokë. Porosia ka qenë: jepi Çezarit ç’i takon Çezarit, jepi zotit çka është e zotit. Kur kleriku ka dashur të jetë edhe Çezar, ka gabuar… kështu dhe kisha me inkuizicionin.

Fetarja dhe shekullarja nuk mund të jenë njëra djalli, tjetra engjëlli. Vrasje në histori janë bërë dhe për arsye laike, për dominim dhe pushtim, për nacionalizëm, për ideologji. Stalini në dy vjet në kohën e kolektivizmit vrau miliona kulakë. Inkuizicioni i kishës ka vrarë disa qindra mijë, dy luftërat botërore për shkaqe laike, shekullare, kanë bërë batërdinë. Revolucionarët me shtetet e tyre që nga revolucioni francez e deri te revolucionarët e shekullit XX kanë ushtruar terror shtetëror, dhunë revolucionare.

Nuk dua ta justifikoj të keqen. Fernard Brodel thotë se Krishtërimi me kryqëzatat dhe Islami me xhihadin para gjyqit të historisë duhet të bien në gjunjë si dy kriminelë të pranguar, të lidhur kurriz më kurriz. Vetë Mesjeta ka ditur të qortojë veten që me fablotë, anekdotat ku fshikulloheshin klerikët me vese. Dantja, ky “i fundmi i Mesjetës”, fut në Ferrin e tij klerikë, peshkopë e papë.

Këto kanë ndodhur dikur.

Kisha në Europë prej vitesh e vitesh është e ndarë nga shteti. Bashkësitë fetare ushtrojnë në bazë të ligjeve përkatëse jetën e tyre paqësisht, të papërzier me punët e shtetit. Papët sot flasin për paqe dhe paralajmërojnë njerëzit për rreziqet e mundshme. Papa Bergolio paralajmëron për një luftë të tretë. Kisha, feja kundër shkencës dhe progresit…, por sot nuk kemi dëgjuar ndonjë papë a patriark të ketë folur kundër zbulimeve në mjekësi, në informatikë, kundër studimeve e udhëtimeve në hapësirat ndërplanetare, kundër shkencëtarëve si Ajnshtajni…

Kundërvënia fe-shkencë që fillimisht ka ekzistuar, sot për sot përsëritet prej trushpëlarëve nga e djeshmja. Papa Vojtila i përshëndeti shkencëtarët dhe për lindjen e njeriut në epruvetë.

Nuk është e vërtet se njerëzit e rëndësishëm të fesë janë jashtë vëmendjeve të të rinjve të sotëm. Një kërkim ndërkombëtar i bërë prej Universiteteve Jacobs Bremen (Gjermani) dhe Victoria di Velington (Zelanda e Re) vuri shtatë mijë studentë në 37 vende që të gjykojnë për dhjetë figurat më të dashura të historisë së njerëzimit.

Në përfundim u vu re se katër ndër dhjetë  figurat më të dashura të historisë ishin fetarët Nënë Tereza, Martin Luter Kingu, Jezu Krishti, Buda dhe gjashtë të tjerët ishin laikët Ajnshtaini, Gandi, Linkolni, Njutoni, Edisoni, Mandela (gazeta ‘Shqip’ 25 prill 2016). Të sotmen duhet ta konceptojnë jo ndaras si mendjet e kalcifikuara bardhezi, por si një botë me trashëgimi të ndërthurur të laikes dhe të fetares. Nuk ka asnjë hendek të pakapërcyeshëm midis fetares dhe laikes në ditët e sotme.

Vërtet mund të ketë rënë numri i besimtarëve praktikantë, sipas Tarifës, po sipas prof. Kosta Barjabës besimtarët në botë janë miliarda (shih gazeta “Dita” 22 prill 2016)… Dhe sikur të jetë në rënie numri i besimtarëve në kohët moderne, siç thotë z.Tarifa, njeriu i sotëm i ka të depozituara në thellësitë e tij nënshtresat e mendimit dhe të sjelljeve fetare. Historiani i qytetërimeve Kenneth Clark thotë që edhe te ateistët është infiltruar fetarja, si një trashëgimi e shekujve.

Feja duhet dhënë në shkollë edhe sikur të mos jetë më asnjë institucion fetar në faqe të dheut. Ajo është në themel të tipareve të qytetërimeve që kanë egzistuar në lashtësi edhe të atyre që janë të gjalla sot. Duke ecur në këtë pikëpamje të vartësisë së plotë të qytetërimeve nga feja që i përcakton, Samuel Huntington shpiku teorinë e egzagjeruar të përplasjes së qytetërimeve.

Njeriu duhet t’i dijë tiparet e feve të ndryshme. I dituri di të veprojë e të zgjedhë me kokën e vet, jo të ecë si i verbër duke përsëritur mendime klishe mbi gjërat.

Shtampat e mësipërme, (edhe të tjera), të gdhendura në trurin e shumë njerëzve nga shkollimi i para 1990-ës, janë të vështira për t’u shkulur. Janë vërtet të ngulura thellë që kur i përsëritin dhe profesorë si z.Tarifa. Të jesh ‘reaksionar’, dmth konservator, sot nuk është aq e tmerrshme. Në Angli e në SHBA partitë konservatore janë të ligjshme, fitojnë zgjedhjet, qeverisin.

Ismail Kadare në librin “Mosmarrëveshja” shkruan: “Debati për mitin dhe çmitizimin… ka qenë ndër më të padenjët për nga çoroditja e tij”. Kadareja shton se në debate të tilla thyhet me qëllim kodi i komunikimit, duke i përdorur me qëllim të mbrapshtë termat. Kështu dhe me z. Tarifa fetarja trajtohet si dukuri negative, mësimet e saj si trillime me dragonj e përbindsha që do të në helmojnë nxënësit tanë dhe shekullarja si e kundëta e fetares, si shpëtimtarja.

Me përjashtime të disa periudhave të fillimit të mijëvjeçarit të parë, feja nuk është përzier në punët e shekullarëve. Dukuritë dalluese të qytetërimit perëndimor janë: katolicizmi, feudalizmi, rilindja, reformacioni, kolonializmi, iluminizmi, shteti-komb. Ky qytetërim ka prodhuar ideologji politike të tilla si: liberalizmi, socializmi, komunizmi, fashizmi, demokracia kristiane. Këto zhvillime nuk janë ndaluar nga dragoi fetar kishëtar, siç mendon z. Tarifa. Me ndonjë përjashtim, feja ka qenë jashtë këtyre zhvillimeve. Ajo ka ruajtur mëvetësinë, ka mbijetuar duke u përshtatur me kohët që vinin.

Harold Bloom, profesor i Yale University, librin e tij “Si të lexojmë dhe pse” (1999) e mbyll me një kapitull ka u referohet urtësive të rabinëve të Mishnas hebraike. Këtë libër ku merren në analizë disa nga librat më të mëdhenj të shekujve, libra në poezi, prozë dhe dramë, ai e mbyll me mendimin: “Traditat normative judaike, të krishtera, islamike dhe shekullare do t’u thonë se puna e Jehovait nuk duhet braktisur…”. ‘Puna e Jehovait’ është puna krijuese e shkrimtarit, poetit, dramaturgut. Pra, në të kundërt me z. Tarifa ky profesor i Yale University nuk i përjashton dhe më e rëndësishmja nuk i kundërvë me njëra-tjetrën traditat, ato janë të nevojshme edhe në kohët moderne, ato janë dhe plotësuese të njëra tjetrës.

Zoti Tarifa në tekstin e tij (gazeta ‘Mapo’, 22 prill 2016) me rreth pesë faqe A4 ka dhe një paragraf të gjerë ku sjell “të mirat” që kanë ardhur nga feja. Edhe kjo është çoroditëse. Në tre tekste të tij që janë fund e krye kundër dragoit fetar që i rri progresit te porta, thuhen edhe dy tri fjalë të mira për “armikun”.

Le të rrijë z. Tarifa te mendimi i vet sepse siç nënvizonte Ajnshtajni “është më e lehtë të thyesh një atom sesa një paragjykim”. Nuk mund t’ia marrësh për keq z. Tarifa a kujtdo qoftë punën në mbrojtje të pikëpamjeve të veta. Zoti Tarifa le të ketë cilindo mendim për laiken, për fetaren. E keqja vjen kur shtampat a klishetë nuk na lënë të shkojmë te gjykimi i kthjellët dhe kur thyhet kodi i komunikimit duke i përdorur mbrapsht me qëllim termat.

Please follow and like us: