“Mërzitje për vdekje”, Shqipëria e vitit 1989 në sytë e çiftit francez
Libri “Bulevardi Stalin nr. 57”, rrëfimi i çiftit francez në Shqipërinë e viteve ’82-’89, si pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Udhëtimi i Elisabeth dhe Jean Paul Champseix në Tiranë, kishte impresione tronditëse sa edhe ironike, siç është edhe kujtesa e mëposhtme për festimet 1 majit në Tiranë.
Mërzitje për vdekje
I gjithë trupi diplomatik mblidhet me rastin e 1 majit. Vitin e parë të qëndrimit tonë në Tiranë, ftesat zyrtare na mbërritën në Fakultet. Një koleg na çuditi kur na tha se do bënim mirë të niseshim një orë përpara parakalimit, megjithëse banonim vetëm dhjetë minuta larg në këmbë nga bulevardi. Qysh në agim, një autobus e bllokoi rrugën përpara pallatit tonë dhe këmbësorët bllokoheshin nga policët. Me ftesë në dorë, mundëm të kalojmë mes përmes sheshit qendror totalisht të shkretë, por nuk na u lejua të ecnim drejt për në bulevard. Na u desh kështu të ndiqnim një rrugë të tërthortë të vizatuar në ftesë, që e stërzgjati rrugën. Ftesën na e kontrolluan disa herë dhe na u deshën rreth 45 minuta ecje për të mbërritur deri në tribunë.
Parakalimi bëhet kryesisht për t’u filmuar. Kortezhi niset nga lart bulevardit, ecën me hap përpara tribunës dhe pasi ka kaluar më tej, radhët shpërbëhen fare. Nuk parakalon populli; janë nënshtetasit, të cilët duke parakaluar brohorasin për udhëheqësit e tyre. Qendra e tribunës ku janë vendosur udhëheqësit është më e lartë, krahu majtas i rezervohet trupit diplomatik, kurse djathtas “miqve” të Shqipërisë dhe shqiptarëve të dalluar. Turma e njerëzve përgjatë bulevardit kufizohet nga një gardh i ngushtë rojesh, që qëndrojnë krah më krah. Parakalimi ndjek gjithmonë të njëjtin rend. Një grup i përbërë nga të gjitha kategoritë: Veteranë, ushtarakë, fëmijë, gra, studentë pret mbërritjen e udhëheqësve, duke i përshëndetur me valëvitjen e luleve artificiale të kuqe. Hidhen parulla me zë të lartë, mbahet fjalimi zyrtar dhe nis parada. Atë e hapin një grup sportistësh me flamuj të kuq që mbajnë portretet e Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës në krahë. Pastaj vijnë minatorët, fshatarët e kooperativistët, ushtria me batalionet e grave, vithet dhe gjinjtë e lakuara të të cilave ndjekin ritmin e hapit ushtarak, e në fund, intelektualët. Fëmijët e mbyllin paradën duke lëshuar tullumbace: me këtë mbyllen festimet. Tre janë personat të cilëve u drejtohen brohoritjet: Dikur Enver Hoxhës, kurse tani Ramiz Alisë dhe dy lektorëve të frëngjishtes. Studentët tanë nuk harrojnë kurrë të na përshëndesin. Kulmi i shfaqjes, që e presim të gjithë me padurim është kur para nesh shfaqet parulla: “Imperializmi amerikan, sovjetik dhe kinez…”, me ç’rast, gjithmonë diplomatët e vendeve të lindjes dhe kinezët largohen nga tribuna. I ngarkuari me punë i Rumanisë, nganjëherë vetëm zbret disa këmbë shkallë, pret që banderola të kalojë dhe rikthehet sërish në vendin e tij. 1 maj 1989, një parullë e re e damkos edhe perestrojkën. Pas parakalimit nuk ndodh ndonjë gjë e veçantë e gëzueshme ose popullore: me kaq mbaron edhe “festa”.
Të huajt që qëndrojnë në Shqipëri dhe personat e rrallë që vijnë me shërbim, ankohen nga një ndjenjë e thellë mërzie. I huaji nuk ka me se të merret në Tiranë. Edhe ata më të dashurit, të paktë në numër, e kanë të vështirë të përzihen me shqiptarët në jetën e përditshme. Kafenetë dhe bufetë, pa asnjë zbukurim dhe jo fort të pastër, nuk të joshin fort pas xhamave të tyre të ftohtë. Pijet që shiten aty janë shumë të kufizuara dhe të vendit. Gjella më e përhapur është një lloj jahnie, që nuk të tërheq aspak nga pamja. Jo se i huaji që hyn aty nuk pritet mirë, jo, vetëm se të gjitha vështrimet mbërthehen mbi të dhe duket sikur e pyesin: “Çfarë kërkon ky këtu?”. Personeli nganjëherë ka turp se mendon që prodhimet që ofrohen nuk janë të “denja” për udhëtarin e huaj. Më pati ndodhur një herë në një kafene të Tiranës, që kamerierja vendosi në vendin tim se rakia që kisha porositur nuk ishte e mirë dhe më shërbeu… një birrë. Restorantet nuk kanë shumë ç’të propozojnë por megjithatë, kamerierët përpiqen me sa e kanë të mundur ta kënaqin udhëtarin e huaj.
Sallat e kinemave, të lashta, me kolltukët prej dërrase që kërcëllijnë, shfaqin filma shqiptarë ose ose, filma të huaj të vjetër. Në orën dhjetë të mbrëmjes, Tirana është e shkretë…
Të huajt jetojnë larg shoqërisë shqiptare jo vetëm për shkak të mjerimit, skamjes kulturore dhe kontrollit policor, por edhe sepse kur ata shfaqen në rrugë, kjo shkakton tollovi. I huaji këqyret, vëzhgohet, ai nuk mund të bëjë asnjë hap ose gjest pa u ndjekur me sy. Çdo i huaj e ndjen veten se është krejt i ndryshëm. Po nuk e fole gjuhën, dhe shumica e të huajve nuk e flasin shqipen, ndjesia e të qenit i huaj mund të të bëhet e padurueshme. Shumë syresh e injorojnë me vetëdije të plotë shoqërinë vendëse dhe, për shembull, gratë e tyre nuk dalin fare nga shtëpia.
Jeta shoqërore e të huajve përqendrohet në dy vende të rezervuara enkas për ta. Njeri prej tyre është Dajti, hoteli më me emër i Shqipërisë, me një magji të akullt dhe akademike.
Aty pranohen vetëm shqiptarët e rangut të lartë dhe shoqëruesit e delegacioneve të huaja. Restoranti nuk ka pësuar asnjë ndryshim pozitiv në gjashtë vjet, megjithëse nganjëherë gjendet peshk ose bretkosa. Gjellët janë shpesh të ftohta dhe shërbimi i stërzgjatur dhe qesharak. Për shembull, një ditë që po i gëzohesha një pjate me kallamarë, kamerieri ma rrëmbeu nga dora sepse më kishin servirur gabimisht dy porcione. Pa një pa dy, e kaloi gjysmën në pjatën bosh të Elizabetës dhe ma ktheu pjatën time mbrapsht!
Godina është sidomos tërheqëse për katin nën tokë… për të huajt dekadentë, shqiptarët kanë krijuar një dabëllhane. Në këtë klub nate, të pagëzuar me eufemizëm “taverna”, luan një orkestër, shumica e muzikantëve të të cilës janë ciganë – uf, nderi i shqiptarëve qëndron lart! – orkestra pra luan me pikatore muzikë të ndaluar. Pjesë nga Xho Daseni dhe Bitëllsat ushtrojnë ndikimin e tyre të dëmshëm mbi një grup të kufizuar njerëzish. Të huajt e ambasadave vijnë të mbysin vetminë, kurse beqarët të zbusin instinktet e tyre në alkoolet kapitaliste. Subjektet e bisedave të këtyre elitave që vuajnë janë dy: Shqipëria dhe femrat. Shqipëria është një subjekt larjesh hesapi dhe aty përfaqësuesit e vendeve të lindjes janë më të dhunshmit. Këta e urrejnë Shqipërinë sepse u kujton pamjen e tyre të mëparshme: vende staliniste mbushur me mjerim dhe autoritarizëm. Nga ana tjetër, Shqipëria e vogël, të cilën ata e quajnë primitive dhe madje “prehistorike”, ka guxuar të bëjë atë që gjithsecili prej tyre e ka uruar ta bëjë vetë një ditë: të dëbojë rusët. Varfëria e Shqipërisë, me të cilën tallen haptazi e me përbuzje është padyshim rezultati i një pavarësie totale të saj ndaj Moskës. Duke folur kështu, mendojnë se tërheqin simpatinë e perëndimorëve. Sepse pas një farë kohe, ankesat dhe pija krijojnë një farë solidariteti, hapen zemrat, hapet dhe thesi: “Oooo, e dini se çfarë na kanë bërë prapë shqiptarët?…”
Gratë e huaja nuk janë të shumta në Tiranë, dhe me sa dimë ne asnjëra nuk është “e lirë”. Gratë e diplomatëve arabë dhe turq nuk dalin fare jashtë. Kështu që pështjellimi bëhet i prekshëm kur gjatë gjithë mbrëmjes as edhe një grua për be, qoftë edhe në krah të burrit, nuk shfaqet për ta ndriçuar të huajin e vetmuar në tavernën e zymtë. Atëherë taverna kthehet në një fortifikatë, ku shakatë pa kripë kompensojnë frustrimin e dhimbshëm. Loja më mizore është të pish një gotë me gruan, kur je i rrethuar nga meshkuj të vetmuar. Cilado qoftë bukuria e saj, të gjitha vështrimet e burrave përqendrohen aty dhe burri në fjalë, e ndien veten për një çast, si majmuni që është duke dominuar një grup antropoidësh.