Shakespeare dhe Cervantes jemi ne
Salman Rushdie: Cervantes dhe Shakespeare refuzojnë të bëjnë moral, dhe pikërisht në këtë aspekt janë shumë më modernë nga ata që erdhën pas tyre.
SALMAN RUSHDIE
Ndërsa shënohet 400 vjetori i vdekjes së William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes Saavedra, mund të jetë me vlerë të vihet në dukje se të dy gjigantët e letërsisë vdiqën në të njëjtën datë, 23 prill, 1616, por jo në të njëjtën ditë.
Në vitin 1616, Spanja kishte adaptuar Kalendarin Gregorian, ndërsa Anglia përdorte ende Kalendarin Julian, prandaj ishte 11 ditë prapa. (Ishullorët i mbetën besnikë sistemit të vjetër kalendarik deri në vitin 1752, dhe kur më në fund u ndryshua pati protesta, ku thuhet se turma të mëdha njerëzish bërtisnin nëpër rrugë: “Na ktheni 11 ditët tona”.) Rastësia e datave dhe diferenca e kalendarëve do të kishte kënaqur, dyshojmë ne, ndjeshmërinë gazmore dhe erudite të këtyre dy etërve të letërsisë moderne.
Ne nuk e dimë nëse ata kishin informacion për njëri-tjetrin, por kishin ndërkohë shumë gjëra të përbashkëta, duke filluar nga ajo e “nuk e dimë”, sepse janë dy personazhe misterioze, dhe në biografitë e tyre ka vite që mungojnë, dhe më domethënëse akoma, mungojnë dokumente. Asnjë nga të dy nuk ka lënë shumë materiale personale. Pak apo asgjë për sa u përket letrave, ditarëve, projekteve të braktisura: vetëm veprat e mëdha të përfunduara. Pasoja është se të dy kanë rënë viktimë e llojit të teorive idiote, të cilat kërkojnë të vënë në dyshim aftësinë e veprave të tyre.
Për shembull, një kontroll i përciptë në internet “zbulon”, se jo vetëm kryeveprat e Shakespeare, por edhe Don Kishoti është shkruar në fakt nga Francis Bacon. (Më e preferuara në mesin e teorive të çmendura për Shakespeare, është se veprat e tij nuk janë shkruar nga ai vetë, por nga dikush tjetër me të njëjtin emër). Dhe, sigurisht ne e dimë se autorësia e veprave të Cervantes ishte kundërshtuar qëkur ai qe gjallë, kur dikush me një identitet të paqartë shkroi nën një pseudonim të qartë – Alonso Fernández de Avellaneda – një vepër të falsifikuar e Don Kishotit, çka nxiti Cervantes të shkruante vëllimin e dytë, në të cilën personazhet e dinë për plagjiaturën e Avellaneda dhe e shohin atë me përbuzje.
Cervantes dhe Shakespeare thuajse me siguri nuk janë takuar kurrë mes tyre, por sa më kujdes që të lexohen faqet që ata na kanë lënë, aq më shumë gjurmë të përbashkëta perceptohen. Ideja e parë e përbashkët (dhe sipas mendimit tim më e vlefshmja) është bindja se një vepër e letërsisë nuk duhet të jetë komike ose tragjike, romantike ose politiko-historike: nëse shkruhet mirë, mund të jetë shumë gjëra në të njëjtën kohë.
Shohim skenat fillestare te Hamleti. Skena e parë e aktit të parë është një histori fantazmash: “A nuk është diçka më shumë sesa një fantazi?”. Bernardo pyet Horacin dhe natyrisht që drama është shumë më tepër se aq. Skena e dytë paraqet intrigën në oborrin e Elsinorit: princi erudit i tërbuar, nëna e tij, prej pak kohësh e ve, e martuar me xhaxhain e tij. Pastaj, mbërrin skena e tretë, ku gjejmë Ofelinë që flet për babanë e saj mosbesues Polonin, në fillim të asaj që do të bëhet një histori e trishtë dashurie. Kalojmë pastaj në skenën e katërt, dhe kemi sërish një histori fantazmash, dhe ka diçka të kalbur në Danimarkë.
Gradualisht, vepra vazhdon të transformohet, duke u bërë hera-herës një histori vetëvrasjeje, një histori vrasjeje, një komplot politik dhe tragjedi hakmarrjeje. Mbart momente komike dhe është një komedi brenda komedisë. Ajo përmban edhe disa nga pjesët më të mira të poezisë të shkruara ndonjëherë në gjuhën angleze, dhe përfundon në një serë banjash melodramatike gjaku.
Kjo është ajo që Bardi na ka lënë trashëgim ne të tjerëve që erdhëm më vonë, vetëdijen se një vepër mund të e gjitha bashkëkohore. Tradita franceze e ndan tragjedinë (Racine) nga komedia (Moliere). Shakespeare përzien gjithçka bashkë, dhe të njëjtën gjë, falë tij, mund ta bëjmë edhe ne.
Në një ese të famshme, Milan Kundera shprehet mes tjerash se romani ka dy prindër, “Clarissa” nga Samuel Richardson dhe “Tristram Shandy” nga Laurence Sterne: por, të dyja këto tregime voluminoze dhe enciklopedike tregojnë ndikimin e Cervantes. Xhaxha Toby dhe Kaporali Trim i Sterne janë modeluar hapur sipas Don Kishotit dhe Sanço Pançës, dhe realizmi i Richardson është fuqimisht borxhli ndaj stilit të aplikuar nga Cervantes në traditën letrare mesjetare. Në kryeveprën e tij, ashtu si në veprën e Shakespeare, dhimbjet bashkë-ekzistojnë me fisnikërinë, patosi dhe emocioni me imoralitetin dhe kuptimin e dyfishtë, duke kulmuar në një moment, pafundësisht prekës, në të cilën mbizotëron bota e vërtetë dhe Kalorësi Fytyrëvrarë e pranon se është një plak i çmendur dhe qesharak.
Si Shakespeare dhe Cervantes janë shkrimtarë të vetëdijshëm, modernë në një mënyrë që shumica e mjeshtërve modernë do ta vinte re: ajo që krijon vepra teatrale është fuqimisht e vetëdijshme për teatralitetin dhe natyrën e tyre fantaziose. Dhe të dy janë vëzhgues besnikë, dhe njohës të thellë, si te jeta e mjerueshme po aq edhe ajo e idealeve të larta. Është ky prozaizëm që zbulon natyrën e tyre prej realisti, edhe kur sillen si shkrimtarë të fantastikës: edhe këtu, ne që erdhëm më vonë, mund të mësojmë prej tyre, që magjia ka kuptim vetëm kur vendoset në shërbim të realizmit (ka pasur ndonjëherë një magjistar më realist se Prospero?) dhe realizmi ka gjithçka për të fituar nga doza të mëdha fantazie.
Në fund, të dy refuzojnë të bëjnë moral, dhe pikërisht në këtë aspekt janë shumë më modernë nga ata që erdhën pas tyre. Nga të dy, Cervantes ishte një njeri i veprimit, që luftoi në betejë, mbeti i plagosur rëndë, humbi përdorimin e dorës së majtë, u bë skllav për 5 vjet nga piratët algjerianë, derisa familja e tij arriti të mbledhë paratë e mjaftueshme për shpërblimin.
Shakespeare nuk pati asnjë dramë të tillë në përvojën e tij personale, e megjithatë nga ata të dy, duket më i interesuar të shkruajë lidhur me luftërat dhe ushtarët: Otello, Makbeth, janë historitë e njerëzve në luftë. Çuditërisht, ishte luftëtari spanjoll ai që shkroi për kotësinë komike të luftës, duke krijuar figurën dhe portretin e luftëtarit qesharak.
Në dallimet mes tyre, Cervantes dhe Shakespeare mishërojnë dy të kundërta shumë bashkëkohore, ashtu siç te ngjashmëritë e tyre përputhen shumë gjëra që sot janë të dobishme për trashëgimtarët e tyre.
(Marrë nga Bota.al)
– See more at: http://politiko.net/shakespeare-dhe-cervantes-jemi-ne/#sthash.ei4OMwxA.dpuf