Tradhëtia, mashtrimi dhe pandershmëria e politikanëve shqipfolës
Tradhëtia, mashtrimi dhe pandershmëria e politikanëve shqipfolës
Ne i zgjedhin politikanët tanë që ata të zgjidhin çështje të rëndësishme sociale- shoqërore në të mirë të të gjithëve, jo për të keqpërdorur detyrën në avantazhin e tyre
Shkruan Av Edmond Petraj
Pse është ky emërtim që u përshtatet partive politike? Sidomos të shumicës prej tyre. Pse një premtim politik, që shpesh paraqitet si dhjam i zgjedhjeve në kohën e betejave kur ekzistenca është e varur në telat e hollë, është i besueshëm dhe i vërtetë vetëm aq kohë sa është politikisht i përshtatshëm? Pse të mos dënohet partia kur premtimet politike janë thyer dhe është zbuluar se në të vërtetë premtimi u bë vetëm për të arritur një fitim privat? Pse i pranojmë sjelljet e tyre të pista si metodat e kësaj bote në jetën politike?! Përse nuk i marrim në përgjegjësi për lojën e fëlliqtë që e praktikojnë në raport me të vërtetën?! Gënjeshtrat dhe mbulimi i tyre gjithmonë do të helmojnë një mjedis, dhe një shoqëri nuk ka një zonë tjetër më të rëndësishme prej së cilës duhet të mbrohet se sa prej pabesisë së qeveritarëve, politikanëve dhe zyrtarëve të vetë. Ne i zgjedhin politikanët tanë që ata të zgjidhin çështje të rëndësishme sociale-shoqërore në të mirë të të gjithëve, jo për të keqpërdorur detyrën në avantazhin e tyre. Është mjaft e qartë se ata përdorin besnikërinë partiake dhe naivitetin e popullatës për përfitime private
^ ^ ^
Fatkeqësisht, sot, shoqëria e jonë është mbushur me gënjeshtra dhe atë mund ta hasësh kudo dhe në çdo pore të jetës sonë shoqërore, e veçanërisht në politikë. Ndaj, jo rastësisht, profesioni më i kërkuar, më i preferuar dhe më profitabil te ne, pa dyshim se duhet të jetë ai i politikanit. Pse jo? Këtu mund të bëhesh politikan i karrierës edhe nëse nuk ke aq shumë dije dhe nivel të lartë intelektual. Mjafton të jesh i dëgjueshëm dhe gjithmonë servil; të kesh prirje t’i trillosh mirë gënjeshtrat dhe ato t’u përshtatësh nevojave ditore duke besuar edhe vetë në vërtetësinë e tyre (vetë të gënjesh dhe vetë kujtosh se është përnjëmend). Më pas, edhe kur gënjeshtra të zbulohet, e që dikur patjetër do të zbulohet, nuk ka problem. E aplikon teknikën e largimit të vëmendjes së opinionit kah diçka tjetër e parëndësishme. Në këtë drejtim të shërbejnë mirë edhe mediat tona në dispozicion, e posaçërisht ato elektronike, të cilat pandërprerë do të transmetojnë lajme optimiste se kinse gjendja te ne është shumë e mirë, prandaj aspak nuk ka vend për panik dhe shqetësim (gënjeshtra të veshura me teshat e së vërtetës). Ato aq e paraqesin realitetin tonë “lule – dritë”, sa që, automatikisht të gjithë fillojmë t’ju besojmë. Pastaj, mos të harrojmë se aty kemi edhe muzikë, sport, filma, telenovela… që me dashje, apo pa dashje, na përqendron kahen e vëmendjes sonë kah bota e iluzioneve të pafundme të fantazisë kreative joreale