Duhet reformë për kreditimin dhe borxhet
- Sekretari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, analizon ecurinë e kreditimit dhe investimeve
- Norma e interesit është ulur në nivelin rekord 1.25 për qind. Një paketë e re për uljen e kredive të këqija tashmë është gati për në parlament
Nga Neritan Gjergo
Ulja e normës së interesit në kushtet kur ekonomia shqiptare po ecën me një trend rritës, është një përpjekje e Bankës Qendrore që i paraprin një skenari të mundshëm për kalimin në deflacion. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, analizon në intervistë për “Shekulli”-n efektet që do të pasojnë këtë vendimmarrje. Ai shprehet se për të nxitur kreditimin, nuk është e mjaftueshme vetëm norma bazë, por edhe mekanizma të tjerë, të cilat ende nuk janë ligjëruar, e që shumë shpejt do të shkojnë në parlament falë sugjerimeve të Shoqatës së Bankave dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Z. Brumbulli, Banka e Shqipërisë ka marrë një vendim surprizë ditët e fundit për uljen e normës së interesit në nivele historike, në një periudhë shumë të shkurtër nga vendimmarrja e fundit. Si duhet lexuar ky vendim i Bankës për ecurinë e mëtejshme të ekonomisë dhe efektet që do të dalin për kreditimin?
Në pyetjen tuaj ka dy momente. I pari, evidentohet fakti se jemi në nivelin më të ulët të normës bazë, dhe i dyti, në një periudhë shumë të shkurtër (brenda dy muajve) ulet sërish norma bazë. Po të shohim statistikat, sidomos pas vitit 2008, kur fillojnë uljet e normës së interesit, kemi të bëjmë me disa shifra interesante. Që nga janari 2009, kur kanë filluar për herë të parë pas krizës të bëhet ulja e normës bazë nga madhësia 6.25 që ishte në dhjetor 2008, janë 20 ndryshime,me gjithë vendimmarrjen e fundit. Nga këto 20 ndryshime vetëm njëra ka qenë në rritje, kurse 19 të tjerat kanë qenë në ulje. Për herë të dytë në këto 8 vite, Banka e Shqipërisë ul normën bazë në dy muaj radhazi. Ka ndodhur në nëntor-dhjetor 2013 dhe tani prill-maj 2016. Po të shohim shpërndarjen në vite, vetëm në vitin 2013 janë 4 ulje të normës bazë.
Kjo është ajo që ka ndodhur në vite, pra Banka e Shqipërisë, si autoriteti përgjegjës i politikës monetare ka reaguar për lehtësimin e kushteve monetare, nga pikëpamja e ofrimit të nxitjes dhe stimulimit të kreditimit në ekonomi, për të përshpejtuar rritjen ekonomike të vendit, edhe pse trendi i saj që nga viti 2013 është trend rritës. Këto ndryshime kanë ndodhur në vite dhe tani ne jemi në një moment që, edhe pse rritja ekonomike ka trend rritës, Banka e Shqipërisë gjykon se kjo rritje nuk arrin dot të stimulojë, të vërë në lëvizje gjithë motorët e ekonomisë dhe ajo vijon të ulë normën, ndoshta edhe duke i paraprirë një skenari të kalimit në deflacion. Pra, jemi në dy prirje; 1. rritje ekonomike nga njëri vit në tjetrin nëpërmjet investimeve publike dhe politikave fiskale brenda hapësirave fiskale; 2. ulje e normës bazë nga një vit në tjetrin duke synuar stabilitet të çmimeve dhe nxitje të konsumit.
Por, a jemi në kushtet optimale, kur ulja e normës së interesit do të sjellë këtë efekt?
Ne jemi mësuar tashmë me faktin që ulja e normës bazë nuk pasqyrohet menjëherë në të gjithë aktivitetin e vendit dhe në të gjitha produktet. Te ne nuk funksionojnë tregjet e kapitalit në mënyrë të sofistikuar, që këto të japin menjëherë ndikimin e vet. Është bërë traditë të thuhet se, sa herë ulet norma bazë, efekti i parë evidentohet në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë (bonot e thesarit, obligacionet). Në kushtet e depozitave dhe kredive, procesi është më i ngadaltë. Kjo edhe për faktin se madhësia 0.25 % është e vogël, e papërfillshme në raportet kur flasim që një normë mesatare e kredisë është 7.0 – 7.5 %. Por ka edhe një moment tjetër. Mendoj se kemi arritur në nivelet më të ulëta të përdorimit të këtij instrumenti për të nxitur ekonominë dhe tani ka mbetur të shkohet drejt zeros. A do të ndodhë? Për këtë vit Guvernatori e la të hapur mundësinë e ndryshimeve të tjera.
A do të ndihen efektet e para në çmimin e interesave të kredive dhe depozitave?
Nga pikëpamja e kredisë mund të shohim ndonjë ulje, por hapësira për ulje sa vjen e ngushtohet, sepse, sado që të ndikojmë me normën bazë, problem është risku i vendit. Ne konsiderohemi ende me risk të lartë, që përkthehet në financë, çmim i lartë. Në huadhënie, norma bazë nuk barazohet me normën e kthimit dhe nuk mbulon bankat nga të gjitha risqet. Bankat kanë risqe të tjera, përveç kostos së parasë. Për shembull, për një kredi të pakthyer është shumë e vështirë të ekzekutohet kolaterali, të ndiqen proceset në gjyqësor, dhe, në këto kushte, siguria e portofolit përkeqësohet dhe bankat duhet të futin kapital shtesë. Prandaj risku i vendit nuk ka ku të ulet më. Dhe do të jetë pikërisht ky risk që do të kushtëzojë uljen e mëtejshme të normave të interesit për huadhënie. Përveç instrumentit të politikës monetare, që të ketë efekt në kredidhënie, ne duhet të bëjmë reformën tjetër, pra duhet të ndryshojmë disa rregulla që janë të kuadrit ligjor.
Përpos treguesit të normës bazë, a mund të futen në veprim mekanizma të tjerë që e “shpërfillin” kredinë problematike dhe bëhen garante për kredi të kthyeshme?
Shoqata Shqiptare e Bankave, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë, kanë bashkëpunuar shumë, madje kanë përgatitur edhe një paketë ndryshimesh ligjore, duke përfshirë Kodin Civil dhe Kodin e Procedurave Civile. Shpresojmë që shumë shpejt kjo paketë të shkojë në Parlament për të bërë të mundura këto ndryshime, të cilat ndikojnë në mirë funksionimin e disa mekanizmave të tjerë shumë të rëndësishëm të tregut. Pra, ky i fundit duhet të funksionojë jo vetëm si tregues në normën e interesit, por edhe në mekanizmat e tjerë që e bëjnë kredinë vërtet të kthyeshme, të kompensueshme. Pra, banka mund të marrë riskun që të japë një kredi, por duhet të sigurohet që në rast se ajo dështon, të kompensohet, qoftë dhe për kolateralin. Dhe ky është problem më i madh që kemi ne për të ulur kreditë e këqija.
Kursimet pa leverdi, ku po zhvendosen paratë
Treguesit e konsumit flasin për tkurrje të tij në familjet shqiptare, të cilat japin arsyet për prirjet e tyre frenuese…
Ne shikojmë që ulja e normës bazë po na i bën të paleverdishme kursimet. Dhe kjo është e qëllimshme, sepse, në kushtet kur rritja ekonomike nuk është ajo e dëshiruara, pra, nuk ka hapin që kërkon ekonomia jonë, ne na duhet një ritëm tjetër. Në këto kushte, duhet të rritet konsumi e pjesëmarrja e njerëzve nëpërmjet kontributit të drejtpërdrejtë: o të konsumojnë, o të investojnë. Me normat aktuale, midis 0 dhe 1 për qind, depozitat janë të paleverdishme. Ne vëmë ré një prirje që individët po zhvendosin kursimet e tyre nga depozitat në letrat me vlerë të qeverisë, ku këto të fundit ofrojnë një normë kthimi më të lartë.
A mbetet kjo zgjidhja?
Nuk është zgjidhje, sepse sasia e letrave me vlerë është e kufizuar dhe nuk mund të plotësojë dot kërkesat e të gjithëve. Ajo është e kufizuar edhe për faktin se jo 100 % u jepen individëve; janë dhe bankat e institucione të tjera financiare që marrin pjesë në ankande, por mund të ketë një prirje tjetër, që individët të blejnë nga bankat dhe mund të zhvillojnë në këtë mënyrë tregun sekondar. Pra, nuk mund të blihen vetëm në tregun primar, në ankandin e drejtpërdrejtë, por një individ që ka kursime dhe kërkon një normë kthimi më të lartë, mund të afrohet pranë sporteleve të bankave dhe mund të blejë nga portofoli i tyre të njëjtat letra me vlerë, por, sigurisht, me një kosto në normën e dhënshmërisë (yield-it) për shkak të uljes së normës bazë. Individët janë kursimtarët më të mëdhenj te ne.
Prandaj aktualisht Banka e Shqipërisë është e prirur për të nxitur njerëzit jo drejt kursimit, por drejt investimit, drejt konsumit, në mënyrë që ekonomia të marrë vrull. Sa nxit kjo politikë? Sipas të dhënave që jepen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ne kemi një përqendrim të kursimeve te një grup i vogël njerëzish, dhe niveli i pagave nuk është i tillë që të jep mundësinë edhe të konsumosh, edhe të kursesh. Është vetëm një grup i vogël njerëzish që me të ardhurat mujore që ka, i bën të dyja. Pra, nga pikëpamja e të ardhurave, masa e gjerë nuk ka shumë mundësi kursimi. Po të shtojmë këtu edhe rënien e remitancave, një burim që krijonte mundësi kursimi për njerëzit, grupi i njerëzve potencialisht i aftë për të kursyer mbetet jo dominues. Por njerëzit janë të prirur të kursejnë, për shumë arsye, për momente nga më të ndryshmet në jetë. Kursimet asnjëherë nuk do të bëhen zero, kjo është normale. Midis një madhësie të domosdoshme kursimesh për një “ditë jo të mirë” dhe mungesës së incentivës për të kursyer për të fituar, Banka e Shqipërisë ul normën e interesit që individët të konsumojnë më shumë.
Nga ana tjetër, bizneset janë në krahun e nevojës për financim, jo të ofertës për para. Por, edhe kërkesat e tyre për financim vëmë re që janë tkurrur. Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se kredia për bizneset e mëdha është në rënie. Ka një rritje të vogël te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Edhe kredia për individët është në rënie. Këto të dhëna të tremujorit të parë ndoshta janë për shkak të efektit sezonal, sepse fillimi i vitit (bizneset bëjnë bilance, shohin rezultatin, paraqesin projekte) dhe pjesa e mbetur e vitit do të vërtetojë nëse vërtet kjo kërkesë është në rënie apo është fazë e përgatitjes. Kurse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë më fleksibël. Këto janë prirjet e momentit, por tashmë, prej disa vitesh, ka një ngërç në kërkesën e kredisë.
Kush janë përgjegjësit për ngërçin e krijuar në kreditim dhe cilat kategori po stimulohen të parat që problemi të nisë të marrë zgjidhje?
Shpesh perceptohet sikur janë bankat që e kanë shtrënguar kredinë, por në fakt ato janë në të njëjtin pozicion. Për fat të mirë, industria jonë bankare ka dy tregues që qetësojnë opinionin dhe rrisin tregueshmërinë e stabilitetit. Ato janë treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit dhe likuiditeti. Pra, në këto kushte, bankat janë të gatshme të japin kredi, por çështja mbetet se çfarë kredie do japin. Po konstatojmë që po vuajmë nga numri i projekteve. Kërkesat janë të vogla, shumat e vogla, më pak kredi për shtëpi, ka një kërkesë të vogël, por këto mbeten ende të pakta. Ndërmarrjet e mëdha që bëjnë investime të mëdha dhe kërkojnë shuma të mëdha, ende nuk kanë projekte të pranueshme për financim. Ulja e normës jep një nxitje pozitive ndaj këtyre projekteve, sepse, në kushtet kur norma bazë është e lartë, projektet mund të dilnin negative; tani që ulet norma bazë, mund të risillen në vëmendje këto projekte dhe të rezultojnë të leverdishme. Pra, ulja e normës bazë mund të ofrojë një favor për biznesin e madh.
Pronat në kolateral, bankat të bëjnë planet
Rreziqet që vijnë nga mosshitja e kolateraleve hipotekore, të lidhura me kreditë e pakthyera, ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të urdhërojë bankat e nivelit të dytë, që të ngrenë struktura të posaçme për menaxhimin e pasurive të paluajtshme të lëna si garanci bankare. Banka e Shqipërisë ka ndryshuar rregulloren për administrimin e rrezikut të kredive, ku ndër të tjera përcaktohet se, bankat duhet të trajtojnë çështjen e pasurive të marra nga kolateralet me njerëz të specializuar brenda stafeve të tyre. Po ashtu kërkohet hartimi i planeve dhe strategjive të brendshme. Ndryshimet në rregullore kanë ardhur si rezultat i shtimit të vlerës së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që bankat po mbajnë në bilance, pasi ato nuk janë shitur dot në ankandet ligjore, pjesë e procesit të ekzekutimit të kolateralit, organizuar nga zyrat e Përmbarimit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2015, vlera e pasurive të paluajtshme në bilancet e bankave kishte arritur në 22 miliardë lekë. Rregullorja e ndryshuar e Bankës së Shqipërisë u lejon bankave t’i mbajnë ato në bilance deri në 7 vite, por duke llogaritur fonde rezervë mbështetur në vlerën kontabël të këtyre pasurive. Pjesa dërrmuese e këtyre pasurive janë ndërtesa, kryesisht pallate të reja të përfunduara ose jo, si dhe troje. Në raportin e stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e dytë 2015, rritja e shpejtë e pronave në bilancet e bankave është klasifikuar nga Banka e Shqipërisë si një ndër rreziqet në rritje, që bankat duhet të mbajnë nën kontroll.