Albspirit

Media/News/Publishing

Europa e Françeskut

Europa e Françeskut

Kujtime të origjinës: Bergoglio paraqitet “si një bir që rigjen tek Europa mëmë, rrënjët e jetës dhe besimit të tij”. Në pallatin apostolik kanë qenë të pranishëm udhëheqësit europianë, Jean-Claude Juncker, Donald Tusk dhe Martin Schulz, që ashtu si kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe themeluesi i Sant’Egidios, Andrea Riccardi, është ndër ata që Çmimin Charlemagne e ka fituar. Papa e ka pranuar (ashtu si Vojtila në vitin 2004) “si rast për t’i dhënë një shtytje të re dhe kurajoze” kontinentit të vjetër, që ai të rigjejë vetveten dhe frymën e “baballarëve themelues”, Adenauer, Schuman, De Gasperi. Françesku kërkon “përditësimin” e idesë së Europës, që ajo të dijë të “integrojë, dialogojë, gjenerojë” pa u futur në llogore. Një reflektim vështirësisht i harrueshëm që zhvillon temat e ndërhyrjes në Parlamentin Europian në vitin 2014, ashtu sikurse udhëtimi në Lesbo. Dhe që përmbyllet me ide analoge me fjalimin e Martin Luter Kingut në gusht 1963: Endrra e Françeskut për Europën.

HUMANIZMI I RIGJETUR – “Endërroj një tokë, ku të jesh imigrant nuk është krim”

Endërroj një humanizëm të ri europian. Endërroj një Europë të re, në gjendje që të jetë ende mëmë, sepse respekton jetën dhe ofron shpresa për jetën. Endërroj një Europë që kujdeset për fëmijën, ndihmon si një vëlla të varfërin dhe atyre që kërkojnë mikpritje, sepse nuk kanë asgjë. Endërroj një Europë që dëgjon dhe vlerëson njerëzit e sëmurë dhe të moshuar. Endërroj një Europë, ku të jesh imigrant nuk është krim. Endërroj një Europë ku të rinjtë frymëmarrin ajrin e pastër të ndershmërisë, ku të martohesh dhe të kesh fëmijë është një përgjegjësi dhe një gëzim, jo një problem për shkak të mungesës së një pune të qëndrueshme. Endërroj një Europë të familjeve, me politika vërtetë të efektshme, të përqëndruara në lindjen e fëmijëve, më shumë se në shtimin e të mirave materiale. Endërroj një Europë, ku është e pamundur të thuhet se angazhimi i saj për të drejtat e njeriut, ishte utopia e saj e fundit.

DEKADENCA – Çfarë të ka ndodhur, nënë e të drejtave të njeriut?

Në Parlamentin europian fola për Europën gjyshe. Thashë se në anë të ndryshme shtohej përshtypja e përgjithshme e një Europe të lodhur dhe të plakur, jo pjellore dhe e gjallë, ku idealet e mëdhenj që kanë frymëzuar Europën, duket se kanë humbur forcën tërheqëse; një Europë në rënie, që duket se ka humbur aftësitë e saj gjeneruese dhe krijuese. Një Europë e tunduar nga dëshira për të siguruar dhe dominuar hapësira, më shumë se sa për të krijuar procese gjithëpërfshirjeje dhe transformimi; një Europë që “futet në llogore”, në vend që të privilegjojë veprimet të cilët promovojnë dinamizma të reja në shoqëri. Çfarë të ka ndodhur, Europë humaniste, luftëtare për të drejtat e njeriut, të demokracisë dhe lirisë? Çfarë të ka ndodhur, Europë tokë e poetëve, filozofëve, artistëve, muzikantëve, letrarëve? Çfarë të ka ndodhur, Europë nënë e popujve dhe kombeve, e burrave dhe grave të mëdha, që kanë ditur të mbrojnë dhe të japin jetën për dinjitetin e vëllezërve të tyre?

ZGJERIMI I KUFIJVE – Të eleminojmë hendeqet, jo t’u kundërvihemi të tjerëve

Shkrimtari Elie Viesel, që u mbijetoi kampeve naziste të shfarosjes, thoshte se sot është shumë e rëndësishme që të realizojmë një “transfuzion të kujtesës”. Eshtë e domosdoshme të marrim pakëz distancë nga e tashmja, për të dëgjuar zërin e paraardhësve tanë. Kjo na lejon të frymëzohemi nga e kaluara, për të përballuar me kurajë kuadrin e ndërlikuar shumëpolar të ditëve tona, duke pranuar me vendosmëri sfidën e “përditësimit” të idesë së Europës. Një Europë e aftë të nxjerrë në dritë një humanizëm të ri, të bazuar mbi tre aftësi: aftësinë për të integruar, aftësinë për të dialoguar dhe aftësinë për të gjeneruar. Shpirti europian, lindur nga takimi i qytetërimeve dhe popujve, është shumë më i madh se sa kufijtë aktualë të Bashkimit Europian dhe ai duhet të bëhet model i sintezave të reja dhe dialogut. Fytyra e Europës nuk spikat duke iu kundërvënë të tjerëve, por në bashkimin e tipareve të kulturave të ndryshme, duke eleminuar hendeqet.

BETEJA E MIRE – Kultura e dialogut, për t’u mësuar në shkolla

Nëse ka një fjalë që duhet ta përsërisim deri sa të lodhemi, ajo është: dialogu. Jemi të ftuar që të nxisim një kulturë dialogu, duke u përpjekur me çdo mjet që krijojmë hapësira, me qëllim që kjo të bëhet e mundur dhe të na lejojë të ndërtojmë strukturën sociale. Paqja do të jetë jetëgjatë, në atë masë që ne do të armatosim fëmijët tanë me armët ë dialogut, t’u mësojmë atyre betejën e mirë të përballjes dhe negociimit. Në këtë mënyrë do të mund t’u lëmë atyre si trashëgimi një kulturë që di të përshkruajë strategji jo të vdekjes, por të jetës, jo të përjashtimit, por të integrimit. Kjo kulturë e dialogut duhet të jetë e pranishme në të gjithë kurikulat shkollore si bosht i disiplinave. Sot nevojitet të krijojmë “koalicione” jo më thjeshtë ushtarake apo ekonomike, por kulturore, edukuese, filozofike, fetare. Koalicioni që të vënë në dukje se, prapa shumë konflikteve, shpesh herë është në lojë pushteti i grupeve ekonomike.

Please follow and like us: