Federalizimi i Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve
Federalizimi i Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve as në Maqedoni, as në Kosovë dhe në rajon. Federalizimi i Maqedonisë që do të ishte një ndarje etnike të këtij shteti, do të ishte në dëm të shqiptarëve në atje, sepse bazuar në ndarjen aktuale territoriale dhe të decentralizimit, shumë vendbanime shqiptare atje do të mbeteshin nën pjesën e kontrolluar nga sllavomaqedonasit. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të dilnin humbës, kurse sllavomaqedonasit do të dilnin fitues.
Federalizimi i Maqedonisë, në fakt do të ishte një formë e ndarjes së Maqedonisë që sllavomaqedonasit e kanë propozuar që më 2001. Me federalizimin e Maqedonisë, sllavomaqedonasit, përveçse do të merrnin territor shumë më tepër sesa që u takon, do të krijonin mundësi më të shumta për destabilizim të Maqedonisë për të paraqitur entitetin shqiptar atje si faktor destabiliteti. Dhe kjo do të lehtësohej edhe nga fakti se në rast të federalizimit, ashtu edhe siç thashë më lart dhe siç kam thënë vazhdimisht, vendbanime shqiptare do të mbeteshin nën kontrollin sllavomaqedonas. Pra, agjenturat kundërshqiptare do të nxisnin shqiptarët që me luftë të rikthejnë vendbanimet në fjalë. Po ashtu, agjentura kundërshqiptare do ta nxisnin ekstremizmin fetar ndër shqiptarë, i cili edhe ashtu është shumë i madh. Kështu, entiteti shqiptar do të mund të shndërrohej në një entitet ekstremizmi fetar që do të komprometonte çështjen shqiptare.
Në anën tjetër, federalizimi i Maqedonisë është i rrezikshëm për shqiptarët atje edhe në kuptimin e modelit të federalizimit. Është kështu për faktin se ka modele federalizimi asimterik, në bazë të të cilëve dy apo më shumë entitete federale mund të kenë status asimtetik në shtetin federal, e që do të thotë se entiteti sllavomaqedonas mund të ketë status më të avancuar se entiteti shqiptar.
Një model i tillë asimetrik është në Rusi ku entitete të veçanta kanë statusin e Republikës autonome nën pushtetin qendror të Rusisë. Një model i tillë asimetrik ka qenë edhe ish-Jugosllavia, ku gjashtë njësi kishin statusin e republikës-shtet, kurse dy kishin statusin e krahinës autonome. Natyrisht se modele të tilla ka shumë dhe nuk kanë nënkuptuar dhe nuk nënkuptojnë simetri dhe barazi.
Për t’u krijuar dy entitete simetrike, do të duhej që së pari të kishte një pajtueshmëri ndërmjet palëve që të kenë status të barabartë, pra si sllavomaqedonasit, si shqiptarët. Dhe çështja është pikërisht këtu: nuk ka vullnet nga sllavomaqedonasit që të pranojnë barazinë e shqiptarëve në Maqedoni. 40% – 45% e qytetarëve të Maqedonisë trajtohen si qytetarë të rendit të dytë vetëm pse janë shqiptarë.
Pra, tërë angazhimi politik, institucional dhe diplomatik duhet të përqëndrohet në realizimin e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni, e që do të thotë që qysh në preambulë të kushtetutës së Maqedonisë të përkufizohet ky shtet si shtet i përbashkët i sllavomaqedonasve, i shqiptarëve, dhe paskëtaj edhe të gjitha institucionet shtetërore dhe të tjera të themelohen në bazë të këtij përkufuzimi.
Në rrethana të tilla nuk do të kishte fare nevojë për federalizim, sepse ai shtet do të funksiononte si shtet edhe i shqiptarëve. Në ndërkohë do të rishikohej edhe ndarja territorialo-administrative e Maqedonisë. Po ashtu, përkufizimi i Maqedonisë si shtet edhe i shqiptarëve, do të bënte të mundur që edhe ndarja e pushtetit të bëhet në mënyrë të drejtë që do të thotë mundësi më të mëdha për të ndikuar në funksionimin e institucioneve shtetërore.
Rasti i Kumanovës është rast që tregon se institucione të Maqedonisë, sidomos ato të sigurisë, janë të përfshira në komplot kundërshqiptar. Një ndarje e drejtë e pushtetit në Maqedoni, edhe nuk do të jepte pretekste për raste të tilla, por edhe do të mund të parandalonte implikimin e institucioneve shtetërore në aksione të tilla.
Federalizimi i Maqedonisë, ndërkaq do të prekte edhe parimet e Badinterit, përkatësisht do të hapte rrugën për ndryshimin e rregullimit të brendshëm të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Dhe kjo do të prekte edhe Kosovën, e cila do të rrezikonte të federalizohej në dy entitete me kompetenca shtetërore. Dhe kjo do të bënte të mundur ko vetëm një “Republika Srpska” në Kosovë, por edhe do ta fuqizonte edhe më shumë UNMIK-un, sepse shumë kompetenca shtetërore për të cilat nuk do të kishte konsensus entiteti tjetër, do t’i kalonin UNMIK-ut. Në një situatë të tillë, shteti i Kosovës, edhe si i federalizuar, edhe me një UNMIK të rifuqizuar, do të ishte shtet i dobët dhe i dështuar.
Prandaj, shqiptarët, nuk duhet të mendojnë për federalizimin, por duhet të angazhohen