Manjola Sejdinaj: Po flas për realitetin që nuk e flet njeri…
10 vite më parë, pas përfundimit të studimeve në Rusi, u riktheva në vendlindje — në Mallakastër.
Me përkushtim iu dedikova punës për njerëzit, me njerëzit, duke shërbyer në Bashkinë e Mallakastrës për 4 vite e 3 muaj.
Një zyrë pa dollap, me vetëm 3 tavolina; punonjësit e Drejtorisë Ekonomike ndanin një kompjuter të vetëm; dritarja kishte xham të thyer; muret — një faqe rozë, një e bardhë, një jeshile — me lagështi, aspak dinjitoze për një administratë.
Por kishim një gjë që nuk mungonte kurrë: zemrën.
Punuam me përkushtim dhe arritëm të ndryshonim jo vetëm Bashkinë, por gjithë qytetin.
Ndryshuam Mallakastrën.
Gjatë atyre viteve, unë ndjeva çdo dhimbje, çdo hall, çdo problem, çdo nevojë të bashkëqytetarëve të mi.
U rrita me ju. Punova për ju.
Ndaj sot, ngre zërin dhe flas përsëri për ju.
—
Sot u ktheva… dhe pashë një qytet pothuajse të zbrazur.
Kjo nuk është Mallakastra që njohim.
Nuk është ajo që meritoni.
Prandaj, ju bëj thirrje:
TË MOS HESHTIM MË!
Mos lejoni të gënjeheni nga premtime të rreme:
“Do bëjmë këtë, do bëjmë atë” — kur në fund nuk bëhet asgjë.
—
Po flas për realitetin që nuk e flet njeri…
Për Mallakastrën tonë, që po e boshatisin — edhe nga njerëzit.
Pasi ia morën naftën, e mbyllën, e shkatërruan — sot duket sikur i kanë marrë edhe shpirtin.
Sot pashë që i janë larguar edhe njerëzit.
Kanë mbetur vetëm të moshuarit dhe disa punonjës të administratës.
Të lodhur. Të respektuar. Por të stërpërdorur.
Sepse janë të vetmit që ende shpresojnë…
Ose ndoshta s’kanë nga t’ia mbajnë.
Shumë pak njerëz nga sa lashë në vitin 2020.
Rrugët bosh. Lokalet bosh.
Çudi. Dhimbje.
Qyteti hesht.
Asnjë zë.
Ku janë njerëzit e naftës?
Kush i largoi?
Edhe rrapi dukej i mërzitur…
Rreth tij askush. As pleqëria.
Ata burra që dikur luanin domino e shah dhe qeshnin me zë:
“Shah-mat!”
Po të rinjtë? Ku janë?
Kanë mësuar të mos shpresojnë më.
Kanë parë shumë. Kanë dëgjuar mjaft.
E tani… vetëm largohen. Ose heshtin.
Por jo të gjithë.
Për ata pak që ende guxojnë të besojnë se mund të ndryshojë diçka:
Nëse je një prej tyre — eja.
Nëse jo — të paktën shiko çfarë mund të jetë ndryshe.
Ndrysho.
—
Ky qytet meriton jetë. Ky realitet meriton zë.
Të rinjtë s’duhet të kenë frikë. Duhet të ngrenë zërin.
Të moshuarit s’duhet të mbeten vetëm.
Mallakastra s’duhet të jetë bosh.
Dhe jo vetëm Mallakastra.
Qytetet e vogla nuk duhet të zbrazen.
Kryeqyteti nuk duhet të betonizohet dhe mbipopullohet, ndërsa qytetet vdesin në heshtje.
Shqipëria është më shumë se Tirana.
Jeta duhet të frymojë në çdo cep të këtij vendi:
Në fshat, në qytet, në jug, në veri.
Të gjithë kemi të drejtë të jetojmë mirë atje ku jemi lindur dhe rritur.
Të gjithë kemi të drejtë të kthehemi dhe të gjejmë jetë — jo boshllëk.
—
Kujdes! Kujtohuni:
Kush ua hoqi bukën nga goja?
Kush ua mbylli uzinën?
Kush ua largoi fëmijët?
Kush e la Mallakastrën bosh?
Pse nuk po bëhen më investime?
Kush po i merr tenderat?
Në xhepin e kujt po shkojnë taksat tuaja?
Pse e keni ende ujin me orar?
Pse paguani për ujë të pijshëm, kur ai nuk është i tillë?
Pse? Pse? Pse?
—
Mos hesht. Mos ik. Fol. Vepro. Ndrysho.
Vota jote është fuqia për ndryshim.
Për veten tënde. Për qytetin tënd. Për Mallakastrën. Për Shqipërinë.