‘Sfidat e studimit të Nënë Terezës para dhe pas shenjtërimit’
Leksioni publik në Tiranë për Nënë Terezën ngjall interesim në Indi
‘Sfidat e studimit të Nënë Terezës para dhe pas shenjtërimit’
Gazetari C. M. Paul botoi sot në ‘Matters India’ në kryeqytetin e Indisë Nju Delhi këtë shkrim për leksionin publik që Profesor Gëzim Alpion do të zhvilloj në Tiranë më 26 maj 2016. Artikulli shoqërohet me një foto nga takimi që Alpion pati me motrat e urdhërit të Nënë Terezës, Misionarët e Bamirësisë, në Kalkuta në qershor 2005.
Birmingham (Mbretëria e Bashkuar) – Një nga studiuesit kryesor të Nënë Terezës në botën anglofone ka në program të zhvilloj një leksion publik me titull “Sfidat e studimit të Nënë Terezës para dhe pas shenjtërimit” në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë, Shqipëri, më 26 maj.
Aktiviteti organizohet nga Qendra e Studimit të Politikave Evropiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Nuncin Apostolik në Tiranë, dhe Teatrin Kombëtar Eksperimental.
Leksioni, që është pjesë e serisë së ligjëratave të Profesor Gëzim Alpion nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, pritet të ndiqet nga disa politikanë kryesorë të vendit si dhe diplomatë të akredituar në Tiranë.
Dr Alpion konsiderohet nga kritikët si ‘studiuesi më autoritar në gjuhën angleze’ i shqiptares Nënë Tereza e cila e bëri Kalkutën shtëpinë e saj.
Për të ndjekur leksionin do të udhëtojnë në Tiranë edhe nga vendet fqinje si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Gjatë qëndrimit në Tiranë Dr Alpion do të zhvilloj takime me një numër politikanësh për të diskutuar rreth autostradës që njihet si Rruga e Arbërit, një projekt për të cilin ai po lobon pa u lodhur që nga viti 2013. Po kështu, Alpion do të shkëmbej mendime edhe për përgatitjet e Shqipërisë për të festuar shenjtërimin e Nënë Terezës që do të ndodhë së shpejti.
Dr Alpion do të pritet edhe nga Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, një politikan i njohur që ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, nga 2011 deri në 2015.
Pas leksionit do të ketë diskutime, ku do të flasin disa studiues të mirënjohur dhe personalitete fetare, si dhe një seancë me pyetje dhe përgjigje.
Programi gjithashtu përfshin interpretime nga aktorë të Teatrit Kombëtar Eksperimental të një përzgjedhje poemash dhe lutjesh të Nënë Terezës.
Në abstraktin e leksionit të Profesor Alpion thuhet: “Duke u përqëndruar kryesisht në botimet e tij dhe projekte shkencore në vazhdim, në këtë ligjeratë prej tre pjesësh Alpion u bën një përqasje sociologjike disa prej arritjeve, vështirësive dhe sfidave me të cilat përballen studimet për Nënë Terezën.”
Në pjesën e parë, Alpion shpjegon “përse filloi të interesohej për bashkëkombësen Nënë Tereza si student në Kajro në vitin 1986”.
Gjithashtu, Alpion sqaron edhe rrethanat në të cilat kjo misionare u bë një nga përparësitë e veprimtarisë së tij shkencore që nga viti 2003.
“Në pjesën e dytë, vëmendja përqëndrohet në ‘dy kampet’ dhe ‘tre këndvështrimet’ në literaturën për Nënë Terezën të cilat deri diku pasqyrojnë konfliktin mesjetar midis ‘besimit’ dhe ‘arsyes’.”
Alpion argumenton se ky konflikt, që ndoshta nuk do të zgjidhet përfundimisht ndonjëherë, çoi në tkurrjen e kufijve të disiplinave akademike dhe krijimin e hierarkisë së dijes.
Në pjesën e fundit, theksi vihet në rolin e shumëllojshmërisë disiplinore dhe ‘imagjinatës sociologjike’ në studimin e anëve thelbësore të personalitetit, besimit, dhe veprimtarisë shumëplanëshe të Nënë Terezës të cilat janë neglizhuar ose prekur në mënyrë të njëanshme: injorimi i viteve të hershme në Shkup, largimi nga urdhëri i Loretos, veçantia e natës së errët të shpirtit, dhe natyra magnetizmit të saj.
Në mbyllje, Alpion thekson se “pas shenjtërimit nuk duhet të harrojmë njerëzoren Nënë Tereza. Kjo ka rëndësi pasi, duke e studiuar atë njëkohësisht në planin privat dhe publik, jemi në gjëndje të kuptojmë më mirë ‘dashurinë me vepra’ të kësaj shenjtoreje si dhe rolin e fesë në postmodernitetin ‘laik’.
_______________
Leksioni mund të ndiqet vetëm me ftesa. Të interesuarit mund të kontaktojnë organizatorët pranë Qendrës së Studimit të Politikave Europiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal në këtë adresë emaili: info@crlds.org
_______________
Biografi e shkurtër
https://www.facebook.com/DrGezimAlpionUK/
Gëzim Alpion u lind në Peshkopi në vitin 1962. Nga 1985-1993 ai studioi në Universitetin e Kajros, Egjypt, për BA dhe MA, dhe në 1997 mbroi doktoraturën në Universitetin e Durhamit në Angli. Ai ishte lektor në Universitetet e Huddersfield, Shefield Hallam, dhe Newman përpara emërimit në vitin 2002 në Universitetin e Birminghamit, ku aktualisht është Drejtor i Pranimeve në Sociologji. Përveç lëndëve të sociologjisë së suksesit, racës, dhe filmit, ai drejton tema doktoratash dhe udhëzon studiues të angazhuar në studime pas dokorate në universitetin e tij, si dhe është ftuar si ekzaminues i jashtëm studimesh doktorature nga universitete të mirënjohura në Indi.
Alpion është ekzaminuesi i jashtëm për Sociologjinë në Universitetin York St John, anëtar bordi i disa revistave shkencore, përfshirë ‘Celebrity Studies’, që botohet nga Routledge. Ai ka reçencuar projekte monografish për botues akademik si Palgrave Macmillan, Pearson Education, Polity Press, SAGE Publications dhe Routledge, si dhe artikuj për revista shkencore si ‘Islam and Christian–Muslim Relations’ (Routledge), ‘Celebrity Studies’, and ‘British Politics’ (Palgrave).
Fillimisht Alpion tërhoqi vëmendjen e mediave britanike kur dramat e tij për emigracionin ‘Vouchers: A Tragedy’ dhe ‘If Only dhe Dead Could Listen’ ngjallen debate kur u vunë në skenë me sponsorizimin nga Këshilli i Arteve të Anglisë në disa qytete në 2002, 2006 dhe 2008. Dramat u botuan në Mbretërinë e Bashkuar dhe Amerikë respektivisht në 2001 dhe 2008.
Libri i tij i mirënjohur në gjuhën angleze ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ u botua fillimisht nga Routledge në Londër dhe Nju Jork në 2007, nga Routedge India po në gjuhën angleze në Nju Delhi në 2008, dhe në gjuhën italiane nga Salerno Editrice në Romë në 2008. Kjo monografi si dhe përmbledhjet me ese në gjuhën angleze ‘Foreigner Complex: Essay and Fiction about Egypt’ (2002) dhe ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, të botuara në Indi në 2008, dhe në Amerikë fillimisht në 2009 dhe 2011 nga Transaction Publishers, janë reçencuar gjerësisht në revista akademike dhe mediat ndërkombëtare. Autor i disa studimeve rreth sociologjisë së fesë, kombit, mediave, racës dhe etnicitetit të botuara në volume bashkëautorësh si dhe në revista shkencore në Angli, Amerikë, Australi, Hollandë dhe Indi, Alpion konsiderohet si ‘studiuesi më autoritar në gjuhën angleze’ për Nënë Terezën. Në 10 vitet e fundi ai është ftuar të zhvilloj mëse 50 leksione dhe biseda në konferenca ndërkombëtare dhe universitete të mirënjohura në 14 vende.
Alpion ka botuar artikuj që trajtojnë çështje të politikës, kulturës dhe identitetit në Britani, Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Indi në disa gazeta ndërkombëtare si ‘The Guardian’ (Londër), ‘Hindustan Times’ (Nju Delhi), ‘The Middle East Times’ (Kajro), and ‘The Hürriyet Daily News’ (Stamboll). Po kështu Alpion intervistohet dhe citohet rregullisht për botimet dhe ekspertizën e tij nga agjenci lajmesh, rrjete televizive, stacione radiosh dhe gazeta në Britaninë e Madhe si dhe në mbi 25 vende.
Alpion po lobon pa ndërpreje që nga Marsi 2013 për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, një arterje që do të përmirësoj ndjeshëm infrastrukturën mes Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Bullgarisë. Po kështu, në tre vitet e fundit Alpion ka lobuar edhe për shënjtërimin e Nënë Terezës.
Alpion dhe bashkëshortja e tij Dashi, që është Careers Adviser në Universitetin e Birminghamit, kanë dy fëmijë.