MBI VIRTUTIN SHPIRTVOGËLUES
MBI VIRTUTIN SHPIRTVOGËLUES
Perktheu Lluka Qafoku
1.
Kur Zarathustrës sërish i zuri këmba dhe nuk iu drejtua menjëherë maleve të veta dhe shpellës së tij, por përshkoi shumë rrugë dhe bëri shumë pyetje, u informua për atë dhe këtë, saqë filloi të thoshte, duke u tallur me veten: “Ja një lumë i shumë meandrave që po i kthehet burimit!” Sepse deshte të përjetonte atë që ndërkohë i kishte ndodhur njeriut: a ishte bërë ky më i madh apo më i vogël? Dhe njëherë, kur na pa një varg me shtëpi të reja,u habit dhe tha:
Ç”kuptim kanë këto shtëpi? Me gjithë mend, nuk na i paska ndërtuar ndonjë shpirtmadh sipas shëmbëlltyrës së vet!
Mos na i nxori nga kutia e tij e lojrave një fëmijë idiot! Që një tjetër fëmijë ti futë përsëri në kutinë e vet!
Po këto dhomëza e dhoma të ngrohta: a mund të jenë njerëz ata që hyjnë e dalin syresh? Më duken si të bëra enkas për kukulla mëndafshi dhe për mace grykëse, që ju jepen me dëshirë grykësisë së të tjerëve.
Dhe Zarathustra ndali të mendohej. Më në fund i tronditur, tha: “Qënka bërë gjithçka më e vogël!
Kudo po shoh porta më të ulta: ata të llojit tim akoma kalojnë, por – iu duhet të përkulen!
Oh, kur të kthehem në atdheun tim, aty ku nuk do të më duhet të përkulem më- nuk do të më duhet të përulem më para çilimijve!”- Dhe Zarathustra psherëtiu dhe larg vështroi.-
Dhe po atë ditë shqiptoi fjalimin e tij mbi virtutin që shpirtvogëlon.
2.
Kaloj në mes të këtij mileti dhe sytë i mbaj hapur: ata nuk ma falin që nuk iu zilepsem virtuteve të tyre.
Përpiqen të më kafshojnë sepse ju them: vegjëlisë i duhen virtute shpirtvogla- dhe sepse e kam të vështirë të bindem se vegjëlia na qënka e nevojshme!
Akoma i ngjaj një kaposhi të hedhur në një fermë të huaj: pulat duan të më çukisin, por unë nuk ua vë re këtyre pulave.
Me to jam i sjellshëm, si me çdo shpirtthyerje të vogël; të jesh thumbues me atë që është e vogël më duket urti prej të marrësh.(palaçosh)
Të gjithë për mua flasin kur mbrëmjeve rreth zjarrit mblidhen- për mua flasin, po asnjë s’mendon – për mua!
Kjo është heshtja e re që mësova: zhurma e tyre rreth meje shtrin një mantel mbi mendimet e mia.
Ata zhurmojnë me njëri-tjetrin: “Çfarë kërkon nga ne kjo re e zezë ? Ruhuni mos na sjell ndonjë epidemi!”
S’ka pak që një grua shtrëngoi fort të birin që deshi të vinte tek unë: “Largojini fëmijët!” bërtiti “Ky soj sysh i karbonizon shpirtrat e fëmijve”.
Kur unë flas, kolliten: kujtojnë se kolla mund tu bëjë replikë erërave të stuhishme;- nuk mund as ta përfytyrojnë shampanjën e lumturisë sime!”
“Nuk kemi kohë për Zarathustrën” vërejnë; e ç’qënka kjo kohë që “s’na paska kohë” për Zarathustrën?
Dhe kur më mburrin: por a mund të përkundem dhe të përgjumem unë nga mburrjet e tyre? Kurorë gjëmbash janë për mua mburrjet e tyre; edhe kur e heq, prapë më gërric.
Edhe këtë e mësova mes tyre: ai që lëvdohet, duhet të paguajë! Ai që lëvdon do shumë dhurata!
Pyesni këmbën time a i pëlqen apo jo melodia e mburrjeve dhe lajkave të tyre! Me gjithë mënd, ajo s’mund as të vallzojë e as të ndalojë me atë ritëm, që i ngjan tik-tak-ut.
Do tëdeshin të më afrojnë me virtutin e tyre shpirtvogël, të më lëvdonin; duan të më zvogëlojnë këmbën deri në masën e tik-tak-ut të lumturisë së tyre
Shkoj syçelë mes këtij mileti; më të vegjël, më të vegjël ata bëhen përditë; por kjo ju vjen nga doktrina e tyre e lumturisë dhe e virtutit.
Ata , vërtet , janë modestë edhe në virtut-sepse duan mirëqënien. Por mirëqënies ama vetëm virtuti modest i shkon.
Po, në mënyrën e tyre, edhe ata mësojnë të ecin e të përparojnë; këtë unë ua quaj çalim – kështu i bëhen pengesë kujtdo që nxiton.
Dhe ndonjë syresh përparon, por duke përparuar prapa shikon me një qafë të ngrirë- ky është lloji i atyre që më pëlqen të sulmoj.
Këmba dhe syri nuk duhet të gënjejnë e as të përgënjeshtrojnë vazhdimisht. Pranë vegjëlisë ka shumë mashtrime.
Disa prej tyre duan, por shumica e tyre vetëm duhet. Disa syresh janë autentikë, por shumica vetëm aktorë dështakë.
Mes tyre ka aktorë të pavetëdijshëm dhe të pavullnetshëm-autentikët janë gjithnjë të rrallë; maksimalisht të rrallë janë aktorët autentikë.
Ka pak burrëri: prandaj burrërohen gratë e tyre. Sepse vetëm ai që është sa duhet burrë- do të shelbojë (shpëtojë shpirtërisht) gruan tek gruaja.
Dhe këtë shtirje e gjeta më të keqen nga të gjitha: që të gjithë ata që komandojnë shtihen sikur kanë virtutin e atyre që shërbejnë.
“ Unë shërbej, ti shërben, ne shërbejmë”- kështu lutet edhe shtirja e atyre që sundojnë- mjerë ju, kur i pari ndër zotërinjtë është vetëm shërbëtori i parë!
Ah, edhe në shtirjet e tyre mërgoi kureshtja e syrit tim; dhe mirë e përndjeva gjithë lumturinë e tyre prej mizash dhe zhuzhitjen e tyre mbi xhamat e ngrohtë të dritareve në diell.
Shumë mirësi, por shoh shumë dobësi. Shumë drejtësi e dhëmbshuri,po aq shumë dobësi.
Të rrumbullakosur, të drejtë e mirëdashës janë me njëri-tjetrin, siç janë kokrrat e rërës me njëra-tjetrën.
Të përqafosh me përulësi një lumturi të vogël- këtë ata e quajnë “pajtim me fatin”! Dhe ndërkohë zhbirilojnë përulësisht një lumturi të vogël të re.
Në fund të fundit, naivisht dëshirojnë vetëm që askush të mos ju bëjë keq. Kështu parandalojnë këdo duke i bërë mirë.
Por kjo është burracakësi; megjithëse e quajnë “virtut”.
Edhe kur ndodh të flasin ashpër këta njerëz të vegjël, unë s’dëgjoj tjetër veç pazëshmërinë (afoninë) e tyre, sepse edhe puhia më e lehtë të fryjë, ua merr zërin.
Janë të përkorë, virtutet e tyre kanë gishta të përkorë. Por ju mungojnë grushtat, gishtat e tyre nuk dinë të fshihen në grusht.
Virtut ata quajnë atë që të bën të përulur dhe të butë: kështu ujkun e bënë qen dhe njeriun kafshën më të zbutur shtëpiake të njeriut.
“ Ne ndënjësen tonë e vëmë në mes- më thotë buzëqeshja e tyre e kënaqur- në distancë të barabartë nga gladiatorët që vdesin dhe nga dosat e ngopura ».
Por ky s’është veç- mediokritet; sado ta quajnë sens të masës.-
3.
Shkoj mes këtij mileti dhe lë të më bien ca fjalë: por ky milet s’di as t’i dëgjojë dhe as t’i ruajë.
Habiten që paskam ardhur t’i stigmatizoj për qejfet dhe veset e tyre; ndërsa në fakt nuk kam ardhur as për t’i këshilluar të ruhen nga hajdutët e xhepave!
Habiten që nuk jam i gatshëm t’ua bëj më të shijshme e më të mprehtë pjekurinë (përkorinë); si të mos kishin mes tyre boll superintelektualë, zëri i të cilëve më gudulis veshin si zhuzhërima e lapsit mbi letër!
Dhe kur bërtas: “Mallkojini gjithë djajtë burracakë brenda vetes tuaj, që janë gati të mjaullijnë të qara dhe të bashkojnë duart për adhurim në rastin më të parë” ata bërtasin: “Zarathustra s’njeh zot”
Këtë e bërtasin kryesisht profesorët e tyre të pajtimit me fatin- por pikërisht atyre dua t’u bërtas në vesh: Po unë jam Zarathustra, ai pa zot!
Këta profesorët e pajtimit me fatin! Kudo ku është shpirtvogëlsia, sëmundja dhe zgjebja, kacaviren si pleshta : dhe vetëm neveria më pengon ti shtyp.
Dëgjoni! Ky është predikimi im për veshët e tyre: unë jam Zarathustra, ai pa zot, që thotë: ku ti gjej shokët e mi, kolegët e mi? Të gjithë ata që ja japin vetvetes vullnetin që kanë dhe heqin prej vetvetes çdo përkushtim.
Unë jam Zarathustra, ai pa zot: akoma e skuq në tiganin tim çdo rast fatlum. Dhe vetëm kur skuqet plotësisht, e mirëpres si ushqimin tim.
Me gjithë mënd, urdhërues mu paraqit një rast; por akoma më urdhërues i foli atij vullneti im – dhe ai ra në gjunjë dhe u lut ndërkaq-
U lut për strehë dhe për zemër tek unë, duke u përpjekur të më lajkatojë: “ O Zarathustra, pa shih se vetëm miku e gjen mikun!”
Po përse flas aty ku askush s’ka veshët e mi? Prandaj, po dal e po bërtas në shesh:
Gjithnjë e më shpirtvegjël po bëheni, o milet shpirtvogël. Po shpërbëheni, o dashnorë të rehatisë, të komoditetit! Po katandiseni në gërmadha-
-për shkak të mizërisë së virtuteve tuaja të vogla, për shkak të mizërisë së neglizhencave tuaja të vogla, për mizëritë e pajtimeve tuaja të vogla me fatin.
Tepër i lëmuar, tepër rrëshqitës- i tillë është trualli juaj! Po që një pemë të bëhet e lartë, i duhet të pushtojë me rrënjë të ashpra shkëmbej të ashpër!
Edhe ajo që ju neglizhoni, end pëlhurën e gjithë të ardhmes së njerëzve; edhe hiçi juaj është pezhishkë dhe merimangë që rron me gjakun e së ardhmes
Dhe kur merrni, merrni njëlloj si të vidhnit, ju, o të virtutshmit shpirtvegjël; por edhe ndërmjet horrave nderi dikton : “Vidhet vetëm atëherë kur s’mund të grabitet”.
“ Jepesh”- edhe ky është një mësim i pajtimit me fatin. Por unë ju them, o dashnorë të rehatisë (komoditetit): nga ju, do të merret, dhe do të merret gjithnjë e më shumë!
Ah, sikur të largonit nga vetja çdo dëshirë gjysmake! Sikur të ishit të vendosur për përtacinë ashtu si për veprim dhe punë!
Ah, sikur ta kuptonit fjalën time: “ Gjithnjë bëni atë që dëshironi – por, së pari, bëhuni nga ata që dinë të dëshirojnë!”
“ Duajeni të afërmin si veten tuaj – por qofshi nga ata që e duan vetveten –
– Që duan me dashuri të madhe, që duan me përçmim të madh !” Kështu flet Zarathustra, ai pa zot.-
Po përse flas aty ku askush s’ka veshët e mi ! Kam ardhur një orë para kohe.
Jam paraprirës i vetes sime mes këtij mileti, kënga e gjelit të vetes sime në rrugët në errësirë.
Por ora e tyre po vjen ! Dhe po vjen edhe imja ! Nga ora në orë po bëhen më shpirtvegjël, më të varfër, më shterpë,- bimësi e varfër, tokë shterpë!
Dhe shpejt do të më dalin para të katandisur si bar i thatë dhe stepë, dhe me gjithë mënd! Të lodhur nga vetvetja- dhe të etur, më shumë se për ujë, për zjarr !
O e bekuar orë e rrufesë! O sekret i paradites! Zjarre migrues dua t’ju bëj dhe lajmëtarë me gjuhë flakësh:
– do të duhet akoma të më lajmojnë me gjuhë flakësh: Eja, po afrohet mesdita e madhe!
Kështu foli Zarathustra.