Albspirit

Media/News/Publishing

Përgjigje letrës së Akademikut Artan Fuga

Përgjigje letrës së Akademikut Artan Fuga

I nderuar Profesor Fuga,

U ula të shkruaj këtë përgjigje për letrën miqësore që më dërgonit dje publikisht, duke dalë nga natyra ime si gazetar. Them se po dal nga natyra ime, sepse unë jam përditë në kontakt me lexuesit dhe e kam të pamundur të rri e të shkruaj letra e mesazhe. Unë marr reagime, letra, telefonata e mesazhe përditë për shkrimet dhe intervistat që realizoj, por ato i konsideroj krejt private dhe asnjëherë nuk u jam përgjigjur publikisht.

Por, me ty ndryshon puna.

E para në respekt të njohjes dhe miqësisë sonë të vjetër.

E dyta, për shkak të problemeve që ngre në letrën tënde dhe të disa sugjerimeve që më bën për punën time si gazetar.

Nga letra jote kuptova se gjithë vëmendja dhe përkujdesja ishte të polemizoje me Prof. Pëllumb Xhufin për çështjet që ai ngrinte në intervistën e datës 10 maj në DITA. Menjëherë mendova se ju “i binit pragut të dëgjonte dera”. Hollë-hollë ju nuk e kishit me mua shqetësimin, ose shqetësimi juaj për mua si gazetar ishte fare anësor në krahasim me problemet ku e ku më të rëndësishme që ju ngrinit në letër. Prandaj dhe thashë se do të ishte mirë që këtë letër t’ia drejtoje direkt Prof. Xhufit dhe të ballafaqonit pikëpamjet tuaja për çështjen e reformimit të Akademisë së Shkencave. Sepse ky ishte thelbi, apo jo? Me aq sa e njoh Prof. Xhufin, mendoj se ai është i gatshëm të ballafaqohet me cilindo dhe për çfarëdo problemi historik apo shkencor që shtrohet për diskutim. E ka treguar këtë shumë herë.

Sidoqoftë, debati është hapur tashmë dhe mua më vjen mirë që ka debat, aq më mirë kur shoqërohet me argumente në favor të mbarëvajtjes së punëve të Akademisë për të mirën kombëtare.  Nuk u heq asnjë presje atyre që kini konstatuar dhe që i radhisnit në letër, për ato që kishit parë e gjetur në Akademi gjatë auditimit që keni bërë në atë institucion dhjetë vjet të shkuara.

Por nuk mund të them se jam tërësisht dakord me disa çështje të tjera. Shprehja “Akademia në agoni” më duket si eufemizëm përballë gjendjes reale të Akademisë pas vitit 1992. Problemet nga të cilat vuan ajo akademi janë shumë më të thella, sa politike, aq dhe konceptuale. Pse e them këtë? Si gazetar gjatë gjithë këtyre 25 viteve nuk më ka joshur e nuk më ka mbetur në mendje ndonjë veprimtari apo vepër madhore mbresëlënëse që ta kujtoj me respekt. Përkundrazi, heshtja dhe indiferentizmi i akademikëve tanë për disa çështje madhore më ka lënë shije të hidhur.

Fjala vjen, kjo akademi ka mbajtur sehir kur është sulmuar gjuha standarde shqipe e realizuar nga akademia e atëhershme që ju e quani “një bunker sovjetik, një bunker i modelit sllav”. Madje kjo akademi e tanishmja “e çbunkerizuar” u ka fryrë erërave të sulmeve për ta zhbërë këtë gjuhë. A nuk është i ashtuquajturi këshill ndërakademik Tiranë-Prishtinë një shembull aspak i denjë për akademinë tonë? Pse kanë heshtur akademikët tanë gjuhëtarë për sulmet që i janë bërë gjuhës standarde, pa folur për disa që janë angazhuar tërësisht për ta prishur standardin së toku me një tabor diletantësh të mllefosur.

Tjetër. Ju lutem, Profesor, më tregoni arritjet albanologjike të këtyre viteve? E, nëse ka nja dy gjera thelbësore me të cilat duhet dhe mund të merret akademia jonë janë pikërisht gjuhësia dhe albanologjia. Sepse shkenca jonë e ka të pamundur të merret me kozmosin, me fizikën bërthamore apo me kibernetikën, siç merren akademitë e botës.

Ja, m’u kujtua edhe diçka tjetër. Ju kujtohet se si me vendim parlamenti, tërësisht politikisht u ndryshua dita e çlirimit të Shqipërisë në vitin 1992. Ku ishin akademikët tanë historianë që heshtën paturpësisht ndaj këtij zhvillimi për shumë vite me radhë?

Profesor, arsyeja e dytë që po të përgjigjem lidhet me ca këshilla miqësore që më jepnit nga fundi i letrës për punën time si gazetar. Ta them miqësisht se do kishe bërë më mirë të mos i shkruaje ato radhë, për faktin se janë përtej koncepteve të mia për gazetarinë. Se cilat janë pikëpamjet e mia për gazetarinë, paanshmërinë, balancimin, integritetin, etj., unë i shpalos jo në një ditë të vetme, as në një shkrim apo intervistë, por përditë e në vijimësi. Unë ndihem shumë komod në gazetën DITA ku punoj, për të cilën ju flisni me konsideratë të veçantë. Prandaj dhe mos u ndje i lënduar dhe ligështuar në këtë aspekt të punës sime.

Gjithsesi, si miq që jemi, të dëgjoj me vëmendje dhe marr në konsideratë këshillat tuaja. Me këtë rast, po të kërkoj një këshillë si mik dhe si filozof që jeni (gjë që mund të jetë objekt i një interviste të zgjeruar që mund ta bëjmë bashkë në DITA):

Më thuaj, i dashur Tan, nga cila filozofi jemi udhëhequr ne shqiptarët pas përmbysjes së diktaturës komuniste? Më trego edhe filozofinë ku duhet të mbështetemi dhe të orientohemi, për të ndrequr ato që janë prishur, të paktën këto 100 vitet e fundit? Unë si gazetar bëj edhe pyetje të tilla. Mos ma merr për keq.

Së fundi, ajo puna e ftesës për kafe mbetet në fuqi. Kur të duash, duku këtej nga unë ose takohemi te ndonjë kafe e jotja e preferuar. Aty fiksojmë së bashku dhe intervistën e radhës.

Miqësisht,

Xhevdet Shehu       

Tiranë, 11 maj 2016

Please follow and like us: