Albspirit

Media/News/Publishing

Vlashent Sata sjell “Hana e plotë” në Tiranë

  • Kantautori rikthehet në Tiranë me koncertin “Hana e plotë”. Këngët e tij flasin për fëmijërinë, shokët e parë, lojërat, familjen, dashurinë dhe sfidat e së ardhmes. Janë himn për kohën e bukur që ikën dhe gjithashtu për vlerat e një vendi, duke reflektuar jetën me ngjyrat e saj

Nga Valeria Dedaj

“Hana e plotë” titullohet koncerti që do të interpretojë Vlashent Sata në Teatrin Metropol. Dëshira e tij, është që në Shqipëri të mos flitet shumë për gjëra që nuk shkojnë, për njerëz që nuk janë shembuj të mirë, por të flitet individ, të cilët bëjnë diçka me vlerë edhe pse rrinë në hije, prandaj ai përcjell nëpërmjet muzikës së tij jo vetëm emocione, por edhe mesazhe sensibilizuese për shoqërinë. Vetëm kështu mund të shkohet drejt realizimit të gjërave të mira mendon artisti, i cili të ardhurat që mblodhi nga koncerti që realizoi vjet në Universitetin e Arteve ua dhuroi fëmijëve jetimë të Tiranës. Të njëjtën qëllim ka edhe këtë vit, por për fëmijët jetimë në Shkodër.

Përse “Hana e plotë”?

Përveçse koncertit, Vlashent Sata, do të promovojë edhe albumin me të njëjtin titull. “Kam rendur shumë, para se të regjistroja albumin dhe në mendjen time, të gjitha komponentët përbërës, vargjet, instrumentet, muzika ishin të plotësuar. Tani erdhi dita që më fund ky album u regjistrua. Është, albumi im i parë, i cili flet për të gjithë etapat e jetës sime, duke nisur që nga fëmijëria e deri aktualisht. Në të gjitha këngët ndihet një lloj ndjeshmërie për të treguar historitë e mia, e më pas t’i ndaj ato me njerëzit. Është bukuria e epokës sime”, thotë kantautori.

Ky album është një përmbledhje e të gjithë viteve të tij, një frymëzim dashurie, padashur të flasë për dashurinë në çift, pasi dashuria në çift në këtë album për të, është vetëm një aneks, prandaj ai e konsideron si frymëzim të të gjithë dashurisë në tërësi. Thjeshtësia e muzikës që ai bën ndihet nëpërmjet zërit dhe timbrikës së tij të veçantë, nëpërmjet teksteve dhe tingujve të zgjedhur të muzikës, aq sa te publiku arrijnë natyrshëm dhe me një nivel të lartë artistik. Dëshira e tij është që ky album të jetë një frymë e re në muzikën shqiptare.

“Ajo që më prek më shumë, është që këngëtarë shumë të njohur me eksperiencë shumë të gjatë, në botë apo në vendet skandinave, janë shumë të hapur ndaj kësaj kulture. Ata e kanë vlerësuar shumë muzikën dhe më kanë specifikuar, si një person shumë të veçantë, përsa i përket stilit që unë kam, pasi nuk ngjaj në stil me asnjë autor tjetër”, rrëfen artisti. Për të, kjo është një arritje e madhe, jo vetëm si shqiptar, i cili vjen nga një vend i vogël, por sepse stili i tij është bashkim i muzikës klasike dhe muzikës së tabanit; që pastaj degëzohet me ngjyra nga xhazi dhe nga zhanre të tjera.

Pas Tiranës në Paris

Albumi “Hana” përmban disa këngë si: “Këmbëzbathuri”, “Erdhi dita”, “Bab’”, “Çelesh”, “Ëmbël”, “E di unë”, “Hana”, “Kasollja”, “Djemtë e balonave”, “Ëndërruar”, “Në botën tonë” dhe “Tregimi i fluturës”.  Ai tregon se, “Ëmbël” është një këngë e shkruar herët për mamanë e tij. “Kur kam filluar ta shkruaj, kam kuptuar se ajo ishte vajza që më ka dashur në mënyrën më speciale. Naiviteti i saj artistik dhe kurajoja e saj prej profesioniste, më kanë ndryshuar botën time në çdo moment, kur kam ndjerë se jam tkurrur”. Babai gjithashtu ka qenë i rëndësishëm, pasi me të ka një lidhje të ngushtë profesionale për muzikën. “Babai im është një pasuri shumë e madhe, është shoku im, vëllai im, ai që më kundërshton, ai që grindem dhe që adhuroj.

Gjithçka! Nga largimi që kam pasur, qysh nga periudha kur unë jam larguar jashtë vendit, babai im ka qenë diçka tjetër, është personifikimi dhe energjia që njerëzit të japin që të shndërrohesh”. Familja është një nga shtyllat më të rëndësishme të krijimit të tij. Kudo që ai shkon për të dhënë koncerte, e ndien se ka nga një familje. “Gjej gjithnjë njerëz që më duan. Por familja ime, është kërcelli më i mirë i imi, ku unë mund të çel lulet gjithandej dhe të jem sa më i qetë me veten time”. Ajo që e bën të veçantë, përveçse timbrit është edhe interpretimi në dialektin e gegërishtes. “Në shtëpinë time është folur shkodranisht, jo gegërisht. Unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, por të kënduarit më vjen më shumë në këtë dialekt, sepse gjuha e nënës dhe emocionit është shkodranishtja”. Kantautori mendon se jo vetëm ndihet mirë gjatë interpretimit në gegërisht, por dhe gjuhën shqipe arrin që ta personifikojë më tepër.

Koncerti

“Kisha kohë që e kisha mendue, sot,/due m’u kthy n’shpi me shkue/ Veten time,/ At’ që lashë gjithmonë atje nuk kam harrue,/ due m’e e gjet prap’, m’iu bashkue”. Artisti i mirënjohur në skenat shqiptare dhe ato evropiane, vjen për të performuar live “jetën e tij” në një koncert recital, të realizuar nga Qendra Kulturore Tirana. “Hana e plotë” është një koncert, ku do të promovohet dhe albumi me të njëjtin titull, këngët e të cilit flasin për fëmijërinë, shokët e parë, lojërat, familjen, dashurinë dhe sfidat e së ardhmes. Janë himn për kohën e bukur që ikën dhe gjithashtu për vlerat e një vendi, duke reflektuar jetën me ngjyrat e saj.

“Ndihem i privilegjuar që Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol, 25-26 maj, ora 19.00) më bëri ftesën për të dhënë këtë koncert që do të shoqërohet edhe me albumin “Hana”, për dy net me radhë në sallën “Shekspir”. Më pëlqen, që do të jap koncert aty, pasi teatri dhe salla prej druri të krijojnë një atmosferë ku ndihesh si në shtëpi. Kontakti i publikut me artistin dhe i artistit me publikun është kaq i afërt, madje unë adhuroj sallat e vogla dhe të rrumbullakëta”, shprehet kantautori.

Koncerti “Hana e plotë”, në Teatrin Metropol, i paraprinë promovimin të albumit shqip dhe koncertit “Hana e plotë” në Francë, në datën 3 qershor në “Le Palace”, një nga skenat më të njohura ku kanë interpretuar artistë me emër, si Sting apo Stevie Wonder, Majkell Xhekson apo Madonna. Në koncert Vlashent Sata, i cili do të luajë edhe në piano, do të shoqërohet muzikantët, Gent Rushi në fizarmonikë, Ermal Rodi në klarinetë, Kiril Tufekcievski në kontrabas, Emiljan Dhimo në  bateri dhe Denis Hima në kitarë.

Biografia

Vlashent Sata, u lind në Tiranë në 1983 në një familje muzikantësh. Ngjitet e këndon në skenë që në moshën pesëvjeçare si solist. I inkurajuar e i drejtuar nga i ati Loro Sata, muzikolog, këngëtar lirik tenor, nis pianon në moshën 6-vjeçare në shkollën 8-vjeçare “Servete Maçi”. Merr pjesë në festivale të ndryshme për fëmijë, si këngëtar e më pas në “Zërat e rinj” ku merr çmime për çdo prezantim. Në moshën 15-vjeçare një ëndërr tjetër e zgjon të krijojë muzikën e vet. Mëson kitarën në mënyrë autodidakte dhe nis të kompozojë këngët e para. Paralelisht përfundon studimet e pianos në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë me rezultate të larta.

Në 2002 shkon të thellojë studimet për piano në Francë ku edhe i përfundon shkëlqyer të gjitha ciklet e konservatorit në fillin në Bordeaux e më pas në Paris me profesorë e solistë me meritë e njohje ndërkombëtar,e si Denis Pascal, Romano Pallottini etj. Më pas i tërhequr nga dëshira për të transmetuar dijen, dashuria për mësimdhënie, diplomohet në 2011 për pedagogji.

Që nga ky vit ai është i emëruar si pedagog i pianos në konservatorin e “Xenakis” dhe “Oliver Messiean” në Evry e gjithashtu në konservatorin “Paul Ducas” dhe “Gabriel Faure” në Paris. Ka bashkëpunuar me Elina Dunin nga ku lindi dhe nevoja për të bërë album, gjithashtu dhe me artistë të fushave të ndryshme, ku bëhet pjesë e disa urave komunikimi midis muzikës e arteve të tjera si kinemaja teatri, baleti e performancave të ndryshme kontemporane.

Please follow and like us: