Albspirit

Media/News/Publishing

Me Erdoganin deri në vetëmohim

  • Angela Merkel do të ngulë këmbë në marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, pavarësisht presioneve nga Ankaraja, sepse ajo thjesht nuk ka alternativë

Nga Jens Thurau

Miqësisht, kështu u tha se e priti Rexhep Taip Erdogani kancelaren gjermane Angela Merkel në Stamboll. Një veprim prej artisti, pasi ai kishte dërguar më përpara këshilltarin e tij Yigit Bulut, i cili kërcënon haptazi në intervista se Turqia mund t’i pezullojë të gjitha marrëveshjet e bëra me BE-në, në qoftë se ajo nuk i bën lëshime vendit të tij në bisedimet e ardhshme. Shpërthim force mund ta quash një gjë të tillë, ose irracionale ndoshta, por për Merkelin ky është thjesht një realitet që ajo ka kohë që duhet ta ketë marrë në konsideratë. Ajo ka nevojë për Turqinë, sepse për momentin nuk ka asnjë alternativë ndaj marrëveshjes me Erdoganin në politikën ndaj refugjatëve. Dhe Erdogan e di këtë dhe e shpalos fuqinë e tij të re me kënaqësi.

Pothuajse çdo ditë ka shembuj për këtë: fushata gjyqësore kundër satiristit gjerman Jan Bëhmermann (dhe kundër shumë të tjerëve), arrestimi i gazetarëve, heqja e imunitetit të deputetëve kurdë për t’i futur madhe edhe në burg. Dhe papritur është gati skena për shpërthimin e ardhshme të adrenalinës nga ana e Erdoganit: Kur Bundestagu gjerman të diskutojë në fillim të qershorit për një rezolutë për gjenocidin turk ndaj armenëve, pritet me siguri që do të ketë një tjetër shpërthim. Të gjitha këto Erdogani i bën, jo vetëm për të ngacmuar Gjermaninë dhe vendet e tjera të BE-së, por se Merkeli i ka dhënë atij me politikën ndaj refugjatëve një fuqi shtesë. Dikush si Erdogani nuk heziton edhe që ta përdorë atë.

Politikë simbolike për publikun gjerman

Për publikun në Gjermani, Merkeli u takuan në fillim të vizitës së saj të dielën në Stamboll me përfaqësues të shoqërisë civile – por jo me përfaqësues kurdë, dhe as me gazetarë të persekutuar. Edhe në intervista në gazeta ajo shprehu shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e gjendjes së brendshme politike në Turqi, për të shtuar me ngut që ajo u qëndron marrëveshjeve për politikën ndaj refugjatëve. Po tani? Pas bisedës me Erdoganin u tha vetëm: takimi nuk ishte në gjendje t’i sqaronte të gjitha çështjet e hapura. Dhe se nëse heqja e vizave të BE-së për turqit do të bëhet deri më 1 korrik, është shumë e pasigurt. Por kjo qe në fakt e qartë tashmë.

Deri tani është shkruar shumë për faktin se Merkeli i është dorëzuar presidentit egocentrik turk. Por kancelarja nuk është shumë romantike si tip, ajo nuk ka frikë prej politikës së interesave dhe llogaria e saj aktuale është: dëmi që mund të shkaktohet, nëse marrëveshja me Erdoganin prishet, është më i madh se humbja e kredibilitetit, që ka ndodhur tashmë, sepse ajo vazhdon edhe më tej të bisedojë miqësisht me pushtetmbajtësit në Turqi. Kjo mund të tingëllojë cinike, por ndoshta kjo është për momentin e vetmja gjë që i mbetet kancelares. Në rast se dështon politika e saj evropiane për refugjatët (apo ajo që ka mbetur nga plani fillestar), atëherë pushteti i Merkelit është vërtetë i kërcënuar edhe brenda vendit. Dhe pas më shumë se dhjetë vjetësh në detyrë, ajo nuk dëshiron ta përjetojë një gjë të tillë.

Marrë nga “Dojçe Vele”

Please follow and like us: