150 vjetori i lindjes së Avdo Mexhedoviqit
Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikëve janë cikël këngësh epike heroike legjendare. Ato radhiten ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve.
Eposi i Kreshnikëve është jehonë poetike shumështresore e jetës së përbashkët (sh.VI-VIII), por edhe e konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan).
Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve.
Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë “rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800”. Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë, në fillim të këtij mijëvjeçari, dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore.
Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te shqiptarët, por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut siç ishin Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin), Murat-agë Kurtagaj (Kurtagić) Husë Qorri Husoviq (Ćor Huso Husović), Ashir Qorraj (Ćorović), Kasum Rebronja, Xhemail Arnautoviqi, Ibro Musiqi, Xhyl Bahu (Bahović) etj.
Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur materiale jo vetëm në Sanxhak, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç profesorit Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritë zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur .
Në këtë analizë po i paraqesim dy lahutarët më të famshëm të cilët ndikuan në përhapjen dhe kënduan këngë epike në Sanxhak, Avdo Megjedoviqi dhe Salih Uglla (Uglanin).
Avdo Mexhedoviqi (nga fshati Obrov në afërsi të Bijello Poles, 1875-1953) ishte një këngëtar lahutar nga Mali i Zi. Mexhedoviqi është një nga poetët epikë më të mëdhenj të Sanxhakut, por edhe më gjerë. Poema e tij epike “Martesa e Mehë Smailagiqit” e cila ka 12.311 vargje, aq sa kanë së bashku Iliada dhe Odisea. Shkencëtari amerikan Milman Parry, studiues dhe profesor në Universitetin e Harvardit në gjysmën e parë të shekullit të XX, Avdon e ka quajtur “Homeri ballkanik”.
Duhet theksuar se Mexhedoviqi nuk ka vijuar as shkollën fillore. Në moshën madhore ka shërbyer nëntë vite në Ushtrinë osmane. Gjatë kësaj kohe zotëroi mirë gjuhën osmane dhe atë turke, kurse në Selanik përfundoi shkollën e oficerëve të marinës. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak është kthyer në Obrovë, në vendin e tij të lindjes, ku hapi një fermë dhe punoi në dyqanin (mishtore) familjar në Bijello Pole. Me lahutën u mishërua që në fëmijërinë e hershme, ndërsa aftësinë e ekzekutimit e mësoi nga babai i tij Huseini, i cili ishte një lahutar i shkëlqyer dhe më i njohuri i asaj kohe. Në sajë të talentit të jashtëzakonshëm dhe aftësisë që posedonte, me kalimin e kohës arrin të bëhet këngëtari dhe lahutari më i kërkuar në trevën e Sanxhakut dhe më gjerë.
Hulumtuesi i njohur i krijimtarisë epike ballkanike, Milman Parry , gjatë vitit 1935 regjistroi në pllakë speciale fonografe me 80 mijë vargjet epike të Avdo Mexhedoviqit. Në bazë të këtyre studimeve, Parry ka shpikur teorinë moderne të letërsisë gojore dhe homerologjinë moderne.
Lordi Albert Bates, gjithashtu profesor në Universitetin e Harvardit, vazhdoi punën për mbledhjen e krijimtarisë epike nga viti1950 deri më 1951 dhe regjistroi edhe 18.000 vargje të Avdos. Në këtë mënyrë është kompletuar një koleksion mbresëlënës prej rreth 100 mijë vargjeve të Avdo Mexhedoviqit.
Mexhedoviqi i ka rrëfyer Perry-it se “të parët e tij kanë ardhur para 200 viteve nga Nokshiqi apo Nikshiqi (nga incizimi i dobët nuk dëgjohet mirë për cilin vend bëhet fjalë saktësisht). Ata kanë dyshuar në identitetin e tij, por nuk u ka shkuar mendja se ai mund të jetë shqiptar. Profesori Perry një vit ka qëndruar në Beograd për ta mësuar gjuhën serbe. Perry ka qenë bartës i projektit, ndërsa Lordi ka qenë asistent i tij. Profesori e mësoi serbishten, gjithnjë duke menduar se kjo zonë është sllavo folëse, thotë mes tjeras prof. Zymer Neziri..
Avdo nuk ka lënë vargje në shqip, por fjalë po. Neziri potencon se kur është përgatitur poema “Martesa e Mehë Smailagiqit” (Zhenidba Smajlagiq Mehe), poema më e gjatë me mbi 12 mijë vargje, kanë hasë në fjalë të cilat nuk i kanë kuptuar, atëherë është kërkuar ndihma e Qamil Sijariqit i cili i ka përkthyer fjalët shqipe.
I panjohur dhe i papranuar, Avdo Megjodoviqi vdiq në vendlindjen e tij Obrovë në vitin 1953. Sulejman Zatriqi në vitin 2011 ka prodhuar emisionin filmik për jetën dhe veprën e tij.
Ragip Sijariqi (i kohës së Avdos), ishte nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat me lahutë është kënduar nëpër ndenja, janë treguar tregime dhe janë mbajt edhe garat për lahutarë. Duke folur për lahutarin, Xhyl Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruan si hajmalitë. Ato ruhen në vende të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte me libra të vjetra dhe të shenjta”.
Në Peshter të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi, në shkurt të vitit 2005, në Velepole të Tutinit kam prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullorë dhe këngëtarët e këngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar këngë “Dy nga dy” edhe atë vetëm meshkujt – sipas melosit të vjetër peshteras, pra shqiptar.
Avdo Mexhedoviqin në Bihor të gjithë e kanë njohur dhe me dëshirë e ka dëgjuar tërë popullsia e Sanxhakut – nga Bijelo Pola deri të Pazari i Ri. Në fshatra, posaçërisht në dimër, janë organizuar ndeja. Njerëzit janë tubuar nëpër oda në shtëpi të familjeve imune ku vinin lahutarët dhe ku këndohej edhe deri në mëngjes. Më së shumti janë tubuar në fshatrat Shipovicë, Godijevë (në shtëpitë e Sijariqëve), në Koritë (në shtëpitë e Mekiqëve, Mehajve dhe Alihoxhajve), në Cërhal, Dashqarijekë, Vrbicë, në disa fshatra të Rozhajës, Tutinit dhe Senicës.
Bazë e tematikës epike e këtyre këngëve kanë qenë këngët për luftërat e këngëtarëve të Plavës e Gucisë për ruajtjen e integritetit gjeografik dhe kulturor, lirinë dhe të drejtat për pavarësi. Pra, në mesin e dytë të shek. XIX dhe gjatë shek. XX, posaçërisht në lidhje me ngjarjet nga viti 1912 dhe deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore (“Oj qikë me fistan të bardhë! / Inshaallah peshterasit vijnë me të marrë”!)
Peshteri prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do të ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive. Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën. Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjakë që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878.
Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane. Prandaj, është i justifikueshëm vlerësimi i Husein Bashiqit: “Nuk ka pothuajse trevë në vendin tonë në të cilin në një hapësirë kaq të vogël të ketë ndodhur depërtim më intensiv i shprehjes shpirtërore të shumë popujve” (boshnjakëve, malazezëve, serbëve dhe shqiptarëve).
Peshterasit në shaka, por shpesh edhe me përbuzje, për disa lahutarë të cilët kanë qenë në gjendje jo të lakmueshme ekonomike, kanë përdorë një thënie të njohur: “Takum pasha, hall magjupi“ (i veshur si Pashë, ndërsa gjendja ekonomike e familjes shumë e keqe).
Profesor Neziri bazohet në katër pika në shpjegimin e prejardhjes shqiptare të Avdo Megjedoviqit: plisi, të cilin nuk e mban ndonjë etnitet tjetër përveç shqiptarëve; fjalët shqipe që i përdor në këngët e tij epike; deklaratën e tij para profesorit Perry kur thotë se ne rrjedhim nga gjaku i Ferizit, jo Ferizoviqit (citoj: “Mi poticemo od krvi Ferizi”); dhe sintaksa e tij. /Telegrafi/