Pesëqind vitet e “Shqipërisë së vogël” në Egjipt
Historiani dhe orientalisti shqiptar, akademiku Muhamet Mufaku, jo një herë u ka sjellë historiografisë shqiptare dhe lexuesve fakte të panjohura që do t’i bëjnë krenarë për të kaluarën e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
I lindur në Damask, por me origjinë shqiptare nga Kosova, që prindërit e tij dhe ky vetë asnjëherë nuk e mohuan, as e harruan, akademiku Muhamet Mufaku me veprën më të re, “Nga historia e shqiptarëve të Egjiptit gjatë shekujve XV-XX”, të botuar kohë më parë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtar i së cilës është edhe ai, shtyn praninë e shqiptarëve në historinë e Egjiptit për rreth një shekull e gjysmë më herët.
Me fakte historike ai zbret në shekullin XV në Egjipt, ku gjen gjurmët e pranisë së shqiptarëve. Deri tash studiuesit përmendnin vitin 1516, si datë të dëshmuar të pranisë shqiptare në këtë vend gjeografikisht të largët për ta. Kjo prani në fakt lidhet me periudhën e Perandorisë Osmane, e cila zgjati deri më 1918, për dëbimin e së cilës nga ky vend janë meritorë pikërisht shqiptarët.
Duke rikujtuar antonimin Arnaut, me të cilin identifikoheshin shqiptarët jashtë trojeve të origjinës, Mufaku përmend një vendbanim 95 kilometra në verilindje të Kajros, i cili edhe aktualisht mban emrin sipas tyre – Kufer Hammude Arnaut.