Albspirit

Media/News/Publishing

Racizmi, ç’po ndodh me vendet e ish-kampit komunist ?!

Racizmi, ç’po ndodh me vendet e ish-kampit komunist ?!

Hungaria është vënë sërish në fokusin e Komisionit Evropian për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kryesisht diskriminimin ndaj komunitetit rom. KE i kërkon Hungarisë (26.05)të përshtatë legjislacionin e saj me direktivën e BE-së mbi barazinë racore, që ndalon çdo lloj diskriminimi të bazuar mbi racën apo origjinën etnike në fushën e arsimimit. Ka një shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me legjislacionin dhe praktikat administrative hungareze, që i fusin fëmijët romë në shkolla speciale për fëmijë me handikapë mendorë, si edhe për shkallën e konsiderueshme të diskriminimit kundrejt këtyre fëmijëve në shkollat normale. Por, mbi të njëjta çështje, Komisioni i ka tërhequr vëmendjen edhe dy vendeve të tjera, si Republika Çeke dhe Sllovakia.

Kriza e refugjatëve ka arritur të regjistrojë në memorien historike, akte të shëmtuara të një mungesë të fortë solidariteti, dhe humanizmi. Hungaria do të spikaste në këtë regjistrim historik, jo vetëm me ngritjen e Murit të Turpit, por edhe me gjeste të filmuara, teksa gazetarja i bashkëngjitej dhunës së përdorur nga forcat policore, duke kontribuar në rrëzimin nëpërmjet vënies së stërkëmbësit një babai me fëmijën e tij të vogël në krah. Hungaria do të ishte gjithashtu vendi i parë që do të miratonte në kulmin e krizës, legjislacionin për burgosje të azilkërkuesve deri në tre vite, që penetronin në kufirin hungarez, si edhe të drejtën për të qëlluar mbi to, por pa i shkaktuar vdekjen.

Pushtet autoritar

Kryeministri i vendit Viktor Orban, është i njohur për politikat e forta me nuanca nacionaliste për integritetin e vendit dhe mosmarrëveshjet e përsëritura me Bashkimin Evropian. Ardhja e tij në pushtet në vitin 2010, u shoqërua me një sërë reformash kushtetuese, ligjore dhe ekonomike. Orban ka arritur të kryeje rreth 500 ndryshime ligjore, që prekin parlamentin, median, sistemin juridik, ligjin elektoral, Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese dhe Autoritetin e Ruajtjes së të Dhënave. Këto procese janë kryer pavarësisht kritikave të fuqishme të opozitës në vend dhe grupeve të interesit dhe të drejtave të njeriut, organizmave të brendshëm dhe atyre ndërkombëtarë, duke përfshirë në mënyrë specifike dhe BE-në. Të gjitha reformat janë gjykuar, se përmbajnë tendenca nacionaliste, përqendrim pushteti të partisë në qeveri, vënie në pozicion jo të favorshëm të partive opozitare, shtrëngim të të drejtave të minoriteteve dhe shtrëngim të lirisë së shtypit.

Për BE-në situata ka qenë e paprecedent, pasi Hungaria është i vetmi vend anëtar, që ka arritur të kryejë shkelje të tilla të rënda, të vlerave dhe parimeve themelore të funksionimit të saj, si edhe të kuadrit ligjor bazuar në traktate. Eksperiencat e përplasjeve me vendet e tjera nuk kanë shkuar asnjëherë deri në këtë fazë, por kanë gjetur zgjidhje paraprake.

Duhet rikujtuar se, kërcënimet e BE-së, shkuan deri në mundësinë e heqjes së të drejtës së votimit për Hungarinë, në Këshillin e BE-së. Komisionerja për Drejtësinë në BE, Viviane Reding do t’i rikujtonte Hungarisë se mund të aplikohet neni 7 i Traktatit të BE-së, i cili thekson se në rast dhunimi të përhershëm të drejtave themeltare të BE-së, vende si Hungaria në këtë rast, mund të humbasin të drejtën e votimit në Këshillin e Ministrave. Përjashtim në logjikën e ndëshkimit dhe të sanksionimit, bën vetëm Austria në momentin e futjes në koalicionin qeveritar të partisë ekstremiste FPO, të Haiderit (2000).

Gjatë mbajtjes së Presidencës së BE-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, Hungaria miraton Kushtetutën e re të saj. Kushtetuta u vlerësua se riciklon idetë e shekullit të 19-të, të konsideruara të rrezikshme për vendin. BE e konsideroi si kërcënim të bërthamës së vlerave evropiane dhe vënie në dyshim të kritereve të Kopenhagenit. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, forcoheshin tendencat nacionaliste, fuqizohej spektri konservator me një fokus mbi kishën, familjen dhe mbrojtjen e embrionit që në konceptimin e tij, shtrëngohej liria e medieve dhe cenoheshin një sërë të drejtash të njeriut.

Në janar të vitit 2012, Komisioni Evropian filloi procedurat përshpejtuese penalizuese kundër Hungarisë, mbi heqjen e pavarësisë së Bankës Qendrore dhe Autoritetit të Ruajtjes së të Dhënave si edhe mbi masat, që prekin sistemin e drejtësisë. Komisioni ka çuar gjithashtu para Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Hungarinë për disa ligje që bien ndesh me principet dhe ligjet e BE-së si, ligji për nxjerrjen para kohe të gjyqtarëve në pension, ligji mbi Autoritetin e Ruajtjes së të Dhënave, etj. Kritikat e ardhura nga Amnesty International mbi procedurat e ndërmarra nga Komisioni Europian, theksojnë se KE është fokusuar shumë mbi detajet teknike duke injoruar impaktin e gjerë negativ mbi të drejtat e njeriut, të shkaktuara nga miratimi i Kushtetutës së re hungareze dhe ligjeve të tjera të përpiluara.

Rasti hungarez përbën një rast unik të thyerjeve të rënda të legjislacionit të BE-së.

BE ka qenë vazhdimisht e dyzuar në përqasjen e saj përballë problematikës hungareze dhe ka nënvizuar shqetësimin serioz, se ish sateliti sovjetik po rrëshqet drejt autoritarizmit nën drejtimin e Orban. Unioni ka pak mjete në dispozicion për të ushtruar presion ndaj vendeve, që devijojnë nga rruga demokratike dhe zgjedhjet e fundit tregojnë, se elektorati nuk është i shqetësuar për problematikat që shtrohen nga BE mbi cenim të sistemit demokratik, ose nuk i konsideron këto çështje, të paktën si problematike. Nga ana tjetër ekziston gjithmonë një rrezik siç edhe ka ndodhur me vende si Greqia, Italia, Spanja apo Portugalia, ku kritikat dhe masat e ndërmarra nga BE, kthehen në një bumerang ndaj vetë BE-së, pasi vërehet një mos aprovim popullor dhe revoltë ndaj saj. Si edhe rasti i Austrisë (2000), që konfirmoi po të njëjtin qëndrim të masave.

Përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës demokratike në vend dhe retorika e fortë, që përdorte Orban si ndaj futjes sërish të dënimit me vdekje, por edhe politikave aspak demokratike të ndërmarra ndaj imigrantëve, detyruan Parlamentin Evropian në qershor të vitit të kaluar (2015), t’i kërkonte Komisionit krijimin e një mekanizmi monitorues mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtave themelore, si një mjet për të siguruar përputhjen e vazhdueshme të zbatimit të Kartës së të Drejtave Themelore si edhe traktateve, të nënshkruara këto nga të gjithë vendet anëtare.

Raporti i fundit monitorues i Këshillit të Evropës (ECRI-2015) evidenton se, gjuha e fortë e urrejtjes që përdoret jo vetëm nga partitë e ekstremit të djathtë, por edhe nga partitë apo anëtarët e partive të gjithë spektrit politik, shërben si nxitëse e paragjykimeve tashmë ekzistuese ndaj romëve dhe çifutëve në veçanti, duke kontribuar gjithashtu në përkeqësimin e klimës dhe armiqësisë ndaj këtyre komuniteteve.

Raporti përmend partinë e njohur të ekstremit të djathtë, Jobbik, një parti neo-naziste, që zotëron 24 vende nga 199 në Parlament, dhe që u rendit e dyta në zgjedhjet lokale të tetorit 2014. Përveç Jobbik, ekzistojnë edhe grupe të tjera ekstremiste, të paregjistruara si parti politike dhe disa prej tyre kanë edhe lidhje me Jobbik. Këto grupe operojnë kryesisht në zonat e banuara nga romët dhe organizojnë aktivitete për t’i frikësuar ato. Raporti shfaq shqetësimin se, gjuha e urrejtjes nuk është e kufizuar vetëm tek partitë dhe grupet ekstremiste, por shtrihet përgjatë gjithë spektrit politik. Zyrtarë shtetëror dhe anëtarë të partive kryesore janë të përfshirë.

Ky racizëm i përhapur, shfaqet edhe në mentalitetin e gjyqësorit dhe vendimeve të tij, në sistemin mediatik, tek drejtues të veçantë të saj, si edhe tek emrat e njohur të gazetarisë, të cilët edhe shpërblehen në raste te caktuara me çmime të veçanta.

Por, ajo çka është shqetësuese është fakti se duket që kemi një situatë me nota të ngjashme për sa i përket formave të larta të racizmit edhe në Republikën Çeke, si edhe në Sllovaki. Duket se këto politika kanë përfshirë në tërësi V4, pasi edhe Polonia po shfaq shenja të vazhdueshme problematike në lidhje me situatën demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore në vend.

Por, çfarë i bashkon apo i lidh këto katër vende në këtë mungesë të theksuar solidariteti dhe frymë diskriminuese ?

Në rast se i referohemi, analizave monitoruese të kryera nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës, (ECRI) i Këshillit të Evropës, situata shfaqet pothuajse me tendenca të njëjta, në lidhje me të drejtat e njeriut, ku diskriminimi dhe mungesa e tolerancës janë të frymëzuara, burojnë dhe mbështeten nga klasa politike. Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, kanë grupime realitivisht të fuqishme të ekstremit të djathtë, neo-nazist me anëtarë dhe mbështetje gjithashtu të konsiderueshme në popullatë. Ndërsa Polonia, ndonëse me një panoramë pak më ndryshe nga tre vendet e mësipërme, kohët e fundit është përballur me një rritje të grupimeve ekstremiste të djathta, si dhe me një fuqizim të ndjesisë anti-Islam.

Sllovakia 

Proteste-kunder-ardhjes-se-imigranteve-ne-vend-Sllovaki

Jo vetëm analizat monitoruese të ECRI, por edhe vëzhgimet e organizatave të të drejtave të njeriut, konfirmojnë se rëndom klasa politike në Sllovaki, përdor një retorikë politike kundër minoriteteve në vend. Duke mos bërë asnjë përjashtim, drejtuesit politikë të Sllovakisë, i përdorin fjalimet nacionaliste për qëllime elektorale. Këto fjalime, atakojnë grupe të ndryshme të minoriteteve në Sllovaki, duke mos përjashtuar edhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj imigrantëve myslimanë.Ekstremi i djathtë, është i fuqizuar. Një sërë raportesh konfirmojnë prezencën e rreth 500 anëtarëve aktivë të grupeve neo-naziste dhe qindra simpatizantëve të tyre. Strategjia e tyre politike vlerësohet të jetë sofistikuar vitet e fundit. Nëpërmjet hapësirave që krijon legjislacioni ato arrijnë të organizojnë manifestime raciste, grumbullime publike të formave të ndryshme, pa u shqetësuar aspak nga forcat policore.

Këto grupe mbështesin ideologjinë naziste dhe strukturat shtetërore fashiste të Sllovakisë përgjatë Luftës së Dytë Botërore, që deportuan në kampet e vdekjes qindra çifutë, romë dhe persona të tjerë. Ndër to më të fuqishmet në organizim janë partia e ekstremit të djathtë “Sllovakia Jonë” dhe “Partia Nacionaliste Sllovake”.

Por, janë edhe dy pika tejet të ndjeshme, që lidhen me segregacionin dhe dhunimin e të drejtës për jetë familjare.

Sllovakia është vënë vazhdimisht në fokusin e organizatave të të drejtave të njeriut për aplikimin e politikave të segregacionit, duke izoluar komunitetin rom në sistemin arsimor nëpërmjet krijimit te shkollave të veçanta vetëm për to, si edhe duke i përjashtuar nga forma të tjera të përfshirjes së mundshme në jetën sociale.

Por, situata më e rëndë, duket se shfaqet në lidhje me forcimin e detyruar për sterilizim të grave rome. Praktika gjysmë legale, që aplikohen pa dijeninë e pacientit, tek ato shkojnë për të kryer lindje, apo ndërhyrje për arsye të tjera. Sterilizim në masë i grave rome, që kryesisht kryhej nën formatin e dhënies së një letre të zakonshme për firmosje, pa i sqaruar se për çfarë bëhej fjalë. Shpeshherë komunikoheshin arsye të ndryshme dhe ndonjëherë iu jepej ndihmë materiale pa iu shpjeguar përse. Që prej vitit 2011, Sllovakia është dënuar vazhdimisht nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me këto praktika ilegale, duke dhunuar të drejtën për jetën familjare dhe private.

Republika Çeke 

Ceki-marshim-neo-nazist-photo-csaf.cz_

Edhe Çekia paraqet një panoramë të fortë racizmi dhe ksenofobie, që mbështetet gjerësisht në elitën politike si rajonale, por edhe kombëtare. Inkurajimet ndaj këtyre politikave raciste, shfaqen në shpërblimet apo ngritjet në detyrë dhe poste publike të personave, që kanë kontribute në këtë drejtim.

Partitë e ekstremit të djathtë, janë një burim i lartë shqetësimi për një sërë organizatash të të drejtave të njeriut, pa përjashtuar edhe ECRI. Publikimi në vitin 2008, nga Partia ekstremiste Nacionaliste e studimit të quajtur “Zgjidhja finale përballë çështjes cigane në tokat çeke”, që propozonte spastrimin e romëve dhe përzënien e tyre drejt Indisë, janë paralelizma të fortë me ideologjitë naziste të pastrimeve etnike. E njëjta parti, publikon vazhdimisht fjalime urrejtje kundër myslimanëve, në faqen të saj të internetit.

Grupet naziste dhe grupe të tjera të ekstremit të djathtë janë aktive në republikën Çeke. Këto grupe organizojnë manifestime klasike si koncerte, duke adaptuar strategji të rafinuara për aplikim të programeve të tyre të urrejtjes. Në fund të vitit 2007, “Partia Nacionale” krijoi gjithashtu një organizim paramilitar me uniforma specifike. Këto grupe organizonin patrullime nëpër shkolla për të mbrojtur nxënësit lokalë ndaj “agresioneve” të fëmijëve romë. Më shqetësuese, shfaqej mbështetja politike tek nuk e shikonte si të paligjshëm aksionin nga këto paramilitarë. Situata është shfaqur problematike edhe në lidhje me mediat, si edhe fjalimet e urrejtjes në internet.

Aktiviteti i grupeve ekstremiste si “Rezistenca Kombëtare” dhe “Nacionalistët Autonomë”, bazohet në një axhendë anti-myslimane, anti-çifute, mohim të Holokaustit dhe shpërndarje të propagandës naziste.

Polonia 

ekstremiste-Poloni

Edhe Polonia po përballet vazhdimisht me një rritje të grupimeve ekstremiste të djathta. Organizatat aktuale si “Rilindja Kombëtare e Polonisë”, “Kampi Nacional-Radikal” dhe “Shoqata Kombëtare Zadruga”, “E Gjithë Rinia Polake”, apo “Lidhja e Mbrojtjes Polake”, janë pasuruar me grupime të tjera, si:  “Lëvizja Nacionale” (2012), apo “Bashkësia- Partitë e Perandorisë Sllave”, (2013).

Një sërë raportesh konfirmojnë rritjen apo përforcimin e aktiviteteve të tyre mobilizuese. Disa prej tyre, vërehet se janë të strukturuar në rrjete ndërkombëtare, ndërsa disa të tjera kanë ndërtuar lidhje me shoqata mbështetësish racistë të futbollit dhe në veçanti me grupet e huliganëve. Për sa i përket përdorimit të gjuhës së urrejtjes në internet dhe në media, mendimet raciste dhe ksenofobe vlerësohet se, janë të vazhdueshme mbi forumet e diskutimeve në internet. Ndonëse, ka një përqendrim të gjuhës së urrejtjes të klasifikuar fillimisht ndaj çifutëve, rusëve dhe gjermanëve, ajo që konstatohet është një rritje e vazhdueshme e ndjesisë së islamofobisë në vend.

Panorama në vendet e V4-së, është shndërruar në një shqetësim për politikat e BE-së. Sa mbi faktin e konceptimeve politike, që bien ndesh me kuadrin e respektimit të të drejtave të njeriut, por edhe për shfaqjen e ngurtësisë politike, që ato po tregojnë nëpërmjet vendimmarrjeve që prodhon V4, si strukturë politike. Sidomos, në kulmin e krizës së refugjatëve, ku krijonin një lloj bllokade politike, para çdo mbledhje të nivelit të lartë evropian, që synonte gjetjen e zgjidhjes mbi krizën e refugjatëve.

Së shpejti më 1 korrik, Sllovakia merr edhe presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, çka nuk frymëzon aspak në lidhje me një bashkëpunim të frytshëm mbi tema të ndjeshme, siç mund të jenë kriza e refugjatëve, apo edhe zgjerimi. “Evropa duhet të jetë e krishterë” në logjikën e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, i majti, i rizgjedhur dhe i votuar sërish nga elektorati, në një mandat të tretë. Retorika e tij anti-myslimane nuk stepet aspak, edhe pse vetëm pak kohë e ndan vendin e tij nga marrja e presidencës së radhës të Këshillit të BE-së.

Please follow and like us: