Klejda Bega, shkencëtarja shqiptare që komandon atomet dhe mban në dore gjithësinë
Klejda Bega, shkencëtarja shqiptare që komandon atomet dhe mban në dore gjithësinë
Rasti i mahnitshëm i vajzës nga Elbasani që, me kurajë, vullnet e dëshirë ka arritur majat në shkencë dhe studion ligjet fondamentale në fizikë. Historitë e suksesit, nga olimpiadat kur ishte fëmijë, ekselenca në shkollë të mesme dhe shkëlqimi në Amerikë. Jeta studentore, eksperimentet, familja, komuniteti i shkencëtarëve, objektivat për të ardhmen dhe porositë. Të gjitha në këtë speciale ekskluzive që shërben si motiv për gjeneratat e sotme e që shpresojnë të jenë si ajo një ditë.
Ndërsa isha duke rrëmuar për të evidentuar disa nga figurat e shquara të Elbasanit atje, në këndin e ekselentëve të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, më zë syri një vajzë me sy shumë të qeshur. Pyes kujdestarin e muzeut se cilat ishin kontributet e saj dhe, ai me plot krenari e pasion, më shpjegoi historinë brilante të suksesit të saj. Bëhet fjalë për Klejda Begën një nga shkencëtaret më në zë sot në fushën e fizikës.
Ashtu si qindra studiues të tjerë, udha e saj drejt hulumtimit duket krejt e rastësishme. Por megjithatë, gjeneratat e sotme femra në fizikë e kanë një idhull frymëzimi. Ajo është Mari Kyri. Klejda ishte vetëm 9 vjeçe kur i ra në dorë një biografi e shkencëtares së famshme shkruar me shumë dashuri nga e bija Iv Kyri.
Fizika dhe matematika ishin dy lëndët ekzakte që përcaktuan të ardhmen e saj. Arsimin tetë vjeçar e kreu në shkollën “Naim Frashëri” dhe arsimin e mesëm në shkollën “Dhaskal Todri”. Zhvendoset në Tiranë në gjimnazin “Sami Frashëri”. Por, falë dhuntive që zotëron, fiton të drejtën për të përfunduar Riverside Scool në Zvicër. Në klasën e tetë dhe në vitin e dytë në gjimnaz, Klejda mori pjesë në olimpiadat kombëtare dhe ballkanike të matematikës ku u nderua me çmimin e parë në Shqipëri në vitin 1990- 92 si dhe çmimin e tretë në Ballkan po në këtë vit edhe pse ishte shumë më e vogël se konkurentët e tjerë.
Ekselenca e saj tërheq vëmendjen e mësuesve ndërsa aplikon për të studiuar në universitete të famshme në botë. Fiton bursë që mundëson përfundimin e studimeve të larta në California University Technology në Pasadena, një universitet nga më të njohurit në glob, sidomos për fizikë. 33 pedagogët e këtij universiteti kanë marrë çmimin Nobël në këtë fushë.
Ajo u diplomua nga Caltech për fizikë me mesataren më të lartë të mundshme. Në vitin 1999 fillon doktoraturën për fizikë të thërrmijave. Eksperimentin për tezën e doktoraturës e kreu në laboratorin e fizikës në Standford University rezultatet e të cilit u botuan në revista shkencore mes të cilave në Physical Review Letter. Në vazhdimësi të karrierës fitoi një bursë nga Shoqata Amerikane e Fizikës që të kryente punë kërkimore në Columbia University në Njew York në fushën e fizikës atomike dhe specifikisht në optikë kuantike. Krahas kësaj ajo u ftua lektore në Columbia University ku jep një kurs të detyruar me titullin “Kufijtë e Shkencës”. Klejda është e martuar dhe nënë e dy vajzave, 3 dhe 5 vjeçe.
Atomet janë grimca ultra të vogla dhe më të padisiplinuara të materies. Ato përbëhen nga elektronet (thërrmija me ngarkesa negative) dhe protonet (thërrmija me ngarkesa pozitive) të cilat së bashku me neutronet përbëjnë bërthamën e tyrej. Është shumë e vështirë të “ngrish” e të masësh një atom. Por aty zënë fill të gjithë ligjet e fizikës. E megjithatë Klejda ka mundur ti ndalë, ti vërë në “gjumë” në “bigurinën e vezëve” dhe ti manipulojë si të dojë. E mahnitshme të arrish të kuvendosh me grimcën më të vogël, njësinë bazë të gjithësisë.
Në fakt dy shkencëtare shqiptare duket se janë vënë në garë për të zbuluar origjinën e universit që mund ti japin shpjegime të tjera ligjeve në fizikë. Disa qindra kilometra më larg, në Karolinë e Veriut, në Chapel Hill, Dr. Laura Mersini-Houghton, bazuar në një matematikë të përkryer, po trondit komunitetin e shkencëtarëve duke vënë në dyshim Teorinë e Big Bang-ut dhe e ‘vrimës së zezë’.
E pyetur se si nisi rrugëtimin drejt thërrmijave Klejda përgjigjet se ishte pikërisht biografia e Mari Kyrisë që i dha ngacmimin fillestar. “Unë as që e njihja se çfarë ishte fizika por meqë kjo shkencë i kishte shkaktuar asaj (Marie Kyrisë) aq pasion, me siguri duhej të ishte diçka e mrekullueshme. Dhe thashë: Unë do të bëhem fizikane”.
Në fakt në atë kohë ajo ende nuk e dinte nëse ishte apo jo e talentuar për fizikë. Para se të tërhiqej përfundimisht nga kjo shkencë prindërit kishin tentuar ta bënin muzikante, balerinë, gjimnaste etj. “ Por unë nuk kisha fare vesh muzike dhe pikë talenti për balet dhe në një farë mënyre më kish mbetur matematika”
Pasi shkëlqeu në shkollën 8 vjeçare, ku fitoi olimpiada për matematikë dhe fizikë brenda e jashtë vendit, arrin rezultate maksimale në shkollë të mesme të cilën e përfundon në Riverside në Zvicër. “Dola shumë mirë me mësime dhe zieja nga dëshira për të vazhduar shkollën e lartë. Aplikova për bursa në universitete të ndryshme. Unë vija nga Shqipëria e cila në atë kohë e cila ishte shumë e varfër. Nuk kisha mundësi të paguaja universitete kaq të shtrenjta. Por unë isha me fat. Unë kisha mësues që më inkurajuan shumë dhe kur aplikova në universitetet amerikane fitova bursë”.
Përfundimisht arrin të futet në Caltech në Amerikë një universitet i vogël por që mbledh elitën më të mirë në fizikë dhe matematikë. “ Ne ishim të gjithë të parët. Matematika, fizika, biologjia na janë dukur zbavitëse dhe shumë të lehta. Bashkëpunonim dhe shpiknim gjëra të që na argëtonin. Aty ka shumë krijimtari. P.sh njëherë mbaj mend që shkrimin Hollywood ne e shndërruam në Caltech. Kam shumë kujtime të bukura atje”.
Për studenten e pasionuar nuk ka prehje. Pas përfundimit të shkollës së lartë ndërmerr një nga vendimet më të guximshme të jetë. Të kryejë eksperimente dhe zbulime e të mbrojë doktoraturën. “Punën kërkimore e kreva në SLAC National Accelerator Laboratory. Ky laborator ka një përshpejtues mbi 3 km të gjatë. Aty lëshohet rryma e elektroneve dhe ato përshpejtohen në një shpejtësi shumë të madhe. Ishte një eksperiment me 50 fizikantë në fushën që njihet si fizika e thërrmijave. Ideja ishte që të masje disa veti të thërrmijave si p.sh elektronet të cilat nuk mund ti masësh dot. Nevojitet një preçizion i lartë le të themi një në një miliard”, shpjegon Klejda.
Matja e elektroneve përbën një nga sfidat më të mëdha të kohës në fizikë. “Është një matje shumë e rëndësishme. Duket si diçka e thjeshtë. Por në fakt këtu qëndron baza e ligjeve të fizikës. Pra, gjithçka e thënë deri tani e ka bazën në vërtetësinë e këtyre matjeve. Si rrjedhim ne vërtetojmë ligje të zbuluara dhe ato që mund të zbulohen”.
Pas përfundimit të doktoraturës i ofrohet një vend si lektore në Columbia University. “Jap një lëndë e cila është ekskluzivitet i Columbia University. Më pas atë e kanë kopjuar edhe universitete të tjera. Universiteti ka disa lëndë të tilla që e dallon atë nga të tjerët. Mënyra se si ja prezantoj shkencën studentëve ka të bëjë mjaft me anën metodologjike se si ata mund të mendojnë si shkencëtarë si mund të mendojnë në mënyrë kritike. Nuk ka asgjë të vështirë dhe për tu trembur. Lëndë të tilla janë po aq magjike sa arti dhe letërsia”.
Ashtu si kudo në botë edhe në Amerikë komuniteti i shkencëtareve femra duket se është në minorancë. Megjithatë ato kanë vendin e tyre në panteonin e zbulimeve të rëndësishme për njerëzimin. “Kur morëm doktoraturën ishim 50 veta dhe në përbërje të ekipit vetëm 4 femra nga të cilat vetëm unë full time. Kam konstatuar se sa më shumë ngjitesh në shkallët e shkencës aq më pak shkencëtare gjen”.
Klejda jep edhe disa nga arsyet se përse ndodh kështu. “Femra konceptohet si një grua që duhet të mbajë familjen e se nuk ka shumë kohë të merret me shkencë. Pastaj ekziston ende ai koncepti që vajzat duhet të merren me kukulla dhe djemtë me makina. Unë po mundohem që të mos i mësoj vajzat e mia me këtë koncept. Në Amerikë, që të arrish diçka duhet ti kushtohet 100% e kjo periudhë përkon me kohën kur ti krijon një familje”.
Shkencëtarja jonë megjithatë ka mundur t’ia dalë. Ajo është edhe një bashkëshorte e mirë, edhe një nënë shembullore edhe një amvisë e zonja. “Mund të them se jam krijuese edhe në kuzhinë. I dedikohem dy vajzave të mia dhe bashkëshortit tim. Unë fle shumë pak. Por jam me fat se më ndihmojnë bashkëshorti dhe mamaja ime e cila kujdeset për Azajlën dhe Davinën që ende janë të vogla”, transmeton infoelbasani.
Ardhja në jetë e vajzave dhe ndryshimet e rëndësishme në jetën familjare duket sikur “ngrinë” punën kërkimore të Klejdës. Megjithatë atë e thërret kërkimi shkencor. “Jeta është kompromis e mund të zgjedhësh. P.sh unë vendosa të bëja punë kërkimore në Columbia. Por meqë kam fëmijë të vegjël aktualisht po merrem më shumë me mësimdhënie. Dhe sa të rriten pak, pra sa të ndryshojnë ekuilibrat, unë do të merrem sërish me kërkime. Kam bërë një ndryshim në planet e mia. Nga fizika e thërrmijave po i kushtohem fizikës atomike. Është lloji i fizikës që bëhet në një hapësirë sa një tavolinë buke. Një pajisje si një sobë e gjatë e cila ndiqet nga një frigorifer sa një top futbolli. Në këtë rast në nxehim atomet e stronciumit që i drejtojmë tek frigoriferi ku gjithçka ndodhet në vakuum. Atomet në këtë eksperiment janë shumë pranë zeros absolute -273 gradë Celsius ku nuk lëviz asgjë. Është 1000 herë më ftohtë se në hapësirën e thellë ku nuk ka as yje e as planetë. Dhe e gjithë kjo që them ndodhet në një hapësirë të vogël të laboratorit tonë. Ku konsiston? Duke përdorur lazer dhe duke i ftohur, atomet rrinë aq urtë sa mund ti vendosësh si vezët në mbajtësen e tyre. Pra në këtë rast çdo vezë është një atom. Duke i pasur në këtë gjendje ne mund t’i lëvizim si të duam e të bëjmë matje të ndryshme”.
E gjithë kjo punë disa vjeçare konsiston në shpikjen e pajisjeve që përbëjnë bazën e teknologjisë së sotme dixhitale. Këto shpikje përdoren në çdo aspekt të jetës nga telekomunikacioni deri në shëndetësi. “Nga pikëpamja praktike mund të përdoren p.sh në ndërtimin e orës atomike. Pra në thjesht jemi në një stad më të përparuar për të bërë matje me preçizion të lartë. Është interesant të themi se faqja e parë e internetit është shkruar në komunitetin e fizikës së thërrmijave. Kanë qenë fizikantët ata që krijuan këtë faqe. Tërë pajisjet mjekësore që përdoret sot, deri në skanerat ultra modernë, janë shpikur nga ata. Nganjëherë ne na pyesin. Po pse bëni të tilla eksperimente? Në të vërtetë shpesh ne nuk e dimë se ku do shkojmë. Çfarë na pret në fund të kësaj pune. Eksperimentet janë udhëtimi drejt zbulimit të ligjeve të natyrës dhe udhëtimi bashkë me zbulimin është shpërblimi i asaj që ti bën”.
Klejda ka një këndvështrim më të gjërë se sa thjesht koncepti fizikë. Madje ajo e sheh këtë shkencë si bazë për të përparuar në fusha të tjera të jetës. “E para që rekomandoj për të gjithë nxënësit dhe studentët është që ata të vazhdojnë të studiojnë. E dyta dua tu jap një këshillë që do kisha dashur të ma jepnin edhe mua kur isha vogël. Kur ishim të tillë ne kishim këtë ide: Nëse studion fizikë bëhesh fizikane, nëse studion matematikë bëhesh matematikane e kështu me radhë kimiste letrare etj. Por në fakt nuk është ekzaktësisht ashtu. P.sh vajzave që studiojnë fizikë desha tu them se fizika ju hap shumë dyer. Nuk është e thënë të bëheni fizikane. Fizika ju ndihmon që ju të zgjidhni problemet e jetës, se si tu jepni zgjidhje rrethanave. Duke mësuar atë ju mund të punoni edhe në financë, ekonomi edhe në qeverisje. Pra ju krijon baza që të studioni çfarë të doni ju”.
Për veten i ka objektivat e qarta. Tu japë maksimumin studentëve dhe të përparojë në eksperimentet e saj. “Dua që ai frigoriferi i eksperimentit të punojë shumë mirë që të mund të marr ca masa shumë ekzakte e të përparoj në zbulime të mëtejshme. Profesionalisht, unë shpresoj se grupi ynë i kërkimeve në Columbia prodhon disa rezultate të mrekullueshme në të ardhmen e afërt”.
Çmimi Nobël është shpërblimi më i madh për çdo zbulues. Por Klejda është mjaft modeste edhe nëse do të ndodhë që mund të vijë ajo ditë. “Edhe pse çmimi Nobël është arritja më e madhe e fushës tënde në realitet ai ka të bëjë me faktin të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur, me eksperimentin e duhur e të jesh edhe gjallë. Dhe ju e dini; ka mjaft fizikantë që e kanë marrë këtë çmim pasi ata kanë vdekur”.
Në fillim Shqipëria, pastaj Zvicra e aktualisht Amerika. Klejda i përket njerëzve të epokës së globalizmit, të shoqërisë së dijes. “Bashkëshorti im është rus, kështu që fëmijët tanë do të flasin tri gjuhë – anglisht, shqip dhe rusisht. Jemi një familje qytetare e idealeve botërore. Të qenit kështu zgjeron perspektivën tuaj, thellon të kuptuarit dhe respektin për kulturat e tjera dhe përmirëson aftësinë tuaj për tu përshtatur. Duke pasur parasysh drejtimin drejt së cilës bota është duke lëvizur, pra drejt integrimit dhe globalizimit – ajo ju përgatit ju për të ardhmen”.
Ky pra ishte rasti i Klejda Begës, shkencëtares sonë dhe atyre që dëshirojnë ta kenë shembull një ditë.