Naim Frashëri – Sintezë vlerash dhe zëdhënës i kohës
(Në 170-vjetorin e lindjes , referat ne Akademinë përkujtimore mbajtur në Tetovë)
Prof. dr. XHELADIN MURATI
Dy mendime në vend të hyrjes:
- “Po shqiptarët kanë qenë e janë dhe do të jenë, e duhet të jenë të bashkuar e të pandarë – Naim Frashëri, Istori e Shqipërisë, Sofje, 1889, f. 45
- “Njeriu s’është i penguar po i liruar së gjithash, dhe gjithë punët i ka në dorët e vet. Po ka mendjen, që kupton, njohen, që zgjedh, shpirtin, që njeh, zemrën, që ndanë dhe vetëdijen, që peshon gjithë punët”- Naim Frashëri, Fletore e Bektashinjët
Sado që për kolosin e letërsisë shqiptare, për poetin e madh kombëtar – Naim Frashërin është shkruar shumë, prapëseprapë evoluimi i mendimit shoqëror e kulturor, historik e politik ka mundësuar qasje dhe elaborime të nduarnduarta ndaj opusit krijues dhe dimensionit të veprës së tij. Kështu është për arsye se vepra e tij është vepër e krenarisë sonë kombëtare, fryt i një intelektuali të angazhuar për të krijuar dhe afirmuar vetëdijen kolektive kombëtare.
Vepra e Naimit e nduarnduarshme, por komplekse për nga ideja dhe përmbajtja e porositë që jep, aktualisht edhe sot mbetet objekt studimi nga aspektet e ndryshme. Ajo është vepër me tipare dhe kërkesa të çiltra kombëtare, e cila si e këtillë ka luajtur rolin e katalizatorit të idesë së madhe dhe, së dyti, normat dhe vlerat letrare – poetike dhe pikëpamjet e tij teorike – filozofike edhe sot janë aktuale.
Shkruhet për Naimin, rreth Naimit dhe mbi Naimin. Shkruhet për këtë erudit të fjalës dhe artikulues të dëshirave dhe idealeve si burim i pashtershëm prej letrari, filozofi, pedagogu, patrioti e veprimtari. Edhe sot nga distanca kohore bukur e gjatë e përkujtojmë 170-vjetorin e lindjes së tij si burim i idealeve, i vullnetit, si veprimtar që diti ta shtrojë dhe sintetizojë perspektiven dhe objektiven, realen dhe të mundshmen, qëndresën dhe përpjekjen, fitoren e urtësinë, burrërinë dhe besën, abstrakten e konkreten, të drejtën dhe të vërtetën, gjithënjerëzoren dhe kombëtaren, gjuhën dhe diturinë, shkollën dhe historinë, njeriun dhe kombin. Është ky mision vërtet historik i Naimit.
Naim Frashëri është i njohur, në radhë të parë si poet e vjershëtor kombëtar, në kulturën kombëtare përkatësisht në kulturën materiale – shpirtërore, si njohës i mirë i historisë, i cili diti t’i sintetizojë kërkesat legjitime historike të popullit të cilit i takonte, të idealeve të tij shekullore, kurse në historinë dhe traditën arsimore njihet si krijues tekstesh shkollore dhe pedagog.
Koha në të cilën jetoi Naimi, apo siç e quanin bashkëkohësit “mendjeholli e fjalë-kripuri”, ishte e dendur me ngjarje historike. Por edhe koha në të cilën ne jetojmë dhe veprojmë sot është përplot ndodhi historike. Varësisht si e perceptojmë kohën e sotme dhe të djeshme, ngjarjet, proceset, ndodhitë, konstatojmë qartë analogji, ngjashmëri e shumëçka identike. Por kthesa historike ka pasur dhe do të ketë, gjithsesi, mbase historia është KOHË, por çdo kohë nuk është histori. Dhe pikërisht në këto raporte koha dhe historia janë përzier, sikur janë bërë një, pa vijë demarkacioni, me qëllim ose pa të. Ky pikëtakim i kohës dhe historisë na afron me veprën madhështore të Naimit, kryepoet i Rilindjes, vepra e të cilit nuk njeh kohë, hapësirë e kufi, ajo edhe sot i qëndron kohës si vetëdije dhe ndërgjegje e formuar kombëtare. Si sintezë e tendencave dhe kërkesave më të avancuara të kohës, ajo edhe sot udhëheq ndjenjat tona, moralin, ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë. Me imanencën e filozofisë jetësore, vepra e Naimit na e forcon ndjenjën e dashurisë dhe të qëndresës, të unitetit dhe të besimit, të vullnetit dhe të durimit.
Vepra e Naimit e drejtonte popullin, nuk e linte në udhëkryq. Në të e paraqiti jetën komplekse, të rendë e të vështirë të njeriut të shtypur e të kombit të sunduar nga obskurantizmi fetar, nga padituria e thellë. Ajo vepër ishte e angazhuar, mobilizonte, udhëhiqte, synonte prore përparimin, çlirimin, ardhmërinë e lumtur. Kjo vepër e begatë, e shumanshme kultivon virtyte të larta njerëzore e kombëtare, imanentisht fisnikëron jetën, supozon mirëqenien njerëzore. Imponon ndjenjën dhe nevojën e njerëzve për bashkëqenësim dhe bashkëveprim.
Vepra e Naimit nuk është vetëm vepër letrare apo edukative – arsimore, ajo është një filozofi e tërë e jetës së njeriut dhe kombit historikisht të shtypur, i cili luftonte të çlirohet, të mëvetësohet, të zhvillohet pavarësisht, të ketë vetëdijen dhe dinjitetin kombëtar. Objekti i saj, pra, është njeriu, njohja e jetës, raportet e tij me ardhmërinë, synimet për një jetë të qytetëruar, apo shprehur me gjuhën e filozofisë, problemet gnoseologjike të njohjes së vetvetes, të asaj ç’është dhe ç’duhet të jetë, të bashkëjetesës dhe të bashkëveprimit në koordinatat civilizuese. Jo rastësisht, njeriu është epiqendër e veprës së tij, për të cilën ai lufton me të gjitha mjetet ta vetëdijesojë. Ky është dimensioni human i veprës së tij. Njeriu nuk është, sipas tij, qenie abstrakte, por qenie konkrete shoqërore me synime e pikëpamje të qarta: koekzistencë kombëtare. Pikërisht për këtë është progresiv fakti se Naimi njeriun e kupton si faktor që sjell përparim, liri, pavarësi, lumturi, mirëqenie.
Poeti i madh, veprimtari Naim, deri në fund të jetës, të vështirë gjithsesi, luftoi për ideale kombëtare, për liri e pavarësi, për jetë njerëzore dhe, njëherit, kërkonte respekt ndaj popujve të tjerë, sepse vetëm kështu mund të nderohet edhe populli shqiptar. Ai shprehu pikëpamje përparimtare dhe demokratike duke krijuar një vetëdije të lartë kombëtare. Tërë qenien e vet e vuri në shërbim të kombit, të gjuhës, të arsimit, të shkollës, të kulturës dhe të historisë kombëtare.
Padyshim, vepra e tij është komplekse, kolorite. Dhe këtu shtrohet pyetja: a duhet të bëhet një renditje vlerash, efektesh, situatash të veprës së tij? Gjithsesi, po. Kjo edhe gjer më tani është bërë, për arsye se vepra e tij ka luajtur rolin e një katalizatori të ndjenjës e kërkesave të popullit, të idealeve të tij, e motivuar qartë për ekzistencë kombëtare të barabartë me kombet e tjera të qytetëruara. Vepra e tij është fuqi rezistuese ndaj politikës osmane që bënte ndaj shqiptarëve.
Me obligim intelektuali e përgjegjësi historike në veprën “Mësime” dhe në veprën “Histori e përgjithshme për shkolla fillore” do të shkruan: “e pare e gjithë mbrothësivet, q’i duhen një kombi është gjuhë e Mëmëdheut. Se nga gjuhë të huaja s’munt të marrë njeriu kurrë dritat e diturive si duhen.”
“Njeriu për t’u bërë i ditur mjaft duhet të mësonj gjuhën e vet, gjuhën q’e mësoj duke pirë sisë nga mëma, ta shkruaj mir’e bukur se me gjuhë të huaj nuk munt kurrë të ndritohet pas nevojës e pas diturisë, q’është sot”.
Më tej ai shkruan: “Gjuhën e mëmdheut mëso/ Ajo mund të të ndritonjë/ Edhe të tjerat i kendo/ Por atë ta keshë për zonjë”.
Naim Frashëri u bë sinonim i kombit dhe i qëndresës. Ai e nxiti inteligjencien e kohës dhe patriotët shqiptarë që të ngrihen kundër padrejtësive historike, kundër errësirës, e cila paraqitej nga osmanlinjtë si faktor limitues për të ecur shqiptarët përpara. I gjithë artikulimi politik i Naimit lidhet me çështjen kombëtare. Mendimi i tij ishte shprehje e aspiratave liridashëse. Naimi sikur e parandiente lirinë dhe pavarësinë kombëtare dhe atë e impononte si domosdoshmëri, e nxiste dhe në vizionin e tij politik inauguroi idenë dhe idealin e historisë, e cila një dekadë pas vdekjes së tij do të triumfojë mbi robërinë pesëshekullore osmane.
Vepra e Naimit paraqet një sintezë të synimeve dhe qëllimeve reale, po njëherit ajo është dëshirë dhe obligim që valëvitet në mes reales dhe ideales, objektivave dhe të mundshmes. Esencialisht ajo është vepër kuptimplotë, vepër e mirëkuptimit për njerëzit në kuptimin më të gjerë të fjalës e në të cilën integrohen kërkesat objektive për edukimin dhe formimin e njeriut, për arsimimin e tij të tërësishëm kombëtar, emancipimin e popullit si kolektivitet, krijimin e ndërgjegjes ndaj punës, bën ndërthurjen e ngushtë të moralitetit dhe humanitetit, ngre vetëdijen historike e nacionale, nxit diturinë dhe atë e shikon si mundësi parësore të përparimit të shqiptarëve si komb më vete.
Ajo është vepër që e formon njeriun dhe si e këtillë u është përgjigjur aspiratave elementare të njeriut të shtypur, të mohuar si komb, të vetërealizimit të tij, duke kryer në këtë mënyrë funksione të ndryshimit të natyrës individuale e vetëdijes kolektive kombëtare. Ka mundësuar vetëformësimin, vetëngritjen dhe vetedukimin e njeriut. Vepra e Naimit është ngadhënjim i së mirës mbi të ligën, i së bukurës mbi të shëmtuarën, i së ardhmes mbi të kaluarën, i dritës mbi errësirën, i lirisë mbi robërinë, i përparimit mbi prapambeturinë, i gëzimit mbi mjerimin, i diturisë mbi injorancën, i bashkimit mbi përçarjen, i atdhedashurisë ndaj tradhtisë, i paqes mbi luftën.
Veprimi edukues i veprës së Naimit mbi lexuesin është i qartë, konkret dhe gjithëpërfshirës. Por e reja, zhvillimi del ngadhënjyes mbi të kaluarën dhe është e pamposhtur për të ardhmen.
Ajo paraqet një program imanent të koekzistencës kombëtare, të bashkëqenësimit dhe të bashkëveprimit, anticipon dhe e shpreh pozicionin e caktuar aktiv të njeriut, të kombit në shoqërinë e ardhshme, shtron çështjen e ekzistencës dhe të esencës kombëtare. Duke projektuar ardhmërinë në kohë e hapësirë në asnjë çast vepra e Naimit nuk është indiferente, por përkundrazi e angazhuar, reale, e mundshme.
I prirë nga ndjenja e thellë kombëtare e tërë veprimtaria e tij kufizohet vetëm brendapërbrenda kombit, porse ajo ndjenjë nuk përcillet me urrejtje ndaj kombeve të tjera. Artikulimi më konkret i mirëqenies, i ndjenjës dhe kërkesës së bashkëjetesës të cilën Naimi e proklamonte (1886) shprehet në vargjet e mirënjohura dhe gjerësisht të eksploruara: “Duam me fqinjët gjithnjë të rojmë, të jetojmë/ Me sllav, grekë e këdo me dashuri të shkojmë / Po me një fjalë, një vështrim thellësisht të kuptohet, / Që e drejtë e tjetrit gjithnjë të respektohet”.
Urrejtja për Naimin është e huaj. Ajo e mbron njeriun, pa marrë parasysh a është i madh apo i vogël, kush është dhe nga është. Naimi me plot të drejtë pohon: “Gjithë botën e duaj, / Mos pandeh për të huaj”.
Dimensioni polivalent i veprës së Naimit me imanencën e filozofisë jetësore kap aspektet e zhvillimit dhe të progresit njerëzor nga më të ndryshmet. Në këtë kontekst vlen të veçohet se edukimi i njeriut, individit është nocion i gjerë dhe shumëkomponentësh, andaj mendimi pedagogjik e filozofik që shtrohet gjerësisht imponohet edhe si panpedagogjizëm, pasi që në veprën e Naimit edukata trajtohet si faktor i domosdoshëm i ndërtimit të jetës, i nxitjes dhe afirmimit të atdhedashurisë kudo dhe në çdo vend të veprës. Formimi i njeriut shtrohet si kërkesë e domosdoshme, si realitet shoqëror dhe si praktikë e përvojë historike, e cila implikon interaksionin midis forcave të brendshme njerëzore dhe njeriut si integrale shoqërore.
Naim Frashëri – piktor i fjalës, strateg i gjuhës, përshkrues i ngjarjeve të një kohe të bujshme në historinë kombëtare, simbol i kulturës kombëtare, krijues letrar, erudit i shumëfishtë, atdhetar, i tejkaloi suazat kohore që i takonte dhe sot vazhdon të jetojë me veprën dhe idenë e madhe. Historia me këtë rast paraqitet në dimensione të gjera. Kjo ka të bëjë edhe me Naimin, sepse ai i mbetet edhe kohës, edhe historisë. Ai nuk margjinalizohet, sepse vlerat e veprës së tij përbëjnë një sistem konsistent aksiologjik. Gjerësinë e aspekteve të veprës së Naimit e kanë elaboruar dhe studiuar hulumtues profilesh të ndryshme të shkencës, kulturës, artit, letërsisë.
Fakti që krijimtaria e shumanshme e Naimit filloi në gjuhë të huaja (persishte, turqishte) novela “Katër stinët”, vjershat lirike “Endrrimet”, nuk e pakëson rëndësinë e saj. Përkundrazi, ideja kombëtare si ide bosht qëndron imanentisht në tërë veprën e tij. Zaten vlerat e shumëfishta e komplekse të veprës së tij nuk përmbyllen në kornizat kombëtare, edhe pse ato janë dominante, por i tejkalojnë këto korniza, bëhen pjesë universale e historisë si “mësuese e jetës”, përkatësisht, siç konstaton studiuesja Agnija Desnickaja, Naimi hyn në visarin e përbashkët artistik të të gjithë popujve.
Realitetin dhe idealin shqiptar, pa reduktime, Naimi e pikturon me tërë peshën e vet, por me vizion të qartë dhe është decid se këto ideale do të sendërtohen, se robëria osmane është bërë gjithnjë e më e padurueshme, kurse kërkesat për liri e pavarësi kombëtare ishin shumë më afër. Ç’është ideja politike e Naimit? – pyet një studiues dhe përgjigjet: “Të hiqet Tyrqija, thoshte, dhe të vij një sundues tjetër, është sikur një shtazë të ndërroj samarin dhe jo lirinë. Qëllimi ishte Shpëtimi nga Tyrqija, për një shtet më vehëte. Prandaj edhe këshillonte ndruajtjen nga politika dhe intrigat e fqinjëvet ose të fuqivet të mëdha” (Kalendari kombiar, Tiranë, viti 1926, f. 54).
Tetori i vitit 1900. Plot një dekadë që i kishte mbetur të “sëmurit nga Bosfori” të përpëlitet me idealet e shqiptarëve, me historinë dhe të ardhmen e tyre. Por po në këtë vit u shua dritëdhënësi i idesë kombëtare, për ta vazhduar të tjerët edhe më shumë. Vdiq Naimi më 20 tetor 1900 dhe u varros me, siç thuhet, për atë kohë xhematë të madh në Merdivan koj të Stambollit. Jetoi ai jo më shumë se 54 vjet 4 muaj e 24 ditë. Me këtë rast atij iu dhanë epitete të ndryshme si: Trim bujar, I madh, Atdhetar, mësonjës, mronjës, këshillonjës, mendjehollë, fjalë-kripur, komb-dashes, liridëshironjës etj.
Dhe… Dhe mbetet Naimi zëdhënës i kohës. Mbetën shumë vepra, shumë ide, mbeten krijimet letrare poetike, filozofike, pedagogjike, historike, shkollore, edukative – arsimore. Mbeti Naimi, i cili krijoi kapital të madh moral, intelektual, mbeti Naimi, siç e quajnë, Mësuesi ynë, i cili me përgjegjësi dhe konsekuencë inauguroi sintezën kulturore, sintezën e historisë e të kërkesave kombëtare, sinteza teorike e pragmatike mbi të ardhmen e kombit.
Mbeti dhe jeton Naimi, i cili jo vetëm që la letra në jetë, po e vendosi edhe jetën në letër, e pse të mos e quajmë atdhetar, filozof, pedagog e diç edhe me shumë.
Edhe pa mos gjetur ndonjë pikë takimi me kohën e sotme, porositë e veprës së Naim Frashërit janë të shumta, ajo mbetet vepër intelektuale që zhvillon ndërgjegjen dhe arsyen e çiltër kombëtare, historike – patriotike, letrare – kulturore, arsimore – edukative, e cila pasqyron kërkesat, dëshirat dhe nevojat më vitale të popullit, i cili kërkonte dhe luftonte të legjitimohet në arenën ndërkombëtare, në shoqërinë e popujve të qytetëruar. Si trashëgues të kësaj vepre e krijimtarie të denjë, të këtij mendimi kompleks e vizionar, jemi përgjegjës për ruajtjen dhe kujdesin e saj në kushtet dhe rrethanat e reja historike e shoqërore – politike.
Porosia e tij për dashurinë ndaj atdheut mbetet gjithnjë e gjallë: “Ty Shqipëri të kam nderë pse më jep emrin shqiptarë”, bukuria e natyrës shqiptare “O ju malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë…”. Po ashtu ai porosit të bukurën në art, respektin ndaj të madhërishmes. Në vjershën “Perendia” ai e lartëson të madhërishmen: “Ç’sheh është Zot’ i vërtetë,/ Ç’dëgjon është zër i tija / Gjithë ç’ka e s’ka në jetë / Është vetë Perendija”.
Po e përfundoj këtë fjalë të rastit me fjalët e Faik Konicës, të shprehura me rastin e vdekjes së këtij poeti erudit: “…Gjuhtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë të tjera, mendje – lesuar e ndjesëhollë, do kish mundur e dëshironte gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura, po nevoja e vendit tonë, detyra t’u hapnin sytë botës e shtrëngojin të mos ngjitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqipërisë. U kufizua pra gjithënjë në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naim beut faqe të hieshme e të mbaruara, janë, përkundur, të dendura; po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoj, e ngjalli, e rriti pak kombin shqiptar, – e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare” (Albania, 1901, nr. 4)
Aftësia përbashkuese e veprës së Naimit është jo vetëm shpirti, gjuha, por edhe ajo që sot mbetet si ideal për secilin, për kombin në tërësi – përbashkimi i forcës njerëzore jo vetëm në mendjen e tij por në realitetin historik, bashkimin e hapësirave kombëtare.
Edhe sot i kemi borxh këtij veprimtari kombëtar për kontributin e madh që dha në formimin e qenies, kulturës, letërsisë, historisë e gjuhës kombëtare. Më tepër për njerëzit e këtillë do të thoshte Njegoshi: “I lumi ai që jeton gjithmonë, ka pse të lindet”.
Shkurt, këto ishin ide të shkëputura nga vepra e mendimtarit luftëtar dhe e kalorësit të idesë kombëtare, Naim Frashërit. Ai qe paralajmërues dhe një argumentues vizionar. Prandaj ai mbijeton gjithnjë në vizionin tonë, si sot dhe dje.
Po e përmbyll këtë qasje me mendimin e Naim Frashërit në veprën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëvet”: “Vllazëria midis nesh, na sjellë fatbardhësinë;/ Shekull i artë po na lind, me gjithë mbarësinë” .