Kurani, zbulohet kopja më e lashtë e librit të shenjtë në Birmingem
Mund të jetë shkruar kur Profeti Muhamed ishte akoma gjallë fragmenti antik i Kuranit, i zbuluar thuajse rastësisht nga një studiuese italiane në një koleksion tekstesh dhe dokumentesh të Lindjes së Mesme, të ruajtura nga Universiteti i Birmingemit në Britaninë e Madhe.
Sipas asaj që publikon televizioni anglez BBC, fragmenti i librit të shenjtë të myslimanëve, ka mbetur për një shekull në bibliotekën e universitetit, pa mundur që asnjë të zbulojë rëndësinë. Është dashur syri kërkues i studiueses me origjinë italiane, Alba Fedeli që të bëjë zbulimin e madh.
Sipas profesor David Thomas, titullar i katedrës së Islamit dhe Krishtërimit, “koha e dokumentit, të lë të imagjinosh që personi që i ka shkruar ato faqe, mund të ketë njohur dhe dëgjuar madje lutjet e Profetit, i cili sipas traditës islame, ka marrë porosi nga Allahu mes viteve 610 dhe 632 pas Krishtit”.