Halim Ramohito nga Tragjasi i Vlorës zbardh prapaskenat e prishjes me kinezët
Halim Ramohito ka lindur më 15 shkurt 1925 në Tragjas të Vlorës. Ka mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës dhe Akademinë Ushtarake “Frunxe” në Bashkimin Sovjetik.
Ka marrë pjesë në luftën nacionalçlirimtare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, deri në Bosnjë si zëvendës komisar Batalioni dhe përgjegjës i rinisë.
Në shtator të vitit 1957 emërohet si përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Komandën e bashkuar të Forcave Ushtarake të traktatit të Varshavës, njëkohësisht dhe atashe ushtarak në Moskë.
Më 1970 u emerua në krye të MKA (Mbrojtja Kundër Ajrore) e shtetit dhe më 1972 ishte zëvendësshef i Drejtorisë Politike të Ushtrisë.
Në Kongresin e 4 të PPSH më 1961, është zgjedhur Kandidat i Komitetit Qendror të PPSH.
Nga viti 1974 deri në vitin 1990 vuajti familjarisht kalvarin e punës së detyruar, të internimeve dhe të burgut, përfshi atë të sigurisë së lartë të Burrelit.
Është dekoruar 14 herë me Medalje e Urdhra të ndryshme.
Është ushtarak në pension me gradën e Gjeneralit, të marrë në vitin 1959 me rastin e 15 vjetorit të çlirimit të vendit.
Në një rrëfim të gjatë për mediat ka folur në mars 2013 për ushtrinë shqiptare dhe raportet me të huajt.
Në këtë pjesë që risjellim sot Ramohito flet për ndihmat ushtarake nga Kina.
“Kinezët, pavarësisht nga divergjencat politike, që Enver Hoxha i krijoi artificialisht me ta, të gjitha marrëveshjet në fushën ushtarake i kanë zbatuar me një korrektesë të veçantë. Rreth 10 për qind e buxhetit të shtetit tonë në atë periudhë, ishte caktuar për nevojat e ushtrisë dhe e gjithë kjo shumë, mezi përballonte shpenzimet për rrogat e kuadrove e shpenzimet e tjera të ushtrisë dhe deri në masën 50 për qind, ato për shpenzimet për ushqimin e veshmbathjen dhe jo më të përballonte vlerat kolosale të armatimeve, sidomos atyre të rënda. Për t’i blerë ato, nuk mjaftonte jo vetëm buxheti i shtetit tonë i një viti, por as i disa viteve të marra bashkë- thotë Ramohito
Pra, ishin kinezët që mbajtën në këmbë ushtrinë shqiptare me armë e logjistikë luftarake bashkëkohore?
-Po. Të gjitha këto shpenzime kolosale edhe për ushtrinë, i përballoi populli i Kinës, deri edhe çimenton dhe hekurin me të cilat u bë fortifikimi i vendit. Ndihmat kolosale që na dhanë qeveria dhe populli kinez në fushat ekonomike dhe ushtarake, Enver Hoxha i nënvleftësonte, duke u shprehur, siç thashë edhe më sipër, se ata (kinezët) e kishin për detyrë ta bënin këtë. Përballë kësaj, reaguan dhe kinezët…
Cili ishte reagimi i kinezëve?
-Qeveria kineze, në një letër prej vetëm një faqeje të vitit 1978, për të gjitha këto ndihma, e akuzon Enver Hoxhën dhe qeverinë shqiptare, por jo popullin shqiptar, duke përdorur fjalën shumë të rëndë, por shumë të merituar “Mosmirënjohës!”.
Fortifikimi i vendit, për kohën ishte i nevojshëm… Këtë punë, jam i bindur se do ta bënte dhe e bën çdo shtet serioz në botë, që mendon sadopak për mbrojtjen e kufijve të vendit të vet, po të ishte në situatën tonë në atë periudhë.
Fortifikimi i vendit, për të cilin ndihmuan dhe kinezët, vazhdon të quhet sot një çmenduri?
Edhe tani, unë mund të deklaroj me bindje se, sidomos ndonjë ushtarak, kushdo qoftë ai, në rast se nuk vlerëson siç duhet punën e fortifikimeve të kufijve të vendit, të lidhur këtë me të dy komponentët e tjerë të luftës, siç janë njerëzit dhe armët, për mua ai nuk meriton të mbajë as gradat e oficerit.
Këtë vlerësim, unë e bëj nga pozitat e një ushtaraku dhe jo të një financieri. Për fat, jeta vërtetoi dikur se sa të nevojshme ishin këto fortifikata të kufirit tonë verior e verilindor, kur u pa e nevojshme që të riviheshin në gatishmëri, për t’u përdorur eventualisht në rastin e ngjarjeve në Kosovë, në verën e vitit 1999.
Bazat tona të fortifikuara ajrore e portuale, të ndërtuara qysh në periudhën kur ne ishim në drejtimin e ushtrisë, siç dihet, iu shërbyen më 1999 edhe forcave të NATO-s, në rastin e ngjarjeve të Kosovës dhe ato iu shërbejnë akoma atyre edhe tani, siç kam dëgjuar, si për shembull rajoni i Bizës, që përdoret si bazë stërvitjeje dhe për të kryer detyra e shërbime të tjera të rëndësishme luftarake, po kështu edhe bazat e tjera në zonat e detit Jon e Adriatik.
Këto objekte të fortifikuara, janë të shtrira në të gjitha drejtimet strategjike të vendit, në grykat e maleve dhe deri në bregdetin e Adriatikut dhe të Jonit.
Si një nga drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes si në kohën e miqësisë me rusët, ashtu dhe me kinezët, si i vlerësoni ndihmat e tyre ushtarake për Shqipërinë?
-Në bazë të dokumenteve zyrtare, mendoj se ndihma ushtarake që qeveria e RP së Kinës i dha vetëm për periudhën 1963-1975 Shqipërisë, është deri dhjetëfish më e madhe se ndihma që i dha në fushën ushtarake vendit tonë gjatë gjithë periudhës 1947-1961 ish-Bashkimi Sovjetik, duke përfshirë këtu edhe shpenzimet e sovjetikëve për ndërtimin e bazës ushtarake – detare të Pashalimanit.
Megjithëse shpenzimet e sovjetikëve në këtë bazë ishin të konsiderueshme, ato nuk jua kalonin përfitimeve politike, strategjike e ushtarake që ata patën në atëherë në këtë rajon.
Mund të shtrohet pyetja edhe tani (dhe në fakt ajo bëhet deri edhe nga politikanë e drejtues të lartë të shtetit): Pse u sollën të gjitha ato armë nga Kina e largët në atë periudhë?
-U prunë në sasi dhe cilësi qindra avionë nga më modernet për kohën nga Kina e largët, për të mbrojtur kufijtë e Atdheut. U prunë njëmijë tanke dhe dhjetëra mijë topa të rëndë për t’u matur me tanket e Millosheviçit, që ishin nxjerrë qysh në vitet ‘80-të, por edhe më vonë, nga kazermat dhe ishin lëshuar në sheshet e Prishtinës dhe ishin dislokuar në masë edhe në kufijtë tanë veriorë dhe verilindorë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fqinjin tonë jugor, që mbante forca të mëdha e moderne ushtarake në kufi me Shqipërinë, megjithëse nuk kishte dhe s’ka asnjë rrezik prej vendit tonë.
Këto tanke, ne i prumë që nga Kina e largët për t’u përdorur eventualisht në një agresion ushtarak kundër vendit, pasi me “alltiet” e vjetra dhe me “jataganët” e këngëve epike e historike, nuk mund të përballohej teknika luftarake moderne e agresorit eventual.
Ne nuk menduam asnjëherë për t’i përdorur ato kundër popullit tonë, pasi me këtë do të bënim një krim të barasvlershëm me një tradhti të lartë, siç ndodhi në ndonjë rast me veprimet jologjike të ndërmarra gjatë çmendurisë së vitit 1997.
Ndaj marrëdhëniet tona ushtarake me Kinën në vitet 1960-1975, siç thashë, njohën një zhvillim të madh, sidomos në fushën e armatosjes së forcave tona ushtarake.
Ju, drejtuesit e ushtrisë shqiptare në monizëm, akuzoheni se keni futur metodat kineze në përgatitjen e gatishmërinë e Forcave të Armatosura?
-Sidomos në vitet shtatëdhjetë, u tentua të futeshin edhe koncepte të mendimit filozofik ushtarak të Maos, si: vija e masave, kontrolli punëtor, demokracia në ushtri, shkuarja e kuadrove për t’u kalitur drejtpërdrejt në prodhim etj. Për vetë mentalitetin tonë, për vetë zhvillimin historik të saj, këto koncepte nuk zunë vend në ushtri, për arsye se, ashtu siç kishte thënë edhe vetë Maoja, “Ato ishin të përshtatshme kryesisht për syrin dhe veshët e mentalitetit kinez”.
Por, megjithatë, vendimet e vitit 1966 për drejtimin e ushtrisë me anën e komiteteve të partisë, vendosja e komisarëve politikë në ushtri, që i kemi pasur edhe ne për një kohë në ushtrinë tonë, vendimi për heqjen e gradave në Forcat tona të Armatosura, ne i kopjuam nga Kina. Këto masa, që u etiketuan si reforma në ushtri, nuk mund të mos sillnin në atë periudhë dobësimin e disiplinës, hierarkisë dhe autoritetit të komandës në ushtrinë tonë.
Vetë kinezët, e kuptuan këtë rrezik dhe në vitet tetëdhjetë, i vendosën përsëri gradat në ushtrinë e tyre, kurse ne pritëm vitin 1992, pas ndryshimeve demokratike në vend, për të rivendosur gradat dhe komandën unike në ushtrinë tonë.
Po roli i këshilltarëve kinezë në ushtrinë shqiptare?
-Në ushtrinë tonë, nuk kemi pasur, as nuk kemi kërkuar ndonjëherë, të kemi këshilltarë ushtarakë kinezë, përjashtuar ndonjë specialist të veçantë në uzinën e remontit të nëndetëseve. Kjo na diktohej edhe nga fakti se niveli ushtarak profesional i përgatitjes së kuadrove tona të armëve dhe shërbimeve speciale në ushtri në atë periudhë, nuk kishte ndonjë ndryshim nga ai i kinezëve.
Në vendin tonë, kinezët zëvendësuan përkohësisht me njerëzit e tyre vetëm një qendër zbulimi (përgjimi) në Dhërmi të Himarës, të cilën më parë e kishin sovjetikët. Ata ngritën gjithashtu në Cërrik një stacion për ritransmetim të programeve të Radio Pekinit dhe në Universitetin e Tiranës përgatiteshin për gjuhën shqipe rreth 20 oficerë kinezë.
Gjeneral, në vitin 1978, u prenë të gjitha marrëdhëniet e vendit tonë me RP të Kinës, duke përfshirë edhe ato ushtarake. Ushtria shqiptare kaloi një situatë të vështirë?
-Në atë vit, Enver Hoxha, me megalomaninë e tij të njohur, prishjen e marrëdhënieve me Kinën e cilëson si një fitore dhe, për këtë, e gjeti arsyen, kur tha në mënyrë figurative : “Tani, malet tona do të jenë më të larta, pas pushkatimit që iu bëmë agjentëve të tyre në vendin tonë, Beqir Ballukut e Abdyl Këllezit me shokë dhe kjo, ishte arsyeja që i detyroi kinezët të çonin punët deri në shkëputjen e marrëdhënieve të tyre me ne”.
Kështu deklaronte Enveri, por Abdyl Këllezi, Koço Theollosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati e të tjerë, siç thashë edhe më sipër, kishin shfaqur në rrugë shtetërore dhe në forma të ndryshme, por përherë hapur, mendime qysh në fillim të viteve shtatëdhjetë se prishja e marrëdhënieve tona me Kinën do të na çonte, siç na çoi më vonë, deri në vendosjen e triskave dhe në një kolaps të plotë ekonomik. Për këto mendime, ata dhe familjet e tyre u persekutuan rëndë, deri me eliminime fizike, burgosje dhe internime politike.
Në këtë kuadër, si e vlerësoni rolin e Beqir Ballukut?
-Po kështu mendonte dhe punonte në atë periudhë edhe Beqir Balluku, i cili, pa mëdyshje, mund të vlerësohet si arkitekti dhe realizuesi i ndihmave masive të Kinës në armatime, që forcuan shumë aftësinë dhe gatishmërinë luftarake të ushtrisë sonë.
Beqiri, i mbështetur edhe nga ne, kuadrot kryesore të ushtrisë, e kuptonte që në atë kohë se prishja e këtyre marrëdhënieve edhe në fushën ushtarake me Kinën, në perspektivë do të dëmtonte shumë edhe mbrojtjen e vendit, siç edhe ndodhi pas vitit 1974.
Por, për vetë kushtet e rënda që ishin krijuar, të gjithë ne, për fat të keq, nuk kishim mundësi të shfaqnim hapur mendimet tona dhe, në disa raste, si rezultat i presionit të ushtruar dhe torturave fizike e morale që na u imponuan, sulmuam e iu kundërvumë edhe njëri – tjetrit./gazeta dita