Albspirit

Media/News/Publishing

Melsi Labi: PANAIRI I GJON VLADIMIRIT

 

Manastiri i Gjon Vladimirit është një qendër shpirtërore dhe kulturore jo vetëm për Rrethin e Elbasanit, por edhe për mbarë Shqipërinë. Komuna e Bradasheshit, e ka kthyer 4 qershorin në festë lokale, duke organizuar aktivitete të shumta kulturore dhe artistike. Përveç besimtarëve ortodoksë, në këtë festë marrin pjesë edhe ata që u përkasin besimeve të tjera fetare. Pelegrinë të shumtë vijnë nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia.. 

Melsi Labi

Manastiri i Gjon Vladimirit është një qendër shpirtërore dhe kulturore jo vetëm për Rrethin e Elbasanit, por edhe për mbarë Shqipërinë. Komuna e Bradasheshit, e ka kthyer 4 qershorin në festë lokale, duke organizuar aktivitete të shumta kulturore dhe artistike. Përveç besimtarëve ortodoksë, në këtë festë marrin pjesë edhe ata që u përkasin besimeve të tjera fetare. Pelegrinë të shumtë vijnë nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia.

Sipas studiuesit gjerman, Hahn, të kremten e shenjtit, më 4 qershor, në manastir bëhej panair i madh. Prandaj thirrej paria e disa qyteteve e u bëhej një pritje madhështore. Panairi zgjaste tri ditë. Pelegrinëve u jepej bukë, ullinj dhe djathë. Ata hidhnin të holla aq sa e kishin menduar. Paratë i mblidhte kujdestari i manastirit. Në panairin që bëhej në manastirin e Gjon Vladimirit, kujdestaria e parë i takonte Durrësit, e dyta Kavajës dhe e treta Tiranës. Ndërmjet të tjerave, aty bëhej edhe pazari i shitjes së gjedhit. Pelegrinët nga Tirana, Durrësi, Dibra, Korça, Berati, Struga, Ohri dhe Manastiri vinin një ditë më parë, pra që më 3 qershor. Kishte njerëz me probleme shëndetësore, që flinin natën në kishë, duke iu lutur shenjtit të bënte mrekullinë. Gratë vinin rroba të ndryshme pranë arkës së shenjtit, ndërsa burrat fërkonin qeleshet dhe festet tek arka e shenjtit. Të tjerë këndonin në oborrin e kishës, ndërsa tregtarët ambulantë u shërbenin pelegrinëve me produkte ushqimore. Pas liturgjisë hyjnore zhvillohej ceremonia e rrotullimit të lipsanit tri herë rreth kishës. Arka me lipsanët e shenjtit dilte nga dera jugore e kishës. Procesionin e paraprinin eksapterët dhe kryqi; pastaj vinin priftërinjtë që mbanin arkën me lipsanet e shenjtit; më pas vinte populli me qirinj të ndezur. Të gjithë me lutje, psalme dhe litani shoqëronin arkën me lipsanet e shenjtit. Më pas, arka vendosej mbi një tavolinë përpara kishës dhe priftërinjtë shpërndanin pambukun që kishin lipsanet e shenjtit. Njerëzit prisnin në radhë dhe pasi puthnin arkën, merrnin pambukun dhe largoheshin me shprestari. Pambukun e vendosnin në djepet e fëmijëve për mbarësi, e mbanin me vete kur udhëtonin ose e mbanin në këndin e lutjes në shtëpi. Më pas, të gjithë të pranishmit drekonin së bashku.

Mbresëlënëse janë kujtimet e Imzot Visarion Xhuvanit rreth kremtimit të panairit të vitit 1930. Me manastirin e Gjon Vladimirit, Visarionin e lidhnin kujtimet e viteve të fëmijërisë së tij, sepse një hallë e tij, Jaja Dona ka qenë murgeshë në manastir deri në fundin e jetës së saj. Në revistën “Kisha kombëtare” të datës 27 korrik të vitit 1930 ai ka shkruar: “Nuk mbahet mend të jetë kremtue si simvjet festa e Shën-Gjonit t’Elbasanit. Dhjetë Priftna dhe Kryepeshkopi me ndihmësit e tij Imzot Eugjenin t’Episkopatës muerën pjesë si në mbramsoret edhe në Meshë, në të prumit të Shenjtit rreth Kishës; ceremonija qe tepër impozante dhe muerën pjesë gadi 3000 vetë. Qe dhanë urdhën me paraqitë për nderim nji batalion paraushtarakësh, mbasi Shenjti në fjalë ka qenë Mbret i Zetës dhe ra dëshmor në vende Shqiptare”.

Pesë vjet më vonë, në vitin 1935, me anën e një qarkoreje Imzot Visarioni urdhëronte Zavendësinë Mitropolitane të Elbasanit të merrte masa që festa e Shën Gjonit dhe përshpirtja për Konstandin Kristoforidhin të bëheshin sa më madhështore. Në qarkore shkruhej që ditën e panairit të merrnin pjesë qytetarë dhe katundarë dhe të thirreshin autoritetet civile dhe ushtarake të qytetit.

Në revistën “Predikimi”, nr. 49, të datës 31 maj të vitit 1935 shkruhej: “Më 4 qershor ka me u kremtue në mënyrë madhështore dita e Shën Gjon Vladimirit. Në manastir ka 15 dhoma ku mund të flejnë rreth 100 persona. Vihet në dispozicion hoteli i Jorgj Naqit në Elbasan. Zotnijtë që duen të hanë drekë janë të lutun të njoftojnë pleqësinë kishtare të qytetit ma përpara. Bukë e gjellë të pastër ka me ju dhanë të gjithëve. Ndalohen pijet alkoolike. Meqenëse tërmeti ka shkaktue disa dëme, janë të lutun ata që do të marrin pjesë në manastir të kontribuojnë”.

Kjo traditë vazhdoi deri më 4 qershor të vitit 1964. Prej asaj dite, panairi i Shën Gjon Vladimirit nuk u zhvillua më. Më 14 korrik 1964, kryepeshkopi Paisi Vodica i dërgoi një letër kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, me anën e së cilës e vinte në dijeni mbi disa ngjarje që kishin ndodhur nëpër kishat dhe manastiret e Shqipërisë. Kryepeshkopi e vinte në dijeni Kryeministrin se në Elbasan, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, Miti Rapo, me pretekstin për të shmangur sëmundjen e brucelozës, më 3-4 qershor 1964 nuk lejoi të zhvillohej panairi në Shën Gjon Vladimir. Jo vetëm besimtarët nuk u lejuan të shkonin, por edhe personeli i manastirit nuk u lejua të meshonte. Në vitet e demokracisë manastiri është restauruar tërësisht dhe shërben si vend pelegrinazhi.

 

RELIKET E SHENJTIT

Gjon Vladimiri është martirizuar më 22 maj të vitit 1015. Fillimisht, lipsani i tij u varros në kishën “E Papërlyera e Krajës”, e cila gjendet në Krajë të Malit të Zi. Në vitin 1215 despoti Mihal Komneni i solli lipsanet e shenjtit në Durrës, ndërsa në vitin 1381 princi Karl Topia ndërtoi manastirin e Gjon Vladimirit në Elbasan. Sipas Hahnit arka ku ruheshin lipsanet e Gjon Vladimirit është grabitur prej çetave të mercenarëve, të cilët luftonin kundër Qose pashës, serasqerit të Manastirit. Pasi hapën varrin e shenjtit, grabitësit morën stolitë prej sermi dhe lipsanet e Gjon Vladimirit. Vite më vonë besimtarët elbasanas i blenë lipsanet e shenjtit kundrejt shumës prej 700 pjastrash. Në anën ballore të arkës, ku ruhen lipsanët e Gjon Vladimirit janë skalitur pesë skena nga jeta e shenjtit. Skena e parë paraqet shqiponjën e bardhë. Një ditë, Gjon Vladimiri ishte duke shëtitur nëpër krahinat e mbretërisë së tij, i shoqëruar nga dy truprojat. Në një pyll afër Elbasanit, në bregun e lumit të Kushës pa një shqiponjë, e cila mbante në krahët e saj një kryq të ndritshëm. Shqiponja zbriti në tokë, la kryqin dhe fluturoi në qiell. Gjon Vladimiri zbriti nga kali, u gjunjëzua, hoqi kurorën princërore dhe pasi e mori kryqin me shprestari, e nguli në tokë. Vite më vonë, në atë vend ndërtoi një kishë, ku falej shtatë herë në ditë. Skena e dytë paraqet shenjtin hipur mbi kalë, duke udhëtuar me kokën e prerë në dorë. Është momenti kur mbërrin pranë manastirit dhe pritet me nderime nga episkopi, klerikët dhe besimtarët. Skena e tretë paraqet maketin e kishës së manastirit të Gjon Vladimirit. Skena e katërt paraqet kalin e gjunjëzuar. Episkopi bashkë me një klerik zbresin trupin e shenjtit nga kali dhe e varrosin me shprestari. Skena e fundit paraqet frankët, të cilët u përpoqën të grabisnin reliket e shenjtit, por dështuan. Ata erdhën në manastir për të marrë arkën me lipsanet e shenjtit. Duke zbritur poshtë manastirit, ra një shi i furishëm. Lumi i Kushës u mbush si asnjëherë tjetër. Kusarët filluan të godasin mushkat me kamxhik. Ato plasën në vend. Atëherë, kusarët e lëshuan arkën e shenjtit në ujë, duke menduar se do ta merrte uji dhe rendën ta prisnin poshtë, por mrekullia ndodhi dhe arka lëvizi në anën e kundërt të rrjedhës dhe u ndal diku poshtë manastirit. Kusarët u zhdukën, ndërsa murgjit e manastirit erdhën dhe morën arkën me lipsanet e shenjtit. Në pjesën e pasme të arkës janë pikturuar gjashtë motive floreale. Në brendësi të kapakut të arkës është pikturuar Gjon Vladimiri. Në arkë është një mbishkrim në greqishten bizantine: Νυνί ευραίνεσται πιστώς πόλις ή Δυρραχίοι Τριβαλλών, ένθα κείται το σώμα τό ιερόν “Ngazëllohuni o besëmirë të qytetit të Durrësit, të Tribalëve, ndërsa i faleni lipsanit të shenjtë”. Në panairin e 4 qershorit të vitit 1930, pasi mbaroi ceremonia kishtare, një komision i posaçëm i kryesuar nga Imzot Visarion Xhuvani hapi arkën e shenjtë ku qenë lipsanet e Shën Gjon Vladimirit dhe bëri ekspertizën përkatëse, duke përshkruar dhe kontrolluar me imtësi gjithçka që gjendej brenda saj. Në këtë komision qenë: Taq Buda, ish-deputet i Elbasanit, me profesion farmacist, Fot Papajani, arsimtar, si dhe dy përfaqësues të kryesisë kishtare të Shpatit, Trifon Mema dhe Spiro Toli. Në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit gjendet një lajmërim, i cili jep informacione për kremtimin e panairit të vitit 1933.

Më 4 qershor të vitit 1935 u kremtua në mënyrë madhështore panairi i Gjon Vladimirit. Në panair veç besimtarëve të pranishëm merrnin pjesë personeli i Legatës Jugosllave, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Çekosllovakisë, Bullgarisë etj. Imzot Visarioni mbajti predikimin e rastit, me anën e së cilit falënderoi Patrikun e Serbisë Varnavën, si dhe sinodin e shenjtë që ai kryesonte për dhuratën që i bënë manastirit të Gjon Vladimirit. Një kambanë që peshonte 300 kg dhe një arkë që mbronte nga zjarri lipsanin e shenjtë të Gjon Vladimirit. Ishte pikërisht kjo arkë që shpëtoi nga zjarri eshtrat e shenjtit, më 14 mars të vitit 1944, atëherë kur manastiri i Gjon Vladimirit u dogj nga ushtria gjermane. Vite më vonë, Imzot Visarion Xhuvani fliste me nostalgji për arkën çudibërëse, e cila mbeti e padëmtuar dhe i rezistoi zjarrit: “Me këto duer i kamë rregullue eshtnat e Shenjtit, i kam vendosun në pambuk, në atë arkë çudibamëse. Ato nuk pësuen gja, nuk u dogjën, kaq e fortë asht besa jonë. Atë nuk e çban asnji forcë, as edhe zjarri”.

Pas prishjes së kishave më 1967, manastiri i Shën Gjon Vladimirit u kthye në repart ushtarak. Në ato vite dëmtimet qenë nga më mizoret dhe manastiri rrezikonte identitetin. Ndërkohë, arka me lipsanet e shenjtit u vendos në kishën e Shën Mërisë, në lagjen “Kala” të Elbasanit. Në ditët e para të lirisë fetare mbi rrënojat e manastirit filluan të kryheshin ceremonitë fetare. Në vitin 1994, kisha e Shën Mërisë u zu me forcë nga Nikolla Marku. Megjithatë, lipsanet e shenjtit nuk u prekën. Me trazirat e vitit 1997, lipsanët e shenjtit rrezikoheshin të grabiteshin. Prandaj një grup besimtarësh i kërkuan lipsanët për në panairin që celebrohej në manastirin e Gjon Vladimirit dhe prej panairit u transferuan në Tiranë nga protopresviter Jani Trebicka. Sot lipsanet e Gjon Vladimirit ruhen në kishëzën e Kryepiskopatës së Hirëshme në Tiranë. Ditën e panairit transferohen për në manastirin e Gjon Vladimirit, për t’u falur besimtarët. Tabela e mëposhtme paraqet lëvizjet e lipsanit ndër shekuj.

1215            1300            1967            1997

1015            1215            1300            1967    

200 vjet në Krajë        85 vjet në Durrës   667 vjet në Shi’Jon    30 vjet në Elbasan

 

Arka me lipsanet e Gjon Vladimirit gjendej në manastirin me të njenjtin emër. Pjesë nga lipsanet e shenjtit gjendeshin edhe nëpër kisha të ndryshme të Elbasanit. Një kuti lipsanesh të Gjon Vladimirit gjendet në koleksionin e Vangjel Kapedanit. Kutia është prej argjendi dhe ka përmasa 16x20x6 cm. Kjo kuti ka mbajtur një copëz nga lipsanet e Gjon Vladimirit. Mbi kuti janë pesë mbishkrime kishtare. Kutia është punuar nga argjendarët e lagjes “Kala” të Elbasanit dhe daton në shek. XVIII. Sipas programit për kartelizimin dhe studimin shkencor të të gjithë materialit që gjendet në fondin e Muzeut Historik Kombëtar, më 6 nëntor 2014, gjatë hulumtimit u gjetën dy kuti argjendi me lipsanë. Mendohet se i përkasin Shën Gjon Vladimirit. Një kuti prej argjendi me lipsanet e shenjtit ka qenë në kishën e Shën Mërisë në lagjen “Kala” të Elbasanit. Aktualisht, kutia është në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Kutia është prej argjendi dhe ka përmasa 20x15x5.5 cm. Në tri qoshet e saj gjenden serafimë. Në anën ballore gjendet çelësi. Serafimi i cepit të djathtë të kutisë mungon. Në cepin e djathtë të kutisë është një kutizë në formë rrethore me pesë gropëza, të cilat kanë pasur lipsanë të vegjël. Në qendër të kutizës rrethore është një kryq i gdhendur. Kryqi është i rrethuar nga motive floreale dhe dredhëza. Kutisë i mungon kapaku i sipërm. Mbi kuti janë gdhendur zbukurime floreale, që kanë qenë tipike për periudhën e barokut të vonë. Kjo kuti përmban dy copëza nga lipsanet e Shën Gjon Vladimirit. Njëra copëz lipsani është marrë nga kafka e shenjtit, ndërsa tjetra nga parakrahu. Në kuti ka qenë edhe një copëz tjetër nga lipsanet e shenjtit, e cila gjendej në hapësirën në formë kryqi, por aktualisht mungon. Një mbishkrim i gdhendur në faqen ballore na bën me dije se kutia është dhuratë nga Anastas Trikupa nga Voskopoja: Αφιερόθυ + παρά + τώ έντιμωτάτω + Κω(νσταντίνω) + Αναστασηω / Τρικούπα + λεγώμενος + Κοσμήσκ + ύς μνιμώσιον / αύτου + έκ Μοσκοπόλεως + του καθηγουμένου + τού άγιου / Ιωάνου + τού Βλαδημύρου + Κ(υρί)ου Θεοκλήτου + ίερ(ο)μονάχου Α768 Μαίου 22 +. “Ju dhurua nga i shumënderuari Anastas Trikupa, i mbiquajtur Kozmisk, nga Voskopoja, për kujtim të tij, igumenit të Shën Gjon Vladimirit, jeromonakut Theoklitit 1768, maj 22”. Hapësira ku gjendet pjesëza e kafkës rrethohet nga një aureolë, tek e cila përveç dredhëzave, është edhe motivi i lules së shegës. Në anën ku është çelësi, janë gdhendur pesë zambakë. Pjesa e sipërme e kutisë rrethohet nga një kornizë, mbi të cilën ka motive të shiritit të përdredhur. Pranë kryqit janë dy hapësira, ku mendohet se kanë pasur pjesëza nga lipsanet e shenjtit. Ndryshe nga kutia, këto dy pjesë janë të lara me ar. Në pjesën e pasme të kutisë janë dy mentesha të zbukuruara.

Në fondin e Muzeut Historik Kombëtar gjendet edhe një kuti tjetër me copëza lipsanesh të Gjon Vladimirit. Kutia është prej argjendi. Ka përmasat 19x13x5 cm. Mendohet se kjo kuti ka ardhur nga kisha e Shën Kollit në Shelcan dhe ka dy copëza nga lipsanet e Shën Gjon Vladimirit. Njëra copëz lipsani është marrë nga brinja, ndërsa tjetra është nga fyelli i këmbës. Anash lipsanit janë dy kapakë argjendi, që lidhen ndërmjet tyre me një zinxhir. Në njerin nga kapakët është një mbishkrim me shkronja cirilike. Në mesin e kutisë së lipsanëve është një kryq i larë me ar. Mbi kapakun e kutisë është punuar me teknikën e gdhendjes. Shën Gjon Vladimiri  paraqitet në këmbë. Në kokë ka kurorën princërore. Pas supeve ka hedhur një pelerinë të gjatë, e cila është e zbukuruar me motive floreale. Në dorën e majtë mban kokën e prerë, ndërsa në dorën e djathtë mban kryqin dhe palmën e parajsës. Në këmbët e shenjtit është shpata, që i ka prerë kokën. Mbi kuti është shkruar në greqishten bizantine Ο Αγιος Ιωανης ο Βλαδιμηρος “Shën Gjon Vladimiri”. Gravura e shenjtit rrethohet me një kornizë, në cepat e së cilës janë katër engjëj. Mbi kuti janë skalitur zbukurime floreale dhe zoomorfe. Edhe pjesët anësore të kutisë janë të zbukuruara me motive floreale. Në qendër të dy faqeve ballore është kupa e kungimit, e mbuluar me lule shege. Format e lakuara të luleve dhe të gjetheve harmonizohen në tërësinë e tyre. Faqet anësore të kutisë janë zbukuruar me motive floreale, që gërshetohen me njëra-tjetrën në mënyrë harmonike.

Please follow and like us: