Pa emër dhe pa varr, ky ishte shpërblimi që mori filantropi më i madh i Korçës
“Diçka duhej të kishte ndodhur. Një turmë e madhe njerëzish e mbuluar nga një trishtim i dukshëm po shkonte drejt Shën Mërisë. Dëgjoheshin zëra grash që qanin…Lajmi që ishte përhapur në gjithë Korçën, kishte mbërritur edhe në dhomat e spitalit, pacientët nuk ndiheshin mirë. Nxënësit e Liceut të Korçës lanë orën e mësimit dhe dolën në rrugë. Turma e njerëzve po bëhej gjithnjë edhe më e madhe. Thuhet se atë ditë nuk mbeti njeri brenda mureve të shtëpisë. Nënkryetari i Parlamentit, Hiqmet Delvina, me të hyrë në parlament kërkoi 5 minuta heshtje… Në krye të turmës, mbi supet e njerëzve, qëndronte një arkivol. Thoma Turtulli, bamirësi i madh i Korçës, kishte ndërruar jetë në moshën 72- vjeçare. Ai i kishte dhuruar Korçës spitalin, bibliotekën, shtëpinë e jetimores, liceun, kinemanë, kishte dhuruar paja nusesh, kishte nxjerrë nga vdekja njerëz të sëmurë, nga varfëria njerëz të vobektë, kishte….”. Kështu e nis rrëfimin e tij, 66-vjeçari, Robert Turtulli, i afërm i bamirësit të Korçës. Mjaft prej historive ai i ka të dëgjuara nga të vjetrit e fisit Turtulli.
Fëmijëria e Turtullit
“Thoma Turtulli u lind në Korçë, kurse babai i tij, Koçi i Ndrios (Gozhdaxhiu), kishte lindur në Vithkuq. Ndoshta, Goxhdaxhiu nuk do të ishte larguar kurrë nga Vithkuqi, por ky qytet i dikurshëm, ndoshta me 15 mijë banorë, më i madh se Voskopoja (sipas kronikave të kohës), pësoi tre shkatërrime njëri pas tjetrit”, tregon Robert Turtulli. “Djegien e parë e pësoi në vitin 1788, ndërsa të dytën në vitin 1819, por vithkuqarët nuk deshën ta braktisnin qytetin e tyre me 24 kisha, me kroje dhe ujëra dhe me pazarin e madh që gjendej në të majtë të kishës së Shën Mëhillit, ku mblidheshin kovaçët, kujunxhinjtë, papuçinjtë, çyrekxhinjtë, terzinjtë, bakërxhinjtë etj. Largimin e tyre e kushtëzoi djegia e tretë që ndodhi në vitin 1823. Kur në Vithkuq ishte shkatërruar pothuajse gjithçka, babai i Thoma Turtullit erdhi në Korçë për të vazhduar tregtinë e tij. Fisi Turtulli po bënte emër të madh me ndershmërinë e tyre”.
“Vllazëria Turtulli”
“Kur Thoma Turtulli ishte 20 vjeç, njerëzit e tij themeluan firmën tregtare, “Vllazëria Turtulli”. Tashmë Thomai njihej si një nga tregtarët me të zot. Ai pritej me dashamirësi nga tregtarët e Durrësit dhe të Tiranës, të Vlorës dhe të Shkodrës, të Manastirit, Selanikut dhe Stambollit. “Të bësh tregti me Thoma Turtullin, shpreheshin tregtarët, është mbarësi”, vijon të tregojë më tej, Robert Turtulli, njeri i afërt i këtij fisi. Pikërisht në këto vite dhe më pas, Thoma Turtullin nisi ta shqetësonte diçka: “A mundemi ta bëjmë vetë Korçën, a duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të ndihmojmë njeri- tjetrin? Ndoshta kjo ishte arsyeja që në vitin 1919, familja e tij duke udhëtuar nëpër Evropë, kërkonte t’i bënte të ditur botës së Korça dhe gjithë vendi ishte i rrezikuar nga pushtimet dhe se kjo nuk ishte e drejtë. Për këtë arsye, ai në vitin 1921 u bë pjesë e “Grupit politik të Korçës” që kishte për kryetar Koço Kotën, nënkryetar, Qani Bej Dishnicën, arkëtar, Sulejman Mborjen, sekretar Nuçi Kondilin dhe këshilltarë Thoma Turtullin e Adem Bej Vilën, kurse në shoqërinë patriotike të grave të Korçës “Përlindja”, themeluar në vitin 1919, bënte pjesë si sekretare dhe Erasti Grigor Turtulli. Për të gjitha këto ka shkruar edhe studiuesi Iljaz Goga”, shpjegon bashkëbiseduesi ynë, Robert Turtulli.
Për Enver Hoxhën, dhuratat e Turtullit, “furriçka”
Fill pas ardhjes në pushtet te diktatorit Hoxha, për njerëzit e fisit Turtulli pati vetëm ditë ferri. Ai hoqi emrat e Thoma Turtullit dhe të njerëzve të tij nga jetimorja, liceu, biblioteka, spitali etj. Prishi varrin monumental të familjes Thoma Turtulli, i cili gjendej te kisha e Shën Mërisë, as sot e kësaj dite nuk dihet ku janë eshtrat e tyre. Diktatori Hoxha kishte filluar t’i urrente këta njerëz që kur kishte qenë nxënës në Liceun francez të Korçës. Ja çfarë shkruan ai në kujtimet e tij, “Vitet e rinisë”: “Përballë kësaj kafe-lulishteje (është fjala për kafenenë e Pando Osmanllisë,) ishte spitali i Korçës, dhuratë e “filantropit” Thoma Turtulli. Thomai ishte më pasaniku i Korçës, tregtar spekulator i madh. Ai i bëri qytetit “peshqesh” një bibliotekë, furriçkë dhe regjimi zogist i jepte leje të sillte nga jashtë plaçka tregtie pa taksa e pa doganë, të cilat i sillnin një fitim sa për të bërë 15 biblioteka. Kështu ishte vepruar edhe për spitalin“.
Ja dhuratat e Thoma Turtullit qytetit të Korçës
Kinemaja
Ishte viti 1921 kur ai shkoi dhe i tregoi idenë e vet për ngritjen e një kinemaje Dhimiter Manos dhe Nasi Aristidhit, dy prej njerëzve të pasur të Korçës. Nuk vonoi shumë dhe kinemaja e parë mori jetë. Gjithsesi, ndërtesa ishte e vogël, për Korçën kërkohej diçka më shumë. Për këtë arsye, po atë vit, Thoma Turtulli, së bashku me disa sipërmarrës të tjerë, krijuan Shoqërinë Anonime Shqiptare “Cinematro”. Kjo shoqëri më 25 dhjetor 1927, çeli kinemanë e njohur “Majestik”. Tashmë për të djemtë dhe vajzat e këtij qyteti, kishte një mundësi më shumë argëtimi.
Biblioteka
Ndërtimi i bibliotekës nisi në mesin e vitit 1927 dhe përfundoi në korrik të vitit 1930, ndërsa do të hapte dyert për lexuesit në dhjetor të këtij viti. Në atë kohë biblioteka numëronte rreth 30 mijë libra. Ajo bibliotekë, mjaft e bukur dhe komode, që Enver Hoxha e quante “furriçkë”, ndodhet edhe sot e kësaj dite.
Spitali
Punimet nisën në fillim të vitit 1933 dhe më 11 korrik të vitit 1934 u bë inaugurimi. Gati të gjithë ishin të përlotur. Në Parlament u mbajtën sërish fjalime për bamirësitë e Thoma Turtullit. Mes njerëzve të qytetit, për të parë spitalin, kishte ardhur edhe bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja. “Bashkëshortët Turtulli kanë një zemër të madhe sa Korça”, thoshin njerëzit në atë kohë.
Liceu
Pas përfundimit të spitalit, në qytetin e Korçës u përhap një lajm tjetër. Bashkëshortja e Thoma turtullit, Athinaja, i kishte dhuruar shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale të Korçës. Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina turtulli me “Urdhrin e Skënderbeut”. Thoma Turtulli në emër të tij do të jepte 300 napolona flori. Bëhej fjalë për një shkollë ku do të studionin nxënës të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit. Inaugurimi i liceut u bë më 8 tetor 1938, me rastin e ditëlindjes së mbretit Zog.
Jetimorja
Në fillim të vitit 1930 u shfaq me bamirësinë e saj, Erasti Turtulli, e veja e Grigor Turtullit. Ajo vendosi të ndërtonte një jetimore të re. Nuk kishte shumë kohë që i kishte vdekur i biri, Nikollaqi dhe kjo dhimbje e bëri të mendonte edhe për fëmijët e botës. Në hyrje të jetimores do të vendosej busti i djalit të saj. U desh vetëm një vit kohë që jetimorja të përfundonte.