Albspirit

Media/News/Publishing

Shfrenim i rrezikshëm në aspektin racist në Gjermani

Për shkak të deklaratave të politikanëve të AfD në Gjermani po debatohet për racizmin. Kjo në një kohë kur shtrohet pyetja, nëse diskriminimi është bërë i pranueshëm në shoqëri. Flet për DW studiuesja, Bilgin Ayata.

Deutschland Bilgin Ayata

Deutsche Welle: Aktualisht po diskutohet shumë për racizmin. Por çfarë është racizmi në fakt?

Bilgin Ayata: Me pak fjalë, racizmi përfaqëson një ideologji dhe praktikë, e cila beson në pabarazinë e grupeve të ndryshme të njerëzve – qoftë për shkak të origjinës së tyre, ngjyrës së lëkurës, orientimit seksual ose fesë. Këtu bëjnë pjesë përshkrime të asaj që ndihet e huaj ose lidhje e tipareve biologjike me sjellje sociale. Nuk ka rëndësi nëse veprimi diskriminues ndaj së huajës ka me të vërtetë racizmin si synim apo vetëm e nxit atë. Pra nuk bëhet fjalë për veprime të qëllimshme.

Sa raciste është Gjermania mbi këtë bazë?

Në fakt për racizëm flitet vetëm atëherë kur del në pah ndonjë racizëm i trashë biologjik – si në debatin për deklaratat e Thilo Sarrazinit ose tani të AfD. Por kur racizmi perceptohet vetëm atëherë, kur përdoret dhunë nga organizata NSU ose kur bëhet fjalë për racizëm biologjik, atëherë harrohen të gjitha format e racizmit të përditshëm, prej të cilave janë të prekura miliona vetë në Gjermani. Dikujt nuk ia japin një vend pune apo një apartament vetëm sepse ka një emër që tingëllon i huaj. Këto forma të diskriminimit ekzistojnë në të gjitha fushat sociale.

A është bërë Gjermania më raciste?

Nuk ka ende një bazë të dhënash, e cila të regjistrojë sistematikisht pikëpamjet raciste apo diskriminimin racist. Ne nuk flasim për racizëm në Gjermani po përdorim koncepte të tjera. Kështu në statistikën e policisë nuk ka të dhëna për akte raciste të dhunshme, por për kategorinë kriminalitet i djathtë me motive politike. Edhe në shkencë, në studime përdoren konceptet “armiqësi ndaj të huajve” ose “pikëpamje ekstremiste të djathta” – pra jo pikëpamje raciste. Kjo mënyrë e kujdesshme të shprehuri ka të bëjë me faktin se në Gjermani me racizëm asociohet racizmi biologjik i nazistëve, prandaj ka një qëndrim të fortë refuzues kundër konceptit racizëm.

Por aktualisht flitet sërish për racizëm – edhe për shkak të AfD. Çfarë ndikimi kanë deklaratat e drejtuesve të AfD si Alexander Gauland ose Björn Hocke?

Në diskutimin publik po ndodh një braktisje e rrezikshme e vetëpërmbajtjes përsa i përket racizmit. Kufiri midis asaj që duhet të thuhet apo për të cilën duhet heshtur, spostohet qëllimisht. Shprehen gjëra që janë shumë hapur raciste. Por duke qenë që këto deklarata pasohen nga deklarata edhe më ekstreme, të parat duken si normale. Paralajmëroj që problemi i racizmit të mos kufizohet vetëm tek AfD. Politika dhe shoqëria mbajnë përgjegjësi, sepse ato e kanë mohuar për vite të tëra problemin. Edhe mediet mbajnë përgjegjësi, kur përsëritin pa menduar formulime raciste ose kur krijojnë vetë të tilla si në rastin e shprehjes “vrasjet e sanduiçeve döner”.

Si mund të pengohet ose frenohet racizmi?

Mund të bëhet shumë. Hapi i parë do të ishte një diskutim ofensiv dhe i hapur për racizmin në këtë vend – në të cilin të marrin pjesë politika, mediet, shkollat thjesht gjithë shoqëria. Kur Kancelarja gjermane i kundërshton deklaratat e zotit Gauland (AfD), kjo është e drejtë, por kjo duhet të pasohet nga hapa të tjera. Komisioni Kundër Racizmit i OKB-së konstatoi në maj 2015 se Gjermania nuk i respekton sa duhet detyrimet e saj përsa i përket racizmit dhe se ekziston nevojë e madhe për të vepruar. Ekziston vërtet një plan nacional veprimi kundër racizmit, por ai vihet shumë pak në jetë. Racizmi nuk është problem individual, por strukturor.

Bilgin Ayata është asistente profesore për Sociologjinë Politike në Universitetin e Baselit. Ajo ka lindur në Ulm. Dizertacionin ajo e ka mbrojtur në John Hopkins University në SHBA.

Please follow and like us: