Gjyqësori që nuk thyhet nga politika
Është një fenomen i rrallë të shikosh Gjyqësorin tek rebelohet dhe proteston, për të mos u vënë në tutelën e politikës. Kjo po ndodh në Belgjikë. Gjykatësit po protestojnë duke ndërmarrë aksione greviste, për të ruajtur pavarësinë e sistemit! Grevat janë përqendruar jo vetëm ndaj shtrëngesave buxhetore të vendosura nga qeveria e djathtë e Sharl Mishelit, por tek një rrezik real për humbjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke u vënë nën pushtetin e ekzekutivit. Por, ç’po ndodh me gjyqësorin në Belgjikë dhe ku shtrihet realisht problemi ?
Alarmi i rrezikut të kapjes së gjyqësorit nga politika, erdhi vetëm pak kohë më parë, nga kreu më i lartë i saj në vend Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zhan de Kod. Në një dalje të jashtëzakonshme për shtyp, Zhan de Kod paralajmëroi rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ekzekutivi dhe rrënimin e drejtësisë në vend. Kjo, pasi masat e marra nga qeveria, kërcënojnë parimin e ndarjes së pushteteve, pa të cilën Shteti i së Drejtës, nuk mund të ekzistojë.
Situata duket se, është e ndërthurur me dy lloj kapje: politike dhe ekonomike.
Nga njëra anë, kemi tentativa të pastra për kapje politike. Gjyqësori belg ka denoncuar publikisht se, reformat e qeverisë Mishel, synojnë kontrollin e gjyqësorit nga struktura të ekzekutivit, duke e vënë atë në tutelën e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë të Buxhetit.
Më konkretisht, kuadri ligjor i ligjit të përpiluar më 18 shkurt 2014 (ende jo operacional) vendos automatikisht tre shtylla të rëndësishme si, Kolegjin e Ministrisë Publike, Kolegjin e Gjykatave dhe Gjykatën e Kasacionit nën tutelën e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Buxhetit(emërimet, promovimet, angazhimet në këto struktura, duhet të varen nga miratimi i seksionit të inspektimit të financave). Duke krijuar njëkohësisht edhe hapësirën e nevojshme, që ekzekutivi të ndërhyjë dhe të përpunojë politikat e gjyqësorit.
Ligj, që krijon edhe një mekanizëm vëzhgimi dhe fuqi anulimi të vendimeve të Kolegjit dhe të Komitetit Drejtues të Gjykatës së Kasacionit, nëpërmjet caktimit të dy komisarëve të qeverisë që do të asistojnë në mbledhjet e Kolegjeve dhe të Gjykatës, duke u pajisur me një të drejtë Rekursi tek Ministri?! Ekzekutivi i jep të drejtë vetes të bëjë edhe gjykatësin, por të jetë edhe palë ! Pra, ekzekutivi cakton sasinë e buxhetit për gjyqësorin, i jep vetes të drejta emërimi, të drejta vlerësimi mbi gjykimet, që jep gjyqësori dhe të drejtë të vendosë mbi këto gjykime !
Nga ana tjetër kemi edhe kapjen ekonomike, që ndërthuret me atë politike.
Qeveria e Sharl Mishel, ka marrë trajta qeverisëse të forta, duke imponuar një sërë reformash dhe masa drastike ekonomike. Gjyqësori belg, po e akuzon qeverinë se, “po zhvillon një strategji të anashkalimit dhe mos bindjes ndaj ligjit”. Por, duket se një ekzekutiv i fortë, nuk e dëshiron një drejtësi të fortë !
Kjo, sepse përtej tentativës për kapje politike, edhe masat e kursimit dhe reduktimit të fondeve, pra masat ekonomike, po gjykohen si të lidhura ngushtësisht me tentativat e dobësimit të shërbimit të parë publik të vendit, gjyqësorit. Vetëm 0,7% e PBB-së i akordohet sistemit të drejtësisë, ndërkohë që mesatarja evropiane e ka në nivelin prej 2,2%. Në rast se kjo përqindje reduktohet më tej, pasojat do të ndjehen në tërë sistemin, duke dëmtuar cilësinë e tij
Dëmtim, që lidhet me të drejtën për të ofruar shërbime drejtësie për të gjithë, me barazi dhe cilësi.
Një Drejtësi, që zgjat nuk është më Drejtësi, por një Padrejtësi !
Kjo padrejtësi, ndëshkohet jo vetëm nga legjislacioni i brendshëm, por edhe nga ai evropian, konkretisht Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ky është edhe një nga shqetësimet kryesore të gjyqësorit belg. Pasi, teksa vendet e gjyqtarëve të dalë në pension nuk rinovohen me gjyqtarë të rinj, struktura ngushtohet, duke rritur volumin e punës në gjykimin e çështjeve.
Mirëpo, gjyqtarët belgë, vlerësojnë se gjykimi i një dosje kërkon thellim, reflektim dhe kohën e saj të nevojshme. Në rast se, nuk do të kihet kjo kohë në dispozicion, që quhet “kohë cilësore për vlerësim”, gjykimet do të jenë pa cilësi, të shpejta dhe në dëm të interesave të qytetarëve. Rasti tipik, vjen me sakrificat e papaguara të gjyqtarëve, teksa konfirmojnë se, janë të detyruar të punojnë edhe përgjatë fundjavave për reflektim të thelluar mbi dosje të caktuara, duke mos u kompensuar mbi asnjë orë pune shtesë.
Drejtësi elitare !
Por, ka dhe një problematikë tjetër, që lidhet me shkurtimin e fondeve të sistemit të gjyqësorit, duke prekur edhe avokatët e caktuar kryesisht, si edhe fondet e përkthyesve. Duke ngushtuar hapësirën për pagim të këtyre strukturave ato që preken janë kategoritë më të dobëta të shoqërisë, të varfrit, apo shtresat me të ardhura të dobëta, pasi do të penalizohen gjerësisht nga ofrimi i shërbimeve të drejtësisë. Duke rrezikuar kësisoj shndërrimin e drejtësisë në një sistem elitar, ku përjashtohen automatikisht shtresat më në nevojë të shoqërisë.
“Të drejtat e njeriut që garantojnë të drejtën për gjykim, nuk mund të sigurohen më! Belgjika mund të dënohet në nivel ndërkombëtar në fushën e drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të afatit të arsyeshëm për gjykim !”, do të deklaronte kreu i Gjykatës së Kasacionit.
Drejtësia është një prej shtyllave thelbësore të funksionimit të Shtetit demokratik.
Tentativat për kapjen e sistemit të drejtësisë, në parim joshin sistematikisht ekzekutivin, me synim zgjerimin e pushtetit dhe kontrollimin e tij. Por, kjo joshje bëhet edhe më e rrezikshme në kohë të vështira ekonomike, ku nën pretekste të kufizimeve të shpenzimeve publike, ekzekutivi kërkon të dobësojë gjyqësorin, duke krijuar hapësira për penetrim në kontrollin e tij. Situata në Belgjikë, është e një niveli të paprecedentë, në tërë historikun e funksionimit të shtetit të së drejtës. Për këtë arsye, merr vlera historike, reagimi i fuqishëm i sistemit të gjyqësorit, që po shfaq shenja të forta rezistence për të mos pranuar vënien në tutelë nga ekzekutivi.
Belgjika që prej ardhjes në pushtet në vitin 2014 të një koalicioni të djathtë, me nuanca mbështetëse “ekstremiste” nga partitë e Flandrës, ka ndërmarrë një sërë masash shtrënguese ekonomike, si edhe masa, që prekin sa kuadrin e të drejtave të njeriut, por edhe ato sociale. Si rrallëherë, vendi është nën presionin e lartë të një sërë grevash lokale, rajonale dhe kombëtare. Greva të organizuara nga rrjeti i bashkuar i sindikatave, që kanë paralizuar sistematikisht vendin. Synimi, ulja në bisedime e një qeverie, që cilësohet si “qeveri e shurdhët, që nuk dëgjon masat”. Greva e djeshme e sistemit të gjyqësorit, i bashkohet grevave sistematike të punonjësve të sistemit të burgjeve, të sektorëve të ndryshëm të administratës, të sistemit të transportit urban në vend, të sistemit të transportit hekurudhor, të sistemit të qarkullimit ajror, të klasës së fermerëve, etj. Në kulmin e sezonit turistik, sistemi i transportit hekurudhor, paralajmëroi në këto momente dy javë grevë të përgjithshme. Jo rastësisht sondazhet e fundit të opinionit publik, e tregojnë humbëse qeverinë e djathtë në pushtet, nëse në këto momente do të zhvilloheshin zgjedhje të përgjithshme. Kambanë, që vlen të dëgjohet, tek masat japin shenjat e para të ndëshkimit, për rrëzim të shpejtë të politikave të padrejta dhe tentativa për kontroll të pushteteve të tjerë./DITA