Koço Danaj: Greqia qëndrim shovinist ndaj Shqipërisë
Koço Danaj: Greqia qëndrim shovinist ndaj Shqipërisë, politika e saj e mbrapshtë në grahmat e fundit, Shqipëria Natyrale kyçi i stabilitetit në rajon
Politologu dhe ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, në një intervistë për gazetën “Sot”, ka komentuar vizitën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias dhe mosmarrëveshjet prej shumë dekadash mes Shqipërisë dhe Greqisë. Koço Danaj është shprehur se Greqia ka treguar shovinizëm të përhershëm ndaj Shqipërisë, ndërsa shteti ynë ka qenë kundër konflikteve artificiale dhe ka përqafuar gjithmonë politikën paqësore. Kjo është edhe arsyeja se përse Shqipëria sipas tij luan një rol kyç në stabilitetin e rajonit. Danaj e cilëson absurde deklaratën e Kotzias, kur thotë se çamët kanë bashkëpunuar me nazistët, ndërkohë që gjyshi i tij, Kostandin Kotzias, ka bashkëpunuar me ministrin më famëkeq të Adolf Hitlerit. Politologu Danaj deklaron se politika e mbrapshtë dhe anadollake e Greqisë është në grahmat e fundit, pasi ky është shteti më i sëmurë në Europë që nuk do të mundet dot më të rimëkëmbet. Ndërkaq, Danaj ka folur edhe për Shqipërinë Natyrale, për të cilën po punon dhe beson se kjo do të arrihet. Koço Danaj thekson se Shqipëria Natyrale do të luajë rol kyç në stabilitetin e rajonit.
-Si e shihni vizitën e ministrit të Jashtëm grek, Kotzias, i cili ka ardhur në Tiranë për të zgjidhur mosmarrëveshjet prej shumë dekadash mes dy shteteve?
Nga ana e Shqipërisë nuk ka asnjë konflikt dhe mosmarrëveshje, por ka një shovinizëm konstant të përhershëm prej shumë dekadash të politikës greke ndaj Shqipërisë. Shqipëria është vendi me politikën më paqësore në rajon dhe në Europë, ndërsa të tjerët ndaj Shqipërisë janë ose shovinistë, fashistë apo barbarë. Në këtë kuadër, edhe këtë vizitë të Kotzias nuk e shikoj se do të zgjidhë konfliktin. Sepse të gjitha konfliktet janë artificiale. Qeveria greke realisht kostumet i ka të 2016, por mendësinë e ka të 1864 të doktrinës së Janis Koletis me Megali Idenë. Ajo mendësi që ka qenë atëherë, ajo politikë greke është edhe sot. Asnjë ndryshim nuk ka pavarësisht se qeveritë janë të majta, të qendrës së majtë, të qendrës së djathtë, junta ushtarake apo junta civile.
-Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, u prit me protesta të ashpra nga shoqata “Çamëria”. Edhe pse këto protesta kanë në thelb çështjen kombëtare shqiptare çame, a do të ndikojnë në prishjen e marrëdhënieve me Greqinë deri edhe bllokimin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian?
Greqia nuk ka fuqi të mbajë veten e saj e jo më të ndikojë te integrimi i Shqipërisë! Ikën ato kohëra kur Greqia mund të caktonte se cili do ishte roli i Shqipërisë në Ballkan apo në Europë. Sot, e sëmura e Europës, që nuk ka për ta marrë veten kurrë, është Greqia! Këto janë grahmat e fundit të kësaj politike të mbrapshtë, anadollake, të një doktrine të mbrapshtë, të një doktrine më shumë se shoviniste! Të gjithë ata që thonë shovinizëm e përkëdhelin Greqinë; politika greke e djeshme apo e sotmja është më shumë se shoviniste, është politikë barbare. Kjo politikë barbare nuk mundet të pengojë kurrsesi Shqipërinë për të hyrë në BE. Ajo është në dorë të politikës shqiptare, të kombit shqiptar, i cili është në rilindje totale duan apo nuk duan dhe 4-5 politikanë shqiptarë në Tiranë apo në Prishtinë. Asgjë nuk ka për të ndodhur! Shqiptarët e Çamërisë, në mënyrë shumë të kulturuar, kërkojnë vetëm të drejtën e tyre, atë të drejtë të cilën në mënyrën më barbare ua ka mohuar shovinizmi grek, racizmi grek, i majtë, i djathtë, i cili përballë shqiptarëve mjerisht nuk paska asnjë lloj ngjyre dhe këtu bien edhe traktatet filozofike dhe politike mbi ideologjitë e majta dhe të djathta.
-Heqja e ligjit të luftës është ajo për të cilën çamët po luftojnë. Athina zyrtare ka deklaruar se po punohet për heqjen e ligjit të luftës, por nuk po shohim asnjë rezultat deri më sot. Pse Greqia ka frikë të heqë ligjin e luftës?
Nëse heq ligjin e luftës apo po hodhi poshtë doktrinën e Megali Idesë, do të thotë që trojet shqiptare të zgjerohen akoma më shumë. Pra, shqiptarët të marrin të drejtën e tyre natyrale. Trojet e tyre t’i çojnë atje ku i kanë, deri në Prevezë. Po hoqi ligjin e luftës, Greqia do detyrohet të pranojë edhe një mijë e një padrejtësira që i ka bërë kombit shqiptar.
-Si e shihni rolin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Shumë normale! Me tone të qeta, me tone evropiane! Si ministri Bushati ashtu edhe ministrat e tjerë paraardhës kanë nevojë për mbështetjen e opinionit publik, i cili duhet të kuptojë se globalizëm nuk do të thotë mohim i identitetit kombëtar. Të jetosh në një epokë globale, do të thotë të ruash qenien kombëtare! Diversiteti nacional është fryt i asaj që quhet erë globale. Opinioni akademik ka nevojë më shumë që të hedhë teza, ide, traktate për të dhënë portretin dhe fytyrën e kësaj politike greke ashtu siç është realisht. Në Greqi përballë shqiptarëve, të majtë apo të djathtë, të qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë, ekstremistë të majtë apo të djathtë si Syriza dhe Agimi i Artë janë njësoj.
-Prej dekadash po flitet për çështjen çame. A po lufton vërtetë Shpëtim Idrizi për të drejtat e pronësisë së çamëve?
Shpëtim Idrizi dhe partia e tij bëjnë aq sa bëjnë! Dhe nuk po bëjnë pak! Çështja çame apo pjesë të ndryshme të kombit shqiptar nuk është çështje individësh apo partish; është vetë një komb që duhet të kërkojë gjymtyrët e tij që i mungojnë. Kombi duhet të kërkojë t’i kthehen gjymtyrët e tij sepse është një komb i sakatosur! Imagjinoni një komb pa një këmbë, pa një krah, pa një shpatull…nuk është çështje e një partie, sepse po të ishte kështu do ta kthente kohën në perandorinë otomane. Ne jetojmë në 2016 dhe jemi më europianët e rajonit, dhe jemi edhe më europianë se ata që kanë kaluar Bashkimin Europian. Themelet e BE nuk janë hedhur që në 1950. Këtë mund ta thonë dhe historianët. Por themelet e BE janë hedhur që në 1453, në kohën e Skënderbeut, marrëveshjet e tij me Venedikun. Ashtu si edhe themelet e NATO janë hedhur që në kohën e Skënderbeut, marrëveshjet e tij ushtarake me Ferdinandin e Napolit, në vitin 1459.
-Ju po punoni me shumë zell dhe dëshirë në krijimin e Shqipërisë Natyrale. A besoni se një ditë do të krijohet Shqipëria Natyrale, e cila patjetër është ëndërr dhe dëshirë e gjithë kombit shqiptar, për t’i rikthyer Shqipërisë trojet e mohuara nga Konferenca e Paqes në 1913?
Absolutisht po! Unë nuk mendoj por punoj që kjo të krijohet. Sepse askush nuk e do luftën, të gjithë duan paqe! Nuk ka qeveri në Europë apo në rajon që kërkon luftën, të gjithë duan paqen. Kyçi i stabilitetit të paqes në rajon, por edhe më gjerë se rajoni, është vetëm Shqipëria Natyrale. Këtë duhet ta mësojë edhe ministri i Jashtëm grek, të cilit preferoj të mos ia përmend biografinë. Por ata shpesh herë akuzojnë çamët se kanë bashkëpunuar me nazistët, ndërkohë që gjyshi i ministrit të Jashtëm grek, Kostandin Kotzias, ka qenë miku më i ngushtë i ministrit famëkeq të propagandës së Adolf Hitlerit.
-Si e shihni deklaratën e Athinës zyrtare, e cila iu përgjigj kryeministrit Edi Rama për ligjin e luftës?
Duket që në Athinë ka nervozizëm, sepse duket që ata nuk e njohin që para gjykatave të tyre është Konferenca e Podsdamit, e cila nuk i përfshin shqiptarët e Çamërisë në pakicat nacionale që morën pjesë me nazifashizmin, përkundrazi i përfshin në pakicat që morën pjesë kundër fashizmit. Bashkë me shqiptarët në Kosovë, me bullgarët dhe bullgaro-maqedonasit dhe shqiptarët e Çamërisë i konsideronin pjesë të koalicionit antifashist. Këtë bën sikur nuk e njeh qeveria greke dhe akademikët shqiptarë bëjnë sikur e kanë harruar.
-A keni një përgjigje ndaj Athinës zyrtare që ju ka shpallur shtetas “non grata”?
Është e drejtë e tyre të më konsiderojnë person i rrezikshëm, apo më pak i rrezikshëm. Megjithatë, kur vjen puna te çështja kombëtare, ne duhet të ecim me një logjikë tjetër: Jo çfarë do thonë fqinjët për ne, por çfarë do themi ne përpara ndërgjegjes kombëtare. Ne duhet të jemi të qetë përpara ndërgjegjes sonë kombëtare, pastaj fqinjët le të flasin ç’të duan, kjo vlen edhe për analistët e shërbimeve sekrete greke.