Pushtimi fashist dhe vërteta e Bahri Omarit
Kohët e fundit u publikua libri “Bahri Omari, jeta dhe veprimtaria” me autore Donika Omarin. Libri pasqyron veprimtarinë e Bahri Omarit, i cili pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, vuri formimin e tij intelektual, kulturor dhe profesional, në interes të çështjes kombtare, të konsolidimit të shtetit dhe emancipimit të shoqërisë shqiptare.
Publicist klasi, ndër më të shquarit e kohës
Pjesën më të madhe të librit e zë veprimtaria publicistike e B. Omarit, kryesisht artikujt e shkruar prej tij në formë editorialesh e të botuara në gazetën “Dielli” (organ i shoqërisë Panshqiptare Vatra), të cilën ai e drejtoi për një periudhë tre vjeçare (1916-1919) në Boston të SHBA-ve. Autorja ka arritur të grumbullojë e të pasqyrojë pjesën dërmuese të shkrimeve duke respektuar kronologjinë dhe ruajtur origjinalitetin e tyre. Që në shkrimet e para dëshmohet se detyrën si drejtues i redaksisë së kësaj gazete, B. Omari e mirëpriti dhe e konsideroi si realizim të një dëshire të madhe për t’i shërbyer atdheut dhe kombit në fushën e shtypit të cilin e vlerësonte “…si arma m’e madhe në botë”.
Megjithse i ri dhe pa përvojë në fushën e publicistikës, B. Omari në shkrimet e tij në faqet e Gazetës “Dielli” arriti të trajtonte një problematikë mjaft të gjërë, të lidhur me çështjet më të rëndësishme që kishin të bënin me të ardhmen e shtetit shqiptar.
Omari, në disa editoriale trajtoi çështjen e arsimimit të shqiptarëve. Në kushtet, kur analfabetizmi përfshinte pjesën dërrmuese të popullsisë, arsimi sipas tij, merte një rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe përparimin e individit, të shoqërisë, si dhe ishte i domosdoshëm për mirëqeverisjen e vëndit dhe funksionimin e administratës shtetrore. “Një shtet pa dituri të popullit në shekullin e njëzetë,- theksonte ai, – nuk mund të rrojë. Një nga nevojat që të ngacmojë nga do që jemi e nga do që të vemi, duhet të jetë arsimi. Popujt e qytetëruar, lumturinë dhe pasurinë ia detyrojnë arsimit”.
Gjithashtu ai evokonte rolin e figurave të shquara të Lëvizjes Kombëtar, për të fuqizuar ndërgjegjen kombëtare te shqiptarët e në veçanti te elita kulturore dhe politike, për t’i dalë zot vendit, e për t’i rikthyer pavarësinë dhe integritetin tokësor.
Për vite me radhë në “llogoren” e Dielli-t
Koha që B.Omari punoi në gazetën “Dielli” përkoi me vitet e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e së cilës përfshinë Shqipërinë dhe vunë në rrezik sovranitetin dhe tërësinë toksore të saj. Në editorialet e shumta që B. Omari shpalosi në faqet e Gazetës “Dielli”, bie në sy përkushtimi për mbrojtjen e çështjes shqiptare, përpjekjet për të kryer me kompetencë dhe seriozitet detyrën e besuar, ashtu dhe aftësitë e tij intelektuale, njohuritë e mira në të drejtën kushtetuese e administrative, në fushën e historisë moderne, gjuhët e huaja të përftuara nga arsimimi i plotë që kishte marrë.
Në kushtet e mungesës së një qeverie kombëtare në Shqipëri edhe në rrethanat e krijuara pas përfundimit të luftës së Parë Botërore, B. Omari e konsideronte shoqërinë “Vatra”, si të vetmen dhe më të madhen organizatë të emigracionit jashtë vendit, e cila ishte e pajisur me një program kombëtar, e aftë për t’i dalë zot vendit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare. Prandaj, në një pjesë të shkrimeve ai përcjell shqetsimin dhe e vë theksin te domosdoshmëria e forcimit e zgjerimit të saj, duke u mbështetur në eksperiencën më të mirë demokratike të shoqërisë amerikane dhe veçanërisht në atë të respektimit të së drejtës së votës dhe përsosjen e programit të organizatës për të mirën e vendit. Ai zbulon shkaqet që pengonin rritjen e saj, që sipas tij vinin nga mungesa e diturisë dhe arsimit ndër shqiptarë, përçarja në mesin e tyre etj. Për t’i kapërcyer ato, u bënte thirrje shqiptarëve të Amerikës të bashkoheshin rreth “Vatrës” e të linin mënjanë mëritë dhe gjithshka negative të trashëguara nga vendlindja e të kontribuonin në fuqizimin e saj, për t’a kthyer atë në një “Institutë të lartë” me vlerë jo vetëm për ta, por, parasegjithash, për t’i dale zot atdheut dhe për të përballuar problemet që do të lindnin me përfundimin e luftës. Si më e madhja organizatë e emigracionit jashtë vendit, veç përballjes me problemet e brendëshme, ajo iu përkushtua tërësisht gjendjes në të cilën ndodhej atdheu, duke u shndrruar kështu dora dorës, në mbrojtësen më të fuqishme të tij.
Një pjesë e shkrimeve i kushtohet gjendjes së Shqipërisë e cila, pavarësisht asnjanësisë se shpallur nga të mëdhenjtë, ndodhej nën pushtimin e forcave ndërluftuese që i kishin shkaktuar vuajtje dhe mjerime të mëdha, por, sipas autorit, “…. nuk i përmend asnjë shtet”.
Në kushtet kur interesat e shtetit e të popullit shqiptar po nëpërkëmbeshin nga fuqitë e huaja, B. Omari, nëpërmjet editorialeve u bënte thirrje shqiptarëve të ngrinin zërin dhe të denonconin me forcë të gjitha shkatërrimet që kishte sjellë lufta, përfshirë edhe ato që kishin bërë grekët më 1914. Në të njëjtën kohë paralajmëroi për rreziqet që i kanoseshin tërësisë tokësore të Shqipërisë nga pretendimet e shteteve fqinjë, të rreshtuara në krah të fuqive fituese të luftës. Mënyra më e mirë për mbrojtjen e interesave të atdheut e të popullit, sipas B. Omarit, ishte bashkëpunimi dhe organizimi i fortë i shqiptarëve, si në kuadrin e shoqërisë “Vatra”, ashtu dhe brenda vendit, se vetëm ashtu, theksonte ai, do të mundemi t’u bëjmë ballë fqinjëve, të cilët ishin të organizuar “…njëmijë herë më shumë se ne”.
Hyrja në luftë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përkrah Aleatëve, dhe publikimi në vitin 1917 i deklaratës me 14 pika të Presidentit Wilson, e cila shpallte dhe mbronte të drejtën e popujve pë vetvendosje, pavarësisht madhësisë së tyre, rriti shpresën e drejtuesve të “Vatrës” për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare dhe rregullimit të padrejtësive që u ishin shkaktuar siç theksone ai, nga diplomacia e pathemeltë e disa fuqive europiane. Prandaj, sipas tij, ishte e domosdoshme që shqiptarët të bashkoheshin, të organizoheshin dhe të ishin të qartë në kërkesat që do të paraqitnin pranë Konferencës së Paqes. Kjo problematikë përshkoi editorialet e gjysmës së dytë të vitit 1918, kur edhe luftës po i vinte fundi dhe të gjithë shtetet pjesëmarrëse, po përgatiteshin për të shkuar në Konferencën e Paqes në Paris, të cilën ai e konsideroi si ngjarje të rëndësishme, ku do të vendoseshin fatet e vendit dhe si e tillë kërkonte përgatitje serioze të faktorit shqiptar. Ndonëse shtet asnjanës, Shqipërisë realisht po i kërcënohej ekzistenca e saj nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha që i mbështetnin. “Ata, – theksonte Omari,- kanë ngrehur shpatat e thikat që t’a skrupullosin atë dhe të mos mundë të rrojë si një shtet midis gjithë shteteve të Ballkanit”. Në mjaft artikuj B. Omari shtronte si kërkesë imediate për figurat më pëfaqësuese të shoqërisë “Vatra”, përgatitjen e një programi kombëtar për ta mbrojtur çështjen shqiptare në mënyrën më të mirë, rreth të cilit të bashkoheshin shqiptarët brënda e jashtë vëndit “se në këtë mënyrë do t’i tregojmë botës së qytetëruar aftësinë për t’u vetëqeverisur”. E rëndësishme për të ishte përzgjedhja e antarëve të delegacionit të “Vatrës” dhe puna që ata duhej të bënin brënda dhe jashtë vëndit për propogandimin e programit kombëtar, për formimin e një qeverie kombëtare në Shqipëri, e cila do t’a përfaqësonte atë zyrtarisht në Konferencën e Paqes, duke qëndruar larg influencave të huaja dhe veçanërisht atyre italiane. Situata kërkonte që përfaqësimi shqiptar të bashkohej rreth programit të “Vatrës”, në thelb të të cilit qëndronte kërkesa për një Shqipëri në kufijtë etnografikë, duke korigjuar edhe vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913).
Në shkrimet e tij, ai kritikoi ashpër qëndrimet e disa eksponentëve të politikës shqiptare që, për interesat e ngushta të pushtetit të tyre, sakrifikonin zgjidhjen e drejt të çështjes shqiptare. Në këtë kuadër ai iu kundërvu veprimtarisë së E. Toptanit, të cilin e konsideronte si një pengesë po aq të madhe, sa dhe armiqtë e tjerë të Shqipërisë.
Zëdhënës i përfaqësuesve shqiptarë në Konferencat Ndërkombëtare
Vend të veçantë në shkrimet e tij zinin zhvillimet e punimeve të Konferencës dhe trajtimit prej saj të çështjes shqiptare. Ai shprehej kundër kërkesave e synimeve aneksioniste të shteteve fqinjë ndaj trojeve shqiptare dhe denoncoi mbështetjen që u jepnin atyre Fuqitë e Mëdha si Franca, Anglia etj, madje mbajti qëndrim kritik dhe ndaj Presidentit të SHBA-ve, që u bashkua përkohësisht me ta, në projektin për t’i dhënë Vlorën Italisë.
Objekt i artikujve të B. Omarit u bë veprimtaria e delegacioneve shqiptare pranë Konferencës së Paqes në Paris. Me interes ai ka përcjellë situatën ndër delegacionet shqiptare, kritikoi përçarjen që ekzistonte midis tyre dhe sdomos në gjirin e delegacionit qeveritar dhe mbajti qëndrim të ashpër ndaj kryetarit të tij, Turhan Pashë Përmetit, Myfit Libohovës e Gjergj Fishtës, të cilët kishin rënë nën ndikimin e Italisë dhe kërkesave të saj për protektorat ndaj Shqipërisë. Sipas B. Omarit, Turhan Pasha, si kryetar i një qeverisë të Përkohëshme, nuk kishte asnjë të drejtë të fliste në emër të shqiptarëve për çështje aq të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e vëndit dhe popullit. Në të njëjtën kohë ai shprehu mbështetje për atë pjesë të përfaqësimit shqiptar që dolën me kërkesën për një mandatori të përherëshme amerikane, për t’u treguar shteteve pjesëmarrëse në conference, siç theksonte ai “….frikën që kishin shqiptarët ndaj protektoratit italian”.
Në këtë situate të vështirë që po kalonte zgjidhja e çështjes shqiptare në konferencë, figura të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, vepruan me shpejtësi per vendosjen e fateve të vendit. Organizuan Kongresin e Lushnjës i cili shënoi kthesën më të rëndësishme në historinë e vendit, i riktheu pavarësinë, rrëzoi qeverinë e Përkohshme të Durrësit, kundërshtoi pretendimet e shprehura në Konferencën e Paqes së Parisit për coptimin e Shqipërisë si dhe zgjodhi organet kushtetuese të vendit.
Vendosja e stabilitetit politik në vend, përpjekjet për zhvillimin dhe ringritjen e institucioneve të shtetit, në fillim të vitit 1920, ndikuan në vendimin e B. Omarit për të lënë Amerikën e për t’u kthyer në atdhe. Ai u angazhua në jetën politike të vendit. Falë reputacionit të prejardhjes së tij familjare, punës së tij në gazetën “Dielli”, në mbrojtje të çështjes kombëtare, e cila e kishte bërë të njohur te bashkatdhetarët, ndershmërisë dhe idealeve demokratike republikane, ai u zgjodh deputet në Këshillin Kombëtar, në vitet 1921-1924.
***
Pas shpalljes së amnistisë nga A. Zogu në vitin 1926, duket se B. Omari mendoi të kthehej në atdhe. Ai i drejtoi një telegram Ministrisë së Punëve të Brendshme ku kërkonte zgjatjen e afatit teë amnistisë. Por dënimi me vdekje që dha gjyqi politik në vitin 1927, për disa figura të emigracionit politik, midis tyre dhe për B. Omarin, e detyroi atë të mos kthehej, madje tërhoqi familjen dhe jetoi në Bari deri në qershor të vitit 1939. Në këtë vit ai vendosi të kthehej përfundimisht në atdhe.
Libri “Bari Omari, jeta dhe Veprimtaria”, është shkruar me një gjuhe të pastër, stil të rrjedhshmëm dhe është me vlera njohëse, si për lexuesin e gjërë, ashtu edhe për studjuesit e historisë të popullit shqiptar të kësaj periudhe.