Albspirit

Media/News/Publishing

Reagan: Të gjitha ndryshimet e mëdha në Amerikë fillojnë rreth tryezës

Ronald Reagan: Të gjitha ndryshimet e mëdha në Amerikë fillojnë rreth tryezës

 

Në shkurt të vitit 2011 Shtetet e Bashkuara kremtuan 100 vjetorin e ditës së lindjes të Presidentit të 40-të Ronald Wilson Reagan. Me rastin e këtij jubileu pastiçierët nga Kalifornia (në kohën e vet Reagan ka qenë Guvernator i këtij shteti) bënë një “tortë presidenciale” gjigande.

Ajo peshonte rreth 180 kilogramë, për përgatitjen e saj u deshën 45 kilogramë miell, 90 kilogramë sheqer dhe sheqer pluhur, 54,4 kilogramë gjalpë dhe 400 vezë. Torta u zbukurua me figurën prej çokollate të një shqiponje kryebardhë që peshonte 23 kilogramë, kurse shtresa e sipërme e “kulaçit presidencial” ishte spërkatur me shurup prej xhelatine bathësh (një lloj shumë i përhapur marmelate – jelly beans, pra, xhelatinë bathësh).

Reaganit i pëlqente shumë festimi i ditëlindjeve, preferonte jashtë mase çokollatën dhe mbante përherë rezervë në frigoriferin e aeroplanit të vet, si minimum, një tortë me kakao.

Ndërsa delikatesa më e preferuar e tij ishin jelly beans. Me ndihmën e tyre ai përpiqej të përmbante veten nga pirja e cigares pasi la duhanin. Reagan dhe bashkëshortja e tij zakonisht e hanin bashkë mëngjesin në orën 7. 45. Zonja e Parë e Amerikës i kushtonte vëmendje shumë të madhe menusë me gatime të shëndetshme, gjellëve me përmbajtje minimale yndyre dhe kolesteroli.

Dita për çiftin presidencial fillonte me flakes prej krunde drithërash, qumësht të skremuar, fruta të freskëta dhe kafe pa kafeinë. Vezët për mëngjes atyre u servireshin 1 herë në javë – rrufkë (surbull) – vezë të ziera pa lëvozhgë dhe omëletë. Dhe vetëm nga një kokërr për çdo lloj. Presidenti e plotësonte mëngjesin edhe me një copë bukë të thekur ose të ashtuquajturin kek-muffin (kjo është një lloj buke e pjekur shtëpie në formëz të veçantë me miell të bluar ashpër gruri, miell misri, miell thekre ose flakes tërshëre, brumit të së cilës i shtohen fruta të freskëta ose të thara.

President Ronald Reagan Eats Big Mac

Reagan preferonte gatime jo të sofistikuara me të cilat ishte mësuar të ushqehej në të kaluarën. Atij i jepnin një kënaqësi të vërtetë gatime të tilla si rulet mishi (meatloaf) apo supa hamburgeze. Kjo është një supë shumë e thjeshtë për gatim, e cila bëhet me lëngun e mishit të viçit, me mish të grirë viçi pa dhjamë, domate të freskëta dhe misër. Serviret ajo në tavolinë me një copë buke të thekur franceze dhe njihet aktualisht me emrin “supa e Ronald Reaganit”. Një pjatë tjetër e preferuar e Presidentit ishin makaronat me dhjathë. Në përbërjen e salcës, me të cilën piqeshin makaronat në furrë, hynin këto ingrediente: vezët, gjalpi i freskët, qumështi, dhjathi cheddar dhe mustarda.

Presidenti zakonisht drekonte në Kabinetin Oval të Shtëpisë së Bardhë duke i dhënë preferencë gjatë kësaj gatimeve jo të rënda për stomakun, për shembull, supës, bukës dhe ëmbëlsirave të lehta. Atij i pëlqente shumë supa italiane minestrone e shoqëruar me sasi të madhe buke italiane të sapo pjekur, supa me thjerrëza e me salçiçe të prera në copa të vogla, supa me bathë të zeza dhe çorba skoceze me elb të zhveshur (bollgur elbi).

Pasioni për ushqimin e shëndetshëm nuk do të thoshte aspak se Ronald Reagani dhe Nansy Reagan nuk pëlqenin mishin e gatuar në mënyra nga më të ndryshmet.

Në familjen e Reaganit preferonin shumë ragúnë me mish pule, por pjata më e preferuar ishte megjithatë rosto apo bifteku i prerë në copa të vogla. Ngandonjëherë familja e Çiftit të Parë të Amerikës i lejonte vetes kënaqësinë e të ngrënit për darkë të ndonjë bifteku të mirë me pudding Yorkshire.

Pëlqenin ata shumë edhe biftekun (steak) kalifornian me salcë të përgatitur me speca djegës (chili). Por veçanërisht shumë i pëlqente Reaganit peshku-shpatë i pjekur në skarë dhe i spërkatur me vaj limoni.

Gjatë largimit nga Shtëpia e Bardhë, në janar të vitit 1989, Ronald Reagan mbajti fjalën e lamtumirës, në të cilën shprehu frazën e mrekullueshme mjaft domethënëse: “Të gjitha ndryshimet e mëdha në Amerikë fillojnë rreth tryezës së darkës”. Presidenti kishte parasysh domosdoshmërinë e bisedave të përditshme midis prindërve dhe fëmijëve. Një ide jo e keqe kjo, që ka të bëjë, sigurisht, jo vetëm me amerikanët.

Please follow and like us: