Valbona, parajsa mes alpeve shqiptare
Do të mjaftojnë më pak se 4 orë larg Tiranës për të gjetur parajsën mes Alpeve shqiptare.
Në Valbonë dhe në Malësinë e Gjakovës, aty ku shqiptarë dhe shumë turistë të huajë vijnë për ti qëndruar larg zhurmave apo ajrit të ndotur, gjithçka është e bekuar nga Zoti.
Ajri, klima, natyra, uji dhe ngjyrat janë ato që të japin jetë.
Këtë mrekulli natyrore, që të gjithë mund ta vizitojmë në çdo stinë, ne zgjodhëm ta shikojmë nga afër pikërisht në ditën e parë të çeljes së sezonit nga bashkia e Tropojës. Si traditë e përvitshme e bashkisë së qytetit më verior në vend, bashkia nisi aktivitetet nën moton “Tropoja turistike” nga Muzeu historik i qytetit, aty ku ishin ekspozuar kostumet popullore të zonës, mjete e vegla muzikore si foto të ndryshme nga Ujëvara e Valbonës e maleve të gjelbëruar me borën e përjetshme të Alpeve Shqiptare.
Ishte një ceremoni i thjeshtë, por mjaft mikpritëse nga qytetarët e Tropojës dhe vetë drejtuesit e pushtetit vendor të bashkisë së Hasit dhe Kukësit, të cilët i ishin bashkëngjitur eventit më të rëndësishëm të sezonit të verës në Veri.
Udhëtimi nga qendra e qytetit deri në Valbonë zgjati pak minuta, kjo falë investimeve që ishin bërë së fundmi në qytetin verior dhe konkretisht në rrugën që të çon në zonën turistike.
Pamja e maleve me borë herë herë thyhej me pemë të gjelbëruara e herë herë me shkëmbinj të thepisur, që të shtonin dëshirën për ti ngjitur.
Por në ishim ftuar për të qenë të parët që do të çelnim sezonin në këtë vend.
Vetëm pak minuta larg qendrës, mbërrijmë në Valbonë, aty ku kreu i bashkisë foli për bukuritë natyrore, u bëri ftesë turistëve, por edhe apeloi qeverinë për më shumë investime në këtë zonë.
“Unë dua t’u them se Tropoja është turistike, është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë.
Dhe unë gjej rastin sot t`ju ftoj qe të vizitoni edhe ato vende, që nuk keni patur mundësinë t`i shihni më parë. Në dy anët e kësaj lugine përtej maleve ndodhen edhe lugina të tjera, secila më e bukur se tjetra, ku ndërthuren lumenjtë e kulluar, me bjeshkët e majat, me liqenet alpinë, me plantacionet e boronicave dhe shpellat e rralla. Në një anë Currajt e Epër e gjithë Nikaj Mërturi, Parku Natyror Rajonal. E në anën tjetër, përtej këtyre maleve, në mes bjeshkëve të Krasniqes e Gashit, shtrihet Lumi i Gashit”, tha krei i bashkisë gjatë fjalës së tij në çelje të aktivitetit duke shtuar edhe një fakt të ditur për këtë zonë, pikërisht sipërfaqen e madhe prej 3 mijë hektarësh tokë të mbjellur me gështenja.
E duke ndalur në zonat që turistët ia vlen të vizitojnë ai nuk la pa përmendur kanalin e Gashit, Grykën e Bradoshnicës e më lart saj fshatin në luginën e Gashit.
Por përtej çdo investimi nga fondacione të huaja, kryesisht ato gjermane për zhvillimin e turizmit në zonën e Valbonës, detyrimet kryesore janë të qeverisë shqiptare.
“Nuk mund të ketë turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike, pa resurse njerëzore, ekonomike, infrastrukture të pranueshme dhe ndihmë nga shteti.
Dhe kjo ndihmë mendoj se duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë. Një tjetër ndihmë që qeveria mendoj mund të jepte, është hapja e shkollave të mesme, apo kurseve këtu në Tropojë, ku të rinjtë të kualifikohen në turizëm, bujqësi, blegtori, kuzhinë , marketing etj.”, ishte apeli i kryebashkiaut Besnik Dushaj ndaj pushtetit qendror.
Teksa të gjithë shikonin me kërshëri valltarët e shumtë të veshur më kostumet popullorë, nuk vonoi shumë dhe ata demonstruan për herë të parë një prej traditave të hershme të kësaj zone. Një dasmë tropojane të gërshetuar me atë të zonës së Hasit.
Deputetët e zonës, turistët e shumtë dhe gazetarët shijuan vallet unike të zonës së Tropojës po aq sa unike edhe gatimet e ekspozuara në një panair kulinarie.
Sezoni u çel për të gjithë.
Në zonën e gjelbëruar temperaturat e larta mposhteshin me freskinë e pemëve dhe ajrin e pastër.
Por Valbona nuk është vetëm kjo.
Më tej, disa minuta larg qendrës fillon një tjetër parajsë e vërtetë malore.
Hotele, shtëpi private dhe male të shumtë për tu eksploruar.
Mbërrijmë në një prej hotele më të populluara të kësaj zone “Fusha e Gjesë”.
Absolutisht nuk kishte si të mungonte mikpritja e familjes që ka këtë aktivitet privat, ku mes tyre si rrallë herë kishin edhe këngëtaren e njohur Fatmir Breçani. Një drekë me gatimet më tradicionale, ku nuk mungon mishi i pjekur, flija e mbi të gjitha rakia e vendit. Përveç shijes së gatimeve bio, drekës së shijes iu shtuan vallet e veriut e të jugut, me në krye deputetët e zonës. Jemin Gjana, Sheferedin Sheu e Mimoza Hajdermataj ishin disa nga ata që iu bashkuan edhe valles sonë.
Në eksplorim të zonës, zbuluam në tjetër hotel, i cili hapi dyer për gazetarët. “Margjekaj”, ishte hoteli i fundit në zonën e Valbonës, i veçuar nga ambientet e tjera. Ky hotel ishte ngritur pesë vjet më parë dhe ë të strehoheshin turistë të huajë më shumë çekë, gjermanë e francezë. Tregimeve të shumta për zonën e Tropojës po i vinte fundi teksa në malet me dëborë kishte nisur të perëndonte dielli.
Por shqetësimi i banorëve të këtyre zonave pas disa vendimeve për ngritje të hidrocentraleve na tërhoqi vëmendjen.
“Gjithçka merr fund këtu, nëse do të ngrihen hidrocentrale. Gjithë kjo bukuri nuk do jetë më”, na rrëfen Sherif Margjeka, pronari i hotelit.
Ishin rreze mes dëborës që rrallë herë ke kënaqësinë ti shikosh aq afër, mes palëve.
Dhe kështu ditës së parë të qëndrimit tonë i erdhi fundi. Në nisje për tu kthyer në Tiranë, preferuam që udhëtimin tonë ta kryenim me traget.
“Alpin”, është trageti më i madh që kryen udhëtimet nga Komani në Fierzë për afro dy orë. Pamje magjepse që shumica prej nesh i shijonte për herë të parë nuk kishin vend për fjalë për ti përshkruar.
Gjelbërim pa fund, pa fund ngado që të hidhje sytë.
Dhe kaq. Pas dy orësh trageti me turistë shqiptar dhe të huajë ndalon në Koman.
Duheshin dhe afro 2 orë e gjysmë për tu kthyer në Tiranë, dhe përveç temperaturave të larta, rruga e pashtruar pothuajse ia prishi gjithë lezetin udhëtimit.
Gjithsesi përtej çdo vështirësie në infrastrukturë, ata që dashurojnë klimën dhe ajrin e pastër duhet patjetër të kalojnë disa ditë shplodhëse në Valbonë